Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Kriza e imazhit

Kosova vazhdon të jetë në një krizë politike. Por kjo është një krizë tepër e çuditshme e cila nuk ndjell kurrfarë nevoje për debat a reflektim më të thelluar. Gjithçka fillon e mbaron në një terren tepër të ngushtë rezonues, ku është e parashikueshme çdo fjalë e çdo mendim. Dhe ku mësymja kryesore nuk është ndërrimi i rrethanës, përkundrazi, riprodhimi i saj përmes një imazhi të ri.

Kriza qysh në etimologjinë e saj ka të bëjë me zgjedhjen, përcaktimin e reflektimin. Domethënë, krizat nuk janë pjesë e një strukture të caktuar, si një hallkë zingjirore, por një moment krejtësisht i lirë dhe i hapur për të projektuar të ardhmen. Një shprehje e qartë e papërsosjes së sistemit – të cilit duhet t’i krijohet një alternativë, ose t’i bëhet një modifikim. Njerëzit nuk duan t’iu prishet terezia, e prandaj nuk e shohin krizën me sy të mirë, duke e ditur që brenda saj përmbahet nevoja për ndryshim. Komunistët në pushtet krizat i shpjegonin si mangësi në shtrirjen e plotë të komunizmit. Domethënë, kishte krizë sepse komunizmi nuk ishte gjithëfunksional. Po njësoj reaguan për krizën e vitit 2008 edhe disa ekonomistë e teoricienë që e mbrojtën kapitalizmin [1]. Ata thanë se kriza është rrjedhojë e një ndërhyrjeje socialiste në sistem dhe jo rrjedhojë e vetë sistemit.

Kriza jonë nisi në vitin 2014. Dhe e gjithë kjo, nga një mospërputhje e plotë e rezultatit zgjedhor (që e nxorri PDK-në fituese) me imazhet e prodhuara. Kësisoj, situata u përkeqësua ndjeshëm dhe një fushatë agresive pushtuese filloi. Nuk u kursye asnjë mjet i mundshëm. Sa për ta ilustruar këtë, duhet përmendur raportimin skandaloz që e bëri një televizion mjaft profesional për standardet tona, KTV-ja, duke i intervistuar të dehur e në pozita të palakmueshme disa simpatizantë të PDK-së. Videoja në fjalë u klikua jashtëzakonisht shumë në rrjetet sociale duke ndjellur tallje e sharje të rënda për njerëzit në fjalë – që eskalonte edhe në racizëm për provincën nga ata vinin, dhe tipin rural të cilit i përkisnin. Qëllimi i videos ishte t’i portretizonte votuesit e kësaj partie dhe t’i bënte objekt të përqeshjes. Ky është momenti i fillimit të krizës. Në këtë mospërkim imazhesh. Pasojë e saj ishte ndërtimi i një refuzimi të plotë të PDK-së nga të gjitha partitë e tjera parlamentare dhe nga e gjithë shoqëria civile. Çdo bashkëpunim i mundshëm me atë parti, e bënte të ndotur secilin. Dhe kësisoj, u izolua e linçua tridhjetë përqind e elektoratit kosovar. PDK-ja e bën të duket keq sistemin politikoekonomik të instaluar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në këtë formë, kjo parti u bë armiku kryesor i sistemit. Ajo u mposht aq keq, sa në një moment iu bashkua ligjërimit kundër vetvetes. Praktikisht, i ktheu shpinën rrugës që e kishte ndjekur deri në atë moment, dhe fillimisht u bë dyshuese e më vonë edhe mohuese e kalimit të proceseve për të cilat e kishte marrë votën. Ajo u akuzua si një kapëse e mediave, e në fakt, e gjitha ishte një tentim-kapje naive. E kontrollonte një televizion publik tërësisht joprofesional e joserioz, dhe një mori portalesh që nuk i merrte seriozisht askush. Ndërkohë, mediumet më serioze u kapën nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe u bënë të gjitha njëherësh zëdhënëse të ligjërimit të saj. E vetmja pikë e fortë e PDK-së, ishte në konsiderimin e krerëve të saj si mashtrues të zotë. Unë për vete, vazhdimisht e kam sulmuar këtë qëndrim duke shprehur bindjen se Thaçi (dhe zyrtarët e tjerë të PDK-së) është i pazoti e i padijshëm. Megjithëse nuk u mor askush seriozisht me teknologjinë e pushtetit që reflektohej në përgjimet ‘Pronto’, ishte e qartë se ata që quheshin ‘kapës’ të shtetit, në fakt ishin vetëm disa politikanë të pazotë që po tentonin në mënyrë tepër naive t’i mbanin brenda rrjetës njerëzit e tyre. Përgjimet ‘Pronto’ e dëftuan para së gjithash çorganizimin e plotë të këtij klani – dhe pamundësinë që një organizim serioz të ndodhte. ‘Pronto’ poashtu e tregoi rëndësinë e madhe që i jepte ky ‘klan’ debateve televizive – duke shpërfaqur kësisoj frikën e thellë për përlyerjen e plotë të imazhit. Gjë që ndodhi. Si mund të prodhohej një imazh i tillë, nëse PDK-ja njëmend do të kontrollonte njerëz seriozë ose media serioze e me ndikim në shoqërinë kosovare? E pamundur. PDK-ja ishte jashtë sistemit, teknologjia dhe pushteti i saj ishte jashtë sistemit, dhe prandaj u gjykua si parti e korruptuar. Korrupsioni nuk është tjetërgjë, veçse dalje nga sistemi.

PDK-ja pra, po e vuan dobësinë e saj në imazhin që i dha ky sistem. Ajo as nuk diti e as nuk mundi të mbrohej. Ndërkohë, nuk arriti të bënte asnjë hap serioz drejt një reformimi të vetvetes. Dhe ajo që e pret është e qartë: shuarja e plotë. Kjo sepse e shkërmoqi konceptin e saj politik, dhe vlerat prej të cilave rridhte. Sot, luftën e mbron VV-ja e jo PDK-ja. Qendrën e djathtë si orientim politik e mbron LDK-ja ndërkohë që PDK-ja zor se e kupton.

Nuk ekziston një realitet ekstralingual. Jemi brenda paradigmës gjuhësore. Prandaj, kjo që po e them, nuk besoj se është një spekulacion i thjeshtë dhe i pambështetur. Unë jam i bindur se kjo krizë politike mësyn nënshtrimin e mëtejmë të mënyrave të të gjykuarit e të të kuptuarit, të votuesve kosovarë. Rikthimin e tyre kah imazhet që i përgatit ky sistem. Nëse doni, mund ta quajmë këtë edhe emancipim. Domethënë, përpjekje për krijimin e një elektorati më intelektual. Por unë sinqerisht dyshoj në një gjë të tillë. Unë besoj që kjo është më shumë një tendencë për vendosjen e një komunikimi të kontrollueshëm. Pra, njëtrajtësim i plotë në mënyrat e të menduarit dhe të gjykuarit të politikës. Në fund të fundit, kemi të bëjmë me çështje kontrolli. E kjo është prirje e natyrshme e çdo sistemi modern.

Kriza do të tejkalohet vetëm në rast të ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet. Vetëm kjo parti do t’i jepte imazhin e pëlqyeshëm, dhe do t’i shërbente më me besnikëri sistemit. Megjithëse, mungesa e kapaciteteve është një problem mjaft serioz. Por Vetëvendosje ka ndërtuar një qasje transparente dhe i është rrekur seriozisht luftës kundër korrupsionit. Prandaj, do të jetë shumë më lehtë e qasshme dhe e kapshme nga mediat. Sa i përket pikave të papërshtatshme, në to është zbutur e konformuar ndjeshëm, duke mos i përmendur thuajse fare. Rrogat nuk do të rriten, papunësia nuk do të ulet e as zhvillimi ekonomik nuk do ta rris hapin – por ama, korrupsioni nuk do të duket. Dhe, lëngon që të mos e shoh vjedhjen që i bëhet. Kjo vjedhje do të ndodh, sepse është çështje sistemi e jo morali apo dijesh, por megjithatë ajo duhet të jetë e mbuluar në mënyrë që të mos prodhojë reaksion e pakënaqësi. Dhe Vetëvendosje është e qartë se e posedon një aftësi më të lartë për t’i artikuluar të bëmat e saj.

E keqja e madhe e kësaj krize (si e të tjerave në Kosovë) është se do ta rrudhë tepër shumë rezonimin dhe debatin në përgjithësi. Do ta shtojë vëllimin por do ta rrudhë fokusin e tij. Para një muaji, i mandatuari i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, e dha një deklaratë mjaft të drejtë në lidhje me këtë çështje. Ai në ‘Rubikon’ deklaroi se është me rëndësi të kemi debate edhe për çështje të tjera e jo vetëm për politikën. Pra, Kurti si një mendjemprehtë, veçse ka arritur ta kuptojë rrezikun e madh që e projektojnë krizat. Duket se ai e ka të qartë se çështja e një koncentrimi kaq të madh të debatit brenda zonave shumë të ngushta, ka një lidhje të madhe me kontrollin dhe pushtetin. Një gjë e tillë, natyrisht që nuk është vetëm e lodhshme (siç thoshte ai) por edhe e rrezikshme sepse lë në terr shumçka tjetër.
_________

[1] Shembull, Jim Rogers

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.