Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ligji kundër eksploatimit: Një njeri, një punë

Kabineti i ri qeveritar duhet të ndërhyjë urgjentisht në politikat e punës. Dinamikat shqetësuese sociale të Kosovës e kanë bërë interes primar publik që të shtyhet përpara një ligj sipas të cilit një njeri do të mund të kishte të drejtë vetëm për një vend pune me pagesë. Përveç kësaj, qeveria duhet të angazhohet në krijimin e vendeve të reja të punës përmes projekteve publike dhe rritjen e barazisë së përgjithshme në rroga.

Kosova është vend i përshtatshëm për klasën më të pasur të shoqërisë, që është në masë të madhe eksploatuese e taksave publike, por i vështirë për shumicën dërmuese të popullatës.

Tabela e mëposhtme tregon se afër 60% e të gjitha të ardhurave nga vendet e punës në Kosovë i shkojnë 20%-shit më të pasur të popullatës (shtylla e mesme).

Ndërsa të ardhurat e kësaj klase rriten, për gjysmën më të varfër të shoqërisë (50%, shtylla e majtë) bien, nga 8.6% në vitin 2007 në 6.4% në vitin 2015. Domethënë, 50% e shoqërisë, gjysma më e pasur, merr më shumë se 90% të të gjitha të ardhurave nga puna.

Në bllogjet e kaluara në Destrata është përshkruar se pabarazia dhe varfëria relative në të ardhurat e përgjithshme janë në rritje; pra se dallimet shoqërore janë duke u keqësuar.

Ndikimi i të ardhurave nga puna në ulje të pabarazisë është ngritur për 12.5 pikë të përqindjes në krahasim me ndikimin e burimeve tjera të të hyrave si kapitali, remitancat, transferet etj. Ky është lajmi tjetër i keq për gjysmën më të varfër të shoqërisë sepse tregon se politikat e taksave dhe të transfereve sociale, nga të cilat mund të përfitojë, nuk përcjellin gjendjen shoqërore dhe janë të ulëta. Por e njëjta shifër gjithashtu tregon se, si gjithkund, çdo ndërhyrje ambicioze nga pikëpamja e barazisë duhet të nisë nga puna si burimi kryesor.

Të hyrat familjare nga rrogat sipas klasës shoqërore dhe ndikimi i tyre në uljen e pabarazisë

Të gjitha të dhënat janë shprehur në përqindje. Kalkulime vetanake, bazuar në të dhënat bazë nga anketat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Dallimet e prezantuara në tabelë janë të ndjeshme duke pasur parasysh se një pjesë e madhe e të ardhurave paguhen nga taksat publike si vende pune në sektorin shtetëror ose financohen indirekt nga projektet publike. Meqë taksa më e rëndësishme është TVSH-ja, kjo dmth. se shteti merr nga të gjithë dhe financon klasën e pasur. Pjesa tjetër e këtyre punëve krijohen nga tregu ose financohen nga taksat publike ndërkombëtare (sektori i shoqërisë civile).                                                      

Prandaj, qeveria e re e Kosovës duhet urgjentisht të ndërhyjë në politikat e punës përmes një ligji që është sot interes primar publik për të balancuar dallimet shoqërore. Ky ligj, i përshtatur për kontekstin e Kosovës, së paku për një periudhë të përkohshme do të duhej të instalonte së pari formulën: një person, një vend pune.  

Kjo politikë është e nevojshme, sepse nëse vizitohen deklaratat e pasurisë së zyrtarëve publikë, shpesh mund të hasen burime të shumëfishta të të hyrave për një person, si:

– Nga paga si deputet, nga biznesi privat (psh.universiteti), dhe nga pensioni i moshës i paguar përmes taksave publike.

– Nga paga në burokraci, nga mëditjet publike (psh. duke qenë pjesë e një numri komisionesh burokratike), dhe biznesi privat.

Në kushtet e Kosovës, koncentrimi i këtillë i burimeve të të ardhurave gjerësisht përbën qasje të pastër ekstraktuese nga ana e elitës dhe klasës më të pasur.

Gjithashtu, pushteti politik përdoret për të shpërndarë këto burime tek anëtarët e familjes. Në vitin 2016, afër 110 mijë persona më shumë kanë bërë kursime pensionale (dmth. kanë punuar) në krahasim me vitin 2007 (204,008). Por, kjo rritje e punësimit, siç u tregua më lartë, nuk është përkthyer në forcim të pozitës relative të gjysmës së shoqërisë, përkundër se numri i të punësuarve dhe shuma absolute e të hyrave mund të jetë ngritur.

Me politikën një vend pune – një person, qeveria do të ndikonte në burimin kryesor të të ardhurave në Kosovë duke i distribuuar ato më gjerësisht në shoqëri dhe duke u dhënë shans mijëra familjeve tjera.

Në të njëjtën kohë, qeveria duhet angazhohet direkt në krijimin e vendeve të punës përmes projekteve publike duke gjurmuar mundësitë e energjisë, minierave, pemtarisë dhe shitjes së drurit si burime më të dukshme natyrore të Kosovës me prioritet punëtorët me më pak aftësi.

Së treti, dallimet e mëdha sociale kërkojnë politika aktive në ngritjen e barazisë në paga në të gjithë sektorët, duke punuar në anën tjetër në rritjen e standardit mesatar.

Ndonëse detajet e një politike të këtillë do t’i përcaktonte deliberimi publik, është e sigurt se niveli i të ardhurave të familjeve, dhe jo GDP-ja, është indikatori krucial për kontekstin kosovar. Është e sigurt edhe se një qeveri e vendosur mund të krijojë kështu 100,000 vende të reja pune brenda një mandati.

Distribuimi më i mirë dhe rritja e përshpejtuar e punësimit do ta nisnin vendin drejt demokratizimit më përmbajtësor. Ndërkohë, nuk ka asnjë arsye përse pjesa e varfër e shoqërisë duhet ta vuajë e vetme moszhvillimin e vendit. Por, fatkeqësisht, të gjitha partitë e mëdha politike kosovare kanë lindur si platforma nacionalizmi, ndërsa prapa secilit flamur nacionalist të tyre riciklohet realiteti i pandryshueshëm: i eksploatimit shoqëror.

___________

Bllogu mbështetet nga Friedrich-Ebert-Stiftung, zyra në Kosovë.

Mendimet e shprehura në këtë bllog nuk paraqesin medoemos besimet e Friedrich-Ebert-Stifftung.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.