Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Frikë nga vetja (II)

Foto nga Mike Chai.
Që me mbarimin e luftës e deri me shpalljen e pavarësisë pushteti ishte i kontrolluar nga bashkësia ndërkombëtare, gjë që edhe pse të gjendur tanimë në liri prapëseprapë përgjegjësia nuk ishte pjesë e jona. Dhe pikërisht këtu duhet ta theksojmë se kjo gjendje ishte e konvenueshme për të dy palët si për ata që e kishin pushtetit, e që ishin ndërkombëtarët dhe politikanët vendorë (ku secili insistonte në mënyrë të paskrupullt ta përvetësonte çlirimin e vendit), kur ishte në pyetje keqpërdorimi i pozitës publike, zhvatja e kësaj sfere, sepse ndërkombëtarët ndërtonin alibi që vendorët t’i mbanin nën kontroll, kurse politikanët vendorë të papërgjegjshëm në raport me përgjegjësin që kishin marrë, ishin koncentruar në pasurimin e tyre. Kjo marrëdhënie e ndërtuar në mes politikës ndërkombëtare dhe politikanëve vendorë mundësoi në krijimin e një sistemi institucional korruptiv gjithëpërfshirës. Pothuajse, e gjithë linja institucionale nga niveli më i ulët deri tek nivelet më të larta ekzekutive tanimë ishin korruptuar. Gati se, secili zyrtar, secili burokrat korruptohej dhe korruptonte njëkohësisht. U ndërtua një sistem institucional monstrum, saqë edhe po ta kishe besimin e një budisti ortodoks, në momentitn që do të ballafaqohej me këtë burokraci nënkuptohej se do të ballafaqoheshe me situata korruptive. Kështuqë, korrupsioni gradualisht, por fuqishëm u bë mendësi edhe e shoqërisë në përgjithësi. Bile-bile në fillim njerëzit (pushtetarët, ‘të fortit’, etj), që pasuroheshin brenda natës, shoqëria i konsideronte si njerëz të zotë, por që më vonë na doli se kjo qe një nga forma më të këqija të vetëkurthurimit.

Pra, shpallja e pavarësisë në njëfarë forme na e riktheu entuziazmin që dikur e kishim. Shpejt filluam ta kuptojmë se tani lirinë që kishim duhet bashkëngjitur përgjegjësia. Filluam të shpresojmë se tani me bërjen shtet do të jemi më vigjilentë dhe do të punojmë ndershëm, por kishim harruar vetëm një fakt, se prej kohësh ndershmëria nuk po banonte më në shoqërinë tonë. Thuajse, e gjithë shoqëria ishim zhytur në pandershmëri aq keq dhe aq thellë, sa që shumë shpejt edhe shtetin e sapokrijuar me aq shumë mund, e identifikuam me këtë të keqe. Prandaj, sot Republika e Kosovës, asocion me një shtet të korruptuar. Sot në shoqërinë tonë nuk ka asnjë autoritet të cilit i besojmë. E gjithë kjo gjendje e etabluar në vend, entuziazmin dhe shpresën që kishim kur u bëmë shtet, e ktheu në zhgënjim. Dhe sot jemi një shoqëri në depresion. Kemi frikë nga ajo që vetë kemi krijuar.

Gradualisht u shpërfaqen egot dhe dëshirat e politikanëve dhe u bënë më të fuqishme se atdheu për të cilin dikur ishin në gjendje të vrisnin, e të vdisnin. Nga kjo gjendje që u krijua nga këta politikanë, të ndihmuar edhe nga ne (shoqëria), sot kush hapur, e kush si ndër dhëmbë e mohojmë atë që për të dikur ishim vrarë, masakruar, burgosur, dhunuar e deportuar, pra, shtetin. Mosgatishmërinë, për t’u marrë me përgjegjësitë (me detyrat që na takojnë) që kërkon shteti, jemi të gatshëm që ta zhbëjmë. Andaj, nuk është e çuditshme kur ne sot shtetin tonë e konsiderojmë si një kontratë të mundimshme sezonale që duhet të marrë fund sa më parë. Një ndjesi e tillë e ka rritë mosbesimin dhe ka hapur shtigje tjera për lindjen e kauzave të lloj-llojshme. Kjo gjendje, ku korrupsioni është mbizotrues ka pamundësuar krijimin e autoritetit legjitim. Hendeqet e krijuara nga ky delegjitimim, krijon pasiguri, që kjo pastaj sjell nevojën e krijimit të autoriteteve të ndryshëm jashtinstitucional që legjitimohen si autoritetet e fundme morale legjitime. Pra, prania kaq e madhe e korrupsionit është duke e pamundësuar kohezionin social, por që po krijon fragmentarizime të ndryshme shoqërore në dëm të shtetit dhe në instancë të fundit edhe në dëm të vetë lirisë sonë. Dikush i është rikthyer hyjnores, e dikush tjetër vetëm sa e forcon besimin që kishte në të. Dikush tjetër bëhet nacionalist rigjid…, lloj-lloj kauzash, e gjithfarë orientimesh, ku secila në vete dhe të gjitha s’bashku janë kundër shtetit. Mospasja arsimim të mirëfilltë, mjekësi që shëron, politikë që krijon siguri, mirëqenie dhe që hap mundësi të reja etj., këto u japin hapësirë formave të ndryshme të organizimit shoqëror, të stërkequra normalisht, të cilat bëjnë partikularizimin e shoqërisë dhe vetëm sa na fusin në paqartësi. Mbase, kur humbet shpresa edhe kështu mendohet pastaj se: më mirë në një grup me besimtarë, sesa në një shtet të pasigurt. Uniteti karshi kauzave egoiste të tyre e zbeh direkt fuqinë e shtetit, që i bie se e sulmon direkt substratin social. Pra, tek ne është ngulitur ndjenja e pasigurisë dhe njerëzit kërkojnë shpëtim duke u arratisur nga vetja e tyre.

Të dalësh nga një situatë e tillë, ku korrupsioni, papërgjegjshmëria ka mbrritë deri në palcën e individit dhe të shoqërisë në përgjithësi, duket aq e pamundur saqë edhe të dekurajon që në start. Na duket se të inkurajosh sot dikë që ta luftojë këtë të keqe, duket sikur po i kërkon të nxjerrë dhjamë nga pleshti. Mbase, ka shpjegime të shumta se kah duhet ecur, por një është më e sigurta; s’pari të bëhemi të sinqertë me veten. T’i themi vetes atë që më së paku dëshirojmë të na e thonë të tjerët; se ishim ne ata që lejuam të korruptohemi. Ishim ne ata që filluam të moralizonim mbi të. Ishim ne që filluam të korruptojmë të tjerët. Jemi ne ata që vetë duhet të çlirohemi nga gjendja ku jemi futur. Secili, të gjithë ne, kush më pak e kush më shumë, jemi përgjegjës për humnerën ku kemi rënë dhe duhet ta kuptojmë njëherë e mirë se Superman-i ka kaluar mbi këtë hapësirë (1999), s’do të kalojë më. Pra, jemi ne ata që duhet të gjejmë kurajon ta mbysim frikën brenda nesh dhe kjo bëhet duke u ballafaquar me veten. E vërtetë se kjo është gjë e vështirë, por gjithsesi e mundshme. Të tjerët e kanë bërë edhe ne mundemi dhe duhet ta bëjmë. Përndryshe; sa më gjatë që i qëndrojmë pranë kësaj të keqeje, aq më shumë do të njëjtësohemi me të dhe shumë më lehtë pastaj do të arsyetojmë, sepse tanimë moralizojmë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.