Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ferr urban: Përbuzje ndaj zonave të gjelbra

Fakti që në 50 vitet e fundit ka pasur një rritje të temperaturës me 0,5 gradë në vit ka një ndikim minimal tek ata që planifikojnë zhvillimin e qyteteve. Megjithatë, fitimi duket më tërheqës.

Ishte një nga ditët e para të ngrohta të qershorit të këtij viti në Novi Sad. Në parkun prapa Rektoratit të Universitetit të Novi Sadit, ku prof. dr. Stevan Saviq dhe bashkëpunëtorët e tij parkuan një stacion të lëvizshëm për matjen e temperaturës dhe parametrave të tjerë, ishte me të vërtetë e durueshme (nëse nuk i llogarisim mushkonjat!); por përtej hijeve të pishave të shumtë ishte, për ta thënë butësisht, e padurueshme.

Dr. Saviq është profesor në Katedrën e gjeografisë, turizmit dhe hotelerisë (Katedra e gjeoekologjisë) pranë Fakultetit të shkencave matematiko – natyrore në Novi Sad dhe fusha e tij kërkimore – shkencore është klimatologjia urbane.

“Klima urbane, thjesht, është klima e qyteteve, dhe kjo është në fakt është një klimë e modifikuar për sa i përket mjedisit natyror”, më shpjegon ky klimatolog urban.

Megjithëse është një nga parqet e pakta në Novi Sad, nuk ka asnjë garanci se parku në kampusin universitar do të mbijetojë me madhësinë – dimensionon aktual.

Ndërsa profesor Saviq më tregon për rritjen e temperaturave në qytet, unë vazhdoj të mendoj për faktin se Novi Sad ka humbur shtatë parqe (!) dhe zona të mëdha të gjelbra në pesë vitet e fundit, përmes ndryshimeve në dokumentacionin e planifikimit për shkak të – qartë – ndërtimin e komplekseve të reja banesore dhe ambienteve afariste.

Novi Sad po përballet jo vetëm me pasojat e ndryshimeve klimatike, që paraqet një fenomen global, por edhe lëvizjet joracionale të autoriteteve të qytetit, të cilat e bëjnë jetën gjithnjë e më të padurueshme për qytetarët në qytetin e dytë më të madh të Serbisë.

Sidomos gjatë stinës së verës.

Vitet e fundit, gjatë valëve të të nxehtit të theksuar, midis zonave më të urbanizuara në Novi Sad dhe mjediseve natyrore rreth qytetit, ndryshimi i temperaturës, veçanërisht gjatë natës, mund të jetë midis tetë dhe madje dhjetë gradë, më thotë profesor Saviq.

Rritja e temperaturës në qytete, shton ai, është pasojë e urbanizimit gjithnjë e më të theksuar, ndërsa ndryshimi i klimës vetëm po kontribuon në mënyrë plotësuese në rritjen e temperaturës globale dhe kontribuon në temperatura edhe më të larta në qytete – kryesisht për shkak të kombinimit të sipërfaqeve artificiale dhe ndërtesave të larta.

Dhe mungesës gjithnjë e më të dukshme të zonave të gjelbra.

“Në Novi Sad, numri i zonave të gjelbra është reduktuar ndjeshëm. Kanë mbetur hapësira të gjelbra përgjatë rrugëve kryesore dhe korridoreve infrastrukturore dhe disa parqe që mund të numërojmë në dy duar, ndërsa, për shembull, vetëm Vjena ka disa qindra parqe”, thotë Ana Ferik-Ivanoviq, kryetare e Shoqatës së Arkitektëve të Novi Sadit.

Këtë pranverë, pikërisht në kohën kur qyteti hyri në një konfrontim brutal me oazën e çmuar të gjelbër në brigjet e Danubit, i njëjti qytet, i cili sipas sondazhit të Rrjetit “Të pyllëzojmë Vojvodinën” është i nënti për sa i përket sipërfaqes pyjore (në hektarë), dhe i 12-ti për sa i përket intensitetit të zhurmës midis qyteteve dhe vendbanimeve në Vojvodinë – në, kujdes tani, rajonin më pak të pyllëzuar në Evropë! – meritoi titullin “Qyteti Evropian i pyjeve“!?

Ajo oazë, “mushkëritë e qytetit” dhe habitati i llojeve të shumta të shpendëve, ka pësuar shkatërrim të madh për shkak të ndërtimit të paralajmëruar të një ure të re në Danub – deri më tani vlerësohet se rreth 50 pemë janë prerë, ndërkaq është e sigurt se prerjet do të vazhdojnë kur të fillojë puna në urë – dhe pikërisht nga ata që do të mburren me titullin “Qyteti Evropian i pyjeve”, këtë vit.

Ambientalistët që kanë ngritur kampe për muaj të tërë dhe duke u përpjekur kështu të mbrojnë Shodrosh-in kanë treguar këmbëngulje – ashtu si autoritetet e qytetit në synimin e tyre për të përgatitur terrenin për ndërtimin e urës (e cila, siç pretendohet, është “kali i Trojës” për ndërtimin e një milion metra katrorë apartamente dhe hapësira të tjera në projektin jo zyrtarisht të quajtur “Novi Sad në ujë”!).

Nëse etërit e qytetit nuk e kanë problem prerjen e pyllit, pse investitorët do ta kishin problem të japin një projekt në të cilin gjelbërimi, në rastin më të mirë, ekziston vetëm në letër. Po ashtu edhe hapësirat e parkimit.

Pavarësisht nga fakti se zona urbane e Novi Sadit sot ka të paktën 100.000 banorë më shumë se 20 vjet më parë, ndërsa sipas numrit të atyre që emigrojnë, ky është i vetmi qytet që mund të konkurrojë Beogradin, qyteti dikur i qetë i Vojvodinës “sipas nevojave të njerëzve” në dekadën e fundit është shndërruar në një qytet nga i cili iket sa herë të kesh mundësi, qoftë edhe për fundjavë, kryesisht në Frushka Gora, e cila, nga ana tjetër, po humbet me shpejtësi statusin e saj shekullor si një pyll i dendur dhe i pasur; pyjet, nën kujdesin e shtetit dhe KOS (Kishës Ortodokse Serbe), po prihen pa mëshirë.

 

Burimi: pixabay.com

I mbipopulluar, me një infrastrukturë trafiku që është gjithnjë e më e vështirë për t ‘u përballuar me numrin në rritje drastike të makinave, ndërsa infrastruktura e vjetruar komunale nuk ka kapacitet për numrin në rritje të ndërtesave të reja dhe banorëve të rinj; në një pjesë të mirë të vitit me ajër të ndotur, me temperatura të larta verore dhe i rrethuar me beton nga të gjitha anët, Novi Sad ende u ofron individëve atë që mjedisi i tyre amë, i cili është shumë më i shëndetshëm për jetën, nuk u ofron: njëfarë perspektivë.

Kështu, jeta në Novi Sad u bë me sa duket e vlefshme për t ‘u duruar, si një lloj mazokizmi. Politikanët, nga ana tjetër, e shohin atë përmes thjerrëzave të tyre dhe me krenari theksojnë se qyteti ka qenë një “kantier i madh ndërtimi” për vite me radhë.

Cili është vëllimi i ndërtimit të banesave në Novi Sad? Këtu, përveç pothuajse 200.000 njësive banesore tashmë ekzistuese, në vitin 2022, u ndërtuan edhe rreth 10.000 banesa – vetëm atë vit, filluan të ndërtohen edhe rreth 3.500 banesa të tjera.

Urbanizimi në Serbi në pesëdhjetë vitet e fundit ka çuar në një rritje të konsiderueshme të përqindjes së zonave të ndërtuara në qytete – nga 1,06% e sipërfaqes së përgjithshme ndërtesa në vitin 1975 në 1,97% në vitin 2014, thotë prof. dr. Sllobodan Milutinoviq, profesor në Fakultetin për siguri gjatë punës në Nish, fusha më e ngushtë e interesit e të cilit është urbanizimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm urban.

Gjatë kësaj, gjithnjë e më pak vëmendje i kushtohet zonave të gjelbra.

“Krahasuar me qytetet evropiane, qytetet në Serbi kanë një sasi pothuajse të papërfillshme të hapësirës së përgjithshme të gjelbër në krahasim me zonën e përgjithshme urbane. Për shembull, Stokholmi dhe Frankfurti kanë 68%, përkatësisht 52% hapësirë të gjelbër, ndërsa Kragujevac dhe Subotica mezi janë afër 5%. Plani për Rregullimin e Përgjithshëm të Sistemit të Zonave të Gjelbra për Beogradin, i miratuar në vitin 2019 si pjesë e projektit “Rregullativa e gjelbër e Beogradit”, parashikon një rritje të sipërfaqes së gjelbër (pyje dhe zona të gjelbra publike) nga 12,38% aktuale në 22,74%. Megjithatë, pavarësisht nga statistikat, praktika tregon se hapësirat e gjelbra nuk janë prioritet i autoriteteve të qytetit në epokën e urbanizmit të investitorëve, në të cilën jetojmë. Planet për gjelbërim, megjithëse ekzistojnë, nuk zbatohen ndërsa zonat ekzistuese të gjelbra janë të fragmentuara dhe mirëmbahen ose riparohen dobët.

Përveç rëndësisë së infrastrukturës së gjelbër për rekreacion, lojës së fëmijëve ose përjetimit estetik dhe shpirtëror të hapësirës urbane, gjelbërimi në qytete është, thotë profesor Milutinoviq, një katalizator i rëndësishëm për klimën lokale dhe nivelet e ndotjes së ajrit.

“Në kushtet e temperaturave ekstreme dhe valëve të nxehtësisë ndaj të cilave do të ekspozohemi gjithnjë e më shumë, temperatura e sipërfaqeve me hije është dukshëm më e ulët dhe atje është më këndshëm sesa në sipërfaqe pa hije. Për shkak se depërton në tokë, gjelbërimi lejon rregullimin më të mirë të reshjeve dhe, në kështu, parandalon ndikimin negativ të rrjedhjeve sipërfaqësore ekstreme dhe trajtimin më të mirë të ujërave të zeza. Zonat e gjelbra janë veçanërisht të rëndësishme në qytete të cilat, për shkak të pjerrësisë së terrenit ose karakterit të tokës, kanë probleme me erozionin dhe rrëshqitjen e tokës: zonat e gjelbra parandalojnë erozionin e tokës dhe parandalojnë rrëshqitjet e tokës. Së fundi, hapësirat e gjelbra krijojnë kushte për mbështetje të shërbimeve të ekosistemit në qytete, duke përfshirë biodiversitetin, mbrojtjen biologjike dhe pllenimin”.

“Është më mirë të shërosh, sesa të parandalosh.”

Rrjedhje sipërfaqësore. Ky është termi që qytetarët e Novi Sadit, edhe pse jo për herë të parë vitet e fundit, e njohën në mënyrë të dhimbshme në maj të këtij viti, kur për dhjetë minuta qyteti u godit nga një shi i madh, që shkaktoi përmbytjen e shumë rrugëve të qytetit. Megjithëqë paralajmërimeve mjaft të qarta se na presin kushte më ekstreme të motit në të ardhmen, kryetari i koumës së Novi Sadit, Millan Gjuriq, nuk e konsideron si diçka të mençur – dhe me kosto efektive – të investojë në forcimin e kapacitetit për pranimin e kaq shumë uji, kështu që ai konkludon shkurtimisht se është më kosto-efektive t ‘u jepet qytetarëve – kompensim për dëmin!

Reshje të tilla ekstreme, të cilat kohët e fundit çuan në përmbytje në shumë zona në Serbi, janë pasojë të ndryshimeve klimatike, sipas profesorit Millutinoviq, ndërsa në kushte të tilla infrastruktura ekzistuese për largimin e ujërave të zeza atmosferike, e projektuar për disa kushte të tjera, më të buta, nuk është në gjendje të pranojë sasinë e ujit, kështu që ndodhin përmbytje.

Problemi, thekson ky ekspert, është se ajo infrastrukturë ende projektohet për kushtet e reshjeve që kishim kur ndryshimet klimatike nuk ishin aq të theksuara.

“Një problem tjetër i madh është shtrimi i qyteteve me mbulesë të papërshkueshme nga uji. “Sipërfaqe më të asfaltuara, me beton apo me pllaka do të thonë më pak mundësi të infiltrimit të reshjeve atmosferike në tokë ndërsa me këtë zvogëlimi i ngarkesës në infrastrukturën për kullimin e ujërave të zeza atmosferike,” thotë profesor Millutinoviq.

Në Serbi, të paktën, nuk krijohet përshtypja se pasojat nga ndryshimet drastike në klimën globale dhe madje edhe klimën në qytete, shqetësojnë dikë seriozisht, megjithëse këto tashmë ndikojnë në cilësinë e jetës dhe shëndetin e popullsisë.

Klimatologjia urbane, me të cilën merret profesor Stevan Saviq, duhet t ‘i shërbejë në fakt shëndetit publik, në mënyrë që shkencëtarët me propozimet e tyre të kontribuojnë në përmirësimin e situatës dhe përshtatjen më të mirë të qytetarëve me kushtet e reja klimatike.

Hulumtimet mund të tregojnë se urbanistët dhe autoritetet lokale kanë gabuar me urbanizimin, thotë profesor Saviq, i cili pranon se, me të vërtetë nuk ka një përvojë pozitive në këtë aspekt.

“Bëhet gabim me përqendrimin e lartë të objekteve shumë të larta në një hapësirë shumë të vogël”, thotë profesor Saviq, “dhe duhet saktësisht të dihet se si të përshtatet kombinimi i zonave të gjelbra dhe të ndërtuara për të pasur temperaturë optimale”.

Profesori Sllobodan Milutinoviq thotë se Ministria për Mbrojtjen e Mjedisit, ka hartuar një projekt- plan kombëtar për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike, i cili është nën shqyrtim publik. Një pjesë e vetëqeverisjeve lokale kanë miratuar edhe plane lokale për përshtatje. Megjithatë, vëren profesor Millutinoviq, këto plane nuk po zbatohen. Një shembull i mirë i kësaj është plani për përshtatje me ndryshimet e kushteve klimatike për qytetin e Beogradit, i cili u miratua në vitin 2015 dhe nuk është zbatuar.

“Me nënshkrimin e Agjendës së Sofjes, Serbia ka marrë përsipër të zbatojë Agjendën e Gjelbër të BE-së, e cila përfshin, midis të tjerash, zhvillimin e politikave të gjelbra dhe të përgjegjshme ndaj klimës. Sipas mendimit tim, problemi më i madh, megjithatë, është ndërgjegjësimi i pamjaftueshëm i kreatorëve të politikave publike për nevojën, për perceptimin e të gjitha politikave publike përmes prizmit të zbutjes dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike”.

Miratimi i akteve dhe dokumenteve të ndryshme është një gjë, por pranimi i ndryshimeve klimatike në realitet është padyshim diçka krejtësisht tjetër. Madje edhe fakti që, siç na sugjeron profesori Stevan Saviq, në 50 vitet e fundit ka pasur një rritje të temperaturës me 0,5 gradë në vit në stacionet matëse jashtë qyteteve, ndërkaq një prirje e tillë është vërejtur në vetë qytetet, ka ndikim të papërfillshëm tek ata që planifikojnë zhvillimin e qyteteve. Përfitimet, megjithatë, janë më tërheqëse për ta.

Nëse nuk do të ishte kështu, me siguri institucionet në Novi Sad, veçanërisht ndërmarrja komunale, e cila duhet të reagojnë së pari në rast përmbytjeje në qytet, do të kishte pranuar dhuratën e profesorit Saviq dhe kolegët e tij, të cilët nëpërmjet një projekti siguruan rrjet prej 15 stacione për reshje, plus një sistem për paralajmërim të hershëm për përmbytje.

Askush nuk u interesua për këtë. Fakulteti, me aq para sa kishte, e mbante atë pajisje, kështu që pas 2-3 vitesh duhej ta fiknin. E njëjta gjë ndodhi edhe me pajisjen e mëparshme.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.