Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Kriza e së Vërtetës

Që nga Platoni e deri te Nietzsche, filozofia ishte në kërkim të së Vërtetës. Ishin prodhuar aq shumë forma të të filozofuarit mbi/rreth së vërtetës, sa që ndikimi ishte përhapur edhe në shprehje të tjera si në politikë, estetikë, etikë, art, religjion etj. Mbi bazën e këtyre filozofive ishin krijuar modele qeverisëse politike, interpretime estetike dhe arkitekturore, rregulla dhe konsekuenca morale, forma dhe shprehje të artit. Sisteme të ndryshme filozofike kishin prodhuar skematizime të atilla interpretative deri në atë masë ku bota e ideve ishte nën hegjemoninë e së Vërtetës. Mirëpo, i gjithë ky zinxhir skematik, të gjitha këto të ashtuquajtura filozofi të mëdha, pësojnë një interpretim dekonstruktues rigoroz me Nietzsche-n. Një pikëprerje e tillë në filozofi është edhe prodhimi i debateve të pafundme, nëpërmjet të cilave janë dhënë shumë perspektiva të ndryshme rreth dhe mbi të Vërtetën. Përderisa e vërteta deri dje ishte fundamenti filozofik, për Nietzsche-n e vërteta në formën e pastër të pretenduar nuk ekziston dhe është iluzioni i saj që krijon besime në të. Duhet ta kemi parasysh se filozofia e Nietzsche-s nuk është parapërcaktuese dhe se mendimi i tij nuk ka të bëjë me një mbivendosje domosdoshmërie, por në fakt ai është një mendim apelues (Hans-George Gadamer, Historia e Filozofisë), që e fton vetveten t’i shkojë nga pas origjinës së mendimit. Kështu që, e gjithë filozofia e tij koncentrohet në një momentum, apo në një pikë kthese, siç konsideron Habermas-i, që do të prodhojë konsekuenca të mëdha në interpretimin e fiozofisë dhe botës në përgjithësi. Ky rikthim i Nietzsche-s pas në histori bëhet për ta zbërthyer mendimin modern racionalist, se prej nga vinin këto vlera esenciale, e që ai i shihte me një dyshim të madh. Për këtë Habermas-i mendon se pikën e kthesës nga moderniteti në postmodernitet Nietzsche nuk e bën sikur një kapërcim të thjeshtë, apo si një nevojë e natyrshme drejt së resë, por vjen si rezultat i rikthimit mbrapa në histori për ta investiguar gjenealogjinë e mendimit dhe vetë modernitetit. Gjatë këtij rrugëtimi do të ndodhë shndërrimi i të gjitha vlerave. Me këtë rikthim, ai do të kalojë nëpër periudhat paraardhëse historike dhe kritika e tij do të mbërrijë te parasokratikët, gjegjësisht te shpirti dionisian si shprehja më arkaike e madhështisë së njeriut. Andaj, Habermas-i shprehet kështu: “Nietzsche i përdor mjetet në mënyrë që të kthehet prapa te miti sikur pikëmbështetje e arsyes, duke e shqyrtuar origjinën e mendimit, dhe ai apelon se duhet ta kuptojmë origjinën e edukimit historik si një kontradiktë radikale e një fryme të kohës së re, ku duhet të kuptohet se, historia duhet të bëhet problem i vetë historisë, njohja duhet ta kthejë thumbin nga vetja, në mënyrë që të sjellë diçka të re dhe një premtim për jetën.” (J. Habermas, The philosophical discourse of Modernity). Pra, për Habermas-in ky edhe konsiderohet momentumi i pikës së kthesës në filozofinë bashkëkohore. Me këtë duhet ta kuptojmë se filozofia e Nietzsche-s nuk është një projekt i lindur nga analizat faktike që të mund të konkludojmë më pastaj, por është si një proces i rikthimit prapa dhe i një procesi rivlerësues. Për këtë, një nga arritjet më të fuqishme në filozofinë e Nietzsche-s është që nëpërmes shqyrtimit gjenealigjiko-historik vjen deri te shpërbërja e të gjitha formave epistemologjike, duke i futur në një skanim të rivlerësimit të përhershëm. Pra, filozofia e Nietzsche-s duhet kuptuar edhe si një kritikë radikale ndaj racionalizmit, subjektocentrizmit, por duke kërkuar gjithashtu edhe mbështetjen tek origjina e mendimit, pra te filozofia e refleksionit pararacionalist, e që për Nietzsche-n origjinën e ka te dionisiania si shtysa më e fuqishme e impulseve njerëzore te vullneti për jetë. Nëpërmjet rivlerësimit të të gjitha vlerave, Nietzsche arrin deri në pozitat e nihilizmi radikal, ku pastaj shtrohet nevoja e lindjes së diçkaje që bazën do ta ketë te filozofia arkaike parasokratike. Fuqia e nihilizmit është që ta pastrojë botën nga mendimi normativist modern që pretendonte në njeriun e zhveshur nga instiktet e tij të brendshme dhe ta rimodelojë atë nga pozitat e natyrës së kënaqësive dhe estetike të njeriut. Çka Nietzsche do t’i konsideronte si fenomene estetike, janë ato memente kur subjekti e humb vetveten dhe kur normat e jetës ditore dekompozohen, iluzionet e sjelljes normale kolapsojnë dhe si rezultat i kësaj, vetëm në këtë mënyrë një botë e paparë do të hapej para nesh. Këtu hapësira estetike as nuk e fsheh, e as nuk e zbulon me termin aparencë-esencë, por tanimë paraqitet vetëm si një sipërfaqe, kështu do të fillojë edhe purifikimi romantik i fenomeneve estetike prej çfarëdo asocimi teorik ose praktik, duke i dhënë elemente pothuajse tërësisht ndjesore. Kështu, “arti hap akcesin ndaj asaj që është dionisiane me koston e një ekstaze, ku i zbulon trajtat amorfe të natyrës njerëzore” (Luk Ferry, Homo Aestheticus – shpikja e shijës në epokën e demokracisë). Prandaj, edhe për këtë arsye Gianni Vattimo nihilizmin e konsideronte si emancipues, sepse ai e fut njeriun në një interpretim hermenautik mbi të vërtetën. Nietzsche apelon që përvojat e jetës së përditshme t’i kthejmë në dimensione arkaike shprehëse, ku edhe diferencohen linjat dhe postulatet e interpretimit të botës jasht mid-setit racionalist dhe orientohen drejt trajtave impulsive ndjesore të njeriut. Njeriu çlirohet nga ashpërsia dhe ngurtësia e të menduarit dhe horizontit të njohjes, futet në botën e kënaqësive pa pretendimin e ngritjes në një shkallë që pastaj do ta rimodelojë të vërtetën. Kështu, Nietzsche fillon të na e shfaqë botën si një rrjetë e shtrembërimeve dhe asnjëherë asnjë interpretim fragmentar nuk mund të na e sjellë të bashkuar në një format të vetëm. Për këtë, “arti konsiderohet si veprimtaria gjenuine aktive metafizike, sepse vet jeta është e bazuar në iluzione, mashtrime, në nevojën e shumë perspektivave dhe shumë gabimeve” (Habermas, The philosophical discourse of Modernity). Kështu që, kontradikta të tilla vlerësuese tanimë janë shpërbërë që me dekompozimin e idesë absolute dhe ku ripozicionimi i botës te hiçi, është po ashtu edhe rivendosja në një stad vetorientues për njeriun, i cili në mungesë të vlerave dhe të një legjislacioni të kodifikuar me vlerë domosdoshmërie universale, me instiktet e tij i hapet jetës në një dimension artistik. Krejt kjo që u tha më lart e shpjegon faktin e “një krizë të skajshme episemologjike dhe ontologjike” (Hans Bertens, Koncepti i Postmodernes), dhe kjo pastaj do të sjellë efektet perspektiviste pluraliste. Bota do të hapet në një horizont krejtësisht dinamik dhe rigjenerues. Me pluralitetin e mendimeve tani lindin edhe forma të reja artistike, filozofike, politike dhe të problemeve edhe sociale. Pra, do të lindë një shumësi shprehjesh të llojllojshme të cilat më nuk do ta kenë të attach-uar saktësinë, por do të zhvillohen në saje të pluralitetit të interpretimeve dhe paradokseve. Një formë e tillë shprehëse do të artikulohet përmes hermeneutikës, e cila tani do të fokusohet te shprehjet artistike dhe te krijimtaria sentimentale e njeriut. Kështu, konsekuencat e mëdha të mendimit të Nietzsche-s, përveç në filozofi, do të jenë edhe në letërsi, muzikë, pikturë, politikë, madje edhe në dispersivitetitn e stratifikimit, apo edhe të konstruksionit social.

– (Idetë teorike të hedhura këtu do të përpiqemi t’i kontekstualizojmë në shkrimin e radhës).

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.