Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Fusnota në zhdukje: një evolucion në qasjen e BE-së karshi Kosovës

Statusi ligjor i Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare ka qenë i paqartë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Kosova mbetet vend pjesërisht i njohur dhe nuk është anëtare në organizatat e njohura ndërqeveritare, si për shembull në Kombet e Bashkuara.

Për më tepër, pesë shtete anëtare të BE-së (Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) nuk e njohin Kosovën si vend të pavarur. Rrjedhimisht, kjo gjë ka pasur pasoja në mënyrën se si BE-ja ka trajtuar Kosovën për shkak të mosnjohjes nga pesë shtetet e veta anëtare.

Që nga miratimi i Marrëveshjes së Përfaqësimit Rajonal më 2012, në kuadër të Dialogut Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuar nga BE-ja, të gjitha institucionet dhe organet e BE-së i janë referuar Kosovës vazhdimisht me fusnotë, si pjesë e marrëveshjes.

Në fusnotë thuhet siç vijon: “Ky emërtim nuk paragjykon qëndrimet mbi statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244/1999, si dhe opinionin e GjND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.”

Rezoluta 1244/1999 autorizoi një prani ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovën e pasluftës dhe themeloi Misionin e Kombeve të Bashkuara (UNMIK), që funksionon ende sot e kësaj dite, megjithëqë me funksione më të vogla.

Opinioni Këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) nënvizoi se shpallja e njëanshme e pavarësisë nga Kosova nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Megjithatë, gjykata nuk dha një përgjigje përfundimtare për ligjshmërinë e suksesionit të Kosovës.

Përkundër komplikimeve që shfaqen gjatë përdorimit të fusnotës në dokumentet e shkruara, krijimin e uebfaqeve dhe zbatimin e projekteve, BE-ja vazhdon ta mbështesë këtë politikë, pavarësisht mospëlqimit të Kosovës, e cila fillimisht u pajtua me këtë praktikë më 2012.

Edita Tahiri – ish-kryenegociatorja e Kosovës në kohën e nënshkrimit të Marrëveshjes për Përfaqësimin Rajonal (2012) – pati deklaruar se fusnota do të shkrihet posi një fjollë bore.

Megjithatë, Marrëveshja e fundit dhe Aneksi i Zbatimit të saj në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar në mars të vitit 2023, mund të shënojë një ndryshim në këtë qasje. Asnjë nga dokumentet nuk i referohet Kosovës me fusnotë, pavarësisht që është qëndrim zyrtar i BE-së.

Që nga viti 2012, institucionet e BE-së kanë përdorur qasje të ndryshme kur i janë referuar Kosovës. Pavarësisht se është politikë zyrtare e BE-së, institucionet e saj gradualisht i janë larguar përdorimit të fusnotës në dokumente dhe takime.

Parlamenti Europian nuk i referohet më Kosovës me fusnotë

Parlamenti Europian (PE) ishte institucioni i parë i BE-së që nuk iu referua Kosovës me fusnotë. Kjo u bë evidente për herë të parë në vitin 2015, kur një rezolutë e Parlamentit Europian e përmendi Kosovën pa fusnotë. Hera e fundit kur Parlamenti Europian iu referua Kosovës me fusnotë ishte më 2013.

Pas vitit 2015, Kosova është përmendur pa fusnotë pothuajse në të gjitha dokumentet e Parlamentit Europian. Megjithatë, nuk duhet harruar se rezolutat e Parlamentit Europian nuk janë ligjërisht të detyrueshme dhe se Parlamenti Europian në përgjithësi ka ndërmarrë një qasje më liberale për çështje të ndryshme në krahasim me Komisionin Europian. Kësisoj, ky ndryshim në qasje nuk është befasues.

Për më tepër, Parlamenti Europian thirri presideten e Kosovës, Vjosa Osmanin, të flasë në seancën plenare në qershor të vitit 2023, duke u bërë kështu zyrtarja e parë kosovare që mban fjalim në Parlamentin Europian. Përkatësia e saj u tregua pa fusnotë.

Qëndrimi i Parlamentit Europian ndryshon nga ai i Komisionit, pasi ky i fundit zyrtarisht e braktisi politikën e neutralitetit kur bëhej fjalë për statusin e Kosovës. Në raportin e tij të fundit, Parlamenti Europian ripohoi qëndrimin se procesi i normalizimit duhet të përqendrohet te njohja reciproke.

Inkonsistenca e fusnotës së Komisionit Europian në raport me Kosovën

Ndryshe nga Parlamenti Europian, Komisioni Europian (KE) ka pasur një qasje më të rreptë sa i përket ndjekjes së udhëzimeve të Marrëveshjes së Përfaqësimit Rajonal të vitit 2012. Që nga raporti i tij fillestar për Kosovën më 2015, KE vazhdimisht ka respektuar dispozitat e Marrëveshjes së vitit 2012, duke përdorur në mënyrë konsistente fusnotën kur përmend Kosovën në uebfaqet dhe projektet e veta të financuara.

Për shembull, Programi Rajonal i Komunikimit i BE-së për Ballkanin Perëndimor vazhdimisht përdor politikën e fusnotës. E njëjta gjë ndodh edhe me nismën e Tregut të Përbashkët Rajonal të mbështetur nga BE-ja dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Përveç kësaj, edhe uebfaqja zyrtare e Zyrës së BE-së në Kosovë gjithashtu përdor një fusnotë në raport me Kosovën.

Ndërkohë që Komisioni Europian është përgjithësisht më konsistent në përdorimin e fusnotës, inkonsistencat e rastësishme mund të shfaqen ende në disa nga komitetet dhe agjencitë.

Qasja ndryshe e komiteteve dhe agjencive të Komisionit Europian

Kosova është ftuar në shumë raste të marrë pjesë në punën e organeve të ndryshme të Komisionit Europian. Të gjitha këto organe ofrojnë publikisht procesverbale ose raporte të mbledhjeve, të cilat tregojnë që, në shumicën e rasteve, Kosova përmendet pa fusnotë.

Për shembull, në takimin e 85-të të Komitetit të Qiellit të Vetëm, Kosova mori pjesë barabarësisht me shtetet e tjera. E njëjta gjë ndodhi edhe në takimin e 10-të të Komitetit të Programit Horizon Europe. Është interesant të përmendet se në një nga takimet e Horizon Europe, Kosova u përmend në ciriliken serbe si “Република Косово” (Republika e Kosovës). E zakonshmja në të gjitha këto raste është se Kosova është përmendur pa asnjë fusnotë.

Nga ana tjetër, pjesëmarrja e Kosovës në Komitetin e Programit të Doganave u shkoi për shtat standardeve të Marrëveshjes së Përfaqësimit Rajonal (2011).

Kur bëhet fjalë për agjencitë e BE-së, Kosova merr pjesë në tri prej tyre. Agjencia Europiane për Siguri dhe Shëndet në Punë e trajton Kosovën posi kandidatët e tjerë të Ballkanit Perëndimor. E njëjta vlen edhe për Fondacionin Europian për Përmirësimin e Kushteve të Jetesës dhe Punës (Eurofund), që Kosovës i referohet sikur çdo shteti tjetër.

Kundrejt krejt kësaj, angazhimi i Kosovës me Organin e Rregullatorëve Europianë për Komunikime Elektronike ka çuar në procedura gjyqësore të iniciuara nga Spanja për të mohuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë organ. Për shkak të polemikave rreth anëtarësimit të Kosovës në këtë organ, prania e fusnotës nuk duhet të përbëjë befasi.

Zhdukja e ndjeshme e fusnotës

Ekziston një mungesë e dukshme e uniformitetit në mënyrën se si institucionet, organet, komitetet dhe agjencitë e BE-së i referohen Kosovës në funksionet zyrtare. Sidoqoftë, zbehja graduale e fusnotës është bërë ndjeshëm evidente.

Kjo tendencë duket se ndikohet nga komitetet kryesuese të personelit dhe hartimi i raporteve e regjistrimi i procesverbaleve nga mbledhjet.

Në të vërtetë, parashikimi i Edita Tahirit se “fusnota do të shkrihet posi një fjollë bore” duket se po del të jetë i saktë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.