Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Kush po e ëndërron ëndrrën evropiane në Serbi?

Serbia hapi negociatat në vitin 2014 dhe madje edhe sot duket se është më larg BE-së sesa pesë vjet më parë.

Përafrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) ka zgjatë për tetëmbëdhjetë vjet, që nga viti 2003, kur të gjitha vendeve iu premtua anëtarësimi. Ndërkohë, vetëm Kroacia u bë anëtare e plotë në vitin 2013. Serbia, ndërkohë, hapi negociatat në vitin 2014, por sot duket më larg nga BE-ja sesa ishte pesë vjet më parë. Sidoqoftë, anëtarësimi dhe negociatat nuk ishin një temë e zgjedhjeve të mëparshme, madje edhe partitë opozitare nuk po përpiqen të theksojnë angazhimin e tyre drejt BE-së. Si duket, mbështetësit më të fortë të Bashkimit Evropian janë organizatat e shoqërisë civile, entuziazmi i të cilave nuk i pasqyron pikëpamjet e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, BE-ja po humbet besueshmërinë në sytë e shumë njerëzve për shkak të mesazheve shpesh të paqarta dhe të pakuptimta dërguar politikanëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. Prandaj, shtrohet pyetja në çfarë mase dhe a është akoma e pranishme ideja e zgjerimit në Serbi?

Evopianizim pa demokratizim

Serbisë iu dha statusi i vendit kandidat në vitin 2012 dhe që nga hapja e negociatave të pranimit në janar të vitit 2014, u hapën 18 nga 35 kapituj, dy prej të cilëve janë mbyllur përkohësisht. Në të ashtuquajturën Strategjia e Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor e vitit 2018, Serbia, së bashku me Malin e Zi, u shpall lider në procesin e zgjerimit dhe fitoi mundësinë e anëtarësimit deri në vitin 2025. Raporti i fundit i Komisionit Evropian për vitin 2020 thotë se “rrjedha dhe ritmi i negociatave do të vazhdojë të varet nga reforma në sferën e sundimit të ligjit dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën”. Në vitin 2019, u hapën edhe dy kapituj negocimi, ndërsa në vitin 2020 nuk u hap asnjë.

Serbia, në vitin 2019 sipas raportit vjetor të Fridom Hauz (Freedom House) “Vendet në tranzicion” është klasifikuar si “pjesërisht i lirë” në vend të “vend i lirë”, ndërsa në vitin 2020 kjo organizatë e definoi Serbinë si një “regjim kalimtar ose hibrid“. Me fjalë të tjera, sipas kritereve të kësaj organizate, Serbia ka pushuar së qeni demokraci. Në të njëjtin raport thuhet se që nga viti 2012, kur Partia Përparimtare Serbe erdhi në pushtet, të drejtat politike dhe civile janë përkeqësuar, me një presion në rritje ndaj mediave të pavarura, shoqërisë civile dhe opozitës. Rezultati i zgjedhjeve të fundit të mbajtura në muajin qershor të vitit 2020, të cilat u bojkotuan nga shumica e partive të opozitës, është një parlament pa opozitë. Megjithëse regjistrimi është ulur nga 5% në 3%, përveç partive të pakicave kombëtare, vetëm tre parti kanë arritur të kalojnë pragun dhe tani janë të gjitha në pushtet.

Sidoqoftë, në të njëjtën periudhë, që nga viti 2012, Serbia ka bërë përparim në procesin e integrimit në BE. Një nga pasojat e këtij procesi është që demokratizimi dhe evropianizimi nuk shkojnë më dorë për dore, sipas një grupi autorësh të mbledhur rreth Sbunker. Në fakt, këto dy terma janë përdorur në 20 vitet e fundit si sinonime për procesin e transformimit politik, ekonomik dhe shoqëror të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Politika e zgjerimit konsiderohet si një instrument që gradualisht duhet t’i afrojë vendet më pranë standardeve të Bashkimit Evropian në mënyrë që t’u mundësojë atyre anëtarësimin në BE. Shembulli i Serbisë tregon se ky nuk është më rasti. Vendi po bën përparim në procesin e BE-së, por po bëhet një vend më pak demokratik dhe më pak i lirë.

Kritikat ndaj procesit të integrimit evropian dhe efekti i tyre mbi vendet e Ballkanit Perëndimor është tashmë një temë debati midis studiuesve. Prandaj, duke pasur parasysh hapësirën e kufizuar, përqendrimi im këtu do të jetë në pyetjen se kush ëndërron një ëndërr evropiane në Serbi? Me fjalë të tjera, duke pasur parasysh situatën e pavolitshme politike në Serbi dhe procesin e anëtarësimit që nuk sjell rezultatet e dëshiruara (ose të premtuara), a mund të presim më shumë presion mbi vendimmarrësit për të siguruar anëtarësimin në BE ose distancimin e qytetarëve nga e ashtuquajtura ide për një Serbi evropiane? Nga ana tjetër, ndjenjat e BE-së ndaj Serbisë janë gjithashtu të paqarta dhe premtimi për anëtarësim nuk duket aq i qëndrueshëm siç ishte më parë.

Koj sonuva za evropskiot son vo Srbija

Burimi: rs.n1info.com

A ka një mbështetje të shumicës për anëtarësimin e Serbisë në BE?

Sondazhet e opinioneve të kryera në rajon dhe Serbi në vitet e fundit tregojnë ndarjen e shoqërisë serbe drejt BE-së dhe procesit të anëtarësimit. Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, qytetarët e Serbisë tregojnë skepticizmin më të lartë dhe qëndrimin më negativ ndaj Bashkimit Evropian dhe janë të ndarë sa i përket përfitimeve nga anëtarësimi. Megjithëse këto studime nuk mund të krahasohen me njëra-tjetrën në një kuptim të rreptë metodologjik, sepse ato kanë përdorur metoda të ndryshme kërkimore, ato megjitahtë ofrojnë një fotografi më të gjerë dhe ofrojnë një pasqyrë të përgjithshme të gjendjes së shoqërisë që duket se mbetet disi e fiksuar me aspiratat e saj të politikës së jashtme.

Ministria e Integrimit Evropian, deri në vitin 2017, Zyra për Integrim Evropian rregullisht ka realizuar sondazhe të opinionit publik nga viti 2009 për mbështetjen e qytetarëve në procesin e integrimit të Serbisë në BE. Sondazhi i fundit është kryer në muajin dhjetor të vitit 2019. Rezultatet tregojnë se që nga maji i vitit 2011, mbështetja e anëtarësimit lëviz ndërmjet 41% dhe 55%. Mbështetja më e madhe është regjistruar në vitin 2009, e cila i referohet marrjes së liberalizimit të vizave. Mirëpo, sipas të njëjtit sondazh, është pozitive që qytetarët e identifikojnë nevojën për reforma pavarësisht anëtarësimit në BE, kryesisht në fushat e luftës kundër korrupsionit, sistemit shëndetësor, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe drejtësinë.

Në muajin tetor të vitit 2020, u krye një sondazh rajonal i opinionit publik IPSOS, mbështetur nga Fondi Evropian për Ballkanin, i cili tregon se anëtarësimi i Serbisë në BE mbështetet nga pak më shumë se 60% e qytetarëve. Ka dallime të dukshme midis Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, ku kjo mbështetje arrin të paktën 80%. Gjithashtu, çdo i treti i anketuar në Serbi beson se Serbia nuk do të bashkohet kurrë me BE-në, gjë që tregon se është përsëri vendi me më shumë rezerva sa i përket procesit të anëtarësimit.

Në mënyrë të ngjashme, Barometri Ballkanik, sondazhi vjetor rajonal i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, në analizën e tij për vitin 2019 thotë se në Serbi vetëm 32% e qytetarëve konsiderojnë se anëtarësimi në BE do të ishte një gjë e mirë. I vetmi vend ku më pak se gjysma e të anketuarve kanë një qëndrim pozitiv ndaj anëtarësimit është Bosnja dhe Hercegovina me 47%, ndryshe nga ta, të themi, Shqipëria ku kjo përqindje është 86%.

Prandaj, kur bëhet fjalë për reformat e brendshme, qytetarët e shohin nevojën për to, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Mirëpo, procesi i gjatë i anëtarësimit pa efektet e dëshiruara krijon një lodhje dhe rrit dyshimet rreth anëtarësimit dhe vetë Bashkimit Evropian.

Çfarë politikë të jashtme duhet të ndjekë Serbia?

Qendra e Beogradit për Politikë Sigurie (QBPS) kohët e fundit ka realizuar një studim të qëndrimeve të qytetarëve ndaj aktorëve të politikës së jashtme, i cili hedh dritë mbi qëndrimin e qytetarëve serbë ndaj BE-së në krahasim me aktorët e tjerë.

Për shembull, autorët e studimit thonë se 40% e të anketuarve e konsiderojnë Rusinë si mikun më të mirë të Serbisë, ndërsa 72% e konsiderojnë pozitive ndikimin e Rusisë në vend, që është një rritje në krahasim me një sondazh të kryer në vitin 2017. Në mënyrë të ngjashme, shumica, dmth. 57% e të anketuarve besojnë se Serbia duhet të koordinojë politikën e saj të jashtme me Rusinë dhe Kinën. Përkundër faktit që Serbia është një vend kandidat për anëtarësim në BE, vetëm një e pesta e të anketuarve besojnë se vendi ka nevojë të rreshtojë politikën e tij të jashtme me Brukselin.

Kina renditet e dyta si miku më i mirë i Serbisë dhe “75 përqind e të anketuarve gabimisht besojnë se Kina i ka dhënë ndihmën më të madhe Serbisë në luftimin e pandemisë, megjithëse Bashkimi Evropian (BE) ishte në fakt donatori më i madh”.

Kur flasim për anëtarësimin në BE, çdo i dhjeti qytetar e konsideron anëtarësimin në BE një prioritet në politikën e jashtme. Më saktë, opinioni është i bindur se tre prioritetet më të rëndësishme të politikës së jashtme janë ruajtja e Kosovës si pjesë e Serbisë (24%), forcimi i bashkëpunimit me vendet fqinje dhe forcimi i bashkëpunimit me Rusinë (20% secili).

Rezultatet tregojnë se qeveria (me vend) nuk e njeh presionin nga qytetarët për t’u afruar më pranë BE-së për çështje kyçe të politikës së jashtme. Çështja e pazgjidhur e Kosovës dhe roli i anëtarëve individualë në ndërtimin e një shteti në Kosovë, ndër të tjera, luajnë një rol të madh në qëndrimin negativ ndaj BE-së.

BE-ja dhe Serbia – vetëm shkopi pa karrota nuk jep rezultate

Edhe pse perspektiva e fundit për anëtarësim është premtuar në vitin 2018, nuk mund të thuhet se Bashkimi Evropian, respektivisht të gjithë anëtarët e saj vërtet i dhanë dorën Serbisë (dhe gjithë rajonit) dhe në të njëjtën kohë ishin të palëkundur në pozicionin e tyre. Në rajon, BE nuk shihet më si një partner i besueshëm që mban premtimet e saj dhe ka një politikë dhe qëndrim të parashikueshëm dhe koherent të zgjerimit ndaj anëtarëve të ardhshëm të mundshëm. Kështu, nga njëra anë, kemi bllokadën franceze për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut, pasi ajo ndryshoi qeverinë autoritare dhe arriti një marrëveshje me Greqinë për të ndryshuar emrin. Nga ana tjetër, pavarësisht tendencave autoritare në rritje dhe shkeljeve të dukshme të pavarësisë së institucioneve, Serbia ka përparuar formalisht në procesin e anëtarësimit dhe deri vonë ishte vlerësuar si një udhëheqëse në rajon, megjithëse “elefanti më i madh në dhomë” dihet se është çështja e pazgjidhur e Kosovës.

Aktivitetet e intensifikuara të Kinës në vitet e fundit, veçanërisht gjatë valës së parë të koronavirusit, nuk kanë kaluar pa u vënë re në Bruksel. Përveç Rusisë, Kina është një lojtar relativisht i ri global i pranishëm në Ballkan, interesat e së cilës në Serbi konsiderohen në kundërshtim me interesat e BE-së. Sidoqoftë, BE-ja, respektivisht vendet anëtare nuk duket se kanë një përgjigje adekuate ndaj situatës aktuale gjeopolitike. Parimi i “shkopit dhe karrotës” nuk ka më efekt, sepse karrota (dmth anëtarësia) është bërë e pasigurt. Përveç kësaj, siç tregojnë shifrat e mësipërme, BE-ja kurrë nuk ka arritur të fitojë zemrat dhe simpatitë e qytetarëve të Serbisë.

Fundi i ëndrrës evropiane?

Kur flitet për disponimin e qytetarëve serbë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shpesh përmendet shumica e qetë pro-evropiane, së bashku me faktin se lideri aktual i Partisë Përparimtare Serbe dhe Presidenti i Serbisë arritën të vijnë në pushtet vetëm kur u largua nga Partia Radikale Serbe nacionaliste dhe anti-evropiane dhe pranoi anëtarësimin e Serbisë në BE. Sidoqoftë, është një fakt që sot nuk ka as entuziazëm në mesin e qytetarëve dhe as një konsensus të qartë në shoqëri në lidhje me anëtarësimin.

Situata shkatërruese politike në vitet e fundit nuk premton një angazhim më të madh për t’u anëtarësuar, madje do të thoshim të kundërtën. BE-ja, nga ana e saj, gjithashtu nuk ofron një rrugë të qartë dhe përgjigje ndaj ngërçit aktual të procesit të anëtarësimit, megjithëse është e qartë se asnjë nga vendet nuk do të bëhet anëtare në dhjetë vitet e ardhshme. Situata përshkruhet më së miri nëse parafrazojmë fjalinë e famshme nga fillimi i luftës në ish-Jugosllavi: ata bëjnë sikur duan të na lënë të hymë, kurse ne pretendojmë se duam të hyjmë.

 

Edicioni i tretë i projektit “Histori nga rajoni” zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit (ISK), në bashkëpunim me partnerët tanë nga Shqipëria (IDM), Kroacia (Lupiga), Kosova (Sbunker), Serbia (Ne davimo Beograd), Bosnja dhe Hercegovina (analiziraj.ba), Mali i Zi (PCNEN), Bullgaria (sega.bg), Greqia (Macropolis) dhe Sllovenia (Had).

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.