Synimi primar i partive politike është marrja dhe mbajtja e pushtetit. Me këtë realizohet kontrolli i shpërndarjes së të mirave publike, andaj roli i tyre në demokratizimin e përgjithshëm të shoqërisë padyshim se është thelbësor. Në aspektin e finacimit të partive politike duhet theksuar problemin e mungesës së transparencës dhe të llogaridhënies së të dhënave financiare të partive politike, gjegjësisht mungesën e përputhshmërisë së shpenzimeve sidomos gjatë fushatave parazgjedhore në një anë si dhe të pasqyrave financiare në anën tjetër. Po ashtu, duhet përmendur edhe mungesën e mbikëqyrjes së financave të partive politike nga të gjitha institucionet publike kompetente si Kuvendi i Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – Zyra për Regjistrimin e Partive Politike. Nevojë urgjente mbetet rregullimi i çështjes së auditimit të pasqyrave financiare vjetore dhe të shpenzimeve gjatë zgjedhjeve të partive politike.
Problem tjeter që ka të bëjë me finacimin e partive politike mbetet mungesa e transparencës së pasqyrave financiare të partive politike si dhe mungesa e mekanizmave të mirëfilltë të mbikëqyrjes së shpenzimeve gjatë fushatave zgjedhore. Në përgjithësi, Raportet e Progresit të BE-së për Kosovën theksojnë se pasqyrat financiare të partive politike nuk shfaqin të dhëna të plota të aktiviteteve financiare vjetore të partive politike. Sipas këtyre raporteve, duket sheshazi se nga pasqyrat e audituara vjetore financiare nuk mund të nxirren përfundime të plota dhe të sakta mbi qarkullimet financiare vjetore të partive politike.
Ndryshimet ligjore që u bënë me Ligjin nr.04/L-212 për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, me anë të të cilit kompetenca e përzgjedhjes së auditorëve për auditimin e pasqyrave financiare të partive politike u bart nga KQZ-ja te Kuvendi i Kosovës, bëri që pasqyrat financiare të partive politike të mbesin të paaudituara për pesë vite me radhë. Ato më pas u audituan por auditimi u bë bashkë për pese vite dhe një auditim i tillë e ka pasur pothuajse të pamundur të evidentojë shkeljet potenciale.
Financimi i partive politike
Dy burimet kryesore të financave të partive politike vijnë nga buxheti publik dhe nga donatorë të jashtëm, pastaj në formë të parave të gatshme ose në atë të kontributeve në mallra dhe shërbime. Në këtë mes, dy subjektet politike (PDK dhe Vetëvendosje!) kanë natyrë të përafërt të financimit, pra për të dyja partitë burimet kryesore të financave vijnë nga buxheti i shtetit dhe nga donatorë të ndryshëm që në të njëjtën kohë janë edhe përfituesit kryesorë të miliona eurove nga buxheti publik. Partia Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje! deklarojnë të hyra të jashtme nga persona fizikë, duke mos përjashtuar as bizneset private si financues të tyre në vlera shumë më të larta se sa subjektet e tjera politike. Vlera totale e tenderëve të fituar nga financuesit e LVV-së është 59,701,559 euro, përderisa financuesit e PDK-së kanë marrë gjithsej 162,517,080 euro.
Në bazë të dokumenteve zyrtare e njëjta gjë nuk ka ndodhur me tri partitë e tjera (LDK, AKR, dhe AAK), edhe pse për një kohë të gjatë këto parti ishin dhe janë në pushtet. Në këtë rrafsh, të dhënat tregojnë se financuesit e LDK-së në veçanti kanë përfituar më së paku nga tenderët publikë. Rast konkret për këtë është Komuna e Prishtinës, e cila edhe pse për disa mandate ishte udhëhequr nga LDK-ja, mbi 13 milionë euro nga tenderët publikë ua kishte dhënë kompanive të cilat e kishin financuar PDK-në. Të dhënat tregojnë se financuesit e LDK-së kanë marrë 419,631 euro nga tenderët publikë, ata të AAK- së 9,767,240 euro, përderisa ata të AKR-së 3,089,817 euro. LDK-ja dhe AAK-ja e deklarojnë pjesën më të madhe të të hyrave si të hyra nga buxheti, por edhe në rastet kur deklarojnë të hyra si donacione shumica prej tyre janë emra të anëtarëve të këtij subjekti pollitik. Një natyrë krejt tjetër të financimit e ka AKR-ja, e cila në zgjedhjet e fundit nuk arriti ta kalojë as pragun. Me plot shkelje ligji këtë parti e kanë financuar familjarë të kryetarit të kësaj partie, Behgjet Pacollit.
Zbatimi i ligjit për financimin e partive politike
Deri në mesin e vitit 2013, legjislacioni që rregullon financimin e partive politike nuk ka përmbajtur asnjë dispozitë që rregullon financimin e partive politike nga bizneset të cilat në të njëjtën kohë ofrojnë edhe shërbime apo mallra për institucionet publike. Edhe pse u ndryshua disa herë, Ligji për Financimin e Subjekteve Politike nuk adreson në mënyrë të qartë marrëdhënien ndërmjet financimit të partive politike nga subjekteve afariste që në të njëjtën kohë ofrojnë edhe shërbime apo mallra për institucionet publike. Partive politike u kërkohet me ligj përpilimi i një liste të veçantë të të gjithë donatorëve që ofrojnë shërbime apo mallra për institucionet publike, por sipas raporteve të auditimit partitë nuk e përfillin një kërkesë të tillë.
Megjithëse u punua për plotësimin e kornizës ligjore për financimin e partive politike, Ligji në fjalë dhe rregullat e KQZ-së dështojnë të adresojnë një mori çështjesh që prekin transparencën e financave të partive politike. Ligji, në mes tjerash, në asnjë nga nenet e tij nuk adresonte shprehimisht çështjen e transparencës së donacioneve apo kontributeve të tjera që marrin individët brenda partive politike që garojnë për deputet apo asambleist gjatë fushatave zgjedhore. Ligji i obligon vetëm partitë politike të deklarojnë pranimin e kontributeve por nuk u bën një kërkesë të tillë edhe kandidatëve që garojnë për deputet. Po ashtu, kuy Ligj parasheh masa shumë të buta ndëshkimore për partitë politike në rast se ato nuk u përmbahet kërkesave ligjore. Këto masa të buta në fakt kanë bërë që partitë politike në vazhdimësi të shkelin normat ligjore në fuqi.
Ndryshimet e nevojshme
Megjithëse financimi i partive politike u rregullua me Ligjin e vitit 2010, i cili u ndryshuar dhe u plotësuar në vitin 2012 dhe 2013, dhe përsëri është në proces të ndryshimit (projektligji gjendet ne Kuvendin e Kosovës), ekzistojnë shumë probleme dhe zbrazëtira juridike që po e bëjnë Ligjin në fjalë të pazbatueshëm dhe të pasuksesshëm karshi rregullimit të financimit të partive politike. Hulumtimet e organizatës Çohu! nxjerrin në pah mungesën e theksuar të dispozitave ligjore që e rregullojnë finacimin e partive politike, në veçanti kur bëhet fjalë për:
– Financimin e partive politike nga bizneset private;
– Mungesën e auditimit të financave të subjekteve politike;
– Mosdeklarimin e pasqyrave financiare të secilit kandidat veç e veç;
– Mundësinë e publikimit të raporteve financiare para se të bëhet auditimi i tyre;
– Shpërndarjen e pabarabartë e mjeteve financiare brenda subjektit politik, sidomos për kandidatet.
Reforma e nevojshme zgjedhore duhet t’i adresojë me prioritet këto çështje:
– Mbikëqyrja e financimit të subjekteve politike nga bizneset private përmes shtimit të kontrollit gjatë procedurave të tenderimit;
– Auditimi i i subjekteve politike të adresohet dhe të mos mbesin të paaudituara pasqyrat financiare të partive politike. Kjo duhet të bëhet ose përmes Zyrës Kombëtare të Auditimit, ose përmes KQZ-së, gjegjësisht Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike, por duke krijuar një njësi të veçantë e cila merret me mbikqyrjen e shtuar të financave të partive politike;
– Njohja ligjore e kandidatëve si shpenzues individualë gjatë fushtave, e jo vetëm si subjekt politik në përgjithësi, sepse ka kandidatë të cilët shpenzojnë sa gjysma e tërë subjektit;
– Publikimi i raporteve financiare të subjekteve politike para se të bëhet auditimi i tyre, pasi që për shkak të vonesave të auditimit publikimi i këtyre raporteve pas një kohe të gjatë ndikon në uljen e interesimit dhe efikasitetit të këtyre raporteve;
– Krijimi sa më i shpejtë i kornizës ligjore për financimin e partive politike, meqenëse deri më tani asnjë legjislaturë nuk i ka kushtuar rëndësinë e duhur kësaj çështjeje;
– Shpërndarja e barabartë e mjeteve financiare ndërmjet kandidatëve të një partie politike, e sidomos ndërmjet kandidatëve dhe kandidateve.
—-
Ky shkrim mbështetet nga D4D, si pjesë e projektit ‘Avancimi i proceseve demokratike’ financuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës.