Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Koha e derrit

“Zgjedhje”. Ta shtrojmë fillimisht një pohim të vetëkuptueshëm e prandaj irritues: zgjedhjet kanë të bëjnë me zgjedhjen e diçkaje. Pra, zgjedhjet nënkuptojnë të zgjedhësh mes kandidatësh, bindjesh, çështjesh a programesh. A mund të zgjedhë një njeri që është brenda një subjekti politik? Ose, një njeri i padijshëm e analfabet? Jam i bindur se pajtohemi: jo, nuk munden. Ata janë të paracaktuar. Zgjedhja e parakupton lirinë. Ndërkohë besoj pajtohemi poashtu që, masa e mendjeve kritike e të pamashtrueshme në vendin tonë është tepër e vogël dhe e papeshë. Kësisoj, a ka zgjedhje në Kosovë? Jo, natyrisht që nuk ka.

Ta zgjedhojmë më tej këtë pamësi për zgjedhjet.

“Zgjedhje demokratike e të lira” – thotë presidenti ynë i lidhur si një derr i sëmurë në pritje për t’u therrur. Të supozojmë se shumica e kosovarëve është e lirë (pra, e parreshtuar paraprakisht)y dhe e aftë të bëj zgjedhje. Menjëherë shtrohet pyetja tjetër: zgjedhje mes kujt dhe për çka? E përfiguroj një hut, një derr dhe një qen të pashëm autokton (nëse ka ndonjë të tillë) si shëmbëllime të të tre kandidatëve për kryeministra. Më tej, e përfiguroj një vëzhgim të mprehtë prej huti, një bredhje të pacak e fëlliqëse të derrit dhe një lehje të ashpër qeni që duke dashur ta mbrojë shtëpinë, iu turret si armiqëve si miqëve. Çka të zgjedhim këtu? Nëse përdorim kriteret estetike, padyshim do ta zgjedhnim qenin dhe do ta therrnim derrin. Ndërkaq huti do të ishte në opozitë. Por, kriteret janë të tjera dhe më komplekse. Mos t’i mendojmë konkretisht sepse e prishin imagjinatën. Mjafton të përmendim thënjen popullore: “mos ia shiko gunën, por shikoja punën”. Por, a është e aftë kjo shoqëri endeanalfabete të shohë përtej gunës? Jam i bindur se jo. Për më tepër, janë tallavitur krejt imazhet, janë bërë të parrokshme për aftësitë perceptuese të tij. Procesi i tanishëm zgjedhor është po aq i fëlliqur e dalldisës sa muzika tallava. Po aq shformues. Dhe qytetari tipik kosovar, në gjithë atë zhurmë është i shtrënguar të bëj zgjedhjen e tij. Zgjedh që ta votojë hutin. Ose derrin. Ose qenin. Por zgjedhje nuk ka sepse ai është përbrenda klientelizmit ose padijes. Në mendjen e zgjedhësit ka ide gjysmake e imazhe të paqarta, nëse nuk ka interesa. Zgjedhësi nuk ekziston. Ai është i pamundur. Një mendje kritike nuk mund të votojë. Nuk mund ta barazojë veten me një budallë, ose me një njeri të lidhur me vargonjtë e interesave për këto parti. Por nëse voton, aq më keq për të. I humbë disa minuta. Rezultati i 11 qershorit është i paracaktuar. Ai ndryhet mes kësaj mase kërcyesish të tallavasë.

***

“Tallava”. Më vjen të vjell kur e shkruaj fjalën në fjalë. Ose thjesht kur e mendoj. Do të doja të mos ekzistonte. Përfiguroj dalldisje e shformim, ritëm të shfrenuar dhe llomotitje. Është krupndjellëse. Pastaj i lidhë këto përfigurime me do kujtime irrituese: kafenetë dhe bërtimat për llafe të kota; fakultetin dhe mënyrën sesi i mbajnë provimet dhe ligjëratat disa profesorë; emisionet në televizion dhe në radio; kuvendin ku kryetari i tij i tha “ma hongsh k***n” një deputetes; prapë kuvendin, ku po atë ditë luhej një dramë tepër e shëmtuar dhe vulgare; fjalimet në foltore dhe gjithë atë analfabetizëm që derdhej pakursim.

Është mëse e qartë se tallavaja si frymë është një element kushtetutor i kombit tonë. Kombi ynë kërcen shëmtueshëm i dalldisur e në shformim. E shpërfillë nëpër shkolla lëndën e edukatës muzikore. Nuk e njeh Platonin. Beson që muzika ka rol vetëm dalldisës e argëtues. Bile, sa më shumë dalldisje e argëtim shfrenues, aq më mirë. Nuk e njeh askënd që del përtej asaj rrethoje të pështirë tallavaje.

**

Kur mora vesh se tri partitë  që rrodhën nga UÇK-ja e kishin bërë një treshe parazgjedhore, u kaplova nga një ndjenjë refuzimi dhe fëlliqjeje. Është e qartë: ky është viti i derrit. AAK-ja dhe Nisma ishin lojtare të zëshme të dramës me pozitë dhe opozitë. Me gaz lotsjellës dhe protesta. Ato ishin të ashpra kundër PDK-së. Veprimet e tyre i ravijëzuan vijat e kuqe për atë parti. Opozitarizmi i dy viteve të fundit i përcaktoi dhe iu dha formë. Ishte tronditëse të kuptoje se ato do të bënin treshe bash me PDK-në e shëmtuar. Por, tronditja kalon menjëherë nëse e rimendojmë ‘tallava’-në si frymë. Të trija këto parti dolën nga i njëjti bërdhog, dhe nga e njëjta fëlliqje e dalldisje. Të trija përbëhen nga njerëz të tallavasë, të shformuar e të shfrenuar. Unë nuk i besoj bindjeve të asnjërit që dalldiset me tallava ose muzikë folklorike (edhe ajo është tallava në hallin e saj dytelësh). Të trija partitë në fjalë i përkasin një are politike, të mbjellur e të korrur sa herë që iu duhej: “vlerat e luftës”.

Qytetarët e Kosovës duhet të jenë në angështi e frikë këto ditë. Jo shkaku i treshes së luftës, por shkaku i tallavasë së shëmtuar politike që ndodhi. Ishim ballë një të vërtete të qartë e të palëkundshme, e cila papritë u bë krejt e pashqueshme dhe e mjegullt. Për rrjedhojë, edhe e pashprehshme. Koalicioni mes këtyre tri partive i dha një goditje rrënuese zgjedhjeve si mundësi. Ia vodhi kuptimin. Tashmë, zgjedhjet nuk do të jenë as një vlerësim për qeverisjen e deritashme, as për pozicionimin për çështje të caktuara, e as për programet; zgjedhjet do të jenë një vlerësim njerëzish dhe fytyrash, një përcaktim banal mes vlerave të luftës apo të paqes. Kështu u projektuan. Askush nuk do të humbë, të gjithë do të fitojnë. Huti është i kënaqur veç që është në garë. Qeni nuk i do përgjegjësitë, e prandaj kënaqet me një pushtet përbrenda kolibes së tij. Ndërsa derri do të fitojë. Koha për derrin.

Problemet e shoqërisë tonë janë të prekshme e të dukshme. E kemi një sistem shëndetësor të dobët që mund të jetë më i mirë. E kemi një sistem arsimor që krijon veç amorfitet dhe mosdije. Por, ku mund të bëhet shumçka me disa hapa konkret e inovativ. Shembull, ta mbajmë si duhet lëndën e edukatës muzikore; ta fusim në planprograme stoicizmin; t’i rishikojmë tekstet mësimore; t’i rivlerësojmë mësimdhënësit. Pastaj, ekonomia është e pazhvilluar dhe në moszhvillim. Sporti është mjeran ndërsa kultura tepër e varfër. Qe tetëmbëdhjet vjet nuk është bërë asgjë. Asnjë hap i vetëm. Asnjë ide e vetme nuk është vënë në zbatim. Fryma e tallavasë ka faj.

Në anën tjetër, Arbana Xharra doli në PDK ndërsa Halil Matoshi përmes AAK-së hyri në listën për deputetë brenda PDK-së. Dy zëra të respektuar e me ndikim. Zëra që u reduktuan në fytyra dhe emra. Dhe që i kontribuan prishjes së formave dhe qëndrimeve që ishin përcaktuar në vitet e fundit. Këta i harruan skandalet e kësaj partie, i harruan edhe kritikat e tyre drejt saj dhe iu bashkëngjitën. Një pështjellim i pështirë. Dy vjet krizë shkaku i kundërvënjes PDK-AAK, Thaçi-Haradinaj, dhe në fund u bënë bashkë. Kjo e ilustron më së miri sesa i panatyrshëm, pështjellues dhe ‘tallava-style’ ishte ky koalicion në këtë moment. Të bën të vjellësh. Dhe si të mos mjaftonte kjo, pështjellimit e gërrdisë i kontribuan edhe një varg aderimesh. Një mori intelektualësh e ndërruan vendin në skemën e prodhimit[1] duke u bërë kukulla dekori në atë galeri imazhesh të fëlliqta. Dhe, edhe këta i kontribuan tollovisë e tallavasë së përgjithshme të këtij muaji. Realiteti në Kosovë, tash për tash, përngjan me kakotopitë më të këqija letrare e kinematografike. ‘Vlerat e luftës’ rikthehen në skenë bash në kohën e Gjykatës Speciale.

Por, të kthehemi te ‘Krahu i Luftës’.

**

UÇK-ja ishte një formacion ushtarakopolitik që mundi të prodhonte një ndryshim rrethanash që fatlumsisht çoi në Pavarësinë e Kosovës. Por, UÇK-ja ishte një formacion që përkiste në shtresën e varfër fshatare të Kosovës, e cila ishte armike e përbetuar e kosovarëve që kishin mbërritur diçka gjatë kohës së Jugosllavisë. UÇK-ja pra, ishte e kundërvënë ndaj një pjese të madhe të shoqërisë kosovare. Dhe, ashtu siç edhe pritej, UÇK-ja mundi të prishte ose shfytyronte sistemin vleror në Kosovën e pasluftës. Kjo ishte e natyrshme. E çmontoi elitën e etabluar politike e intelektuale në kohën e Jugosllavisë. Era e bajgave të lopëve dhe deleve (nuk kam asgjë kundër blegtorëve) filloi të ndihej nëpër institucione të shtetit, në politikë, në shoqëri civile, në kulturë e në arsim. Dhe njëkohshëm, nisi lulëzimin e saj edhe muzika tallava. UÇK-ja e kishte një karakter të qartë destruktiv, shformues që në fillet e saj, i cili pastaj u keqpërdor duke u bërë mënyrë e mbajtjes së pushtetit nga partitë politike që sapo e nënshkruan Koalicionin “Anti Dick Marty[2]”. Në vend të të famshmes “përçaj dhe sundo”, moto e këtij koalicioni ishte “shkatërro dhe sundo”. Pa asnjë rregull, pa asnjë normë, ashtu vulgarçe si në tallava shpërndahet pushteti i tyre. Koalicioni PDK-AAK-Nisma, i shkatërroi vijat politike duke i thënë si në kor shikuesve pranë televizorëve “Ma hongshi…”.

**

Prej 99’-ës e tutje, njerëzit e UÇK-së në hapësirën publike u paraqitën si “mishërimi i moralit, heroizmit dhe dijes”. Racionalizmi etik i Sokratit, e lidhte dijen me moralin duke shprehur bindjen se ai që nuk dinte, nuk mund të ishte i moralshëm. Apologjetët dhe oportunistët e UÇK-së, në kundërshtim me filozofin grek, e lidhnin guximin me gjithçka të mirë: me moralin, dijen, bukurinë etj. Ai që kishte qenë bashkëluftëtar i tyre, ishte kësisoj, edhe i moralshëm, edhe i dijshëm, edhe i bukur. Sokrati, pavarësisht që luftëtar i zoti, mbeti i shëmtuar. Vrazhdë u shtrembërua dhe u ngushtua fusha e luftës (luftës me mjete të tjera, tash). E gjithë kjo përpjekje, për njëfarë kohe u pauzua, por tashmë ky koalicion rrezikon t’i japë vazhdimësinë e nevojshme duke parë tematikat e pakapërcyeshme ballë saj: Gjykata Speciale, Zajednica, Demarkacioni, përplasja me BE-në dhe pamundësia për t’i kënaqur qytetarët e dëshpëruar që duan të ikin jashtë. Ky koalicion mund të rindezë tensionet etnike, dhe të n’a kthejë 20 vite pas. Fundja, në këtë rimbështjellje me flamur, e kanë mbështetjen edhe të Vetëvendosjes.

Duke mos pasur asnjë vlerë tjetër, pushtetarët e UÇK-së i përdorën ‘vlerat e luftës’ derisa ia nxorrën yndyrën dhe i prishën. Ata nuk besuan asnjëherë në asgjë tjetër veç pushtetit. Në asnjë parim, në asnjë ide e në asnjë çështje. PDK u formua nga enveristë dhe njerëz që e donin bashkimin kombëtar por u bë parti e ‘qendrës së djathtë’ dhe internacionaliste. AAK po njësoj. Pra, synimi i tyre ishte të bëheshin sa më të pranueshëm. Të hetonin se kah po fryente era. Ndërsa në thelb, mbetën ashtu siç kishin qenë.

Këto tri parti u homogjenizuan për interesa të ‘shefa’-ve. U mbyllën për zhvillime të brendshme dhe u shndërruan në parti personale. Të ndalemi te ‘vlerat e luftës’ si një hambar që i ushqeu me pushtet për tetëmbëdhjet vjet. Ata e pronësuan luftën. U pamundësuan proceset gjyqësore për 600 serbë të vrarë gjatë kohës së luftës. “Haradinaj është Kosova” u tha derisa ky mbahej në Hagë[3]. Dhe tash kur ta filloj punën Gjykata Speciale, do të thonë “Thaçi është Kosova”, “Limaj është Kosova”, “Veseli është Kosova”. Askush nuk guxon të thotë se këta janë përgjegjës individualisht për të bëmat e tyre kriminale. Askush nuk guxon të thotë se këta po e vjedhin ligjërimisht Kosovën prej nesh. Këta nuk janë Kosova. Kosova është më e madhe se ta. Ky ligjërim që i bëri të paprekshëm në Kosovë duhet të sulmohet. Asnjë gjyqtar shqiptar nuk guxoi të merret me ta, dhe kjo tregon sesa e pushtetshme është ‘lufta’ ende mes nesh. Mund të dënohet ndonjë individ pa rëndësi të madhe, por jo këta që përmendëm. A nuk ndihet edhe këtu fryma e tallavasë?

Pastaj, duke qenë të pashkollë ata i hapën dyert e universiteteve, lejuan ndërhyrje në regjistrime të studentëve, i shpërfillën kriteret dhe hapën universitete tjera. Duke qenë të dobët e mjeranë, ata e shtrinë dobësinë. Ata janë të fuqishëm veç brenda tallavasë. Jo tjetërkund. “Afera Pronto” tregoi për teknologjinë primitive të pushtetit të tyre, ku e pësonin keq kriteret, konkurset e profesionalizmi, ndërkohë që shpërblehej ‘dashamiri’, ‘shoku’, ‘familjari’[4].

“Afera Pronto”, më thotë mua si student i këtij vendi të mjerë, se nuk mund të punësohem pa pasur shokë të zotë apo familjarë të zotë. Ose thjesht, pa krijuar një lidhje të fortë serviliteti. Pa qenë i nënshtruar në korrupsion. Nuk mjafton e gjithë puna studimore si autodidakt apo notat maksimale në fakultet. Mjafton të kem axhën apo dajën e duhur. Dhe natyrisht të jem i korruptueshëm. Por mua e shumë të tjerëve që nuk ndihen të dobët, nuk iu konvenon të ndihmohen nga askush. Iu konvenon të respektohen kriteret dhe profesionalizmi.

Por, pushteti i kritereve dhe profesionalizmit nuk është në ardhje. Koalicioni i treshes së ‘luftës’ është krejt i kundërti. Koalicion i çdo shkeljeje të mundshme. Koalicion ku do të përfitojnë teze e halla, dajë e axhallarë, familjarë e jarana – të gjithë të një mase, të gjithë të padijshëm.

**

Një ilustrim.

Ramush Haradinaj ishte kryeministër kur shau para mijëra njerëzve në Prishtinë: “Shuni o komandantë të Bllacës, e jau qifsha nanën”. Me gjasë, sharja iu drejtohej simpatizantëve të PDK-së që ndiheshin të pakënaqur nga koalicioni i asokohshëm LDK-AAK. Por në fakt, sharja ka një formulim të caktuar dhe ajo e ilustron pikërisht atë që thamë më lart: glorifikimin e luftës dhe turpërimin e atyre që nuk ishin pjesë e saj. Bllaca është një vend në Maqedoni ku u strehuan mijëra familje kosovare të përzëna nga policia serbe. Dhe Bllaca, në komunikimin përbrenda njerëzve oportunistë të luftës ishte fjalë që e përshkruante një frikacak, ishte një vend turpi, një ikje. Si kryeministër, publikisht Haradinaj e bëri një ofendim tepër të rëndë ndaj mijëra familjeve kosovare. Jo vetëm ndaj simpatizantëve të PDK-së. Më së paku në fakt, ndaj tyre.

Unë jam i besimit që një shoqëri zhvillohet natyrshëm, pa ndërhyrje të shumta shtetërore. Fundja, edhe zhvillimin ekonomik e kemi në dorë më shumë ne vetë, se shteti. Por, e keqja është se “Krahu i Luftës” ka karakter destruktiv dhe diktatorial, prandaj nuk i sheh me sy të mirë, as kriteret, as zhvillimin, as profesionalizmin, as bizneset që nuk janë përbrenda rrjetës së tyre. Haraçi si eventualitet, nuk është ndonjë djallëzi. Haraçi do të ishte brenda asaj logjike të pushtetimit.

Liderët e këtyre tri partive kanë mendësi të njëjtë. Gjithçka që duan është pushteti i tyre vetjak. Madje, tepër ngushtësisht vet            jak. Ndryshe, nuk mund të kuptohet thyerja e keqe që iu bënë qëndrimeve. Për PDK-në dhe njerëzit e saj, Ramush Haradinaj duhej të ishte i papranueshëm si kryeministër. Qoftë si personalitet që i ofendonte, qoftë si i pozicionuar në të kundërt të tyre për çështje me shumë rëndësi. Por, edhe për AAK-në duhej të ishte i papranueshëm bashkimi parazgjedhor me PDK-në. Njëjtë edhe për Nismën. E gjithë veprimtaria e tyre politike në tre vitet e fundit, u shkërrmoq. Sepse asnjëra prej tyre nuk ekziston si një subjekt politik, si një emër, si një qëndrim a bindje politike. Ato ekzistojnë për të shtrirë shformimin dhe dobësinë. Ekzistojnë për të tallavaizuar çdolloj ligjërimi.

______________

[1] Po i referohem aderimeve të shumta e të bujshme që ndodhën gjatë kësaj periudhe. Aderime që, deshëm a s’deshëm, e delegjitimuan dhe relativizuan në një masë të madhe kritikën ndaj pushtetit.

[2] E quajtur kështu nga analisti, Shkëlzen Gashi

[3] http://www.new-perspektiva.com/sq/ramush-haradinaj-nuk-eshte-kosova/

[4] https://sbunker.net/teh/88054/teknologjia-e-nje-grabo-pushteti/

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.