Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Investimet si faktor i zhvillimit ekonomik në Kosovë

Konsumi dhe investimet e përgjithshme vazhdojnë të mbeten shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike në Kosovë. Megjithatë, në mënyrë që investimet të jenë më efektive në zhvillimin e qëndrueshëm, nevojitet orientimi i tyre drejt projekteve që garantojnë kthim më të madh të investimit.

Në vitin e kaluar, formimi i kapitalit bruto në Kosovë arriti vlerën e mbi 3 miliardë euro. Rreth 85% e këtij kapitali është investuar nga sektori privat, ndërsa pjesa tjetër përfaqëson investimet publike. Nga ana tjetër, investimet e huaja direkte (IHD) arritën vlerën prej rreth 840 milionë euro.

Në përgjithësi, për të pasur një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik, lloji i investimeve është më i rëndësishëm sesa vlera e investimeve. Tutje, është e rëndësishme që investimet e Qeverisë të përmirësojnë infrastrukturën, duke prioritizuar në bazë të rëndësisë së projekteve.

Politikat e Qeverisë ndaj investimeve kanë qenë të pakta

Qeveria aktuale ka filluar mandatin duke u munduar të tërheqë kapital nga jashtë, përmes të ashtuquajturave “bono të diasporës”, të cilat mund të bliheshin përmes bankave lokale edhe nga banorët rezidentë. Gjithsesi, kjo metodë e tërheqjes së kapitalit nuk rezultoi shumë e suksesshme, pasi edhe nuk u përsërit thirrja.

Rishtazi, është miratuar Ligji për Investime të Qëndrueshme, i cili kaloi edhe testin e Gjykatës Kushtetuese. Ky ligj synon të rregullojë dhe përkrahë investimet dhe eksportet, duke u dhënë prioritet kryesor sektorëve të caktuar, si: industria prodhuese dhe përpunuese, bujqësia dhe teknologjia e informacionit.

Ndonëse infrastruktura ligjore është faktor i rëndësishëm për promovimin e investimeve, dinamika e punës së Qeverisë në shumë raste është përcaktuese më e rëndësishme. Investimet publike duhet të jenë më të intensifikuara dhe të komplementojnë investimet private, të cilat synojnë rritjen e produktivitetit të firmave dhe nivelin e eksporteve.

Investimet publike kanë humbur primatin si kategoria kryesore e shpenzimeve qeveritare

Grafiku më poshtë paraqet trendin e investimeve publike dhe private, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) në dhjetë vitet e fundit në Kosovë. Në pesë vitet e fundit, investimet private kanë qenë një shtytës i rëndësishëm i rritjes ekonomike. Investimet publike, nga ana tjetër, kanë regjistruar trendin më të ulët në dekadën e fundit – edhe nëse e shikojmë në vlerë monetare.

Ndonëse vendi ende ka mungesë të infrastrukturës që do ta lehtësonte qarkullimin, investimet kapitale nuk kanë peshën kryesore në buxhetin e shtetit. Pra, shumica e qyteteve, e sidomos Prishtina, kanë nevojë për ndërtimin e unazave të jashtme. Rrugët nacionale që lidhin Prishtinën me Pejën, Mitrovicën apo Gjilanin, ende nuk janë përfunduar. Gjithë këto vonesa kanë rezultuar në një normë të ulët të ekzekutimit të shpenzimeve kapitale.

Investimet kapitale ishin kategoria kryesore e shpenzimeve në vitin 2013; pastaj, në mes të viteve 2014-2019, shpenzimet qeveritare u dominuan nga kategoria e pagave dhe mëditjeve; dhe, që nga viti 2020, subvencionet dhe transferet paraqesin kategorinë më të madhe të shpenzimeve, duke arritur në mbi një miliard euro.

Më e rëndësishme sesa vlera e investimeve publike është lloji i atyre investimeve dhe ndikimi që mund të kenë në ndryshimin e modelit ekonomik. Buxheti i vitit 2024 ka të planifikuar ndërtimin e dhjetëra shkollave të reja nëpër fshatra të ndryshme të vendit, pa numëruar shkollat në zonat urbane për të cilat mund të ketë nevojë urgjente.

Ndërtimi i shkollave të reja nuk është investim i keq në vetvete, por është më e rëndësishme të merret parasysh numri i nxënësve në ato fshatra dhe trendi i migrimit. Në anën tjetër, shkollat fillore në lagjet ku numri i banorëve është rritur në mënyrë eksponenciale (p.sh., “Rruga C” në Prishtinë) ende nuk kanë filluar të ndërtohen.

Investimet private kanë peshë më të madhe në trendin e rritjes ekonomike

U mblodhën bashkë biznesmenët dhe investitorët më të suksesshëm të vendit. Qëllimi i tyre ishte të bëhej një investim madhor, ndoshta më i madhi në dekadën e fundit. Gërshetimi i dijes, përvojës dhe ambicies së tyre, në vend që të prodhonte ndonjë inovacion që do të ndikonte në zhvillim të qëndrueshëm, prodhoi vetëm një qendër të re tregtare. Nga investimet e tilla, efekti zëvendësues dominon – pra, qarkullimi nga një qendër tjetër, bartet në qendrën e re.

Problemi me investimet joproduktive përmendet edhe nëpër raporte të Bankës Botërore. Ndryshimi i modelit ekonomik, sipas tyre, duhet të ketë për bazë rritjen e produktivitetit të firmave, fermave dhe zhvillimin e kapitalit human. Në këtë mënyrë, do të rriten investimet, eksportet dhe konkurrenca.

Vlera e IHD-ve është në korrelacion pozitiv me trendin e emigrimit

Investimet e huaja direkte (IHD) janë dyfishuar në tri vitet e fundit, kryesisht blerje në patundshmëri nga diaspora. 

Në shumicën e vendeve perëndimore, për të marrë kredi afatgjatë për blerje të shtëpisë, nevojitet leja e përhershme e qëndrimit. Kjo e fundit është e lidhur edhe me nivelin e caktuar të njohjes së gjuhës së atij vendi, duke u bërë kështu e vështirë për një pjesë të madhe të personave.

Në pamundësi për të investuar në vendet ku punojnë, një pjesë e diasporës vazhdon të blejë shtëpi dhe banesa në Kosovë – por edhe ata që kanë leje qëndrimi të përhershme kanë preferenca të njëjta. Grafiku më poshtë tregon se blerja e pasurive të paluajtshme dhe aktivitetet financiare – kryesisht afatizimi i depozitave në banka – përbëjnë shumicën absolute të IHD-ve.

Investimi në sektorin e patundshmërive është një shtytës i rëndësishëm i rritjes ekonomike, pasi ky sektor punëson një numër të konsiderueshëm të forcës punëtore. Por, investimi i diasporës në patundshmëri bart në vete edhe një barrë të madhe për banorët rezidentë në Kosovë: rrit ndjeshëm nivelin e çmimeve të banesave, të cilat bëhen të papërballueshme për një pjesë të madhe të shoqërisë.

Investimet e huaja nuk kanë arritur të ndikojnë në transformimin e modelit ekonomik të vendit, pasi janë të fokusuara kryesisht në këto dy aktivitete. Investimet e huaja të cilat janë të fokusuara kryekëput në aktivitete eksportuese janë të pakta.

Transformimi i modelit ekonomik duke u bazuar në rritjen e produktivitetit mund të bëhet nga ardhja e dijes, eksperiencës dhe lidhjeve që një biznes i huaj i ka. Ky lloj investimi do të kishte efekte më të mëdha në përmirësimin e standardit të jetës në vend.

Si përfundim, është thelbësore që Qeveria fillimisht t’i përfundojë projektet kapitale me një dinamikë më të madhe; pastaj, të planifikojë investimet e ardhshme duke u bazuar në nevojat e sektorit privat. Investitorët privatë duhet të shohin përtej tregut të brendshëm, në mënyrë që investimet e tyre të mos jenë zëvendësuese të aktiviteteve ekonomike ekzistuese. Dhe, së fundi, investimet e diasporës duhet të shkojnë përtej blerjes së banesave dhe patundshmërive.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.