Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Faktori Kinë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri

Shënim i botuesit: Përkundër disa ndërhyrjeve në vitet 1990, Shtetet e Bashkuara e kanë trajtuar Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kryesisht si amulli strategjike. Ilari Papa nga Instituti i Uashingtonit për Politika të Lindjës së Afërt thotë se kjo do të ndryshojë. Gara strategjike me Rusinë dhe Kinën po rrit interesin për rajonin dhe po shton arsyet për angazhimin amerikan.

***

Në javën e parë të majit, anija e flotës amerikane Bob Hope arriti në portin shqiptar të Durrës në përgatitje për stërvitjet ushtarake të Defender Europe 21 të NATO-s. Përderisa NATO zhvillon stërvitje të përvitshme për të përforcuar ndëroperueshmërinë dhe koordinimin e aftësive të anëtarëve të tij, Defender Europe 21 dallohet për dy  arsye: ai do të jetë operacioni më i madh në Europën Juglindore që prej Luftës së Dytë Botërore dhe Shqipëria do të luajë rol të rëndësishëm. Pjesëmarrja e Shqipërisë në Defender Europe 21 nënvizon rritjen e rëndësisë së saj për politikën e jashtme të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, duke pasur parasysh garën e SHBA-së me ndikimin kinez në rajon.

Vendndodhja e rajonit përgjatë Mesdheut dhe në kryqëzim të Europës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, ofron pikëqasje të vlefshme strategjike. Interesat amerikane në Ballkanin Perëndimor përqendrohen në siguri dhe stabilitet. Gjatë shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë në fund të viteve 1990, Uashingtoni shtoi angazhimin në rajon duke udhëhequr Operacionin e Forcave Aleate të NATO-s, i cili ndali agresionin e regjimit jugosllav ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Të paktën në letër, që atëherë Shtetet e Bashkuara kanë investuar në zgjidhjen e konfliktit (mes Kosovës dhe Serbisë ), integrimin e rajonit në institucionet shumëpalëshe perëndimore dhe zbatimin e reformave demokratike. Sidoqoftë, politika amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe ndaj Shqipërisë në veçanti,është karakterizuar nga neglizhenca që prej përfundimit të luftës në Kosovë. Uashingtoni ka investuar pak resurse në rajon, duke u shfaqur i kënaqur me rolin e spektatorit. Në rastin e Shqipërisë, Uashingtoni ka luajtur rol të kufizuar, duke prioritizuar ndihmën për zbatimin e reformave kundër korrupsionit dhe luftimit të krimit të organizuar.

Politika amerikane ndaj Shqipërisë

Tre zhvillime lënë të kuptojnë se rëndësia e Shqipërisë po rritet për politikën amerikane në Ballkanin Perëndimor. Së pari, Uashtingtoni dhe Tirana kanë bashkëpunuar në sferën ushtarake bilateralisht dhe përmes NATO-s. Trupat shqiptare kanë përkrahur fushatat e NATO-s në Afganistan, Irak, Kosovë, Detin Egje dhe Letoni.

Më shumë se 3000 ushtarë shqiptarë i janë bashkuar forcave amerikane dhe aleate në Afganistan që prej 2002, ku 99 prej tyre ishin në detyrë më 2021 kur presidenti Biden njoftoi për tërheqjen amerikane. 1.343 trupa të tjerë shqiptarë morën pjesë në Operacionin Liria e Irakut, duke fituar lëvdata nga gjenerali Lloyd Austin, i cili punoi me forcat shqiptare si komandant i Trupave Shumëkombëtare dhe i cili tash është sekretar i mbrojtjes i SHBA-së.

Përfshirja e Shqipërisë në Defender Europe 21 dhe vlera e saj si partnere e SHBA-së buron prej këtyre viteve të bashkëpunimit në fushën e sigurisë, si dhe prej pozicionit strategjik të vendit në brigjet e Adriatikut dhe Jonit. Sipas Departamentit të Mbrojtjes, stërvitja “përfshin 28000 forca amerikane dhe aleate nga 26 vende të ndryshme,” ku Shqipëria ka zotuar 1000 trupa dhe 6 baza ushtarake përgjatë vendit.

Përveç ndihmës në lehtësimin e operacioneve të tyre ushtarake, Defender Europe 21 përmban edhe vlerë simbolike, duke siguruar partnerët europianë të NATO-s për përkushtimin e Uashingtonit ndaj sigurisë së tyre, ndërkohë që dërgon sinjal të fuqishëm Rusisë, e cila së fundmi ka grumbulluar trupa përgjatë kufirit me Ukrainën.

Nje tjetër tregues për rëndësinë e mundshme të Shqipërisë për Shtetet e Bashkuara është lulëzimi i bashkëpunimit ekonomik mes Uashingtonit dhe Tiranës – ndonëse mbetet i kufizuar krahasuar me partnerët tjerë tregtarë të Shqipërisë. Investimet e Uashingtonit në vend kanë filluar të shtohen së fundmi. Sipas Bankës Qendrore të Shqipërisë, “investimi direkt i huaj (FDI) amerikan është rritur në fund të çerekut të tretë të vitit 2020, duke u ngritur për 48 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.” Përveç kësaj, memorandumi i mirëkuptimit SHBA-Shqipëri i vitit 2020 krijoi hapësirën për rritje të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Pas nënshkrimit të memorandumit, firmat amerikane lidhen marrëveshje investimesh për dy projekte të mëdha të energjisë në Shqipëri: hidrocentralin e Skavicës dhe termocentralin e gazit natyror në Vlorë. Nëse projektet në Skavicë dhe Vlorë sjellin rezultate të frytshme, ka gjasë që edhe më shumë firma amerikane të futen në tregun shqiptar. Megjithatë, në këtë moment Shtetet e Bashkuara nuk luajnë ndonjë rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, qoftë përmes FDI-së apo në lidhjet më të gjëra tregtare. Shtetet europiane kanë investuar shumë më tepër në vend dhe tregtia amerikane është modeste krahasuar me importet prej lojtarëve të tjerë madhorë si Kina apo Rusia.

Më në fund, lidhjet SHBA-Shqipëri po bëhen gjithashtu më të forta në fushën e diplomacisë. Fuqia e butë e SHBA-së ka ndikim të fuqishëm në popullatën e Shqipërisë – sondazhet tregojnë vazhdimisht për qëndrime pro amerikane dhe në sondazhin e vitit 2019 të Gallup-it, 67 për qind e shqiptarëve thanë se janë të kënaqur me lidershipin e SHBA-së. Diaspora e madhe shqiptare në Shtetet e Bashkuara, avokimi i presidentit Ëoodroë Ëilson për shtetësinë shqiptare në fund të Luftës së parë Botërore dhe Operacioni Forcat Aleate i NATO-s më 1999, kanë kontibuar në sentimentin pro amerikan të Shqipërisë. Kjo përkrahje mes popullatës ka ndihmuar përpjekjet e SHBA-së në asistimin e vendit që të zbatojë reformat gjyqësore që synojnë përforcimin e gjykatave shqiptare dhe luftimin e korrupsionit.

Për më tepër, Shqipëria i është bashkuar Rrjetit të Pastër [Clean Network], nismë e administratës së Trump-it që ka vazhduar edhe nën presidentin Biden, e cila synon të ndërtojë infrastrukturë të sigurt 5G dhe standarde të privacisë së të dhënave dhe të luftojë dominance e Kinës në tregun 5G. Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe kryeministri shqiptar Edi Rama ripohuan përkushtimin e Shqipërisë ndaj rrjeteve të sigurta 4G dhe 5G duke nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në Bruksel gjatë samitit të NATO-s në qershor 2021.

Së bashku me 38 shtete anëtare të OKB-së, përfshi Shtetet e Bashkuara, Shqipëria gjithashtu dënoi shkeljet e të drejtave të njeriut nga Kina në Xinjiang, Hong Kong dhe Tibet. Ndonëse ndjenja e solidaritetit të popullatës shumicë myslimane të Shqipërisë me myslimanët ujgurë në Xinjiang motivoi pjesërisht dënimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga Kina, kjo prapëseprapë tregon mjaft, duke marrë parasysh se Shqipëria pranon investime kineze përmes Nismës Rrugë dhe Rrip [Road and Belt Initiative] të Pekinit. Për t’i vënë gjërat në perspektivë, vendet me shumicë myslimane në Lindjen e Mesme jo vetëm që nuk kanë bërë zë për shkeljet e Kinës ndaj myslimanëve ujgurë, por madje kanë lavdëruar shtypjen e Kinës si metodë të efektshme për të luftuar terrorizmin.

Shqipëria është solidarizuar gjithashtu me Perëndimin sa i përket disa prioriteteve të politikës së jashtme amerikane, gjë e cila mund të dëshmohet e dobishme për Shtetet e Bashkuara, meqë vitin tjetër Shqipëria i bashkohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së si anëtare jo e përhershme. Tirana iu bashkua vendeve europiane dhe Uashingtonit në përgjigjen ndaj helmimit të Skripal-it më 2018 duke përjashtuar dy diplomatë rusë. Shqipëria gjithashtu i hyri në zemër presidentit Trump kur përjashtoi ambasadorin e Iranit për shkak të çështjeve të sigurisë kombëtare.

Ai vendim koincidoi me fushatën e “presionit maksimal” të SHBA-së, që synonte të detyronte Iranin që të hiqte dorë prej programit bërthamor dhe agjendës armiqësore në Lindjen e Mesme. Këto marrëdhënie të ngrohta duket se po vazhdojnë nën administratën Bidenit. Në një takim me kryeminstrin Rama në samitin e NATO-s, Sekretari Blinken shprehu falëndërimin e Shteteve të Bashkuara për bashkëpunimin e Shqipërisë, përfshi stërvitjet e Defender Europe 21, dhe foli për shpresën për bashkëpunim të vazhdueshëm mes Tiranës dhe Uashingtonit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Sido që te jetë, marrëdhëniet SHBA-Shqipëri patën disa lëkundje gjatë presidencës së Trumpit, disa prej të cilave kanë vazhduar edhe në epokën e Bidenit. Tirana u bashkua me qendrimin e BE-së dhe nuk e njohu Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit në votën e OKB-së më 2017. Vendi mbetet gjithashtu pjesë e Nismës Rrip dhe Rrugë të Kinës, pa marrë parasysh skepticizmin e SHBA-së rreth përpjekjeve të Pekinit për të investuar në infrastrukturë tokësore, ujore dhe digjitale për të lidhur pjesën tjetër të botës me Kinën. Shqipëria synon të përforcojë ekonominë e saj përmes investimeve të huaja dhe qeveria e konsideron Nismën Rrip dhe Rrugë si mundësi për rritje ekonomike, më shumë se sa aspekt të garës së fuqive të mëdha.

Incidenti më i fundit negativ ngjau në prill, kur presidenti i Shqipërisë Ilir Meta akuzoi pa të drejtë ambasadoren amerikane në Shqipëri Yuri Kim për ndërhyrje në zgjedhjet parlamentare të vendit në favor të kryeministrit Rama. Akuzat erdhën pas dënimit të Kim për thirrjet e Metës për dhunë nëse Partia Socialiste do të fitonte zgjedhjet. Departamenti amerikan i Shtetit nxiti gjithashtu tensione në maj kur këmbënguli në përpjekjet për të ndihmuar fushatën e Shqipërisë kundër korrupsionit duke njoftuar për ndalimin e hyrjes në SHBA për ish presidentin dhe ish kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha, për shkak të përfshirjes në korrupsion gjatë mandateve të tij. Përderisa presidenti Meta dhe Berisha i Partisë Demokratike kritikuan veprimin e SHBA-së, ambasadorja Kim nënvizoi rëndësinë e llogaridhënies dhe pohoi se “askush nuk është mbi ligjin.”

Gara Strategjike

Përkundër këtyre pengesave të rastit, përgjithësisht marrëdhëniet e SHBA-së me Shqipërinë janë përforcuar dhe relevanca e Shqipërisë në politikën amerikane në Ballkanin Perëndimor është rritur. Një prej arsyeve prapa kësaj është përqendrimi i Uashingtonit në garën strategjike me Kinën. Përderisa tregtia dhe investimet e Pekinit në Ballkanin Perëndimor janë të vogla krahasuar me rajonet tjera prioritare, Kina ka bërë inkursione në rajon.

Kina është përqendruar kryesisht në Serbi, duke investuar 10.53 miliardë dollarë mes viteve 2005 dhe 2020, përfshi 16 projekte energjetike, të telekomunikacionit, industriale dhe infrastrukturore gjatë gjashtë viteve të fundit. Ajo gjithashtu ka blerë aksione në portin grek të Pireut dhe ka investuar në të paktën shtatë projekte në Shqipëri, përfshi hidrocentralin e Bushatit dhe Aeroportin ndërkombëtar të Tiranës (ndonëse tenderin e fitoi një firmë private për të operuar me aeoroportin më 2021) dhe “rafinerinë më të rëndëishme të naftës në vend.

Sa më shumë që Kina të arrijë të depërtojë në rajon, aq më e lartë mundësia që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen më të varura në Pekinin dhe të bëhen më të cënueshme ndaj shfrytëzimit të terrenit ekonomik për përfitime politike. Në rastin e Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur të kundërshtojnë ndikimin kinez duke ngritur vetëdijën për politikat e saj grabitqare të investimeve, posaçërisht në lidhje me teknologjinë 5G, si dhe duke mbështetur institucionet demokratike dhe duke rritur bashkëpunimin ushtarak e ekonomik për të përforcuar aleancën me Tiranën si mburojë kundër ndikimit kinez në rajon.

Ndryshe nga Pekini, Uashingtoni nuk mund të urdhërojë firmat amerikane që të bëjnë biznes në Shqipëri, por administrata e Biden-it duhet të vazhdojë të mundësojë investimet amerikane në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës, si alternativë ndaj Nismës Rrugë dhe Rrip të Kinës. Shtetet e Bashkuara duhet gjithashtu të vazhdojnë të ofrojnë asistencë teknike për të ndihmuar Shqipërinë që të zbatojë reformat kundër korrupsionit.

Ndërkohë, Uashingtoni mund të shtyjë qeverinë shqiptare që të krijojë mekanizma të fortë për të bërë mbikëqyrjen e investimeve të huaja për të siguruar që bashkëpunimi i Shqipërisë me Kinën të mos ngrisë shqetësime të sigurisë. Ndonëse marrëdhënia SHBA-Shqipëri ka ende shumë hapësirë për t’u rritur, strategjia proaktive e Uashingtonit për angazhim me Shqipërinë mund të paraqesë një model pozitiv të bashkëpunimit me aleatët, për sa i përket garës së SHBA-së me Kinën dhe vendet tjera revizioniste.

***

Artikulli origjinal në Lawfare blog, më 20 qershor 2021.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.