Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

I vëllai le të vëllanë (Pjesa II)

Krahasimi i parametrave mes Iranit dhe Arabisë Saudite

Por, ku qëndrojnë në raport me nëjra-tjetrën këto dy vende në parametra ekonomik, demografik, infrastrukturor dhe ushtarak?

Arabia Saudite ka mbi 29 milionë banorë, 1/3 e të cilëve janë emigrantë. 97% e sauditëve janë myslimanë, prej tyre 82% sunitë. Irani ka mbi 83 milionë banorë, 99% e tyre myslimanë, prej tyre 90% shiitë. Arabia Saudita ka territor prej 2.149,690 km2, e, Irani i ka 1.648.195 km2. 90% e Arabisë Saudite janë arabë, kurse vetëm 61% e Iranit janë persë (16% azerë, 10% kurdë, 6% lurë e 7% arabë, baloçë, turkmenë, etj.). GDP e Arabisë Saudite është 745.273 miliardë dollarë, e Iranit 366.259 miliardë dollarë. GDP per capita e Arabisë Saudite është 6 herë më e madhe sesa e Iranit e shpenzimet ushtarake janë 4.5 herë më të mëdha se të Iranit.

Arabia Saudite, pas Venezuelës, ka rezervat e dyta më të mëdha në botë me naftë(268.350 miliardë barrela), kurse Irani ka rezervat e katërta në botë me 157.800 miliardë barrela (pas Venezuelës, Arabisë Saudite dhe Kanadasë). Sa i përket prodhimit ditor të naftës, Arabia Saudite aktualisht është e dyta në botë (pas Rusisë), gjersa Irani vjen i shtati (pas Rusisë, Arabisë Saudite, ShBA-se, Kinës, Kanadasë e Irakut).

Irani, në dallim prej naftës, ka më shumë rezerva të gazit natyror në krahasim me Arabinë Saudite. Irani është i dyti në botë, pas Rusisë, me 33.6 trilionë m3, kurse Arabia Saudite është e gjashta (pas Rusisë, Iranit, Katarit, Turkmenistanit e ShBA-së) me 8.6 trilionë m3.

Edhe Irani edhe Arabia Saudite njësinë monetare të tyre e quajnë “rial”.

Në Iran, e drejta e votës lejohet prej moshës 18 vjeç; në Arabinë Saudite prej 21 vjeç (vetëm për zgjedhje lokale, pasiqë Arabia Saudite nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve qendrore). Dy vendet e ndalojnë pirjen e alkoolit. Irani ka demokraci shumëpartiake dhegratë mund të zgjedhin e të zgjedhen (që nga viti 1963), por jo edhe në Arabinë Saudite (mbreti i ri Selman ka premtuar se prej vitit 2015, në zgjedhjet lokale, grave do t’iu njihet e drejta e votës). Irani është republikë islamike; Arabia Saudite monarki absolute. Irani i ka 8% të deputetëve të zgjedhur gra, kurse Arabia Saudite 20% të deputetëve të caktuar nga mbreti i ka gra (pasiqë nuk lejohen zgjedhjet, mbreti e cakton vet të gjithë 150 anëtarët e kuvendit, “mexhlisit”).

Arabia Saudite e ka shkallën e papunësisë më të ulët se sa të Iranit (10% në Iran, 5% në Arabi). 18% e iranianëve dhe 13% e sauditëve jetojnë në varfëri. Ndërkohë që për Arabinë Saudite s’kam gjetur të dhëna, në Iran 23% e familjeve s’e kanë të punësuar asnjë pjesëtar të familjes. Rritja vjetore e GDP-së në Iran shënon +2.8% (+28% mes periudhave 2008-14), gjersa në Arabi Saudite është +2% (+79% mes viteve 2008-14). Tregtia mbulon pjesë më të madhe të GDP-së së Arabisë Saudite sesa të Iranit. Irani importon të mira materiale dhe shërbime në vlerë 145 miliardë dollarë (në 2014-n ka shënuar rritje prej 126%), kurse Arabia Saudite në vlerë prej 37 miliardë dollarë (në periudhën 2005-14 ka rënie prej 58%). Irani eksporton 19.5 miliardë dollarë në vit (në krahasim me vitin 2005 ka rënie prej 82%, shkaktuar sidomos nga sanksionet ndërkombëtare), 82% e të cilave është naftë ose gaz natyror. Arabia Saudite eksporton 92 miliardë dollarë (-49% në periudhat 2005-14), 87% e të cilave është naftë. Arabia Saudite ka rritje vjetore të prodhimit industrial prej 2.5% (në vitet 1968-2013, rritja mesatare vjetore është +5.4%), kurse Irani ka rritje prej 1.6% (mes viteve 1975-2014, rritja mesatare vjetore ka qenë 5.7%). Industria mbulon 44% të GDP-së së Iranit dhe 60% të GDP-së së Arabisë Saudite. Bujqësia mbulon 10% të GDP-së së Iranit dhe 1-2% të GDP-së së Arabisë Saudite. Irani ka rezerva shtetërore në vlerë prej 80 miliardë dollarësh (15% në formë ari), kurse Arabia Saudite ka rezerva në vlerë prej 734.5 miliardë dollarësh, nga to, 1.8% në formë rezervash ari (Arabia Saudite, me rezervat shtetërore, paguan çdo vit shkollimin e rreth 150.000 të rinjve sauditë në shkollat më të shtrenjta perëndimore). Borxhi i jashtëm i Iranit në vitin 2013 ishte 7.2 miliardë dollarë (në vitin 2012 ka qenë 17.3 miliardë dollarë, dmth ka paguar për vetëm 2 vitet e fundit 76% të vlerës), kurse i Arabisë Saudite është 136 miliardë dollarë.

Irani ka më shumë popullsi dhe dendësi të saj, por Arabia Saudite ka popullsi më të re në moshë. 60% e popullsisë saudite është nën moshën 30 vjeç, e në Iran 55% (sipas cenzusit të vitit 2011). Rreth 3% e sauditëve dhe 6% e iranianëve janë mbi moshën 65 vjeç. Jetëgjatësia mesatare në Iran është 73,7 vjeç, gjersa në Arabi Saudite 74,8 vjeç. 1 në 3 iranianë, dikund rreth 27 milionë syresh, jetojnë në zona rurale, kurse në Arabi Saudite, vetëm 15% e popullsisë, dikund afër 5 milonë syresh. Irani i ka 27.1 milionë banorë fuqi punëtore (1/3 e tyre gra) e Arabia Saudite 8 milionë banorë fuqi punëtore (1/5 gra). Nataliteti në Iran është mes 17 e 18 promilash, gjersa në Arabi Saudite mes 18 e 19 promilash. Mortaliteti në Iran është 1.86 promila e në Arabi Saudite 14.6 promila. Mortaliteti foshnjor: Iran – 5 në 1000 lindje; Arabi Saudite – 15 në 1000 lindje. 85% e iranianëve dijnë shkrim-lexim, sikurse 87% e sauditëve. Irani ka të gatshëm për luftë 3 herë më shumë banorë sesa Arabia Saudite (39.6 milionë dhe 13 milionë).

Irani dhe Arabia Saudite janë dy nga pesë vendet e vetme në botë ku homoseksualiteti dënohet me vrasje. Në Arabi Saudite gratë nuk lejohen të vozisin vetura. Në Iran lejohen. Sipas matjeve të Forumit Ekonomik Botëror, në Arabi Saudite kostoja mujore e jetesës është llogaritur të jetë 4 herë më e shtrenjtë sesa në Iran. Në vitin 2013, në Arabi Saudite kanë ndodhur 265 vetëvrasje, kurse në Iran 2215. Në Iran ka 2-fish krime dhe 3-fish vrasje më shumë se në Arabi Saudite.

Irani i ka 319 aeroporte (5 në 1 milion banorë) e Arabia Saudite 214 apo 8 në 1 milion banorë. Irani ka porte detare që pranojnë tonazh më të madh mallërash në vit dhe ka rrjetin hekurudhor (8442 km) 6 herë më të gjatë sesa Arabia Saudite. 1 në 5 iranianë dhe 1 në 3 sauditë ka automjet. Arabia Saudite ka rrjetin e autostradave në gjatësi totale prej 3.348 km, 4.5 herë më të gjatë sesa Irani. Por, Irani ka rrjetin e përgjithshëm rrugor me gjatësi 160.366 km, apo 3.5 herë më të gjatë sesa Arabia Saudite.

Irani i ka 407 avionë luftarakë, Arabia Saudite 287. Irani i ka 2800-3000 tanke, gjersa Arabia Saudite 1000-1200. Arabia Saudite i ka mbi 5400 automjete të rënda ushtarake, derisa Irani i ka mbi 1300 sosh. Mosha minimale për ushtri në Iran është 18 e në Arabi Saudite 17 vjeç (por në Arabi shërbimi ushtarak asnjëherë s’ka qenë i detyrueshëm për popullsinë). Irani ka personel ushtarak 3 herë më të madh sesa Arabia Saudite, por Irani harxhon vetëm 62 dollarë në vit për një ushtar, kurse Arabia Saudite 824 dollarë. Arabia Saudite përvjet importon armë konvencionale me vlerë prej 838 milionë dollarësh, gjersa Irani me vlerë prej 283 milionë dollarësh.

Irani e ka forcën ushtarake detare më të zhvilluar sesa Arabia Saudite. Flota Detare Iraniane i ka 3 korveta, 6 fregata, 111 luftanije mbrojtëse, 32 nëndetëse dhe 7 mina detare. Flota Saudite i ka 4 korveta, 7 fregata, 39 luftanije mbrotjëse, 0 nëndetëse dhe 3 mina detare. Por, Arabia Saudite e ka forcën ajrore më të zhvilluar sesa Irani. Ajo ka 746 avionë të ndryshëm ushtarak dhe 200 helikopterë, gjersa Irani i ka 530 avionë të ndryshëm ushtarak dhe 140 helikopterë.

Si përfundim i këtij kapitulli, me pak fjalë mund të thuhet se Irani ka parametra makroekonomik më të arrirë sesa Arabia Saudite, por qytetarët e kësaj të fundit kanë mirëqenie ekonomike më të madhe. Gjersa në aspektin ushtarak, Irani bindshëm ka ushtrinë më të mobilizuar, më profesionale dhe më të mirarmatosur. Ndonëse lufta e drejtpërdrejt e këtyre dy fuqive rajonale nuk duket se do të ndodhë në terma afatshkurtër, për çdo eventualitet, duhet thënë se Irani ushtarakisht do ta dërmonte Ushtrinë e dobët saudite, por politikisht do të diskreditohej dhe do të humbiste shumë. Këtu qëndron poenta e status quo-s së tyre – Irani nuk guxon ta sulmojë Arabinë Saudite pasiqë do të deklasohej politikisht, gjersa Arabia Saudite nuk guxon ta sulmojë Iranin pasiqë do të deklasohej ushtarakisht.

5. Lufta Civile në Jemen

Lufta Civile në Jemen nisi më 19 mars të këtij viti. Konflikti zhvillohet ndërmjet qeverisë së presidentit të zgjedhur Abd Rabuh Mansur Hadi, në një anë, dhe forcave rebele të fisit Huthi e ish-presidentit Ali Abdullah Saleh, në anën tjetër. Gjithashtu edhe disa njësi të degës së Al Kaidës në Gadishullin Arabik kanë në kontroll territore të caktuara të Jemenit. Situata eskaloi më 22 mars, kur huthët e nisën ofensivën duke sulmuar qytet-portin e Adenit, një bastion të presidentit Hadi, i cili më 25 mars u detyrua të largohet nga vendi dhe të ik në Riad, prej ku i bëri thirrje Arabisë Saudite që ta mbrojë legjitimitetin e presidencës së zgjedhur jemenase. Po atë ditë, Arabia Saudite formoi koalicionin për të nisur sulmet ajrore kundër rebelëve në Jemen. Ironike apo jo, Arabia Saudite gjatë tërë ekzistencës së vet 83 vjeçare asnjëherë s’ka mbajtur zgjedhje qendrore e, në nivel lokal s’i lejon gjysmën e popullsisë – gratë – që të votojnë, e, prapseprap e përdor si alibi të intervenimit legjitimitetin demokratik. Njëjtë qëndrojnë edhe shumica dërrmuese e aleatëve të tjerë të koalicionit të prirë nga sauditët. P.sh., presidenti i Egjiptit, gjeneral al-Sisi, i cili ka pranuar të bëhet pjesë e koalicionit për ta mbrojtur presidentin e zgjedhur Hadi, është vetë ai i cili në korrik 2013 e rrëzoi me grusht-shteti presidentin e zgjedhur prej mbi 13.2 milionë qytetarëve egjiptianë, Muhamed Morsin. Por, nuk është hera e parë që Arabia Saudite sulmon popuj të tjerë “në mbrojtje të legjitimitetit” të marionetave të saj fqinje. Në vitin 2011, gjatë Pranverës Arabe, pati dërguar forcat tokësore të Ushtrisë për t’i sulmuar të rinjtë që po protestonin kundër dinastisë al-Halifa në Bahrejn. Ndërkohë që po përkrahte maksimalisht rebelët e opozitën siriane kundër presidentit Asad, në Bahrejn po shtypte direkt me ushtrinë e vet protestuesit për ta mbrojtur monarkinë aleate.

Huthët janë një fis që i përkasin sektit shiit Zaidi, që kapërthen rreth 40% të popullsisë së Jemenit. Ata pretendojnë se presidenti Hadi është kthyer në marionetë të Arabisë Saudite dhe se po përkrah njësitë e al-Kaidës. Kurse, sauditët dhe Hadi pretendojnë se huthët janë veçse klonët e milicive shiite të Hezbollahut në Liban. Në fakt, Jemeni llogaritet të jetë shteti ku al-Kaida ka rekrutuar më së shumti të rinj. Konflikti sektar në vend ka qenë – ndonëse i shushatur – historikisht prezent. Shpërthimi i fundit vetëm sa e nxorri këtë në pah.

Kështu, në mbrojtje të Hadit, Arabia Saudite dhe aleatët e saj më 25 mars nisën fushatën ajrore të koduar “Stuhia vendimtare”. Më 21 prill Arabia Saudite deklaroi se do t’i jap fund operacioneve ajrore dhe se do të nis hapin e dytë, atë të zgjidhjes politike, të titulluar “Rikthimi i shpresës”. Megjithatë, koalicioni ka vazhduar me sulme sporadike ajrore me pasojë dhjetëra jetë civilësh jemenas.

Ndërkohë, vetë sauditët dhe qeveria e Hadit e pranojnë se përkundër fushatës njëmujore ajrore, praseprap, 1/3 e territorit është në duart e rebelëve Huthi apo të përkrahësve të ish-presidentit Saleh. Madje, ministri i jashtëm i Bahrejnit, aleatit saudit, Halid bin Ahmed Al-Halifa pranon se akoma ka rrezik nga huthët, përkundër fushatës ajrore. Në anën tjetër, dy analistë të “The New York Times”, Eric Schmitt dhe Michael Gordon theksojnë se futja e Arabisë Saudite në qorrsokak diplomatik në intervenimin ajror ndaj Jemenit, paraqet njëherazi dëshminë e limitimit të vazhdueshëm të strategjisë amerikane në rajon (http://www.nytimes.com/2015/04/23/world/middleeast/yemen-airstrikes.html?_r=0). Ndërsa Bill Law, një analist i shquar i BBC-së, shkruante se lufta saudite në Jemen, e udhëhequr nga ministri i mbrojtjes, princi Mohamed, i biri 35 vjeç i mbretit Selman, është dështim politik e operativ (http://www.middleeasteye.net/columns/saudi-war-going-badly-wrong-689564484). Përkundër kësaj, kur huthët dhe sidomos ish-presidenti Saleh ofruan gatishmërinë e tyre për negociata, Rijad Jasini, ministri i jashtëm i qeverisë së Hadit ka kundërshtuar armëpushimin e negociatat e propozuara nga Salehu, duke shtuar se “s’ka vend për Salehun në asnjë bisedim e proces të ardhshëm politik në Jemen”. Pakashumë këtu mund t’i gjendet shpjegimi faktit që, sikurse në rastin e Sirisë më parë, edhe në Jemen tash, të dërguarit e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, një pas një po japin dorëheqje nga detyra e negociatorit, duke theksuar pamundësinë e gjetjes së një gjuheje të përbashkët mes palëve ndërluftuese.

Por historia e problemeve të të tjerëve me Jemenin nuk është vetëm e ditëve të sotme. Para sauditëve, edhe egjiptianëve “u zuri sharra në gozhdë” në Jemen. Në vitet ’60, gjatë Luftës Civile Jemenase, Naseri i Egjiptit dërgoi në Jemen gati 60.000 ushtarë në përkrahje të forcave republikane. Shumë shpejt u detyrua të tërhiqet mes humbjesh katastrofike, aq sa sot, në Egjipt, ndërhyrja në Jemen quhet “Vietnami i Egjiptit”. Mohamed Hasanien Hejkal, një prej njerëzve më të afërt të presidentit Naser, e quajti Jemenin një “vullkan të fjetur në jug të Gadishullit Arabik, të cilin po e ngacmove e u zgjua, llava e tij ka për ta përfshirë tërë rajonin”. Një tjetër arsye pse Arabia Saudite po ka dhe do të ketë problem t’i mposhtë huthët është edhe prania e madhe e shiitëve Zaidi në Arabi Saudite, gjegjësisht mu në kufi me zaiditë e Jemenit. Këto provinca zaidi në Arabi Saudite në fakt kanë qenë pjesë të Jemenit gjer më 1934, kur u aneksuan nga Arabia Saudite. Sulmet saudite të 2009-s kundër huthëve të Jemenit i patën dalë “dardhë me bisht”. Madje, huthët, jo vetëm që zbrapsën Ushtrinë e papërgaditur saudite, por edhe për javë të tëra mbajtën nën kontroll fshatra kufitare saudite.

Por cila është historia e Jemenit? Ajo që Jemenit i jep nam ndërkombëtar është fakti historik që Jemeni ka qenë vendi i parë në botë që ka importuar kokrrat e kafesë nga Etiopia në shekullin XV. Në shekullin XVI e tutje, nga Jemeni filloi transportimi i kafesë tejendanë globit. Në Jemen, mendohet që mistikët sufistë vendorë qenë të parët në botë që e përdorën kafenë për pije.

Në histori, Jemeni ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane gjer më 1918. Lufta çlirimtare antiosmane pati nisur përfundimisht më 1911, ndonëse përgjatë shekujve ka pasur rebelime të atykëtushme kundër Portës së Lartë. Në Perandorinë Osmane, Jemeni ka qenë elajet, e më pas vilajet më vete. Pjesa jugore e lindore e tij, mes viteve 1869 dhe 1963 ka qenë protektorat britanik, me qendër portin e Adenit, i cili gëzoi prosperitet aq të lartë e bum të atillë, sa që gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qenë porti i dytë më aktiv në botë, pas portit detar të Nju Jorkut. Veriu, që de facto ishte protektorat saudit, më 1962 e fitoi pavarësinë me emrin Republika Arabe e Jemenit. Jugu më 1963 nisi luftën për pavarësi kundër proteksionizmit britanik, të cilët i zbuan më 1967 dhe më 1970 shpalli veten Republikë Popullore Demokratike, nën sundimin e marksistëve të FNÇ-së.

Kësisoj, Jugu mbeti me sistem socialist dhe me lidhje të ngushta me sovjetikët e Bllokun Lindor, kurse Veriu me sistem kapitalist, me lidhje të ngushta me Arabinë Saudite, ShBA-të dhe shtetet e tjera kapitaliste. Marrëdhëniet mes dy Jemenëve, në dallim prej Koreve apo Gjermanive, ishin miqësore, ndonëse më 1972 e 1979 pati konflikt të shkurtër ushtarak në kufi mes tyre. Më 1986, në jugun socialist plasi një luftë civile, kurse ardhja e Gorbaçovit në krye të BRSS-së nxiti dy vendet të nisnin negociatat për unifikim, gjë që edhe ngjau më 1990, ndonëse, lufta civile e vitit 1994 shpërfaqi se bashkimi në realitet akoma s’ish arritur efektivisht. Jemeni verior proamerikan në vitet 1978-1990 udhëheqej nga Ali Abdullah Saleh, i cili vazhdoi të jetë president i Jemenit të bashkuar edhe në vitet 1990-2011, kur dha dorëheqje pas demonstratave të protestuesve të “Pranverës Arabe”. Salehu është shia, kurse presidenti i zgjedhur pas tij, Hadi, është suni. (Hadi ka qenë zëvendëspresident gjatë presidencës së Salehut, në vitet 1994-2011). Prandaj, Jemeni është një miniaturë e konfliktit të madh sektar iraniano-saudit dhe shia-sunni. Iraku, Bahrejni, Jemeni e deri diku Siria, Libani e Palestina, janë skeçe të vogla të teatrit të madh të përplasjeve e pikëprerjeve gjeostrategjike, gjeopolitike, gjeoekonomike dhe kulturore mes Iranit dhe Arabisë Saudite.

Por cilat qenë deri më tani pasojat e këtij intervencionizmi saudit në Jemen?

Zëdhënësi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Claire Feghali, më 27 prill, në një konferencë për shtyp nga Riadi deklaroi se “lufta dhe pasojat e saj e kanë kthyer Jemenin 100 vite mbrapa, për shkak të shkatërrimit të infrastrukturës, posaçërisht në provincat e Adenit, Dhaleas dhe Taizit…” “Kryqi i Kyq” ka tërhequr vërejtjen poashtu duke potencuar se në Jemen kemi të bëjmë me një katastrofë humanitare.

Sipas raporteve të OKB-së, sulmet e Arabisë Saudite i kanë vrarë afër 1100 persona (prejt tyre, 550 civilë; nga ta rreth 400 fëmijë) dhe kanë plagosur mbi 4000 jemenas – prej tyre afër 1200 civilë; nga ta afër 200 fëmijë. Zëdhënës të kryengritësve Huthi pretendojnë se nga fushata ajrore saudite kanë vdekur 2500 civilë. Vetëm më 20 mars, kur avionët sauditë bombarduan një xhami, u vranë 142 civilë. Sipas raporteve të UNICEF-it, 150.000 është numri i civilëve të shpërngulur si pasojë e bombardimeve saudite, kurse afër 10 milionë jemenas, nga gjithë lufta civile në vend, janë në rrezik dhe kanë nevojë për ndihma humanitare, pasiqë kanë mungesa ushqimi, prej tyre 1 milionë janë fëmijë. 2 milionë fëmijë poashtu s’kanë qasje në shkolla, si pasojë e bombardimeve. Kurse, “Oxfam”-i raporton se rreth 50% e popullsisë jemenase, dikund afër 13 milionë banorë, janë pa qasje në ujë të pijshëm. Në anën tjetër, qeveria në ekzil e Hadit akuzon rebelët Huthi se kanë vrarë rreth 1000 dhe kanë plagosur 5000 persona. Organizata “Media Officer” në Jemen ka akuzuar Arabinë Saudite se po përdor armë me efekte radiologjike, të ndaluara ndërkombëtarisht.

E, si dhuratë, princi saudit Al Valid bin Talali i ka premtuar nga një veturë “Bentley” secilit nga 100 pilotëve që kanë marrë pjesë në bombardimin e Jemenit dhe në vrasjen e këtyre viktimave të pafajshme (http://www.bbc.com/news/blogs-trending-32417773). Përndryshe, bin Talali është një prej njerëzve më të pasur në botë, pasuria e të cilit llogaritet afër 300 milionë dollarësh amerikanë. Në anën tjetër, në shumë raste, qytetarë jemenas të kryeqytetit Sana dhe përkrahës të huthëve opozitarë kanë organizuar protesta antisaudite, ku kundërshtohej bombardimi saudit i Jemenit dhe monarkia saudite quhej “Mbretëria e ISIS-it”.

Ritvan Rizk, analist politik nga Libani, deklaroi për “Press TV” se Arabia Saudite ka synime që ta fus Jemenin në luftë të thellë civile, sikurse tërë botën arabe, e kësisoj t’i shërbejë interesave izraelite. Kurse, ish-kryeministri sunit libanez Saad Hariri deklaroi se mbështet fushatën ajrore saudite, si një “front të përbashkët arab në kundërvënie ndaj influencës iraniane në rajon.” Në një linjë ka qenë reagimi edhe i studiuesit sunit libanez, Hajrallah Hajrallah, i cili tha për stacionin televiziv saudit “Al Arabiya News” se Arabia Saudite duhet t’i prishë planet ekspansioniste iraniane në Gjirin Persik, Irak, Liban, Siri e Jemen. Nga Libani reagim ka ardhur edhe nga aleatja e Iranit, lëvizja shiite “Hezbollah”, e cila ka dënuar sulmin ajror saudit. Sekretari i përgijthshëm i saj, Hasan Nasrallahu ka thënë se “është koha që myslimanët e arabët t’i thonë ‘mjaft’ Arabisë Saudite…” Sipas tij, “të gjitha ideologjitë ekstremiste të shpërndara nëpër botë që po shkatërrojnë popuj e vende, vijnë prej Arabisë Saudite.” Reagimi ka ardhur edhe nga “shefat” e Hezbollahut, Garda Revolucionare e Iranit, njësia elitare ushtarake e vendit. Komandanti i saj, gjeneralmajor Mohamed Ali Xhafari, deklaroi se Arabia Saudite ëshrë duke dhënë shqelmat e fundit para kolapsit të saj edhe e quajti monarkinë si tradhëtare dhe agjente të sionizmit. Menjëherë ka ardhur përgjigjia nga zëdhënësi saudit i fushatës “Stuhia vendimtare”, gjeneralbrigade Ahmed Asiri, i cili deklaroi se koalicioni i rezervon vetes të drejtën për të lejuar apo ndaluar avionët e huaj në Jemen, duke specifikuar rastin kur, ditë më parë, kishin kthyer mbrapa një avion iranian.

Kjo dëshmon për ndërhyrjen e qartë nga jashtë (dhe jo vetëm nga Arabia Saudite apo Irani) në konfliktin e brendshëm jemenas dhe për ndikimin që ky konflikt ka për të pasur në tërë rajonin.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.