Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Konflikti dhe dialogu i tyre nuk janë edhe tonat

Si shumë popuj të tjerë, edhe shqiptarët e serbët kanë pasur episode të marrëdhënieve paqësore, por edhe të dhunshme. Mosbesimi, paragjykimi dhe urrejtja ndër-etnike janë shfrytëzuar dhe shfrytëzohen nga politikanët për hesapet e tyre. Një gjë është e sigurtë: dialogu është antidot i dhunës. Nuk e kam fjalën për asi dialogu që përfundon me ndonjë fotografi të politikanëve me fytyra të buzëqeshura sa për të futur buzëqeshjen edhe në fytyrat e dikujt në Bruksel, por një dialog të vërtetë ndërmjet qytetarëve që ndajnë halle e interesa të përbashkëta pavarësisht dallimeve.

Për aq sa të gjallët mbajnë në mend, në përgjithësi marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë nuk kanë qenë të mira. E vërtetë, ka pasë periudha që i kujtojmë si më të shtensionuara dhe të tjera me konflikte të dhunshme. Nga kjo trashëgimi buron edhe mosbesimi dhe urrejtja ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

Sido që të jetë, ajo çfarë na intereson është se në cilat rrethana pjesëtarët e komuniteteve etnike ndërtojnë marrëdhënie të mira, e në cilat ndërtojnë marrëdhënie të këqija. Me pak mund mendor, mund të kuptojmë gjithashtu se këto marrëdhënie jo të kënaqshme janë shfrytëzuar nga politikanë për hesapet e tyre duke i përkeqësuar edhe më shumë derisa kulminuan në vrasje të planifikuara masive me qëllim të realizimit të një politike të dëmshme që e kanë quajtur “spastrim etnik”.

Por, kjo është e kaluar, mund të thotë dikush që “shikon nga e ardhmja”. Po. E kaluar në kuptimin se ka ndodhur në të kaluarën, por pasojat jemi duke i përjetuar akoma dhe ende nuk jemi shkëputur nga mënyra se si i kemi ndërtuar marrëdhëniet ndër-etnike në atë të kaluar. Dhe nuk do të shkëputemi përderisa ta rimendojmë dhe t’i japim kuptim tjetër kësaj të kaluare tonë të keqe.

Nëse deri më tani, këto marrëdhënie i kemi kuptuar si të natyrshme që rezultojnë nga vetë dallimet toma etnike dhe aspiratat politike të papajtueshme që pashmangshëm i reflektojnë, tani është koha që këto t’i rimendojmë ndryshe duke marrë në konsideratë edhe një faktor, për mendimin tim, vendimtar në krijimin e këtyre marrëdhënieve. Ai faktor është politika e udhëhequr nga një elitë politike që, në kontekst të rrënimit të sistemit monist jugosllav dhe instalimit të sistemit të ri të politikës pluraliste, po synonte të fitonte pushtet duke siguruar mbështetje politike duke mobilizuar njerëz përmes shfrytëzimit të paragjykimeve, urrejtjeve e frikës ndaj grupit tjetër etnik.

Kështu filloi edhe ngritja politike e Millosheviqit, i cili me kohë, për fat të keq, e gjeti formulën si të forconte pozitën e tij politike duke u shfaqur si realizuesi në praktikë i ideve të një pjesë të rrymës nacionaliste në mesin e serbëve të përfaqësuar edhe në jetën kulturore, mediatike e akademike të Serbisë së viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Kështu, nga një komunist, Millosheviqi u shndërrua në lider të politikës shoviniste të nacionalistëve serbë në Kosovë. Më pas, politika e tij në Kosovë krijoi rrethanat për ndërtimin e marrëdhënieve të trazuara dhe të dhunshme ndërmjet etnive. Pjesa tjetër është histori që dihet.

Interpretimi i kësaj historie të vonshme nuk është i njëtrajtshëm; shqiptarët e interpretojnë ndryshe, e serbët ndryshe. Por, faktet janë kryeneqe, dhe dikush që don me i pa ato, nuk mund të jetë i verbër para ngjarjeve të shënuara që nga diskrimimi sistematik shtetëror i shqiptarëve në Kosovë, e deri tek numri i të dëbuarëve, shpërngulurve, e të vrarëve civilë të të dy etnive.

Nëse e pranojmë se marrëdhëniet ndër-etnike janë përkeqësuar akoma si pasojë e përdorimit politik të tyre, atëherë është e logjikshme që këto marrëdhënie t’i kuptojnë si të ndërtuara nga një lloj i politikës përjashtuese e antagonizuese. Me fjalë të tjera, shqiptarët dhe serbët nuk i kanë këto marrëdhënie antagoniste, sepse janë të ndryshëm etnikisht, por sepse këto dallime kanë marrë karakter politik, janë politizuar, pra. Andaj, arrijmë te përfundimi që për të imagjinuar një mënyrë për të tejkaluar këto dallime, së pari duhet depolitizuar ato.

Mirëpo, për fat të keq, politika në Kosovë – mënyra si bëhet gara politike, si fitohen votat, si dhe vetë sistemi politik – nuk ka ndihmuar në këtë drejtim. Sistemi jonë politik bazohet mbi dallimet etnike. Regjistrimi i partive të komuniteteve minoritare, vendet e rezervuara për to në institucionet politike të shtetit, kuvend e qeveri, decentralizimi mbi bazën e dallimeve etnike të territorit, më tepër japin incentiva për të shquar këto dallime se sa për të qitur në rend të dytë ose për të mos i theksuar ato. Pas kësaj, mbesin vetëm fushatat propaganduese pa përmbajtje reale për “tolerance” e “bashkëjetesë” të komuniteteve. Gjithashtu, gara politike është e demarkuar ndërmjet grupeve etnike dhe nuk mund të imagjinohet ndryshe veçse si garë për votat e grupit etnik të cilin politikanët pretendojnë se e përfaqësojnë.

Kështu, politika reflekton ndarjet ndërmjet etnive në shoqëri, në vend se një moment që konstituon “popullin”, domethënë burimin e legjitimitetit politik dhe sovranin e shoqërisë së re të përbashkuar rreth parimeve politike përkundër dallimeve.

Nëse kjo duket e paimagjinueshme edhe në ditët  e sotit, tregon se sa dominante është logjika politike e trasuar nga politikanët nacionalistë serbë në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, e përvetësuar nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve dhe e institucionalizuar nga administrata ndërkombëtare e OKB-së më parë dhe nga Kosova ahtisariane më pas.

Komunikimi ndërmjet pjesëtarëve të grupeve etnike është i ndërmjetësuar nga agjendat e politikanëve dhe ndërkombëtarëve. Nuk ka platforma komunikimi ku do të mund të njiheshim, të flisnim, të negocionim e të merreshim vesh drejtpërdrejt: studentët serbë me studentët shqiptarë, artistët me artistët, akademikët me akademikët, gratë me gratë të ndërvepronin në hapësira e për interesa të përbashkëta pavarësisht përkatësisë etnike.

Por, e tashmja nuk e paracakton të ardhmen. Për të pamundësuar instrumentalizimin e dallimeve dhe paragjykimeve ndërmjet grupeve etnike, ato duhet të gjejnë mënyra komunikimi e hapësira ndërveprimi që nuk diktohen e dominohen nga politikanët. Kjo nuk është e pamundur. Nëse kanë mundur biznismenët, tregtarët, mafia, e politikanët me i tejkalu dallimet etnike për interesa të përbashkëta, pse nuk munden edhe të tjerët?

Për këtë, ajo që duhet është dialogu i vërtetë shoqëror. Dialogu zyrtar i Prishtinës e Beogradit bëhet për politikanët e për bashkësinë ndërkombëtare. Dialogu i vërtetë i qytetarëve ka me ndodhë atëherë kur nuk ndërmjetësohet prej politikanëve dhe tutelës ndërkombëtare dhe zhvillohet pavarësisht prej tyre.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.