Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Historia komplekse e marrëdhënieve Kosovë-Rusi (V)

Dialogu Kosovë-Serbi dhe Rusia

Pak muaj pas fitores ligjore që arriti Kosova në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë në korrik të vitit 2010, se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare (ku Moska kishte deponuar argumentet e saj kundër Kosovës, si dhe njëri nga gjyqtarët e paktë të GJND-së që kishte votuar kundër Kosovës ishte po ashtu rus), filloi “dialogu teknik” ndërmjet Prishtinës dhe Beogradi pas miratimit të një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator 2010. Që nga fillimi i këtij procesi, Moska ka qenë në përkrahje të dialogut dhe çdo marrëveshje që është e pranueshme për Beogradin, është edhe për diplomacinë ruse. Ky është qëndrimi i Moskës zyrtare.

Por, kur partia e presidentit aktual serb Vuçiq mori pushtetin në Serbi në vitin 2012, ndikimi rus u rritë drastikisht edhe atë në të gjitha fushat. Atë që Millosheviqi nuk kishte arritur ta imagjinonte në kohën e tij me Jeltsinin, Vuçiq e zbatoi me Putinin (dhe Medvedevin). Pas vitit 2013 Serbia pranonte donacione të ndryshme ushtarake nga Kremlini dhe vazhdon të blejë pajisje ushtarake dhe organizon manovra të përbashkëta ushtarake. Varshmëria serbe ndaj gazit rus është tashmë evidente. Planet ruse për rritjen e varshmërisë së shteteve ballkanike po forcohen dita-ditës edhe më lëshimin e Turkstreamit nga Kaukazi.

Sot, ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor është më i madh se para 30 vitesh dhe kjo u bë e mundur nga politika e komanduese e Kremlinit. Por, kjo politikë është e suksesshme nga prizmi rus, por destrukiv për të ardhmen evropiane të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Nga viti 2012 deri në fund të 2020 Vuçiqi ka takuar Putinin 17 herë e lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, është mysafir i shpeshtë i Putinit në Moskë. Putini deri më tani ka vizituar Beogradin katër herë dhe pritjet ndaj tij në Serbi gjykoheshin nga mediet ndërkombëtare si të një popstari.

Në këtë drejtim, Vuçiq dhe i përkëdheluri rus Daciq, mbështetjen ruse kundër Kosovës e cilësojnë esenciale. Por, edhe këtu ka dyshime në të dy anët. Protestat e opozitës serbe në Beograd kundër Vuçiqit – tashmë ka fakte – se ishin bashkë organizuar apo kishin mbështetjen ruse. Por, edhe Vuçiqi me disa nga lëvizjet e tij për një “neutralitit ushtarak” nuk janë parë pozitivisht në Moskë. Sa herë që Vuciq bëntë ndonjë lëvizje të përafrimit me Perëndimin pasonte një reagim alla-rus. Kjo u dëshmua më së miri nga postimi i pa precedent i zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, duke vënë fotografinë e Vuçiqit me fotografinë e Sharon Stone nga filmi “Basic Instinct”.

Sipas Zakharovas presidenti serb, dukej si në rolin e Stone, teksa ekspozonte veten, me rolin e saj. E postimi i Zakharovës vetëm i rastësishëm nuk mund të ishte. Postimi i saj erdhi pas marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në praninë e Presidentit të SHBA-ve Donald Trump në shtator të 2020. Për Moskën, Serbia e përbuzur në SHBA-të meritonte një postim të tillë.

E në anën tjetër, politikanët kosovarë kanë pasur eksperienca të ndryshme me politikanët apo liderët rusë. Ish Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pati zhvilluar një takim të shkurtër me kryeministrin e Federatës së Rusisë, Dimitry Medvedev, në korrik të 2018 në kuadër të ceremonisë së inaugurimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. E në nëntor të po të njëjtit vit, Thaçi kishte takuar homologun e tij rus Putin në Paris. Në të dy postimet e Thaçit thuhet se tema kryesore të bisedave ka qenë dialogu Kosovë-Serbi.

E ish shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, derisa po mbante një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, u ballafaqua me ndërprerjen e fjalës nga ambasadori rus në Kombe të Bashkuara, Vitali Tschurkin, i cili i kërkonte Hoxhajt të mos flasë në ambientin e Kombeve të Bashkuara, “pasi që Kosova nuk është vend anëtar”.

Vitali Tschurkin kishte shfaqur një arrogancë të jashtëzakonshme gjatë një vizitë në Krushë të Madhe me një delegacion të Kombeve të Bashkuara për të parë nga afër gjendjen në Kosovë gjatë kohës së negociatave për statusin final të Kosovës. Me një sjellje ekstrem të pahijshme dhe aspak humane, ai nuk ia kishte shtrirë as dorën grave, vajzave dhe të vejave nga Krusha e Madhe, të cilat po tregonin për vrasjen e burrave dhe djemve nga forcat serbe

Kush është Oleg Levitin – diplomati i vetëm rus që mori medalje nga Republika e Kosovës

Emrin Oleg Levitin për herë të parë e kam dëgjuar nga ambasadori i ndjerë austriak Albert Rohan dhe nga ambasadori Wolfgang Petritsch. Të dy diplomatët e lartcekur e kanë përmendur emrin e diplomatit rus para disa vitesh gjatë takimeve të mia me ta në lidhje me mbledhjen e informacioneve rreth doktoratës sime. Por, kush është Oleg Levitin?

Levitin është një diplomat rus që ka shërbyer në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë në departamentin për Ballkanin. Gjatë viteve 1990-ta ai ka shërbyer në ambasadat ruse në Tiranë dhe Beograd. Levitin ka qenë i përfshirë edhe në bisedimet e paqes në Dayton dhe në grupet punuese të Grupit të Kontaktit për Kosovën. Në vitin 1995 ai ka doktoruar në Moskë në temën “Marrëdhëniet Jugosllave-shqiptare 1945-1990“ (Yugoslavsko-Albanskie Otnoshenia 1945–1990).

Duke shërbyer në ambasadat ruse në Tiranë dhe Beograd, Levitin ka marrë pjesë në disa nga takimet më të rëndësishme ndërmjet palës ruse me ato serbe dhe jugosllave dhe me diplomatët e politikanët perëndimorë për çështjen e Kosovës. Për më tepër Levitin ka pasur takime të shpeshta edhe me përfaqësuesit politik të Kosovës. Në mesin e takimeve të diplomatit rus, ai ka takuar disa herë edhe Presidenti Rugova.

Të paktën këto takime – sipas Qendrës për Informim të Kosovës (QIK) – janë të konfirmuara ndërmjet Rugovës dhe Levitin (shtator 1997, mars 1998, prill 1998 dhe shtator 1998). Më 11 mars 1997, Levitin ishte pritur në Prishtinë edhe nga Adem Demaçi, kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës dhe nga KMDLNJ. Levitin në të gjitha takimet e tij kishte shprehur shqetësimin e tij për situatën në Kosovë dhe bënte thirrje për zgjidhjen e problemeve vetëm përmes dialogut.

Pas vitit 2000 Levitin është larguar nga MPJ ruse duke dhënë dorëheqje nga shërbimi diplomatik. Në një artikull të botuar në vitin 2000 për revistën e Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) ai ka zbërthyer politikën e jashtme ruse në drejtim të Kosovës gjatë viteve 1990-ta, të cilën e ka quajtur “brenda rrëmujës së Moskës në Kosovë”. Mesazhi i Levitin është se “paqja në Ballkan korrespondon me interesat afatgjata të Rusisë, si ekonomike ashtu edhe gjeopolitike.

Një Ballkan i paqëndrueshëm, shpërthyes, i prapambetur ekonomikisht dhe i zhytur në urrejtjen nacionaliste, paraqet kërcënimin real. Pjesëmarrja konstruktive në përpjekjet ndërkombëtare për të stabilizuar Evropën Juglindore do të thoshte përballja me realitetin dhe gjithashtu do t’i shërbente interesave të vërtetë të Rusisë.” Ama Rusia e Levitinit është e një Rusie tjetër, jo ajo e sotshmja, që synon destabilizimin, krijimin e konflikteve të ngrira dhe ku agresiviteti dhe ndërhyrja është bërë mjet i zakonshëm ndërveprimi me shtete të tjera.

Oleg Levitin ka marrë dekoratën “Medalja Presidenciale e Meritave” nga presidentja Atifete Jahjaga më 12 shkurt 2013. Një medalje e tillë është mirënjohja më e mirë ndaj dikujt që përpiqet për të ndërtuar ura përafruese ndërmjet dy popujve, që në raportimet e tij diplomatike u mundua të ofrojë një pasqyrë reale mbi zhvillimet në Kosovë e gjatë luftës së Kosovës.

E si për koincidencë historike, njëqind vite më herët nga ndarja e dekoratës presidenciale për diplomatin rus Levitin, ishte po ashtu një rus tjetër, Leon Trotsky, i cili gjatë viteve 1912 dhe 1913 raportonte në cilësinë e korrespodentit për krimet e serbëve ndaj shqiptarëve për gazeta të ndryshme, të cilat më vonë u botuan në librin “Luftërat Ballkanike (1912-13): Korrespondenca e Luftës së Leon Trotsky-t”. Trashëgimia gazetareske e Trotsky-it dhe diplomatike e Levitin kanë shumë dallime, por ama një gjë e kanë të përbashkët: subjekt i raportimit të të dyve ishte Kosova si viktimë politike e vendimeve të gabuara nga shteti i tyre.

Author

  • Faruk Ajeti

    Dr. Faruk Ajeti është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Austriak për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Vjenë. Gjatë vitit akademik 2019/20 ishte visiting scholar i Fondacionit Austriak të Planit Marshall në Institutin për Politikë të Jashtme në Universitetin Johns Hopkins në Washington DC.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.