Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Lenini dhe nëna

Goodbye, Lenin! është filmi satirik i regjisorit gjerman Wolfgang Becker. Christiane Kerner (luajtur nga aktorja Katrin Sass) ishte një komuniste e devotshme dhe një nënë e rreptë. Ajo është e përkushtuar që djali dhe vajza e saj të jenë pionerë të komunizmit. Mirëpo, kur sheh djalin e saj Alexin (luajtur nga Daniel Brühl) në një demonstratë antikomuniste, asaj i bie të fikët dhe përfundimisht bie në koma për afro tetë muaj. Kur Christiane zgjohet nga koma, mjekët i thonë Alexit se çdo ngjarje të ndjeshme ajo mund ta përjetojë keq dhe mund të jetë rrezik për shëndetin e saj, dhe se familja duhet të bëjë shumë përpjekje që ajo mos të shqetësohet. Christiane kishte rënë në koma pak para rënies së Murit të Berlinit. Do të ndodhë bashkimi i Gjermanisë, kurse për nënën e Alexit duket se asgjë nuk kishte ndodhur. Tani e gjithë përpjekja e Alexit do të jetë që të paraqesë para nënës së tij sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe se gjithçka ishte njësoj si dikur. Pra, regjisori Becker, me rënien e Christiane në koma e shpjegon rënien e një sitemi totalitar siç ishte Republika Demokratike e Gjermanisë (DDR). Prandaj, gjendja e kësaj nëne dhe gjendja e Gjermanisë Lindore kanë një të përbashkët: ndryshimin rrënjësor të tyre.

Derisa Christiane është në komë, gjendja e komës për Gjermaninë Lindore kishte përfunduar. Bie Muri i Berlinit, kjo perde e injorancës totalitare, shëmbëlltyra e diktaturës lindore. Gjithçka po ndryshonte me shpejtësi të jashtëzakonshme, përveç gjendjes së nënës së Alexit. Përmes këtij kombinimi satirik, regjisori Becker paraqet shtetin komunist dhe iluzionet e tij infantile në njërën anë dhe historinë e Alexit, i cili pas daljes së nënës nga koma, për hir të dashurisë që ka për të, do t’ia krijojë një botë iluzive sikurse komunizmi që ua kishte krijuar njerëzve në Gjermaninë Lindore dikur. Alexi vendos ta fshehë nga nëna e tij lajmin më të madh të shekullit të 20-të, rënien e Murit të Berlinit, bashkimin e dy Gjermanive, rënien e komunizmit dhe triumfin e kapitalizmit. E mbyllur në dhomën e saj për shkak të gjendjes shëndetësore, Christiane nuk do ta kuptojë se gjithçka jashtë asaj dhome ku ajo rri e shtrirë kishte ndryshuar rrënjësisht dhe përgjithmonë. Ajo do të jetojë në mikrokozmosin e saj komunist të krijuar nga i biri i saj, i cili pavetëdijshëm ishte bërë një kryemanipulator. Që nënës t’i duket gjithçka si dikur, si: festat, ushqimet, orenditë e dhomës, lajmet në TV (Alexi porosit një mik të tij për ta furnizuar me video të raportimeve të vjetra të lajmeve, pra të kohës së komunizmit, të cilat i shikojnë së bashku me nënën, kinse ato transmetime janë drejtpërdrejt. Ai i shtrembëron dhe i sajon mediat e lajmeve. Për hir të dashurisë që ka për nënën e tij, ai pandershmërisht, ngjashëm, sikurse vetë regjimi i vjetër, i obligon njerëzit e rrethit të që të sillen panatyrshëm vetëm e vetëm që të mos i përkeqësohet shëndeti nënës së tij. Pak a shumë, këtë metodologji e ndiqte edhe shteti totalitar komunist dikur. Sikurse diktatorët komunistë, edhe Alexi ishte bërë udhëheqës neurotik, manipulator, kontrollues dhe e gjithë kjo në emër të dashurisë.

I gjithë ku kamuflim, e gjithë kjo shtirje që ndodh në atë dhomë, e përshkruan realitetin komunist që kishte sunduar dikur. Sikurse Aleksi që kishte krijuar një botë hiper-reale për nënën e tij, ashtu edhe komunizmi dikur përmes propagandës dhe manipulimit kishte krijuar një botë të tillë, hiper-reale. Me këtë regjisori Becker tregon se si Alexi rikrijon në mënyrë efektive një minishtet totalitar, e që është dhoma e gjumit e nënës së tij dhe përmes këtij ilustrimi na rikujton se sa lehtë mund të biem pre e manipulimit dhe propagandës, sidomos në emër të një kauze humane.

Emrat e markave të urryera të kapitalizmit mbijnë sikur kërpudhat kudo nëpër rrugë. Vajza e Christiane, Ariane (luajtur nga Maria Simon) që dikur ndiqte një kurs që kishte të bënte me politikën, tani është punëtore e kompanisë Burger King. Pra, çdo produkt i kapitalizmit përmban etiketën e Gjermanisë komuniste që tanimë nuk ekziston. Kur Christiane vëren aksidentalisht një pllakatë gjigante me mbishkrimin Coca-Cola, tmerrohet, mirëpo, aty është Alex i cili ia sqaron asaj se në të vërtetë Coca-Cola është një shpikje e Gjermanisë Lindore, por që Perëndimi mashtrues ia kishte vjedhur patentën dhe se tanimë e kishin rikthyer. Madje edhe rënien e Murit të Berlinit ai nënës së tij të ‘sëmurë’ ia interpreton sikur, për shkak të kapitalizmit të egër, eksploatues dhe johuman, njerëzit po ikin për në Gjermaninë Lindore për një jetë më të mirë. Dhe po, e kemi të njohur këtë lloj propagande që komunizmi ushtronte, duke ua paraqitur njerëzve një jetë aq të begatë, aq sa shumëkush edhe e besonte verbërisht (kemi rastin e shqiptarëve të Kosovës, të cilët për vite rresht, deri në rënien e komunizmit, kishin besuar se Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës ishte parajsa e krijuar në tokë). Atëbotë popuj të tërë u manipuluan nga propaganda komuniste ku në emër të një bote më të mirë kishin përfunduar në shtypje dhe mizori të tmerrshme. Ajo që proklamohej si parajsë, u pa se nuk ishte asgjë tjetër vetëm se një makinë vrastare masive.

Pra, regjisori Wolfgang Becker nëpërmes ndryshimit të gjendjes së nënës së Alexit dhe të Gjermanisë Lindore na e paraqet pervertimin e njeriut, i cili në emër të dashurisë, të mbrojtjes i deprivon të tjerët nga liria. Këtu na nxjerr në pah lehtësinë e padurueshme të manipulimit dhe sesi pastaj krijohet një mekanizëm kontrolli që dikur na bën të varur prej tij. Prandaj, ballafaqimi i nënës së Alexit me kokën gjigante prej bronzit të Leninit, e cila tërhiqet nga një helikopter, është momenti i parë traumatik. Gjithçka që dikur ajo kishte besuar dhe e kishte marrë për të mirëqenë, rrënohet në atë çast. Po ashtu, në atë çast rrënohet edhe bota të cilën i biri i saj ia kishte krijuar pasi ajo kishte dalë nga koma. Skizofrenia e komunizmit dhe skizofrenia e të birit në këtë rast ngjajnë në një pikë, në kontrollin e tjetrit. Filmi Goodbye, Lenin! është shpërfaqja e një ideologjie skizofrenike, e cila për të mbijetuar me çdo kusht, kishte zvetnuar njeriun deri në robotizim.

Author

  • Dritan Dragusha

    Dritan Dragusha është i diplomuar në filozofi, në Universitetin e Prishtinës. Dritani është i fokusuar në teori të kulturës dhe gjithashtu në letërsi, kinema dhe muzikë. Po ashtu, merret edhe me gazetari. Është kolumnist i rregullt në platformën online "sbunker.net". Ka qenë edhe mësimdhënës i filozofisë dhe etikës në "The British School Kosova". Bashkautor në projektin kulturor televiziv "Filozofema", në Radio Televizionin e Kosovës. Aktualisht Dritani është autor dhe moderator i emisionit "Prizma", në televizionin T7.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.