Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Jepni një mundësi vullnetarizmit të të rinjve

 “Vullnetarët nuk paguhen, jo sepse nuk kanë vlerë, por sepse nuk ka çmim që paguan për kontributin e tyre.” Kjo është një shprehje e thënë nga Sherry Anderson, e njohur si autore që promovon vlerat e vullnetarizmit, definim ky për një strategji të rëndësishme për të nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve në ndryshimin dhe zhvillimin shoqëror.

Edhe pse aktivitetet vullnetare kanë qenë të pranishme ndër vite në shoqërinë tonë, akoma mungon një definim i qartë dhe organizim sistematik rreth vullnetarizmit në Kosovë. Vullnetarizmi kuptohet më shumë si bamirësi (ndihma materiale) e më pak si aktivitet shoqëror. Në anën tjetër, ekziston mungesë e infrastrukturës ligjore rreth vullnetarizmit. Puna vullnetare është e përfshirë në “Ligjin për përfshirjen e rinisë”, megjithatë, kjo nuk vlen për moshat e tjera. Andaj, edhe pse ekzistojnë organizata që promovojnë vullnetarizmin nëpërmjet programeve të tyre, ende vazhdon mungesa e programeve gjithëpërfshirëse dhe institucionale.

Vullnetarizmi jep një kontribut të rëndësishëm për ekonominë në mbarë botën. Sipas Qendrës Johns Hopkins për Studimet e Shoqërisë Civile, brenda një viti  rreth 140 milionë njerëz në 37 vende të botës angazhohen në punë vullnetare. Është vlerësuar se vullnetarët kontribuojnë rreth 400 miliardë dollarë në ekonominë globale çdo vit. Vetëm  në Në Shtetet e Bashkuara, vullnetarët prodhojnë shërbime me vlerë prej 113 miliardë dollarë deri në 161 miliardë dollarë në vit.

Por çka është edhe më e rëndësishme, puna vullnetare mobilizon njerëzit në shërbim të komunitetit.

Puna vullnetare meriton një vend të veçantë në diskutimet e filantropisë dhe aktivizimit qytetar. Në raportet e AmeriCorps 2008, thuhet se vullnetarizmi rrit besimin e njerëzve në aftësinë për të punuar me qeverinë lokale dhe qendrore. Një gjetje interesante është edhe se vullnetarizmi rrit gjasat e votimit në zgjedhje. Vullnetarizmi  është angazhim i  njerëzve që ndihmojnë njerëzit, jeta e të cilëve është shumë e ndryshme nga jeta e tyre, pa gjykim ose paragjykim, për të punuar me njerëz të prekur nga përdorimi i drogës ose alkoolit, njerëz me probleme të shëndetit mendor ose ata të prekur nga lufta dhe konflikti.

Nga përvoja personale, kam parë se si një organizim i mirë i aktiviteteve vullnetare mund të mbështesë komunitete të ndryshme të shoqërisë. Pra, ta shndërroj shoqërinë aktive duke marrë rol proaktiv ndaj problemeve, e jo duke ankuar në mënyrë pasive. E sidomos, për të rinjtë adoleshentë që janë në fazën e zhvillimit të identitetit, organizimi i aktiviteteve të tilla do t’ju ofrojë mundësi që të kuptojnë se çfarë dëshirojnë, të kuptojnë rolin e tyre në shoqëri, duke e përmbushur nevojën bazike të çdo individi për të qenë pjesë e një grupi shoqëror.

Gjatë këtyre viteve kam pasur mundësi të udhëtoj në vende të ndryshme dhe të mësoj nga praktika të ndryshme të vullnetarizmit në botë. Gjatë punës sime ajo që më ka lënë përshtypje është ndërlidhja e organizatave studentore dhe aktiviteteve të shoqërisë civile, që pata rastin t’i shoh gjatë vizitës time studimore në Amerikë, ku një pjesë e rëndësishme e planit mësimor dhe buxhetit fokusohet në kyçjen aktive të studentëve në aktivitetet e shoqërisë civile. E njëjta vlen për Estoninë ku qasja ambientaliste zhvillohet shumë herët në programet vullnetare dhe reflektohet në vend – ku pata rastin të shohë dhe kuptoj se Tallini është një ndër qytetet më të gjelbërta në botë.

Gjithashtu nga aspekti i përgjegjësisë korporative është e dukshme se organizatat dhe sidomos ato në sektorin privat gjithnjë e më shumë po mundohen të rrisin rolin e tyre në shoqëritë ku ato zhvillojnë aktivitetet. Ndikimi social apo adresimi i sfidave sociale bëhet nëpërmjet formave të ndryshme, punësimit, dhënies së donacioneve dhe sponsorizimit të aktiviteteve që kanë për zemër, apo hapjes së ndërmarrjeve sociale.

Por ende mungon inkurajimi i vullnetarizmit si një instrument prezantues për filantropinë. Në nivel global angazhimi i të rinjve në aktivitete vullnetare është një formë shumë e popullarizuar për arritjen e ndryshimeve sociale dhe për zhvillimin e filantropisë. Vullnetarët vlerësojnë sidomos aftësinë e një organizate për t’i shërbyer komunitetit të tyre lokal. Sipas studimeve në vendet e zhvilluara 89 për qind e vullnetarëve janë më të rinj se 50 vjeç.

Përfitimet janë të shumta. Kompanitë përfitojnë nga një fuqi punëtore e përkushtuar, të rinjtë marrin përvojën dhe njohuritë e kërkuara në vendin e punës. E për shoqërinë, vullnetarizmi mund të krijojë liderë; nëpërmjet vullnetarizmit, të rinjtë njohin pjesë të komunitetit që ata nuk do të  mund t’i hasnin ndryshe duke i shtyrë shpesh të ndërrojnë rrugën e karrierës për të punuar në një lëmi që i shërben të mirës së përbashkët si shëndetësia, arsimi dhe shërbimet sociale – sektorë që kanë nevojë për liderë vizionarë.

Në dekadat e fundit, qeveritë në mbarë botën kanë vlerësuar ndikimin social të vullnetarizmit. Ato kanë promovuar vullnetarizmin si akt thelbësor të qytetarisë, një mjet për luftimin e margjinalizimit apo përjashtimit dhe për ngritjen e cilësisë së shërbimeve publike.

Shembuj pozitiv të punës së vullnetarëve në Kosovë

Për tu kthyer me realitetin në Kosovë dhe për të mos e harruar historinë, në kohë të vështira për Kosovën, ishin studentët ata që organizoheshin dhe prezantonin kërkesat e popullit tonë. Ndoshta, për një student të mjekësisë, vullnetarizmi mund të tingëllojë jo relevant për karrierën e tij, mirëpo, nëse shpresat janë të vogla për punësim pas përfundimit të studimeve dhe nëse ai nuk kontribuon në asnjë formë për të shprehur pakënaqësinë, studenti do të jetë vetë përgjegjës për këtë situate, pra, për qasjen e tij pasive. Imagjinojeni, kur ky shembull vlen për një numër të madh studentësh që problemeve shoqërore u qasen si spektatorë, e jo si forcë ndryshuese.

Vullnetarizmi i kontribuon shoqërisë në tërësi.  Për të zhvilluar më mirë vullnetarizmin, është e qartë se kërkohen politika më të mira. Çështjet themelore që duhet të trajtohen janë 1. Njohja e punës vullnetare; 2. Bashkëpunimi midis organizatave vullnetare dhe krijimi i partneritetit të organizatave vullnetare me qeverinë dhe 3. mbështetja financiare. Krijimi i një platforme për vullnetarizëm në sektorin privat dhe atë të organizatave joqeveritare do të ishte forma më e mirë e përkrahjes.

Një praktikë e mirë vjen nga projekti “Ambasadorët e Rinj” që FIQ ka organizuar viteve të fundit. Të rinjtë e komunave të ndryshme të Kosovës trajnohen rreth aftësive të lidershipit dhe më pas? krijojnë grupe-joformale të cilat do të zgjedhin disa projekte bazuar në nevojat që ata kanë në komunitete e tyre. Ky është një shembull i mirë ku shoqëria civile, në këtë rast, FIQ, stimulon të rinjtë që të jenë proaktivë duke ofruar zgjidhje praktike ndaj problemeve që ballafaqohen në komunitet. Pra, duke kontribuar që qasja e të rinjve të jetë e dobishme, duke u bërë pjesë e zgjidhjes së problemeve në komunitet, i kontribuon të ardhmes së tyre.

Duhet të mësojmë nga praktikat e mira në botë dhe të reagojmë në rrethet tona të ndikimit për të parandaluar problemet qysh herët, e jo duke soditur dhe larguar përgjegjësinë individuale. Përhapja e vullnetarizmit në Kosovë do të na ndihmonte të kanalizojmë dhe përdorim energjinë e të rinjve tonë, duke qenë të gjithë hisedarë në ballafaqimin me sfidat shoqërore.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.