Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Flamuri amerikan i presidentit Thaçi

Foto nga Freepik.

Mbaj mend që, në prill të vitit 2016, Policia e Kosovës dhe ajo e Eulex-it e patën bastisur shtëpinë luksoze të ish-komandantit të UÇK-së, Azem Syla, nën dyshimin se ai, si “kreu i një grupi kriminal prej 51 personash” kishte drejtuar një rrjet të krimit të organizuar në periudhën e pas-luftës në Kosovë, duke përfituar miliona euro nga procesi i privatizimit dhe allishverisheve të tjera.

Siç dihet nga kushdo, ky aksion spektakolar i Policisë së Kosovës dhe Eulex-it pati ngazëllyer zemrat e shumë njerëzve, të cilët, me të drejtë apo jo, shpresonin se, më në fund, edhe vendi ynë do të çlirohej nga “bandat e kusarëve” (që të huazoj një shprehje të famshme të Shën Augustinit) dhe, rrjedhimisht, Kosova do të bëhej një vend i jetueshëm për të gjithë.

Ajo që më pat bërë përshtypje personalisht, sidoqoftë, nuk ishte aksioni në fjalë, por një detaj që, për fat të keq, kurrë ndonjëherë nuk është trajtuar.

Përmbledhtas, ky qe detaji që pat tërhequr vëmendjen time: Teksa policët po hynin në oborrin e shtëpisë së zotit Syla, kameramani i një televizioni që po ndiqte nga afër aksionin e Policisë kishte kapur një gjë që, qysh atëherë, nuk më është shqitur asnjëherë nga mendja. E kam fjalën, për flamurin e madh amerikan në oborrin e shtëpisë së tij.

Që ne shqiptarët e kemi zakon të vendosim nga një flamur të madh kombëtar, sa herë që ndodh të zaptojmë ndonjë pronë publike, apo të ndërtojmë ndonjë objekt ilegal, këtë gjë edhe e dija. Por që edhe kriminelët dhe të korruptuarit e vendosin nga një flamur të madh amerikan në oborret dhe kulmet e shtëpive të tyre, këtë gjë nuk e kisha fiqiruar kurrë më parë. Kështu, nga kureshtja, vendosa të shikoja edhe shtëpitë e disa politikanëve të tjerë, duke përfshirë edhe atë të presidentit Thaçi. Dhe çfarë të shoh, të gjithë e kishin të vendosur nga një flamur të madh amerikan dhe kombëtar në shtëpitë e tyre!

Po i referohem këtij detaji sepse, në gjykimin tim, më mirë se çdo gjë tjetër e nxjerr në pah “dashurinë” e vërtetë të Thaçit dhe kompanisë së tij ndaj aleatëve tanë perëndimorë. Në veçanti, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

Në ç’kuptim? – do të pyes ndokush.

Në kuptimin që, ashtu si shumë sundimtarë të tjerë autokratik dhe diktatorial, edhe Thaçi me kompaninë e tij e “duan” Perëndimin për aq kohë sa Perëndimi i “don” ata; ose, të paktën, për aq kohë sa Perëndimi nuk iu prishë terezinë në korrupsion, krim të organizuar, ekonomi informale, e kështu me radhë. Në çastin që fillojnë të humbasin përkrahjen e tyre, sidoqoftë, këta fillojnë sakaq të mos i japin pesë pare për aleatët Perëndimorë, duke u hedhur madje si dema të tërbuar në sulm kundër tyre.

Për mendimin tim, kjo është edhe arsyeja kryesore pse presidenti Thaçi ka ashpërsuar gjuhën e tij kundër aleatëve Perëndimorë. Së pari, sepse aleatët Perëndimorë e kanë izoluar ndërkombëtarisht. Dhe, së dyti, sepse, si duket, Thaçi e ka kuptuar që ndërkombëtarët do ta tërheqin zvarrë për në Gjykatën Speciale – Gjykatë kjo që e pat bërë pikërisht për të mos përfunduar vetë aty.

Në këtë kuptim, veprimi i fundit i presidentit Thaçi është tipik i sundimtarëve autokratik dhe diktatorial. (Historia, së paku që nga Lufta e Peloponezit, e deri te rasti i luftës së fundit në Siri, njeh shembuj të panumërt të sundimtarëve që, për të shpëtuar lëkurën e vet, kanë qenë të gatshëm të izolojnë edhe vendet e tyre nga bota. Madje jo vetëm kaq, por edhe t’i shkatërrojnë ato. Shembulli i Bashar al-Assad-it, diktatorit sirian, besoj se e ilustron më së miri këtë që po them. I cili, për t’i ikur gjykimit për krime kundër njerëzimit, vendosi të shkatërrojë popullin dhe shtetin sirian).

Së këndejmi, është e domosdoshme që aleancën me shtetet perëndimore të mos e lëjmë në duart e politikanëve të korruptuar dhe të kriminalizuar (i.e., si puna e Thaçit), sepse pasojat do të jenë afatgjata për popullin shqiptar në Ballkan. Po ashtu, është e rëndësishme (tepër e rëndësishme, do të thoja unë), që aleancën me shtetet Perëndimore, e sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë të mos e konceptojmë si qëllim në vetvete. Sepse, siç kanë argumentuar edhe shumë studiues të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (MN), e sidomos ata që janë marrë specifikisht me atë që në literaturën akademike njihet si teoria e “balancimit të pushtetit,” si dhe teoria e “balancimit të kërcënimit,” aleancat janë përherë instrumente të shteteve për të mbijetuar në atë që njihet si sistem ndërkombëtar, por kurrsesi si qëllim në vetvete.

Po ashtu, dhe më me rëndësi se këto të dyja, është e domosdoshme që politikanët në Kosovë dhe Shqipëri të mos e privatizojnë aleancën me Perëndimin (siç kanë bërë deri me tani): një, për të mbetur në pushtet, dhe dy, për të luftuar kundërshtarët e vetë politikë. Sepse, siç argumenton edhe një mendimtar i madh politik, mbase mendimtari më i madhi politik pas Machiavelli-t, miku dhe armiku janë kategori politike. Rrjedhimisht, ata nuk mund të jenë privat, por përherë publik.

Tjetra, dhe që, fatkeqësisht, e gjej të shprehur kudo, është e rëndësishme që aleancën me shtetet Perëndimorë të mos e shohim në një rrafsh perenialist (“miqësi të përhershme,” “miqësi të përjetshme,” e kështu me radhë.), sepse kjo ka prodhuar një gjë tejet të dëmshme për interesat e shqiptarëve.

Në ç’kuptim?

Në kuptimin që, në vend se të shfrytëzohet “momenti unipolar” për të konsoliduar interesat e shqiptarëve në Ballkan, politikanët e korruptuar të sojit të Thaçit kanë menduar pak a shumë kështu: meqë kjo miqësi është e përhershme dhe e përjetshme, pse të kërkojmë tash realizimin e ndonjë aspirate kombëtare, kur këtë gjë mund ta bëjmë pas disa viteve, ose pas disa dekadave. Në ndërkohë, mund të kërkojmë realizimin e ndonjë kërkese personale, në kuptimin e mbetjes në pushtet.

Dhe e fundit, por assesi për nga rëndësia, është e rëndësishme që aleancën me Perëndimin të mos e mbajmë vetëm në regjistrin kulturor, siç duan ta mbajnë disa që besojnë në profecinë idiotike të Samuel Huntington-it mbi “përplasjen e qytetërimeve,” por edhe në atë politik, ekonomik dhe ushtarak.

Sepse, vetëm kësisoj, shqiptarët mund të bëhen partner dhe aleat strategjik i shteteve mike të Kosovës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.