Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Letër nga Zagrebi: para përmbytjes apo pas stuhisë?

Original article.

Si sfond për tekstin e mëposhtëm, në vitet 1989-1990, kam pasë fituar një bursë akademike në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Zagrebit për të kryer kërkime mbi “zhvillimin e biznesit të vogël të sektorit privat në një ekonomi socialiste”, si pjesë e planit tim të doktoraturës mbi “novacionin politik në zbatimin e politikave në Jugosllavinë socialiste”. Doli se ‘risia politike’ që po ndodhte në Kroaci atë vit ishte shumë më domethënëse sesa formula për reformën ekonomike ‘jashtë kutisë’ që po ndodhte në Kroaci dhe Jugosllavi në atë kohë.

Përderisa bëja kërkimet e mia mbi bizneset fillestare të sektorit privat, shoqatat e biznesmenëve të vegjël dhe të ngjashme, iu ktheva plotësisht transformimeve politike që po ndodhnin atëherë në Kroaci. Kam marrë pjesë në mbledhjet e rregullta të Shoqatës për Nismën Demokratike Jugosllave dhe kam bashkëpunuar në projekte kërkimore me shkencëtarët politikë që mendojnë përpara që mbështesin Sekretarin e sapozgjedhur të Lidhjes Kroate të Komunistëve, Ivica Raçan. Kam parë nga afër në televizor Kongresin e 13-të të Jashtëzakonshëm të Partisë të ndërprerë në fillim të vitit 1990, që përfundoi me daljen e delegacioneve të partisë sllovene dhe kroate nga Kongresi. Dhe vura re se si një numër i madh emigrantësh politikë filluan të kthehen në Kroaci për herë të parë pas shumë vitesh. Menjëherë pas kësaj, zgjedhjet u caktuan në Kroaci për prill 1990, menjëherë pas zgjedhjeve në Slloveni, dhe zgjedhjet paraprirëse në republikat e tjera jugosllave gjatë gjithë vitit. Nuk ishte plotësisht e qartë në atë kohë, por ky ishte një nga aktet e hershme të shpërbërjes së Jugosllavisë.

Më 1 qershor 1990, i shkrova mikut tim të ngushtë dhe historianit amerikan, profesorit Lawson Bowling nga Kolegji Manhattanville në Purchase, NY, në apartamentin tim jashtë Ilicës, një ndalesë tramvaji përpara Sheshit të Revolucionit Francez. E shkrova në stilin e artikujve që kisha botuar në të përditshmen “Start” të Zagrebit për një sërë çështjesh gjatë gjithë vitit, dhe gjithashtu i dërgova një kopje kolegut tim, historianit të Universitetit të Yale, profesorit Ivo Banac si një dëshmi okulare në epokën para internetit dhe mediave sociale. Nuk e kam ndryshuar që kur është shkruar për herë të parë në vitin 1990.

Dje, Zagrebi qe dëshmitar i inaugurimit të qeverisë së parë kroate të zgjedhur në zgjedhjet shumëpartiake që nga Lufta e Dytë Botërore. Kjo ngjarje është më shumë sesa thjesht rezultat i zgjedhjeve të thjeshta lokale, pasi vetë zgjedhjet ishin raundi i dytë në atë që ka shumë të ngjarë të jenë zgjedhje në të gjashtë republikat dhe që do të kulmojnë me zgjedhjet federale në fillim të vitit 1991. Në versionin aktual jugosllav të pluralizmit të jetës politike, kjo ngjarje mund të merret si një lloj treguesi i gjërave që do të vijnë. Dhe, si gjetiu në atë që dikur e quajtëm çuditërisht “bota komuniste”, komunistët janë përzënë nga detyra.

Qeveria u formua nga HDZ-ja [Bashkimi Demokratik Kroat], një parti nacionaliste nga e cila intelektualët më të “respektuar” mbetën margjinave. HDZ-ja fitoi afërisht 63% të vendeve në tri dhomat e parlamentit. Morën veç rreth 42% të votave. Si ndodhi kjo? Përveç kandidatëve të pavarur dhe një koalicioni të vogël të gjelbër, në garë ishin edhe dy grupe të tjera të financuara relativisht mirë dhe shumë të njohura. I pari ishte “Koalicioni i Pajtimit Kombëtar”. Ishte i përbërë nga një gamë ideologjikisht e gjerë partish, nga socialdemokratët e majtë të moderuar te Partia Demokratike Kroate e krahut të djathtë e nacionaliste, e kryesuar nga “personalitete jopartiake” dhe ish-udhëheqësit kroatë Miko Tripalo dhe Savka Dapcevic Kucar, të dy të dëbuar pas “Pranverës Kroate” nacionaliste të vitit 1971. Veç kësaj, Lidhja e Komunistëve, që tashti e quan veten “Partia e Ndryshimeve Demokratike”, drejtohej nga një grup reformatorësh që kishin iniciuar zyrtarisht të gjithë procesin e pluralizmit politik në kongresin e 11-të, të mbajtur në dhjetor, gati dy vjet pasi shoqatat e pavarura politike u shfaqën për herë të parë në skenë.

Ndërkohë që Partia u detyrua të vepronte sipas protokollit të saj, Koalicioni e portretizoi veten si një alternativë e sofistikuar antikomuniste. HDZ-ja (shumë nga liderët e së cilës janë gjithashtu ish-komunistë dhe ish-partizanë të Luftës së Dytë Botërore), vërtet më shumë një lëvizje sesa parti, nga njerëzit e zakonshëm, nëse jo nga intelektualët, u pa si një alternativë shumë më serioze – sesa mund të ishte Koalicioni – kundrejt “Komunizmit”. Njerëzit votuan për ta si për ta kundërshtuar sundimin shpesh arbitrar dhe korrupsionin e Partisë Komuniste përgjatë 45 vjetëve të fundit. Sikundër Lenini apo Tito para tyre, liderët nga HDZ-ja dhe Koalicioni kaluan kohë në burg. Për fat të keq, në fund të shekullit XX, një dënim me burg shihet si një hap i rëndësishëm në një karrierë politike në Europën Lindore, si një simbol i virtytit moral në një botë politike të ndotur nga korrupsioni e kompromisi.

Populli kroat gjithashtu votoi për një afirmim të identitetit kombëtar kroat. Shpesh kam dëgjuar nga njerëzit to thonë se “ne s’kemi qenë në gjendje të krenohemi që jemi kroatë që nga lufta. Tashti nuk duhet të kemi më turp”. Në mendjet e tyre, kroatët janë përsëri sovranë dhe zotërues të fatit të tyre kolektiv. Ata votuan gjithashtu për një afirmim të identitetit fetar. Pozicioni i fortë “pro jetës” i HDZ-së ishte i mirënjohur dhe kishtarët anembanë Kroacisë i dhanë mbështetje të fortë partisë në një mënyrë të heshtur, megjithëqë zyrtarisht mbetën neutralë. Fituesit do ta kthejnë favorin, natyrisht. Në inaugurimin e një qeverie lokale të porsazgjedhur, presidenti i Këshillit të Qarkut vendosi ndërtimin e një kishe të re në krye të agjendës politike të administratës së tij. “Për 45 vjet – tha ai duke e ekzagjeruar paksa – nuk na është lejuar të shkojmë në kishë. Synojmë ta ndreqim këtë situatë për së mbari.” Fitorja e HDZ-së ishte fitore për Zotin dhe vendin.

Pse ngjau një humbje kaq dërmuese e Komunistëve, veçanërisht kur ata përcaktuan vetë rregullat e lojës elektorale? Partia, jo vetëm që zgjodhi arbitrarisht datën e zgjedhjeve, por ekspertët e saj shkruan edhe ligjin zgjedhor. Atëherë, pse ai hendek midis votave të fituara nga HDZ-ja dhe përqindjes së saj të vendeve në parlament? Këtu, gjenitë në Parti u zhgënjyen: avokatët e tyre mendonin se duke qenë se Partia ishte më e organizuar se çdo grup i porsaformuar, do të fitonte një shumicë të konsiderueshme parlamentare duke fituar me shumicë votash. Sikundër më thanë njerëzit që qëndronin pas fushatës elektorale të Partisë, “ne jemi ndryshe nga Partia gjetkë në Europën Lindore. Ne erdhëm në pushtet me një revolucion popullor dhe vazhdojmë të gëzojmë më shumë mbështetje sesa partitë gjetkë.” Tekefundit – shtuan ata – ne morëm iniciativën për krijimin e pluralizmit politik”. Ata gabimisht menduan që zgjedhjet shumëpartiake do të mund të ishin një plebishit që thjesht do të legjitimonte udhëheqjen e tyre të re e të reformuar. Kësisoj, ligji zgjedhor kroat kërkonte një sistem mazhoritar dhe jo një sistem proporcional në të gjitha dhomat e parlamentit. Nëse asnjë parti nuk do të kishte një shumicë të plotë në raundin e parë të votimit, të gjithë kandidatët me më shumë se 7% në raundin e parë do të garonin përsëri. Do të fitonte pastaj kandidati me më shumë vota në raundin e dytë. Ashtu si në sistemin e Anglisë të votimit të një zone të vetme, partitë që fitojnë një përqindje të konsiderueshme të votave mund të jenë të nënpërfaqësuara.

Në këtë lojë me tri rrugë, Koalicioni ishte delja e zezë dhe humbi rëndë. Miko dhe Savka qanë në mitingjet me besnikët në kujtim të “Pranverës Kroate” të 19 vjetëve më parë, por kurrkush nuk donte të votonte për humbësit që dikur ishin ish-komunistë të dalluar dhe njerëz të preferuar të Titos. Nga ana tjetër, HDZ-ja e kapi momentin dhe fitoi bindshëm. Ishte gjithashtu më e organizuar sesa Partia. 45 vjetët në pushtet e kishin bërë “Partinë e Ndryshimit Demokratik” më shumë se të vetëkënaqur dhe burokracia e saj e madhe u tregua po aq joefikase në fushatën e saj sa ç’ishte dhe në jetën e përditshme. Më kanë rënë në veshë llafet për afishet që s’janë ngjitur kund dhe kutitë postare të zbrazëta. Kam parë se si qëndrimet e HDZ-së në sheshin kryesor të Republikës në Zagreb mendoheshin më herët dhe më gjatë sesa ato të Partisë. Në tubimet e HDZ-së vura re një pasion që mungonte krejtësisht në ato punët dinjitoze të sponsorizuara nga Partia dhe Koalicioni. Me pak fjalë, njerëzit e HDZ-së ishin më të uritur sesa ata të Partisë; dhe, më e rëndësishmja, ata ishin më të përkushtuar ndaj kauzës së tyre. Partia u reduktua në piknikë të reklamuar nëpër radiostacione me sugjerime që njerëzit të sillnin ushqimin e tyre ose ta blinin atje, sepse “tashti ka demokraci dhe ju mund të zgjidhni vetë”, sikur të donin t’u tregonin njerëzve se sa pak mundësi zgjedhjeje kanë pasur në 45 vjetët e kaluar. Partia madje organizoi një disko në ndërtesën e Komitetit Qendror midis dy raundeve të votimit, një mënyrë tjetër kjo për t’i lënë njerëzit të shihnin se sa mirë e përcaktuar ishte partia për krejt këta vjet. Në fund, natyrisht, shumë anëtarë të partisë votuan ose për HDZ-në, ose për Koalicionin: ata s’u panë rrotull as për funeral!

Që nga zgjedhjet, HDZ-ja ka lëvizur krejt profesionalisht dhe pothuajse shkëlqyeshëm, si presidenti Reagan më 1980. Pasi tërhoqën ndjekësit e tyre të djathtë me një thirrje të fuqishme kombëtare dhe fetare kroate, ata kanë lëvizur në drejtimin që t’i bindin të gjithë të tjerët se nuk janë fare të çmendur dhe që atëherë kanë arritur në Qendër. Fillimisht asnjë nga miqtë e mi nuk e mbështetën HDZ-në: intelektualët më të spikatur ishin të lidhur ose me Partinë, ose me Koalicionin. Intelektualët “lumpenë” iu bashkuan HDZ-së. Megjithëkëtë, që nga fitorja e HDZ-së, njerëzit që njoh dhe që ishin të lidhur me Koalicionin, kanë vendosur t’i bashkohen qeverisë së HDZ-së në forma të ndryshme. Për më tepër, HDZ-ja po merr këshilla të vyera nga Partitë Konservatore Britanike dhe Partia Republikane për një sërë çështjesh, si marrëdhëniet me publikun dhe të ngjashme. Franjo Tudjman, kreu i HDZ-së dhe tani presidenti i Kroacisë, shkoi përtej bazës së vet kombëtare dhe i ofroi pozitën e zëvendëspresidentit Jovan Raskovic-it, kreut të Partisë Demokratike Serbe në Kroaci. Për një sërë arsyesh, Raskovic e refuzoi dhe gjithashtu mban një distancë të ftohtë karshi HDZ-së. Megjithatë, në fund, HDZ-ja me gjasë do të përfundojë aty ku e sheh veten: si një parti e qendrës së djathtë përgjatë vijave të CDU-së së Kohl-it në Gjermani, apo konservatorëve të Thatcher-it. Sidoqoftë, përpara se Tudjman të mund të quhet i suksesshëm, para vetes ka një rrugë të gjatë për ta bërë. Partia e tij përballet me një sërë problematikash të rëndësishme (pra ekonomike) dhe procedurale (pra kushtetuese): shkalla e sovranitetit kroat brenda (kon)federatës jugosllave; ulja e prodhimit më 1990 krahasuar me atë të vitit 1989; papunësia në nivelin e një krize potenciale – pra veç tri problematikat e para në listën time. Vërtet, vitet e ardhshme nuk premtojmë të jenë tmerrësisht të lumtura, as në Kroaci, as në Jugosllavi.

Kjo është arsyeja pse ritualet që shënojnë inaugurimin e qeverisë së HDZ-së, të cilësuara si “festimi i shtetësisë kroate”, ishin kaq interesante. Ato të japin një ide të botës së imagjinuar nga qeveria e porsazgjedhur. Udhëheqësit dhe mbështetësit e HDZ-së u panë pakëz të shqetësuar që të pranishëm nuk ishin as kleri ortodoks serb dhe as politikanët serbë, që kohët e fundit takuan. Nga ana tjetër, kleri katolik kroat, kleri mysliman dhe udhëheqësi i komunitetit hebre kroat, dhanë miratimin e tyre zyrtar për ngjarjen në fjalë. Sipas modës klasike kroate, anëtarët e Partisë morën pjesë, por nuk festuan.

Televizioni i Zagrebit dukej se kopjoi raportimet amerikane për ngjarjet e këtilla. Mbulonte nga fillimi gjer në fund hapjen e parlamentit. Tudjman, që ka titullin doktor në histori, përvijoi historinë e Kroacisë që nga kohët mesjetare e deri në ditët e sotme, dhe konturoi në vija të trasha qëllimet themelore të qeverisë së re të HDZ-së. Posi Stalini, ai është një figurë karizmatike që nuk shquhet se flet shumë mirë; kësisoj, gjatë gjithë ditës, turmat bërtisnin kudo Fran-jo! Fran-jo! Fran-jo!, ndërkohë që prisnin t’u drejtohej edhe shikimi më i shkurtër. Stjepan Mesic, kryeministri i ri i Kroacisë, e përshkroi programin e tij në një mënyrë shumë më të detajuar, me synimin për ta ndalur përkeqësimin e situatës ekonomike në Kroaci, dhe për të përshpejtuar reformat ekonomike, si dhe për të zgjidhur “pyetjet ende pa përgjigje” lidhur me pozicionin e Kroacisë brenda federatës jugosllave. Mbulimi televiziv ishte i mbushur me intervista të përfaqësuesve të porsazgjedhur dhe të njerëzve në rrugë që erdhën nga Munihu, Detroiti dhe Sidnei për kënaqësinë e tyre. Sikundër parashikohej, të gjithë vlerësuan qeverinë e re, “lirinë e posafituar” dhe motin e mrekullueshëm, ndërkohë që u treguan disi më të rezervuar në diskutimin e çështjeve urgjente ekonomike dhe detyrave esenciale që kishin përpara.

Pas të gjitha fjalimeve, emërimeve dhe përzgjedhjeve të nëpunësve, krerët e rinj të qeverisë marshuan solemnisht në Sheshin e Republikës, të quajtur më parë si Sheshi i Jellacic-it, sipas një guvernatori kombëtar kroat të shekullit XIX, ku me valle, këngë e fjalime tradicionale u festua rilindja e sovranitetit të shtetit kroat. Festimet në të gjithë Zagrebin, që kishin nisur në mesditë, nuk u sosën deri në orët e vona të natës, me krerët e qeverisë së re së paraqiteshin vazhdimisht njëri pas tjetrit nëpër gjithë qytetin. Kam dëgjuar herë pas here këto fjalë nga njerëz që identifikohen fuqishëm si kroatë: “ishte një ceremoni krejt demokratike, me standarde europiane”. Festa do të vazhdonte gjatë gjithë fundjavës, duke u shënuar me një sërë aktivitetesh të sponsorizuara nga qeveritë lokale të porsazgjedhura të HDZ-së. Në gjithë atë surrealizëm të momentit, sidoqoftë, nuk është fare e qartë nëse fituesit po e festojnë fillimin e një epoke të re dhe të lumtur, apo preludin e kohërave të moçme vërtet të vështira. A gjendet Kroacia pas stuhisë, apo para përmbytjes?

Në të nesërmen e ekstazës së ditës së djeshme, mbetet ende një ndjesi e fuqishme për të vendosur sërishmi në shesh emrin dhe statujën e Josip Jellacic-it, si një thirrje përfundimtare e shtetësisë kroate. Kësisoj, ndërkohë që Kroacia hyn në shekullin XXI, qeveria e saj e re po lëviz për të rifituar simbolet e shekullit të saj të XIX. Për fat të keq, simbolet nuk do të mjaftojnë. Testi i vërtetë e qeverisë së re do të jetë se si do t’i trajtojë çështjet e reformës ekonomike dhe ngërçin kushtetues, që mundojnë të gjithë federatën jugosllave. Do të ketë një shfaqje interesante. Rrini me ne.

Mark Baskin, Zagreb, 1 Qershor 1990

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.