Gjermania ka qenë pjesë e proceseve në lidhje me Kosovën që nga vitet 1990. Interesimi i saj në zhvillimet në Kosovë dhe rajon ka ardhur vetëm duke u rritur. Fillimisht Gjermania nuk kishte rol kyç, por që nga lufta në Kosovë ajo ka filluar të shtrijë ndjeshëm praninë e saj në secilin proces. Edhe pse vendimi për të marrë pjesë në bombardimin e Serbisë ishte kontravers, Gjermania kishte vendosur të bëhej pjesë e intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë. Koalicioni i SPD-së dhe Partisë së Gjelbër e kishte gjetur veten në mes të dy politikave jo lehtë të pajtueshme.
Në njërën anë kishin premtuar se do t’u qëndronin besnikë organizatave multilaterale si NATO, e në anën tjetër ata mbronin një traditë që thirrej në paqe dhe jo në luftë. Gjermania e shihte veten si një përçuese të paqes (Friedensmacht) dhe kushtetuta e saj (Artikulli 26 i Ligjit Bazik) kufizonte aktivitetet ushtarake jashtë vendit. Artikulli 2 i Traktatit “Dy plus Katër” parashihte se “nga dheu gjerman vetëm paqja do të lulëzojë”. Një pjesë e publikut dhe politikës gjermane i shihte këto elemente si arsye për të mos marrë pjesë në luftën e Kosovës. Megjithatë, në fund, koalicioni qeverisës gjerman vendosi t’i bashkohej misionit të NATO-s në Kosovë.
Gjermania ishte një nga kontribueset kryesore në kampanjën. Bundeswehri (ushtria gjermane) kontriboi me 14 Tornado luftarakë që u përfshinë në 500 misione kundër Serbisë. Siç tregon një proces i auditimit të luftës në Kosovë të kryer nga BBC-ja, ShBA-të ishin kontribuesit më të medhenj me 1.6 miliard funta, të përcjellur nga gjermanët me 207 milionë funta, britanikët me 192 milionë funta, francezët me 111 milionë funta, e kështu me radhë. Përveç kësaj, me mbi 8500 ushtarë Gjermania ishte shteti evropian me praninë më të madhe të trupave paqëruajtëse në misionin e KFOR-it. Vetëm ShBA-të numëronin më shumë trupa në Kosovë.
Gjermania ishte shteti lider që vendosi themelet për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor duke nisur Paktin e Stabilitetit për Evropën Jug-Lindore më 1999. Gjermania ka luajtur një rol të madh në konsolidimin e paqes në Kosovë dhe ka asistuar shumë në krijimin e kapaciteteve për vetëqeverisje në Kosovë. Ndihma ka qenë e shumëllojtë: infrastrukturë, emergjencë dhe zhvillim të kapaciteteve institucionale. Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (BMZ) mbështeti demokratizimin e Kosovës. Deri në këtë kohë Gjermania ka investuar afër 500 milionë euro në Kosovë dhe pas BE-së dhe ShBA-ve investitori më i madh në Kosovë.
Lidhjet ekonomike mes Kosovës dhe Gjermanisë datojnë qysh nga koha e Jugosllavisë, kur përmes një marrëveshje mes Jugosllavisë dhe Gjermanisë Perëndimore gjatë viteve 1960 dhe ’80 kishin shkuar jo vetëm për të punuar si “Gastarbeiter”, por edhe për të marrë të drejtën për t’u bërë rezidentë në Gjermani. Vala e dytë e madhe e emigrimit në Gjermani kishte ndodhur gjatë viteve ’90 kur kushtet e rënda nën regjimin e Millosheviçit i shtynë kosovarët të lëshojnë vendin. Vala e tretë kishte ndodhur gjatë kohës së luftës kur refugjatët e ikur nga Kosova u vendosën në Gjermani. Tani në Gjermani jetojnë afër 300 mijë kosovarë. Remitencat përbjnë diku 14% të GDP-së së Kosovës, ndërkohë që remitencat nga Gjermania përbëjnë 34% të totalit të remitencave.
Shkëmbimet tregtare me Gjermaninë janë shumë asimetrike. Mes 2005 dhe 2010 Gjermania ka eksportuar në Kosovë më shumë se 1 miliard euro mallëra, ndërkohë gjatë kësaj periudhe Kosova ka eksportuar mallëra në Gjermani në vlerë prej 60 milionë eurove. Në vitin 2010 Gjermania eksportonte mallëra në vlerë prej 280 milionë eurosh, kurse Kosova 15 milionë euro. Në vitin 2017 Gjermania ka eksportuar 380 milionë euro, ndërkohë që Kosova 20 milionë euro. Dallimi mbetet shumë i madh dhe pa ndonjë mundësi për ndryshim real.
Gjermania ishte kritike e Planit të Ahtisarit për Kosovën për shkak se konsideronte se Serbia ishte shpërfillur në proces. Kur ishte vendosur që negociatat të zgjateshin, diplomati gjerman, Ëolfgang Ischinger, përfaqësonte BE-në dhe udhëheqte Troikën e përbërë nga BE-ja, ShBA-të dhe Rusia. Negociatat kishin dështuar dhe Gjermania kishte mbështetur planet për shpallje të pavarësisë së Kosovës jashtë mandatit të OKB-së. Roli i Gjermanisë në proces kishte ndikuar që Kosova të merr njohje nga shumica e vendeve të BE-së. Pesë vende ende nuk e njohin Kosovën, por Gjermania kishte luajtur rol kyç për të bindur këto vende që ta mbështesin misionin e EULEX-it në Kosovë me qëllim që të avancohen kapacitetet gjyqësore të Kosovës.
Gjermania ishte bërë përkrahësja më e madhe evropiane e shtetësisë së Kosovës. Koalicionet qeverisëse në Gjermani janë ndërruar disa herë në dekadën e fundit, por nën udhëheqjen e Kancelares Merkal qasja ndaj Kosovës ka qenë stabile. Kur Serbia kishte dërguar pyetje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), Gjermania ishte kujdesur që shumica e vendeve anëtare të BE-së të përkrahin Kosovën. Vendimi i GJND-së në favor të Kosovës rriti edhe aktivitetin e shtetit gjerman në të mirë të Kosovës. Më 2011 Merkel ishte liderja e parë që bëri thirrje për shpërbërjen e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës. Një vit më vonë deputetët e CDU-së vizituan Beogradin dhe thanë se Serbia nuk do të mund të integrohej në BE, nëse nuk e njeh Kosovën.
Kjo trysni ka vazhduar me vite, edhe pse njohja si kusht nuk është përfshirë në asnjë dokument zyrtar të Gjermanisë. Ndryshimet në zgjedhjet e vitit 2013 në Gjermani nuk sollën ndonjë ndryshim të madh. Kjo sepse për dallim prej qasjes së partive gjermane në raport me Turqinë, për Ballkanin Perëndimor ka konsensus të gjerë politik në Gjermani. Përveç AFD-së që është më skeptike, të gjitha partitë tjera besojnë se Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE.
Kjo këmbëngulje e Gjermanisë kishte rezultuar me prishje të marrëdhënieve me Serbinë, por me ardhjen e Vuçiqit në pushtet relacionet ishin shtensionuar. Pak më vonë edhe ishte arritur Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Gjermania ka insistuar vazhdimisht në hapjen e Kapitullit 35 që kërkon rregullimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Përkrahja e Gjermanisë për Kosovën është manifestuar edhe në faktin se Kosova është përfshirë si partner i barabartë me të gjithë shtetet tjera fqinje në Procesin e Berlinit.
Gjermania ka ndihmuar Kosovën edhe në sigurimin e njohjeve për shtetësinë e saj, sidomos tek vendet të cilat nuk kanë pasur qëndrim të qartë në raport me të. Sa herë që ka qenë e mundur, Gjermania e ka vendosur Kosovën në agjendat e saj bilaterale. Kur ritmi i njohjeve për Kosovën kishte rënë dhe strategjia e Kosovës kishte kaluar drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, Gjermania e kishte ndihmuar edhe aty.
Mirëpo në rastin e UNESCO-s Gjermania kishte vlerësuar se Kosova nuk kishte arritur ta ruante mirë trashëgiminë kulturore serbe dhe nuk duhej të aplikonte. Por Kosova aplikoi dhe dështoi. Në rastin e aplikimit të Kosovës në Kuvendin e Përgjithshëm të INTERPOL-it të mbajtur në Kinë më 2017 Gjermania nuk kishte mundur të mobilizonte shumë përkrahje për Kosovën. Pengesa më e madhe ishte vetë nikoqiri, Kina, që nuk u kishte dhënë as viza diplomatëve kosovarë për të lobuar. Megjithatë, Kosova ka arritur të fitojë atë që ka qenë e mundur të fitohet njëanshëm dhe pa njohjen e Serbisë. Tani janë prekur limitet dhe janë shteruar potencialet diplomatike. Kjo e ka vështirësuar lobimin e politikanëve gjermanë në favor të Kosovës. Ky realitet i shoqëruar nga paaftësia e lidershipit kosovar i ka shpeshtuar dështimet. Fiaskoja në aplikimin për anëtarësim në Kuvendin e Përgjithshëm të INTERPOL-it në Dubai është ilustrim i prekshëm i kësaj paaftësie. Rasti i Dubait tregoi edhe njëherë se përpjekjet e BE-së për të shtyrë Serbinë që ta njeh Kosovën kanë qenë të kota.
Ky rast markon stagnimin, nëse jo dështimin, e Dialogut të Brukselit për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për kontestin mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë kohës sa është zhvilluar ky dialog është vërejtur fillimisht rritja e ndikimit gjerman në rajon, e pastaj rënia e tij. Deri para pak muajve, Gjermania ishte shteti me më së shumti ndikim në Ballkanin Perëndimor. Kjo ishte mundësuar nga disa faktorë. I pari ka qenë aspirimi i vendeve të këtij rajoni për t’u bërë pjesë e BE-së. Ballkani Perëndimor nuk e ka asnjë vizion të qëndrueshëm jashta BE-së. Rusia nuk ia ka dalur që të ofrojë një vizion të qëndrueshëm për Ballkanin.
Përjashto raportet ekonomike dhe ushtarake me Serbinë, si dhe aktivitete të caktuara të inteligjencës dhe spiunazhit në rajon, Rusia nuk ka servuar ndonjë projekt serioz politiko-ekonomik. Kina ndërkohë ka qenë e përkushtuar më shumë në investime në infrastrukturë dhe ekonomi, dhe më pak në politikë, megjithëse kohëve të fundit ka forcuar fokusin politik. Megjithatë ajo mbetet larg gjeografikisht dhe nuk mund të bëhet shumë më kërkuese në nivel politik. Forcat tjera regjionale si Turqia kanë arritur të shtrijnë rrjetin e vet ekonomik dhe të depërtojnë vetëm në nivel kulturor në disa vende të Ballkanit Perëndimor, në veçanti në Bosnjë, por pa ndonjë projekt të madh politik.
I dyti ka qenë forcimi i vazhdueshëm i Gjermanisë brenda BE-së. Rritja e vazhdueshme ekonomike e ka shndërruar atë në një forcë solide gjeoekonomike. Ky trend e ka bërë Gjermaninë më kërkuese dhe më vetëafirmative në politikat e brendshme dhe të jashtme të BE-së.
I treti ka qenë rënia e interesimit të ShBA-ve në këtë rajon. Që nga ardhja e Obamas në pushtet ShBA-të kanë zbritur poshtë Ballkanin në listën e prioriteteve gjeopolitike. I katërti ka qenë vendimi i Britanisë së Madhe për dalje nga BE-ja. Që nga referendumi për BREXIT-in e ka futur veten në një situatë ku synon stabilitet të brendshëm më shumë se stabilitet për Ballkanin. I pesti ka qenë dështimi i Francës për të etabluar veten si forcë e barabartë me Gjermaninë. Lehtë mund të argumentojmë se ndikimi i Francës ka qenë i vogël për shkak të refuzimit të saj për të përkrahur politikat e zgjerimit të BE-së në drejtim të Ballkanit.
Por me gjasë vetë refuzimi i saj për zgjerim vjen si nevojë për të kundërpozicionuar veten në raport me Gjermaninë që ka qenë përkrahësja më e madhe e zgjerimit të BE-së. Por përqendrimi i Francës në reforma që do ta thellonin integrimin e BE-së së brendshmi ia ka ulur fuqinë ndikuese së jashtmi. Kjo ka krijuar vakum për Gjermaninë në politikën e jashtme të BE-së dhe e ka bërë më dominante edhe në rajonin tonë.
Të gjithë këta faktorë e kanë krijuar një mjedis fertil për prani më të madhe të Gjermanisë në këtë rajon. Gjermania është shteti që më së shumti u ka kushtuar vëmendje politikave të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Sidomos, që nga dalja e Britanisë së Madhe së madhe, Gjermania ka demonstruar një përkushtim aktiv drejt perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor. Manifestim konkret i kësaj është lansimi i “Procesit të Berlinit” më 2014. E megjithatë, përkrahja për zgjerim është mbështetur me një kushtëzim strikt të anëtarësimit. Ky kushtëzim është vendosur mbi problemet e brendshme dhe të jashtme të shteteve të interesuara për anëtarësim. Kosova ndërkohë është e zënë në një proces të zgjidhjes së kontesteve bilaterale. Për problemet e jashtme BE-ja ka operuar përmes paradigmës së “normalizimit të marrëdhënieve”.
Kjo paradigmë është mbështetur nga një tjetër qasje, e njohur si “fqinjësia e mirë”. Këto formula janë aplikuar në Ballkanin Perëndimor dhe përkundër faktit që BE-ja ka respektuar veçantitë e secilit shtet veç e veç, në sfond ka dominuar një paradigmë që menaxhon tensionet e gjithë Ballkanit Perëndimor. Konkretisht, kur BE-ja ofron një zgjidhje për Kosovën ose Maqedoninë, ajo mendon edhe për pasojat që ajo zgjidhje ka tek fqinjët. Gjermania ka qenë përkrahësja më e madhe e kësaj qasjeje dhe nuk pritet të ndërrojë kurs as në çështjen e ndryshimit potencial të kufijve. Sipas Gjermanisë ndryshimi i kufijve është goditje e rëndë për modelin shumë-etnik dhe ka frikë se lufta kundër këtij modeli mund të përçohet në intensitet më të lartë edhe në vendet tjera fqinje.
Sipas Gjermanisë, një marrëveshje e tillë ndoshta “normalizon” Kosovën, por jo edhe gjithë rajonin, që është synimi madhor i Gjermanisë. Një gjë e tillë ndoshta mundëson “fqinjësi të mirë” mes Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe për fqinjët tjerë. Gjermania mendon se një hap i tillë dëmton vlerat fundamentale të BE-së dhe mbetet e vendosur që ta kundërshtojë atë. Motoja “Së bashku në diversitet” nuk është në harmoninë më të madhe me këto ide. Gjermania nuk është entuziaste që BE-së multi-etnike t’ia bashkojë një rajon ku multi-etniciteti shihet si dobësi. E kushtëzimi strikt i Gjermanisë nuk ka synim veç të stabilizojë dhe reformojë Ballkanin Perëndimor, por edhe të kënaq skepticizmin e publikut përballë zgjerimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor, që të sigurojë opozitarët dhe publikun gjerman se në BE po futen shtete dhe shoqëri të denja.
Në përgjithësi në Evropë dhe Gjermani ka dyshime të mëdha për gatishmërinë e Ballkanit Perëndimor për integrim. Ballkani ende shihet si një konteiner i madh i krimit të organizuar dhe korrupsionit, edhe nëse përcepcioni tejkalon parametrat realë në terren. Gjermania edhe për këtë arsye kultivon një qasje rigoroze dhe një gjë e tillë pritet të persistojë edhe më tej. Kjo për shkak të kompetencave të mëdha të Parlamentit Federal, të fituara përmes Amendamenteve në Aktin mbi Bashkëpunimin me BE-në.
Këto kompetenca, mes tjerash, përfshijnë Bundestagun në hapjen e negociatave për anëtarësim. Një rrjet i dendur institucional dhe llogaridhënës ndaj publikut është garanci se paradigmat e adoptuara institucionalisht në platformat për Ballkanin Perëndimor do të vazhdojnë të kenë fjalën kryesore në Gjermani. Kur merren parasysh të gjitha këto që përmendëm, gati të gjitha shenjat tregojnë se Gjermania nuk do ta përkrahë shkëmbimin e territoreve. Madje, Gjermania mund të vështirësojë integrimin e Kosovës dhe Serbisë në BE nëse këto bëjnë marrëveshje në kundërshti me vizionin e Gjermanisë për Ballkanin.
Kushtëzimi strikt i Gjermanisë për Ballkanin në Gjermani nuk lexohet si “skepticizëm i zgjerimit”, por si dëshmi e një përkushtimi për një zgjerim cilësor. Siç thotë një zyrtar i lartë gjerman, Gjermania “dëshiron të jetësojë acquis communautaire”. Megjithatë, edhe Gjermania duket të jetë konsumuar nga “lodhja e zgjerimit”. Kjo nënkupton që asaj po i venitet forca efektive në Ballkan. Prandaj edhe është krijuar vakumi që po mbushet nga ShBA-të dhe Rusia. Në rrethana të tilla e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe e Kosovë në BE është e paqartë. Mirëpo në terma afatgjatë, Gjermania do të vazhdojë të mbetet një nga vendet më me ndikim jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin.