Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Korrupsioni nuk është problem!

Foto nga Freepik.

Shumë është folur për korrupsionin si problem këto kohë. Madje jo vetëm si problem, por edhe si shkaktar i shumë të këqijave: varfërisë, papunësisë, mos-liberalizimit të vizave, e kështu me radhë.

Mirëpo pyetja fundamentale që duhet shtruar, besoj; e që, mjerisht, është duke u injoruar në përgjithësi nga kolumnistë të ndryshëm këtu në Sbunker (12 dhe 3) është: A duhet konceptuar korrupsionin thjesht dhe vetëm si problem, apo si simptomë e modelit ekonomik neoliberal që na është imponuar në periudhën e pasluftës?

Në pikëpamjen time, është kjo e fundit.

Sepse korrupsioni – duam apo jo ta pranojmë – ka qenë dhe vazhdon të mbetet pasojë e drejtpërdrejtë e privatizimeve të egra që kanë ndodhur mbas vitit 2000 e këtej.

Sepse çfarë ka ngjarë?

Në vend se privatizimi të ulë nivelin e korrupsionit në vend – tek e fundit, kjo ka qenë arsyeja kryesore pse na thuhej se duhet privatizuar ndërmarrjet publike dhe shoqërore, ai vetëm sa e ka thelluar atë. Madje jo vetëm që e ka thelluar, por që besa është shndërruar edhe në shkaktarin kryesor të varfërisë dhe papunësisë në vend.

Në fakt, këtu konsiston edhe problemi me qasjen e gabuar të luftimit të korrupsionit nga ana e organizatave të shoqërisë civile, institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Ngase duke u marrë gjatë gjithë kohës vetëm me luftimin e korrupsionit si pasojë, e jo me luftimin e neoliberalizmit si problem, korrupsioni nuk ka pasur si të minimizohet.

I vetmi subjekt politik, mendoj, që e ka luftuar modelin ekonomik neoliberal; dhe rrjedhimisht, korrupsionin si pasojë e tij, ka qenë dhe mbetet Lëvizja Vetëvendosje.

Pse po them kështu?

Sepse, për dallim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare; për dallim nga organizatat e shoqërisë civile dhe partitë politike; për dallim nga gazetarët dhe analistët, Lëvizja Vetëvendosje nuk është marrë vetëm me luftimin e korrupsionit, por edhe me kundërshtimin e modelit neoliberal; i cili, siç e përmenda më lart, është shkaktari kryesor i korrupsionit, varfërisë dhe papunësisë në vend.

Këtu, realisht, qëndron edhe pasaktësia e një akuze të kahmotshme që i bëhet Lëvizjes Vetëvendosje, se gjoja ajo nuk merret me korrupsionin por vetëm me tema të mëdha: bashkimi kombëtar, negociatat me Serbinë, demarkacioni me Malin e Zi, asociacioni serb, e kështu me radhë.

Mirëpo e vërteta është se Lëvizja Vetëvendosje është marrë gjatë gjithë kohës me këtë gjë. Por, meqenëse ajo është marrë më shumë me kundërshtimin e modelit ekonomik neoliberal, e më pak korrupsionit si pasojë e tij, është krijuar përshtypja e gabuar se Vetëvendosja nuk është duke e marrë fare me luftimin e korrupsionit.

Për më tepër, Vetëvendosja jo vetëm që ka folur në vazhdimësi kundër modelit ekonomik neoliberal dhe korrupsionit; por ka marrë hapa konkretë në luftimin e tyre.

Shikojeni Komunën e Prishtinës, ta zëmë – komunë kjo që sot merret si shembull i qeverisjes me duar të pastra (ka dërguar mbi 100 dosje në prokurori; ka bërë hapjen e shumë çerdheve publike me bazë në komunitet (term ky që i flakëron neoliberalët); ka bërë hapjen dhe rregullimin e qendrave të mjekësisë familjare; është duke e bërë rregullimin i transportit publik (që pritet në ditët dhe muajt në vijim); ka krijuar dhe ndriçuar hapësira të shumta publike; ka bërë ndalimin e ndërtimeve pa leje – të cilat, po të vazhdonin si në hyqmin e shkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të bënin që Prishtina të shndërrohej në një qytet si ai i Napolit në filmin e famshëm të Francesco Rosi-t, “Hands over the City” (1963)).

E të mos përmendim mbajtjen e protestave, demonstratave dhe aksioneve kundër privatizimeve të shumta; rrahjet, arrestimet, burgosjet, e të tjerë e të tjerë.

Pra, unë mendoj se janë gazetarët dhe analistët, jo Lëvizja Vetëvendosja, ata që duhet akuzuar pse nuk po flasin mjaftueshëm për nivelin e korrupsionit. Sepse, për dallim nga Vetëvendosja, këta kurrë një fjalë të vetme nuk e kanë thënë kundër hegjemonisë neoliberale në Kosovë; e cila, siç e nënvizova më lart, është burimi kryesor i korrupsionit. Madje jo vetëm që nuk e kanë bërë një gjë të tillë –që nuk janë pozicionuar kundër modelit ekonomik neoliberal, por shpeshherë kanë ditur të shndërrohen edhe në instrumente të legjitimimit të tij.

***

Po përse korrupsioni është konceptuar si problem, e jo si pasojë, s’do mend se ky është një problemi i madh.

Nga pikëpamja ime ekzistojnë katër arsye kryesore pse është konceptuar kësisoji. E para, konsideroj, ka të bëjë kryekëput me instrumentalizimin e korrupsionit për të privatizuar ndërmarrjet publike dhe shoqërore, më kollaj e më lirë.

Sepse, cili ka qenë arsyetimi pse një ndërmarrje publike dhe shoqërore është privatizuar?

Korrupsioni dhe nepotizmi. Ja, këto kanë qenë dy arsyet e vetme.

Arsyeja e dytë, mendoj, ka të bëjë edhe me dialogun me shtetin serb. Duke qenë se konjuktura ekzistuese në pushtet është përfshirë në afera të shumta korruptive dhe kriminale (kujtojeni përgjimet e fundit, ta zëmë), bashkësia ndërkombëtare e ka përdorur korrupsionin thjesht si armë për të shantazhuar udhëheqësit kosovarë: fillimisht, për të pranuar dialogun pa kushte me Serbinë, dhe më pas, për të pranuar marrëveshjet e dëmshme në kurriz të subjektivitetit shtetëror të Kosovës.

Si thotë populli: e kanë pasur bishtin të zënë me derë.

Arsyeja e tretë, në gjykimin tim, ka të bëjë me justifikimin e prezencës së misioneve ndërkombëtare në Kosovë: UNMIK-ut dhe EULEX-it. Siç pranohet gjerësisht, ka qenë pikërisht niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar që është përdorur si arsyetim për praninën e misioneve ndërkombëtare; ndonëse, më duhet të shtoj, misionet e tilla nuk kanë bërë asgjë, ama bash asgjë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Madje jo vetëm që nuk kanë bërë asgjë; por, ç’është më e keqja, janë zhytur edhe vetë në korrupsion si mos më keq.

Dhe arsyeja e fundit, besoj, ka të bëjë me krimet e supozuara të luftës.

Në ç’kuptim?

Në kuptimin që, duke dashur të procedojnë rastet e krimeve të supozuara të luftës në Kosovë, dhe duke menduar se komandantët e UCK-së gëzojnë përkrahjen e popullit, misionet ndërkombëtare kanë vepruar si në vijim: fillimisht, le t’i lejojmë komandantët e luftës të korruptohen dhe të kriminalizohen. Kështu, ata do të humbasin përkrahjen që gëzojnë në popull; dhe më pas, ne mund të bëjmë çfarë të duam me ta: t’i arrestojmë, burgosim, dënojmë, e të tjerë e të tjerë.

Dhe kështu ka ndodhur, realisht: shumica e komandantëve të luftës sot gjenden ose në burgje, ose duke u tërhequr zvarrë proceseve gjyqësore për krimet e supozuara të luftës. Ndërkaq korrupsioni e krimi i organizuar vazhdojnë të përhapën edhe më tej.

Këto, në mendimin tim, janë arsyet kryesore pse korrupsioni është konceptuar si problem, e jo si pasojë direkte e modelit ekonomik neoliberal që është imponuar pas-lufte.

Prandaj është koha e fundit që të pozicionohemi kundër këtij modeli të përçudshëm ekonomik; i cili, si asgjë tjetër në vend, është shkaktar për mjerimin gjithëmbarshëm shoqëror, ekonomik dhe politik.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.