Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

“Lavdi” e harruar

1.

Lufta Civile Amerikane (1861-1865) mes Unionit (Shteteve të Bashkuara të Amerikës) dhe Konfederatës së Shteteve Amerikane është një nga ngjarjet më shenjuese – në mos më shenjuesja – në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. James McPherson-i, profesor emeritus i historisë në Universitetin e Princeton-it, thoshte se nga kjo luftë u lind kombi modern amerikan. Gjer më 1861 “Shtetet e Bashkuara” ishte emër në shumës; pas vitit 1865 u shndërrua në njëjës. Mark Twain-i i madh shkruante se “kataklizma” e Luftës Civile e farkëtoi aq thellë karakterin e tërësejtë kombëtar sa që influenca e saj s’matet dot vetëm në dy a tri breza.

Lufta Civile filloi për shkak të konfliktit në lidhje me skllavërinë. Në një anë, abolicionistët avokonin për t’i dhënë fund një praktike të atillë çnjerëzore. Në anën tjetër, përkrahësit e skllavërisë, kryesisht nga shtetet e jugut, synonin ta vazhdonin këtë fenomen. Në vitin 1860 Abraham Lincoln-i u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara, si kandidat i Partisë Republikane, e cila promovonte zhbërjen graduale të skllavërisë. Kjo rriti frikën e shtatë shteteve jugore që shpallën pavarësinë dhe krijuan Konfederatën. Lincoln-i, si kundërpërgjigje, urdhëroi shtypjen me dhunë të rebelimit. Pesë shtete të tjera iu bashkuan Konfederatës.

600 mijë gjer në 750 mijë ushtarë vdiqën në dy taboret ndërluftuese. John Huddleston-i vlerëson se vdiqën 10 përqind e burrave veriorë të moshës 20-45 vjeçare, sikundërqë vdiqën 30 përqind e burrave jugorë të moshës 18-40 vjeçare. Rreth 470 mijë ushtarë të të dy kampeve përfunduan si të plagosur, kurse afër 680 mijë syresh nga të dy palët ishin robër lufte, nga ta rreth 62 mijë u vranë si të tillë.

Lufta Civile përfundoi në vitin 1865 me fitoren e unionistëve. Kjo solli lirinë e katër million skllevërve afroamerikanë. Po ashtu, përmes tri amandamenteve u siguruan liritë e tyre njerëzore dhe politike – amandamenti XIII i Kushtetutës e suprimoi skllavërinë, amandamenti XIV ua njohu afroamerikanëve shtetësinë e barabartë dhe amandamenti XV ua njohu të drejtën e votës.

Por, me këtë nuk ka përfunduar problemi racor në ShBA. Ligjet e Jim Crow-it (ligjet segregacioniste që ndanin hapësirat publike për të bardhët dhe për afroamerikanët) që nisën në epokën e Rekonstruksionit (periudha e dhjetëvjeçarit të parë pas Luftës Civile që synonte riintegrimin e 11 ish-shteteve rebele të Konfederatës brenda ShBA-së) dhe tendencat e “Kauzës së humbur” (rrymë ideologjike që synon rehabilitimin e Konfederatës dhe mëton se shtetet jugore luftuan për një kauzë fisnike) vazhduan ta rëndonin problemin racor në ShBA.

Ky problem vazhdoi për kohë të gjatë, por me Lëvizjen e të Drejtave Civile të viteve ’60 të shekullit XX, një shekull pas Luftës Civile, në krye me pastorin Martin Luther King, u arrit një përparim shumë i madh në të drejtat e komunitetit afroamerikan, e cila u formalizua nga Akti i të Drejtave Civile që u nënshkrua nga presidenti Lyndon Johnson në korrik 1964.

2.

Në vitin 1989, regjisori i ri Edward Zwick do ta realizonte filmin e dytë në karrierën e tij. Filmi quhej “Glory” (Lavdi) dhe pati sukses të jashtëzakonshëm. Kjo kryevepër e prek motivin e Luftës Civile Amerikane. Në fakt, prek një histori goxha interesante – historinë e Regjimentit të 54-të të këmbësorisë të Massachusetts-it, i cili ishte një nga regjimentet e para të Unionit që përbëhej prej ushtarësh afroamerikanë. Regjimenti u krijua pas Proklamatës së Emancipimit të nënshkruar nga Presidenti Lincoln në shtator 1862, proklamatë e cila vuri themelet e suprimimit të skllavërisë.

Ndonëse regjimenti përbëhej nga vullnetarë afroamerikanë, ai komandohej nga një kapiten i ri i bardhë, Robert Shaw-i, i cili vetë rridhte nga një familje abolicioniste nga Boston-i, të cilin e luan aktori Matthew Broderick. Në role të tjera kryesore luajnë edhe Morgan Freeman-i (në rolin e John Rawlins-it, një burrë në moshë, i pjekur dhe i urtë, të cilin kapiten Shaw-i e takon së pari në Betejën e famshme të Antietam-it), Denzel Washington-i (në rolin e Trip-it, një një ish-skllav afroamerikan trim, i papërkulshëm dhe kokëfortë) dhe Andre Braugher-i (në rolin e Thomas-it, një mik afroamerikan i kapiten Shaw-it, i cili është tejet i interesuar në lexim librash).

Menjëherë filmi mori vëmendje të filmdashësve dhe u nominua në pesë kategori për Oscar dhe i fitoi tri prej tyre – aktori më i mirë në rol mbështetës, kinematografia më e mirë dhe zërimi më i mirë. Po ashtu, “Glory” u laureua edhe me çmime të tjera prestigjioze kinematografike, përfshirë “Grammy Awards”, “Golden Globe Awards”, “Eddie Awards”, etj. Në vitin 1998 u nominua nga Instituti Amerikan i Filmit për listën prej 100 filmave më të mirë të 100 viteve të fundit.

Filmi rrëfen se si, përmes luftës në mbrojtje të Unionit, afroamerikanët po e fitonin me gjak vendin e tyre të merituar si pjesë e kombit amerikan, rrëfen në mënyrë emocionale çastin kur ata marrin armët dhe gatishmërinë e tyre për të luftuar, rrëfen thyerjen e stereotipeve raciste që afroamerikanët i projektonin si inferiorë për fushëbeteja, rrëfen zamin e kamaraderisë që ngjizet mes ushtarësh në mejdan lufte, përshkruan konfliktet brenda vetë të shtypurve (Trip-i e quante Thomas-in “fluskë bore” duke e pështirosur pasioni i tij për leximin, i cili, sipas tij, ishte atribut i të bardhëve) dhe kapërcimin e tyre (Thomas-i ia shpëton jetën Trip-it dhe e fiton respektin e tij), përshkruan lindjen e elementeve progresiste në mesin e shoqërisë elitare të të bardhëve, sikurse kapiteni Shaw dhe familja e tij, të cilët po jepnin shkëndijat e para të mirëbesimit, respektit dhe angazhimit për lirinë e afroamerikanëve.

Mbi të gjitha, rëndësia e “Glory” qëndron, siç thoshte Joseph Glatthar-i, në nxjerren në dritë të kësaj të vërtete historike të harruar: “qyshse shumica e amerikanëve me gjasë nuk e kanë as idenë që afroamerikanët luftuan në Luftën Civile, madje trimërisht, [ky film] mund të ndihmojë që të ndryshohet perceptimi publik për kontributin e afroamerikanëve në zhvillimin e këtij vendi”.

Ky film rimerr rëndësi tani, shkundet nga pluhuri i harresës, tre decenie më pas, në kohën e gëlimit të lëvizjes “Black Lives Matter” në Shtetet e Bashkuara, si indikator që atje akoma vazhdon sfida e zgjidhjes së problemit të pabarazisë racore.

Megjithëkëtë, kritikët dhe historianët amerikanë e kanë kritikuar filmin për pasaktësi historike në disa episode të filmit dhe për tjetërsim të karakteristikave të vërteta të personalitetit të kapiten Shaw-it, i cili është i vetmi personazh i filmit i bazuar mbi një figurë të vërtetë historike.

3.

Natyrisht, regjisori Edward Zwick – i cili vite më vonë do të realizonte edhe filma të tjerë të arrirë, si “The Last Samurai” ose “Blood Diamond” – përcjell tek shikuesit emocionin dhe atmosferën e Luftës Civile, problemit racor dhe të dinamikave interpersonale të personazheve.

Në vigjilje të filmit, kapiten Shaw-i lexon letrën që ia ka dërguar nënës së tij nga fronti, ku ndër të tjera i thotë “kësaj radhe ne do ta bëjmë një vend të vetëm për të gjithë ata që jetojnë këtu, ashtu që të gjithë të mund të flasin. Ne luftojmë për burrat e gratë, poezia e të cilëve nuk është shkruar akoma.”

Pak para nisjes së regjimentit nga Boston-i, filmi e shfaq përciptazi edhe Frederick Douglass-in e famshëm, një ish-skllav që ishte arratisur nga skllavëria dhe që ishte bërë një nga liderët kryesorë të lëvizjes abolicioniste. Në fakt, ndër kritikat kryesore për filmin “Glory” është që e prek shkarazi këtë figurë të rëndësishme politike të asaj epoke, sikurse që dështon ta përmend faktin që po ashtu dy bijtë e tij kanë qenë ushtarë të Regjimentit të 54-të.

Përkundër që Veriu, e sidomos shteti i Massachusetts-it, kishte shumë abolicionistë, akoma jo të gjithë ishin të gatshëm t’i pranonin afroamerikanët si të barabartë. Mësa Regjimenti i 54-të po grumbullohej në kampin e Readville-it në nëntor 1862, ushtarët e bardhë me shpoti thonin se “më i vyeshëm është një derr se një nigger. Së paku derrin mund ta hash.” Ky dialog mes ushtarëve ndodh njëkohshëm tekqë ushtarët afroamerikanë janë në marshim nën komandën e kapiten Shaw-it. Dy skena brenda pak sekondave. Dy botë të ndryshme. Njëra, e vjetra, që po mekej dhe tjetra, e reja, që po sythonte.

Paçka se Unioni po luftonte t’i jepte fund skllavërisë dhe në radhët e ushtrisë së vet po inkuadronte ushtarë afroamerikanë, kjo nuk nënkuptonte që racizmi dhe paragjykimet nuk ishin akoma tejet të pranishme. Skenat kur vendosin që ushtarëve afroamerikanë t’u jepen paga më të ulëta sesa ushtarëve të bardhë të Unionit ose kur refuzohet t’u jepen këpucë të mira ose madje edhe uniforma e rregullt, “that blue uniform”, transmetojnë një shije të asaj mendësie raciste që ekzistonte edhe në mesin e oficerëve të lartë të Unionit. Por, natyrisht, filmi përshkruan edhe si të gjitha këto fitohen falë insistimit të vetë kapiten Shaw-it, i cili me vetëmohim – gjer në betejën e fundit në kalanë e Wagner-it, e cila është edhe apeksi glorifikues i filmit – u qëndron përkrah ushtarëve të tij.

E vjetra që po meket jep shkelmat e fundit. Gulçojnë grahmat e fundit të prezervimit të asaj ngrehine të vjetër të skllavërisë. Kongresi i Konfederatës kishte nxjerrë proklamatën ku thuhej që secili ushtar negro që kapet nën armë duke luftuar për Unionin do të ekzekutohej menjëherë. Kapiten Shaw-i ua lexon proklamatën ushtarëve të tij, shoqëruar me vendimin e tij që, në shenjë mirëkuptimi, secili ushtar të ishte i lirë gjer të nesërmen ta braktiste regjimentin pa pasur pasoja. Kur zgjohet në mëngjes, ai e pyet ndihmësin e tij, “sa kanë mbetur?” Skena e tjetër e filmit e tregon regjimentin e plotë të rreshtuar gatitu. Asnjëri syresh nuk ka ikur.

Secili prej tyre është i gatshëm të luftojë gjer në vdekje dhe ta pranojë vdekjen me nder para jetës në skllavëri. Skllavërimi fillon në mendjen e skllavit, thoshte Franz Fanon-i. Ushtarët e këtij regjimenti pikërisht aty e fillojnë rrëzimin e ngrehinës së skllavërisë. Duke pushuar së menduari dhe jetuari si skllevër. Një përmbysje par excellence e dialektikës së skllavit dhe zotërisë, siç do të thoshte Hegel-i.

Një nga skenat më domethënëse të filmit është marshimi i Regjimentit të 54-të në shtetin e Georgia-s, një nga shtetet e Konfederatës që tani është kapur nga trupat e Unionit. Ushtarët afroamerikanë po ktheheshin në shtëpitë e tyre. Po ktheheshin në plantacionet ku ishin mbajtur skllevër për vite, për dekada, për shekuj, për jetë të jetëve. Fëmijët vendas afroamerikanë mahniten kur shohin ushtarë afroamerikanë në uniformën e Unionit, në “that blue uniform”. Për më tepër, ata shohin edhe oficerë afroamerikanë – John Rawlins-i, të cilin e luan mrekullueshëm Morgan Freeman-i i madh, ishte emëruar kapter i parë i regjimentit. Duke parë mahnitjen e fëmijëve, ai u afrohet dhe u thotë: “Ne ikëm si skllevër, por po kthehemi si burra luftëtarë.”

Filmi “Glory” është vetëm njëri prej shumë filmave të kinematografisë së Luftës Civile që ka prekur këtë temë. Në një mënyrë a tjetër, shumë prej filmave të Hollywood-it, prej këndesh të ndryshme, rrahin temën e asaj epoke – “The Birth of a Nation” (1915), kryeklasiku “Gone with the Wind” (1939), “The Red Badge of Courage” (1951), “Shenandoah” (1965), “Gettysburg” (1993), “Ride With the Devil” (1998), “Gods and Generals” (2003), “Cold Mountain” (2003), “Lincoln” (2012) dhe lista s’ka fund. Por, “Glory” ngel një nga dramatizimet kult-klasik të këtij zhanri dhe të kësaj tematike. Një nga kritiket më të mëdha amerikane të filmit, Pauline Kael-i, do të shkruante në “The New Yorker” se e ndjen barrën që ka pasur regjisori i këtij filmi për të përmbushur nevojat emocionale që sekuencat e ndryshme të betejave t’i shërbenin narracionit.

Natyrisht, filmi “Glory” është harruar me kalimin e kohës, sikurse është harruar edhe lavdia e ushtarëve afroamerikanë në Luftën Civile. Por, me problemin racor që s’ka pushuar së qeni një problem akut i shoqërisë amerikane, ky film, sikurse vetë Lufta Civile, shërben si rikujtesë e asaj se nga ka ardhur kjo shoqëri dhe, për rrjedhojë, si orientim se nga duhet të shkojë. Një orientim drejt shërimit të një plage të hapur siç është pabarazia racore. Vetë regjisori Edward Zwick do të thoshte se krijoi filmin “për të ofruar modele pozitive dhe për të bërë ç’ishte e mundshme për të kontribuar në shërimin e komunitetit.” Kur ky film pati premierën në Boston, drejtori i Muzeut të Boston-it të Historisë Afroamerikane do të thoshte: “shpresoj që ky film do ta ndihmojë procesin e shërimit!”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.