Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Hipokrizia e specializuar

Të gjithë në këtë vend e duan drejtësinë. Të paktën këtë e themi kur deklarohemi zëshëm. Dhe deklarohemi herë pas herë. Veçanërisht atëherë kur na pyesin. Por edhe kur e duam drejtësinë, sikur e konceptojmë si të specializuar. Drejtësia është drejtësi vetëm kur është drejtësi për ne (me NE nënkuptojmë përkatësinë etnike, gjinore, klasore, përgjithësisht NE/UNË karshi Tjetrit). Po nuk qe për ne, nuk na hyn në punë. Nuk na duhet. Ose, më mirë thënë, mund të pres. Nuk e kemi prioritet.

Pak a shumë ky është reagimi politik e shoqëror karshi zhvillimeve rreth Dhomave të Specializuara, apo Gjykatës Speciale. Ky filloi të bëhej reagimi veçanërisht pas komunikatës së famshme të kësaj Gjykate përmes së cilës njoftonin se kanë dorëzuar propozim-aktakuzën ndaj Presidentit Thaçi dhe Kryetarit të PDK-së z.Veseli. Dhe ky vazhdoi të jetë reagimi pas ndërhyrjes së policisë (EULEX?/Policia e Gjykatës?) në zyret e OVL-së. Diskutimi, edhe pse me zhargon juridik, kishte natyrë të kulluar politike dhe qasje emocionale. Kjo e fundit e kuptueshme. Natyrisht që për qytetarët e Republikës nuk është fare pamje e lehtë, e as zhvillim i kapërdijshëm kur shohim ushtarët e UÇK-së të arrestohen e dërgohen në gjykatë. Nuk ka qenë e lehtë asnjëherë. Kjo për faktin se UÇK-ja megjithatë jeton si ide e flet si përpjekje e sakrificë. Gjeneron energji dhe është e ngulitur thellë në themelin e lirisë sonë sot. Megjithatë dy ndarje duhen bërë në krye të herës. Ndarja e parë është ajo e idesë karshi emrave të përveçëm. E dyta ajo mes sentimentit të qytetarit dhe hipokrizisë së përfaqësuesit të tij politik.

Një Ide Universale, në këtë ajo e luftës për liri, asnjëherë nuk mbijeton pa e gjetur shprehjen e saj në formën partikulare të përditshmërisë. Në të tashmen tonë. E shprehja në përditshmëri bëhet përmes subjektit/ngjarjes që konstituon subjektin. Duke qenë kështu, Ideja domosdo gjen shprehjen te njerëzit dhe përmes tyre. Dhe ka nevojë për ta. Por nuk objektifikohet. Nuk reduktohet në ta. Mbi të gjitha – nuk pronësohet nga ta. Prandaj është e mundshme dhe duhet ndarë UÇK-në si mendim e koncept lirie nga emrat e përveçëm të saj. Sepse po u trupëzua dhe u reduktua në emra, ajo e humb universalitetin. Nga subjekt mendimi shndërrohet në objekt ligjshmërie dhe kështu i nënshtrohet ligjeve të së tashmes e të së këtushmes. Është pikërisht lidhja e pashkëputshme e UÇK-së si ide e koncept me emrat e përveçëm, pjesëtarë të saj, ajo që më së shumti po e rrezikon UÇK-në (prej korrupsionit të pasluftës e deri te akuzat për krime të supozuara të luftës e pasluftës). Prandaj duhet ta ndajmë UÇK-në nga njerëzit. Që ta shpëtojmë atë nga po këta njerëz.

Shto kësaj, në diskutimin për gjykatën speciale, njëkohësisht flasim për dy koncepte jashtëzakonisht të ndërlikuara, por edhe të ndërlidhura – lirinë dhe drejtësinë. Sëkëndejmi kur flasim për të drejtën tonë për liri njëkohësisht flasim edhe për përgjegjësinë tonë për drejtësi. Gjykuar nga ky këndvështrim, reagimi karshi gjykatës speciale dhe punës së saj shpërfaq një mënyrë problematike të të menduarit. Liria dhe drejtësia nuk janë të plota asnjëherë nëse nuk janë gjithëpërfshirëse. Dënimin e krimeve duhet ta kërkojmë nga kushdo, ndaj kujtdo, për cilindo krim e për cilëndo viktimë. Dhe në këtë pikë mbase duhet të fillojmë nga fillimi.

Është fakt që në Kosovë ka një numër viktimash për të cilat nuk ka pasur kurrë drejtësi. As nuk dihet se kush i ka vrarë dhe pse i ka vrarë. Kjo duhet të jetë pikënisja. Shoqëria duhet ta dijë se pse janë vrarë ata njerëz dhe nga kush. Në këtë drejtim diskutimi publik është tejet problematik në së paku dy rrafshe. Në njërën anë flitet për gjykatën vetëm nga një perspektivë thuaja se abstrakte politike, diskutime këto që shpeshherë shkojnë aq larg sa krijojnë një teori të gjerë për një konspiracion global kundër nesh (kur Gjykata shihet si mekanizëm për ta luftuar UÇK-në?). Kështu merret ana e të fortit tonë lokal. Ndërsa në anën tjetër, kur flitet për viktimat, thuaja se çdoherë vihet theksi te ato të etnisë shqiptare (kjo më shpesh nga arsyetuesit sesa nga kundërshtarët e Gjykatës). Në këtë pikë kundërshtarët dhe apologjetët bëhen një, sepse drejtësinë e shohin nga perspektiva etnike. Të parët thonë kjo gjykatë është e padrejtë sepse do të gjykojë vetëm pjesëtarët e UÇK-së, pra vetëm shqiptarët. Të dytët thonë, po, mirëpo do t’i gjykojnë krimet e kryera ndaj shqiptarëve. Të dy këta pajtohen në heshtje se krimet ndaj joshqiptarëve as që duhen të përmenden. Që realisht nënkupton se ato as që janë krime. Kur thuhet se duam drejtësi këtë duhet ta duam për të gjithë njësoj. Por sigurisht se kjo nuk është e veçantë për Kosovën. Të njëjtin problem e kanë të gjitha vendet e rajonit. Edhe në Kroaci e Bosnje, krimet e kryera ndaj tjerëve nuk llogariten shumë si krime. Gjykimet e dënimet atje janë më shumë të nxitura nga ndërhyrja e jashtme sesa nga emancipimi i brendshëm. E të mos flasim për Serbinë. Ajo, edhepse ka qenw nxitwsja e vetme e luftwrave nw ish Jugosllavi, dhe orkestruesja e zbatuesja kryesore e krimeve kundër të tjerëve, ka ndërmarrë më së paku veprime që do të dërgonin drejt një katarzisi shoqëror e vetëdijësimi për krimet e kryera në emër të tyre. Megjithatë vënia e drejtësisë në vend nuk është çështje reciprociteti. Siç nuk mund të jenë të drejtat e njeriut çështje reciprociteti. Këndvështrimi ynë kolektiv karshi çështjeve të drejtësisë duhet të jetë i nxitur nga nevoja e brendshme e jo nga kushtëzimet nga jashtë. Fatkeqësisht kjo nuk po ndodh te ne. Siç nuk po ndodh në asnjë vend të rajonit.

Ushtari i UÇK-së në sytë tanë është figura e heroit. Heroi nuk mund të ketë njolla. Sepse heroi nuk bën keq. Po të bënte keq, nuk do të ishte hero. Tash, nga kjo figurë idilike për heroin fillon diskutimi jonë. Kështu që heroit tonë nuk është se nuk ia dijmë të bëmat, por ia falim ato. Ia harrojmë, sepse në sytë tanë, sakrifica e ushtarit për liri është më e madhe se njolliçkat e mundshme që mund t’i ketë ai në këtë përpjekje. Prandaj nuk flasim. Dhe i mbrojmë sa herë që të tjerët mund të flasin për heroin tonë. Por as kjo nuk është e veçantë për Kosovën. Ante Gotovina është hero në Kroaci, ashtu si Naser Oriqi në Bosnje e Hercegovinë. Që të dy të gjykuar për krime lufte, ani se drejtues të luftërave çlirimtare të popujve të tyre kundër regjimit të Millosheviqit.  Kjo perspektivë e heroizmit kushtëzon pyetjen themelore: A do të kishte qenë e mundur që heronjtë të gjykohen nga gjykata vendore? Pra a do të kishte pasur një mundësi sado e vogël që ndonjë prokurorë ose gjykatës në Kosovë të gjykojnë heronjtë? Nëse po, atëherë pse nuk ka ndodh një gjë e tillë deri tash? Natyrisht ka pasur raste kur ushtarët e UÇK-së janë gjykuar e dënuar nga gjykatat vendore, madje nganjëherë edhe me procese diskutabile. Por ja që hetimi i prokurorit Williamson tregon se ka një numër të rasteve për të cilat nuk ka pasur kurrë gjykim. Dhe për këto është themeluar Gjykata Speciale.

Natyrisht që Gjykatën nuk duhet ta trajtojmë sikur të jetë mekanizëm i drejtësisë hyjnore. Natyrisht që edhe Gjykata ka problemet e veta se si është ndërtuar (sidomos karakteri mono-etnik i saj) dhe se ajo mund të gabojë edhe në të ardhmen, e madje edhe të ndërhyjë në çështje që nuk janë të saja (siç ishte deri diku teksti i komunikatës së famshme për propozim-aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit). Kjo nënkupton se puna e gjykatës duhet monitoruar e ndaj saj duhet të kemi qasje kritike. Por të mos harrojmë ta shtrojmë pyetjen themelore: Çka nëse gjykata vërtetë ka prova e dëshmi për ato që i pretendon? Çka nëse prokurori Williamson e ka thënë të vërtetën në raportin e tij të komunikuar përmes një konference për shtyp në korrik të vitit 2014. Dhe këtu nuk po flas për emrat e përveçëm të të dyshuarve. Por po flas për dëshmitë e provat për krimet e kryera, për të cilat flet Williamson. Qasja juridike në diskutimit për Gjykatën do të duhej të nisej nga kjo. Nga akuzat e saj. Sepse kjo në fund do të jetë gjëja më e rëndësishme.

Dhe kështu vijmë te hipokrizia e specializuar. Ose të mënyra se si akterët e skenës publike e trajtojnë tërë diskutimin për Gjykatën. Nga qëndrimi se ajo duhet votuar meqë po na e kërkojnë miqtë, e përmes së cilës do të arrijmë ta pastrojmë luftën tonë të drejtë (2015) e deri te qëndrimi se kjo Gjykatë ështe e parpranueshme, sepse është monoetnike dhe po e lufton UÇK-në. Çfarë ka ndryshuar gjatë këtyre 5 viteve që e bën Gjykatën të kundërtën e saj. Asgjë përveç emrave të përveçëm të cilët po akuzohen. A i bie kjo që po të kishte qenë e njëjta gjykatë duke u marrë me pjesëtarët e UÇK-së të cilët nuk kanë kapital publik dhe ekonomik, ajo do të kishte qenë e pranueshme? Por edhe ana tjetër e së njëjtës medalje ka ndryshuar. Nga ‘ne nuk ju dorëzojmë’ tek ‘ne ju mbrojmë më së miri’. Edhe këtu përvillet problemi i ngjashëm. Zhvillimet rreth gjykatës kundërrohen e trajtohen nga perspektiva e interesit elektoral e jo shtetëror dhe kombëtar. (Paramendone një Kryeministër të Kosovës që refuzon t’i dorëzojë të akuzuarit në një Gjykatë të themeluar nga Kuvendi i Kosovës. Paramendone një Ministër i Brendshëm i cili urdhëron policinë ta refuzojë dëgjueshmërinë ndaj Gjykatës.)

Për fund pyetja më e rëndësishme : A e shohim drejtësinë si vlerë apo si instrument pushteti? Se nëse është instrument pushteti atëherë ajo nuk është drejtësi. Drejtësia është barazi dhe ndodh në kushte barazie. Në këtë drejtim, drejtësia është e ndërlidhur me qasjen që e kemi ndaj Tjetrit. Dhe përgjithësisht në shoqërinë tonë, tjetri asnjëherë nuk është i barabartë. Ai është i pabarabartë sepse është ndryshe, dhe është ndryshe sepse është i pabarabartë. Kështu e shohim Gruan, kështu e shohim Tjetrin (etnik), kështu e shohim të varfërin. Të gjithë këta viktima. Dhe si të tillë i pranojmë. Por nuk pranojmë se janë viktima të krimeve tona. Dhe asnjëherë nuk pranojmë të gjykohemi për to. Në këto raste drejtësia nuk ka ç’na duhet. Ajo mund të pres. 100 mijë punë tjera i kemi!

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.