Të dielën e 23 prillit u mbajt raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë, zgjedhjet më përcaktuese në 60 vitet e fundit për një prej shteteve më të fuqishme evropiane dhe ekonomive më të zhvilluara botërore. Këto zgjedhje, gati si asnjëherë më parë, përcaktojnë të ardhmen e Francës dhe tërë kontinentit evropian, me implikime vështirë të riparueshme apo të kthyeshme për gjithë globin.
Zgjedhjet e sivjetshme po konsiderohen si ndër më të paparashikueshmet në historinë e saj për shkak të kandidatëve ekscentrikë, sulmeve terroriste dhe imigracionit, papunësisë kronike, pasigurisë rreth të ardhmes dhe valës globale apo perëndimore të ngritjes së populizmave të rrezikshëm. Zgjedhjet u karakterizuan nga larushia e konkurrentëve të cilët renditeshin prej komunistëve, socialistëve dhe të majtës radikale e cila përfaqësohej nga rebeli Jean-Luc Melenchon, e deri te ana tjetër e spektrumit politik të përfaqësuar nga liderja e ekstremit të djathtë, nacionalistja dhe populistja Marine Le Pen. Por befasia e vërtetë e këtyre zgjedhjeve ishte kandidati i qendrës, ish-ministri i ekonomisë në qeverinë e Presidentit Hollande, Emmanuel Macron. I ri, energjik, me optimizëm karakteristik, studiues i filozofisë dhe bankier i suksesshëm, Macron arriti që për më pak se një vit ta krijojë një lëvizje të fuqishme politike të bazuar tek të rinjtë dhe në vullnetarizëm, duke mobilizuar masa të mëdha të qytetarëve francezë, që e nxori atë prijës në raundin e parë të zgjedhjeve.
Si centrist, Macron nuk është thjesht në mes të Melenchonit dhe Le Penit, as i majtë e as i djathtë, nuk është “mesi i artë“ i sigurisë që Macron e ka zgjedhur. Në fakt, Macron ka zgjedhur rrugën më të vështirë në këto zgjedhje në Francë, duke mos iu dorëzuar joshjes së populizmave, paragjykimeve, manipulimit të pasigurisë së qytetarëve francezë, frikës së tyre, dhe fajësimit të të tjerëve për problemet e Francës. Macron ka zgjedhur të jetë pro BE në një kohë kur ajo po sulmohet nga të gjithë, kur Melenchon dhe Le Pen kërkojnë dalje nga ajo, ai ka zgjedhur të jetë pro monedhës euro (por me reforma thelbësore) gjersa të tjerët e konsiderojnë burim krizash financiare në disa shtete të eurozonës, kur të tjerët mendojnë se ajo i ka shërbyer vetëm Gjermanisë.
Macron vazhdon të jetë në favor të tregtisë së lirë dhe globalizimit kur sulmimi i tyre iu ka dhuruar fitore izolacionistëve dhe nacionalistëve, ai është pro imigracionit në një kohë kur ksenofobët klithin për mbyllje kufijsh. Përderisa Le Pen e mohon përfshirjen franceze në deportimin e çifutëve nga Franca gjatë Luftës së Dytë Botërore, Macron e ka quajtur kolonizimin e Algjerisë krim kundër njerëzimit duke ftuar për pajtim rreth të kaluarës.
Praktikisht, Macroni centrist është e kundërta e skajeve, majtiste dhe djathtiste, pothuajse në çdo pikë. Mund të thuhet se ai, në fakt, është përtej së majtës dhe së djathtës duke ngërthyer elemente nga të dyja por duke mos u kufizuar nga asnjëra. Ai njihet si liberal në çështje sociale, si reformues i ligjit të punës duke kërkuar relaksimin e tij në shumë pika që do t’i ndihmonte bizneset të ishin më fleksibile në punën e tyre, por edhe si mbrojtës i sistemit të mbrojtjes sociale që ofron mbështetje për të papunët dhe humbësit e globalizimit. Pra, Macron i sfidon kategorizimet e ngurta e tradicionale majtë, djathtë, qendër, liberal, konzervativ, duke i çorientuar kundërshtarët e tij.
Ai arriti të ngadhënjejë në raundin e parë përkundër faktit se një analizë racionale lehtë do të mund të konkludonte se terreni në Francë ishte pjellor për fitore të një lëvizjeje populiste, ashtu siç ishte pjellor në Amerikë, ashtu siç u dëshmua të ishte në Britani të Madhe, ashtu siç gati sa s’u dëshmua në Austri e Holandë.
Të gjithë indikatorët tregonin për një pakënaqësi të lartë të qytetarëve francezë me gjendjen e tyre, me shtetin e tyre, e veçanërisht me ata që kishin udhëhequr në Francë qysh nga themelimi i Republikës së Pestë në vitin 1958. Dhe kjo u dëshmua në masë të madhe në këto zgjedhje ku dy partitë kryesore franceze, Partia Socialiste dhe Partia e Republikanëve (“Les Républicains”), pësuan fiasko duke mos arritur asnjëra të kualifikohen për raundin e dytë. Pakënaqësitë e qytetarëve francezë janë po ato pakënaqësi që kanë pushtuar pothuajse të gjitha shtetet evropiane dhe perëndimore, nga të cilat kryesorja është kriza ekonomike dhe financiare e vitit 2008 prej së cilës Evropa nuk po arrin të rikuperohet shpejtë. Kjo krizë ekonomike nxori në pah shumëçka, veçanërisht pabarazinë e lartë në të hyra mes shtresave të ndryshme shoqërore, nxori në pah përkrahjen e politikës ndaj atyre që në sytë e shumicës e kishin shkaktuar krizën dhe rrjedhimisht kjo çoi në rrënimin e besimit në elitat politike. Për pasojë, lindi miti i liderit “anti-establishment”, të atij ose asaj që do ta kryejë hakmarrjen në emër të popullit, që do ta mbrojë atë, që do t’i vëjë gjërat në vend ashtu siç kishin qenë dikur.
Kjo lloj hakmarrjeje e krijoi Brexit-in, rastin ideal që me një votë t’i jepej shpullë të gjithë establishmentit përnjëherësh; e mundësoi Trumpin, “outsider”-in e politikës amerikane, njeriun anti-establishment edhe ndaj vet partisë e cila e nominoi.
Përmes së njëjtës formë, arriti të ngrihej edhe Marine Le Pen, duke sulmuar partitë dhe politikanët e vijës tradicionale si pjesë e establishmentit elitar, duke fajësuar BE-në, globalizimin dhe tregtinë e lirë për papunësinë e lartë në Francë, duke ndërlidhur imigracionin me zënien e vendeve të punës dhe veçanërisht me terrorizmin. Me një fjalë, duke i reduktuar të gjitha problemet e Francës në tre armiq të vetëm, lehtë të identifikueshëm, caqe të kollajshme për t’u goditur, kategorizime tashmë të ngarkuara me konotacione negative dhe paragjykuese. Diçka si të thuash: asociacioni, demarkacioni dhe regjimi.
Zona të humbura të Francës, qyteza dhe fshatra pa ndonjë perspektivë të qartë, të shkëputura nga qendrat e mëdha të zhvillimit, votuese të dikurshme të së majtës franceze tash deklarojnë se do ta votojnë Le Penin. Dhe kjo është shqetësuese sepse ata që ndjehen të lënë anash, që ndjehen ose janë humbës nga globalizimi, ose nga kriza ekonomike, të pa perspektivë, janë gjithmonë caqe të lehta manipulimi dhe mashtrimi.
Disa nga zonat më përfituese nga fondet e BE-së në Britani të Madhe, kanë votuar për Brexit. Kjo të bën të mendosh që politika dhe çështjet publike nuk kanë të bëjnë pothuajse fare me të vërtetën, por vetëm me narrativët, se kush arrin t’i bind të tjerët më shumë për vërtetësinë e narrativës së tij.
Me 7 maj, kur mbahet raundi i dytë mes dy kandidatëve që u kualifikuan për balotazh do të përcaktohet se a do të përfshihet Evropa nga populizmi fashist që mund ta vulosë fundin e projektit evropian, pra të bashkimit të shteteve të saj rreth bashkëpunimit dhe prosperitetit, duke u kthyer kështu drejt izolimit nacionalist me rezultat një “gjendje natyre”, apo nëse do të arrijë të fitojë edhe njëherë demokracia liberale, forca që për një kohë të gjatë i siguroi Evropës paqe dhe stabilitet. Pasojat e një fitoreje të Marine Le Pen janë të paparashikueshme, zhvillimet në Evropë dhe botë do të mund të futen në një vorbull të tillë ku lufta nuk do të jetë e keqja më e madhe, por krijimi i një bote distopiane, një kombinim i Orwellit me Huxleyn. Edhe nëse francezët në referendum do të votonin kundër daljes nga BE-ja, në rast të fitores së Le Penit, ajo do të ishte aq obstruksioniste dhe bllokuese si presidente, sa do ta bënte BE-në praktikisht jofunksionale. Në një situatë të tillë, të (ri)kthimit në politika identitare dhe nacionaliste, do të ishte tepër e vështirë për secilën demokraci liberale, përfshirë Gjermaninë që t’i rezistonte valës së populizmit dhe fashizmave. Prandaj shansi i vetëm për Evropën sot është Emmanuel Macron, pavarësisht akuzave se edhe ai vjen nga sektori bankar, pra i elitave, se është i papërvojë në politikë, që asnjëherë nuk mbajtur ndonjë post të zgjedhur me vota popullore, etj. Këto janë akuza që ai i ka hedhur lehtë poshtë duke demonstruar një qëndrim parimor në shumë çështje të ndjeshme.
Sidoqoftë, fitorja e Macronit në këto zgjedhje do të mund të ishte një fitore e përkohshme, një mosdorëzim i fundit para goditjes finale. Ajo që mund të konkludohet, mbase me lehtësi, është se populizmi dhe politikat nacionaliste janë në rritje gjithandej në botën perëndimore. Wildersi nuk fitoi në Holandë, por u rrit me një përqindje substanciale, në Austri mezi u mund kandidati i të djathtës ekstreme për president, ndërsa në Francë Marine Le Peni është rritur në mënyrë të qëndrueshme prej se e ka marrë në dorë partinë e saj. Nëse jo në këto zgjedhje, në të ardhshmet fitorja e saj mund të jetë e sigurt. Asgjë nuk është e paracaktuar, për të mos tingëlluar determinist, por fryma anti-establishment është në ngritje dhe ajo nuk do të ndalet së ngrituri derisa mos ta konsumojë vetveten. Është akumuluar mllef dhe pakënaqësi e lartë në raport me politikën dhe çdo gjë që konsiderohet si pjesë e “elitave”, dhe ky është gazi djegës i ngritjes së populistave. Në të njëjtën kohë, demokracia liberale dhe parimet e saj do të vazhdojnë të jenë nën atak derisa mos të konsumohet shterja e tyre. Kthimi nuk do të jetë hegelian, mbase do të jetë ripërsëritje e gjithçkaje që kemi parë deri më sot, në mënyrën e njëjtë, pa arritur të ndryshojmë asgjë. Mbase vërtetë bota ka nevojë për një ndryshim radikal, për diçka të re, dhe këto lëvizje ekstreme që po i shohim sot mund të jenë vetëm një hyrje në diçka shumë më të madhe të cilën e kemi të pamundur ta parashikojmë dot.
Por kohërat e krizave, janë edhe kohëra të mundësive të reja, të hapjes së shtigjeve të pashkelura më parë, nëse arrihet të kapërcehet frika nga e panjohura. Ndryshimi nuk manifestohet si ndryshim pushtetesh përmes cikleve të rregullta zgjedhore dhe përmes angazhimit tonë në përmirësimin e tij të vazhdueshëm. Kjo është e mërzitshme dhe statike. Duke mos dashur t’i thjeshtësojë idetë komplekse në formula me një të panjohur, ndryshimi arrihet përmes ndryshimit të mënyrës sonë të të menduarit, duke e menduar atë që s’kemi guxuar ta mendojmë deri sot, duke e sprovuar veten deri në limitet tona. Ndoshta jemi të aftë për gjëra për të cilat ende s’kemi arritur ta demonstrojmë vetveten.