Ridoli para do kohësh në vëmendjen publike ajo fjalia që ia atribuojnë Luigj Gurakuqit, e që, si përzgjedhje sintaksore e stilistike, s’përdor tjetër veçse vargim paskajoresh. E pati nxjerrë në një postim në facebook edhe Aurel Plasari, madje ia mori edhe ndonjë portal. Fjalia thotë:
Me pasë me shkue me i thanë me ardhë me ndejë me më pa.
Gjysma e parë e fjalisë nuk ka për subjekt nji vetë të caktuar, pra nuk saktësohet dot kush me pasë me shku me thënë. Te paskajorja e tretë, ndërfutja e trajtës së shkurtë të përemrit (ajo i-ja te: me i thanë) na sqaron kujt: me i thënë atij ose asaj. Vetëm kjo gjysmë ka një konkretizim vetor. Paskajoret e tutjeshme lexohen të kufizuara në vetë si: me i thënë të vijë, të rrijë, të më shohë.
Megjithatë, një përimtim kuptimor i gjysmës së dytë të fjalisë ia nxjerr cenin në fund: me ardhë me ndejë me më pa.
Sikur Gurakuqi të mundej me i tekstu, siç mundemi sot, drejtpërdrejt mikut që do ta dëshironte për vizitor, do të shkruante o “eja me ndejë”, o “eja me më pa”. Dallimi mes dy ftesave është se e para nënkupton rrethana gjenerike kur të dy palët ndërvizitohen rëndom, kurse e dyta, “eja me më pa”, lyp rrethana të veçanta: ftuesi nuk është mirë me shëndet, ose sapo ka dalë prej ndonjë operacioni, ose sapo është kthy pas një mungese të gjatë… dhe prandaj fton specifikisht “[eja] me më pa”.
Pra fraza “[me ardhë] me ndejë me më pa” vargon rrethana ndërsjellazi përjashtuese, çka edhe bën që krejt fjalia të ngjajë e pazakontë. Autori duket të jetë ndërdyshë mes “me i thanë me ardhë me ndejë” dhe “me i thanë me ardhë me më pa” e, me vëmendjen te vargimi i paskajoreve, i ka vënë të dyja. Duke na paraqitë kësisoj fjali të paqëndrueshme semantikisht.
(Chomsky, fjala vjen, vëren se edhe fjalia absurde Idetë e gjelbra pa ngjyrë flenë rrëmbyeshëm është gramatikisht krejt e qëndrueshme. I vuan kuptimi, jo sintaksa.)
Edhe versioni i fjalisë së Gurakuqit që lexoi Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Evis Kushi, për Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, më pak i gjasshëm me qenë autentik, e që shprehimisht jep:
Me pasë me mujtë me kenë me shkue me i thanë me ardhë me më pa
është po kaq i sfidueshëm kuptimisht, megjithëse zgjidh kundërshtinë mes me ndejë i me më pa tue e eliminue të parën. Kjo mbasi paskajorja me pasë në pozitën nistore, ku merr funksion kushtor, lexohet si “me pasë mundësi”. Me këtë kuptim, e pasuar nga me mujtë, në nivelin semantik të të shqyrtuarit na nxjerr tautologjinë: me pasë [mundësi] me mujtë.
Më tej, njëri ‘lexim’ i paskajores vijuese me kenë është po kaq kushtor: “me qenë e mundshme”. Me këtë kuptim të foljes, aq më tautologjike nisja e fjalisë: Me pasë [mundësi] me mujtë me kenë [e mundshme] me shkue… Duket sikur ky variant i thënies së Gurakuqit u vjen rrjeteve sociale (nga e merr ministrja) tashmë si farë legjende urbane, e predispozuar me u prishë telefonash.
Megjithatë, mangësitë kuptimore te shembulli i Gurakuqit assesi nuk nënkuptojnë se vargimit të paskajoreve, edhe në i qëndroftë sintaksa, duhet t’i dënohet me dështim kuptimi. Fjalia:
Me mundë me u çu me ardhë me të marrë me i shku me e lutë me kqyrë me të pranu me hy me mësu me qepë.
vargon njëmbëdhjetë paskajore në një fjali të qëndrueshme si semantikë e si sintaksë, e vetë ‘rekordi’ i saj madje duket i kapërcyeshëm.
Shqipja është e vetmja nga gjuhët europiane që ia del me ndërtu fjali veç me paskajore. Gjasat janë të mëdha që të jetë e vetmja në krejt rruzullin. Kjo për shkak se paskajorja merr një gamë rolesh në fjali dhe, duke qenë sintetike (dypjesëshe: pjesëza me + pjesorja), arrin me i ndërkallë brenda trupit të vet trajtat e shkurta të përemrit (me ia thënë). Këto, duke iu referu kundrinave të drejta e të zhdrejta – shpeshherë frymorë – bëjnë që te shembulli i mësipërm të shohim jo veç paskajore, por edhe njerëz.
Pavarësisht se deri ku mund të shkojë ndërtimi i fjalive të qëndrueshme veç me paskajore, rreshtimi deri në tri sosh duket krejt i rëndomtë, sa herë e para ‘ngurtësohet’ në funksion kushtor. Janë një grusht paskajoresh që ofrohen me marrë këso rolesh:
Me bë me dashtë me thënë… (Sikur të doja me thënë…)
Me qenë me shku me pa. (Të ish [e mundshme] të shkoje me pa.)
Me mujtë me u çu me ecë. (Të mund të çohej me ecë.)
Me pasë me nisë me punu. (Të kish [mundësi] që të niste me punu.)
(Përzgjedhja e vetave në fjalitë e krahut të djathtë është, kuptohet, arbitrare.)
Plasari, në postimin e vet me paskajoret e Gurakuqit shënon edhe këto:
Për paskajoren, që standardi e ka përjashtuar si “të gegnishtes” duke e varfëruar shqipen, teza më realiste gjendet te filologu veteran Át Justin Rrota, i detyruar gjatë me heshtje:
“Kështu mendojmë se për unifikimin e gjuhës âshtë mirë të lëshojnë pê të dyja palët: gegnishtja, tue e rrallue përdorimin, dhe toskënishtja, tue e shtie mâ tepër në punë infinitivin”.
Teza e Rrotës nuk përbën ndonjë premisë të fortë shkencore në pjesën që thërret “gegnishtja [me ia] rrallue përdorimin”. Përdorimet, funksionet, sintaksat në të cilat paskajorja futet, janë ato që janë. Kur e mendojmë si njësi tashmë të përbrendësuar nga shqipja standarde, prandaj të natyrshme brenda saj, nuk mund ta quajmë jostandarde qoftë edhe një fjali me njëmbëdhjetë paskajore varg, sa kohë që vetë shkrojtësia e tyre mbetet standarde (më thënë para se me thanë). Dendësinë ia kushtëzojnë faktorë sociolinguistikë, jo brendagjuhësorë.
E mira e vetme, për shqipen e përbashkët, është tjetra: me shti sa më shumë në punë infinitivin. Kjo kërthndez shqipen, ia shton shprehësitë, stilemat, mundësitë për shqyrtime të abstraktuara. Paskajorja nuk lyp më shumë sesa një operacion gjuhësor të vetëm mbi shqipen standarde aktuale, në thelb të thjeshtë krejt: shkurtimin e pjesores. Ky është një gremç i vogël i një misioni shumë të madh.
Gjuha është me të me lodru, me bë art, me emërtu nocione të reja, me gojëtaru, me shkrujtë ligje, me dhënë lajme, me ofendu, me sha, me shfry, por edhe me bashku, me pru paqe, me dashuru. E, me vazhdu me mohimin e nevojës për ndërthurjen e mëtejme mes dy kryedialekteve, me e refuzu paskajoren sot e kësaj dite pse “e gegnishtes”, vjen si dorëzim se nuk mundemi me gjetë ujdi tjetër gjuhësore përtej asaj të trashëguar prej diktatit, çka lexohet si pranim se na duhet një frikë që të na bëjë bashkë; dashuria nuk na bën punë.
Sado që ç’kemi në dispozicion nga korpuset online të shqipes ende nuk na jep shumë, mundësitë për matje kreative mes alternativave nëpër internet na e informojnë sot gjuhësinë larg më shumë sesa kurdoherë më parë. Mësojmë, ta zëmë, se prirja bindshëm mbizotëruese është me i dhënë paskajoret e grupit më të madh jo më me togun –ue, me punue, por thjesht me punu.
Qëndrimi kombëtar në vendnumëro nuk ndihmon as edhe me një hap të vetëm ndërafrimin e mëtejmë. Standardi ka për bazë parimin që kur nga të përbashkëtat e shqipes ka dyzime e partikularizma, për bazë të merren ato të toskërishtes. Kjo nuk e fton aspak një shqiptar jugor të mësojë gjë nga shqipja veriore, nga ajo e shqiptarëve jashtë Shqipërisë jo e jo.
Prandaj konstatimi se edhe vetë shqipja u varfëru duke përjashtu paskajoren, që vjen prej studiuesish të censhëm si Plasari, kthehet në detyrë të shtuar për me kalu prej fjalësh në vepra. Kjo përfshin studiuesin që këtë tashmë e ka të qartë. Studiuesit nuk do të duheshin me zhvlerësu peshën e shembullit vetjak.