Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Frantz Fanon: Kolonializmi dhe Dekolonizimi

Ndjenja e inferioritetit e të kolonizuarit është e ndërlidhur pashmangshmërisht me ndjenjën e superioritetit të evropianit. Le të kemi guximin të themi hapur: Është racisti ai që e krijon inferiorin e tij.

(Fanon, Black Skin, White Masks, f. 93)

Dekolonizimi është përherë një ngjarje e dhunshme.

(Fanon, The Wretched of the Earth, f. 10)

Çështja e kontekstit kolonial, siç pranohet tashmë gjerësisht, zë një vend qendror në botën teoriko-praktike të Frantz Fanon. Që nga publikimi i veprës së parë, Black Skin, White Masks (1952), e deri tek ajo e fundit, The Wretched of the Earth (1963), ai është përpjekur të realizojë të paktën dy gjëra: së pari, të bëjë problematizimin e dhunës inherente të sistemit kolonial, dhe së dyti, por më e rëndësishmja, për bindjen time, të bëjë arsyetimin dhe legjitimimin e përdorimit të dhunës si mënyrë e domosdoshme për të hequr qafe një sistem të padrejtë dhe shtypës siç është kolonializmi.

Sa i përket çështjes së parë—dhunës dhe terrorit inherent të sistemit kolonial, Fanon me të drejtë postulon se bota e kolonizatorit, në njërën anë, dhe bota e të kolonizuarit, në anën tjetër, janë dy botëra fundamentalisht të kundërta. Në njërën anë, shkruan ai, bota e kolonizatorit është botë e përfaqësuar nga “aparatet represive shtetërore” (Althusser), të përbërë kryesisht nga stacionet policore dhe ushtarake. Po ashtu, është botë produktive, me plot e përplot të mira materiale—me drita, pishina, restorante, ambiente të gjelbëruara, rrugë të mirështruara, e kështu me radhë.

Në anën tjetër, ndërkaq, qëndron bota e të kolonizuarit—botë e kompozuar nga barakat, të çatrafiluara dhe të ndërtuara sipër njëra tjerës, po sikur tek filmat “The Battle of Algiers” (1966) dhe “Outside the Law” (2010). Mbi të gjitha, shkruan Fanoni, është botë e urisë. Po, po—e urisë për bukë, për këpucë, thëngjill, drita, e çka jo tjetër.

Në këtë pikë, sidoqoftë, Fanoni me të drejtë nxjerrë dy përfundime të rëndësishme. Së pari, ai deklaron se për dallim nga sistemi kapitalist, në të cilin, s’do mend, dhuna objektive është e padukshme, në sistemin kolonial situata është tërësisht e ndryshme: dhuna, këtu, sipas Fanonit, e shpërfaq lakuriqësinë e vet kuptimore në mënyrën më transparente të mundshme. Me fjalë të tjera, për të kuptuar dhunën e sistemit kolonial, sipas Fanonit, as që na duhen fare ‘syzet e Nadas’ tek filmi “They Live.” Sepse, thjesht, dhuna është e dukshme. Siç shprehet vetë Fanoni, kolonizatorët as nuk e “fshehin shtypjen” e as nuk e “maskojnë dominimin.” Përkundrazi, shton ai, kolonizatorët “e sjellin dhunën në shtëpitë dhe mendjet e subjektit të kolonizuar.”

Dhe përfundimi i dytë, por jo më pak i rëndësishëm, konsiston në atë se prosperiteti dhe privilegjet e kolonizatorit ndërlidhen kryekëput me eksploatimin e të kolonizuarit. Dhe posaçërisht, pasurisë së tij kombëtare.

Megjithëkëtë, dallimi qenësor në situatën koloniale, sipas Fanonit, ka të bëjë me “specien”: se cila racë i përket biologjikisht: racës së bardhë apo racës së zezë. Në këtë pikë, Fanoni me të drejtë konstaton se i bardhi, si kolonizator që është, e redukton njeriun me ngjyrë në objekt të tij, duke e shpallur atë të “paftë moralisht,” që përfaqëson “jo vetëm mungesën e vlerave, por edhe mohimin e tyre.” Më keq se kaq, sugjeron Fanoni, ai vendoset në një status më të ulët ontologjik, duke u konceptuar thjesht si një e Keqe Absolute. Me fjalë të tjera, siç do të thoshte Edward Said, i kolonizuari shihet si “irracional, i rënë, fëmijëror, i ndryshëm,” ndërkaq në anën tjetër, kolonizatori shihet si “racional, i virtytshëm, i pjekur dhe “normal.’”

Në këtë mënyrë, sipas Fanonit, kolonizatori e mirëmban superioritetin e vet spiritual dhe moral mbi të kolonizuarin. Dhe për rrjedhojë, i kolonizuari e sheh kolonizatorin si mishërim të gjithçkaje që është e mirë, e bukur, e civilizuar dhe racionale. Për më tepër, shkruan Fanoni, i kolonizuari fillon të kërkojë një identitet tjetër nga ai që në të vërtetë është, një identitet që i është thënë tash e sa kohë ta përvetësojë në mënyrë që të bëhet plotësisht njerëzor, tepër njerëzor do të thoshte Nietzsche. Siç shkruan Fanoni, “Për njeriun e zi ekziston vetëm një destin (fat), dhe ai është të bëhet i bardhë.” Në fakt, ky është shpjegimi pse Fanoni mendon se njerëzit me ngjyrë nën regjimin kolonial bartin maskën e bardhë.

Pavarësisht bartjes së kësaj maske në kërkim të njohjes (recognition) dhe pranimit (acknowledgment), sidoqoftë, njerëzit me ngjyrë nuk arrijnë dot të adoptojnë identitetin e të bardhit. Përkundrazi, argumenton Fanoni, një gjendje e tillë vetëm sa i detyron ata të kalojnë në neurozë, në një konditë skizofrenike e të qenit i ndarë në dysh. Së këndejmi, sipas tij, në çastin që i kolonizuari e internalizon atë që kolonizatori i bardhë ka synuar tashmë prej kohësh, dhe duke qenë se i kolonizuari e ka të pamundur ta përvetësojë identitetin e të bardhit, ai (I kolonizuari) e përjeton një kompleks inferioriteti karshi asaj që përfaqëson njeriu i bardhë. Siç shkruan Pramod Nayar, njëri nga studiuesit e Fanonit:

Që në hyrje të Black Skin Fanoni i referohet konstruksionit të negro (zezakut) si një ‘mit’—por një mit që edhe vetë ai e ka internalizuar në mënyrë që ai tashmë e beson atë. Si rezultat i kësaj, negro (zezaku) aspak nuk dëshiron të sillet ose të identifikohet si i tillë…. Dhe për arsye se ai e ka të pamundur të bëhet diçka tjetër nga ai që është, ai fillon të vuajë nga një ndjenjë pavlefshmërie, inferioriteti dhe…neuroze.

Megjithatë, kjo “vetëdije e dyfishtë” (Du Bois), sipas Fanonit, është rezultat i drejtpërdrejtë i situatës koloniale. Ai me të drejtë beson se për një kompleks të tillë inferioriteti nuk duhet fajësuar të kolonizuarin; përkundrazi, sall kolonizatorin, sepse është pikërisht kolonizatori ai që i imponon një inferioritet të tillë të kolonizuarit. Siç shprehet Fanoni në Black Skin, White Masks:

Nëse ai dëshiron të bëhet i bardhë, kjo është për shkak se ai jeton në një shoqëri që e bën të mundshme kompleksin e inferioritetit, në një shoqëri që e nxjerrë stabilitetin e vet në saje të përjetësimit të këtij kompleksi, në një shoqëri që proklamon superioritetin e një race.

Në këtë kuptim, dhe atë me plot të drejtë, Fanoni thekson se ndjenja e inferioritetit në mesin e të kolonizuarve është e ndërlidhur pashmangshmërisht me ndjenjën e suprioritetit të evropianit. Siç na drejtohet Fanoni, “Le të kemi guximin të themi hapur: Është racist ai që e krijon inferiorin e tij.” Megjithatë, duke u bazuar në dialektikën hegeliane të Zotërisë-Skllavit, Fanon sqaron se subjekti i kolonizuar nuk mund të mohohet tërësisht, meqë po të asgjësohej ai edhe kolonizatori do të asgjësohej, po ashtu. Siç shkruan, “Po të zhdukej i kolonizuari, i gjithë kolonializimi, përfshirë këtu vetë kolonizatorin, do të zhdukej bashkë me të.”

Andaj, sipas Fanonit, ndonëse të kolonizuarit detyrohen të jenë inferior karshi kolonizatorit të bardhë, prapë nuk është se ata janë të bindur për inferioritetin e tyre. Për më tepër, argumenton Fanoni, të kolonizuarit asnjëherë nuk e njohin tërësisht autoritetin e kolonizatorit. Për këtë arsye, sipas tij, të kolonizuarit ndodhen në një gjendje të vazhdueshme tensioni e konflikti të brendshëm (tamam si personazhet e Dostojevskit, ku një dreq e di sa e sa konflikti zhvillohet brenda shpirtit të tyre).

Në këtë pikë, sidoqoftë, Fanon argumenton se tensioni që ndërtohet brenda të kolonizuarit duhet të ketë një shtegdalje. Ai shkruan, “Në çdo shoqëri, në çdo kolektivitet, ekziston—duhet të ekzistojë—një kanal, një shteg nëpërmjet të cilës forcat e akumuluara në formë të agresionit duhet liruar.” Njëra nga mënyrat se si kolonizatori e përjetëson sistemin kolonial, sipas tij, është pikërisht duke e përdorur një agresion të tillë për përfitime të veta, p. sh. për të mirëmbajtur të kolonizuarin në një pozitë nënshtrimi. Jo rastësisht, thotë Fanoni, kolonizatori e drejton agresionin e të kolonizuarit në atë drejtim që ai të gjejë shprehje sall në mesin e të kolonizuarve. Kjo, sipas Fanonit, demonstron prevalencën e dhunës që ekziston në mesin e të kolonizuarve—ajo që ai e përshkruan si mazokizëm në Black Skin, White Masks.

Njëra nga hapësirat e tjera—në të cilat i kolonizuari mund të shprehë tensionin e internalizuar, është pikërisht në ëndrra. Për dallim nga Kadareja, i cili mendon se pushtetet totalitare jo vetëm që kontrollojnë veprimet dhe mendimet e qytetarëve, por madje edhe ëndrrat e tyre, Fanon beson se bota e ëndrrave është hapësira e vetme ku kolonizatori nuk mund të depërtojë, dhe ku i kolonizuari ka kontroll të plotë mbi të. Si shprehet Fanon:

[Ë]ndrrat e subjektit të kolonizuar janë ëndrra muskulare, ëndrra të aksionit, ëndrra të vitalitetit të agresionit. Ëndërroj duke kërcyer, duke notuar, duke vrapuar, duke u ngjitur; Ëndërroj duke shpërthyer në të qeshur, duke kapërcyer një lum… Përgjatë kolonizimit i kolonizuar bëhet subjekt i lirë me të rënë nata, prej orës nëntë në mbrëmje e deri në orën gjashtë të mëngjesit.

Sidoqoftë, dhe këtu vijmë tek pjesa më provokuese e refleksioneve të tij, Fanon mendon se kjo shprehje e lirisë nuk mund të kufizohet vetëm në botën e ëndrrave. Përkundrazi, ai propozon se ajo duhet materializuar dhe konkretizuar nëpërmjet dhunës. Me fjalë të tjera, ajo duhet bërë realitet. Megjithatë, dhe parësisht për shkak që mos t’ju mërzis më shumë, propozoj që këtë aspekt të veprave të Fanonit ta trajtojmë në shkrimin e radhës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.