Kështu, fiја nga besimi tek manipulimi bëhet gjithnjë e më е hollë, kurse besueshmëria e rezultateve të procesit që përfshin edhe zgjedhjet, si rezultat i vullnetit të qytetarëve, bëhet i paqartë.
Interpretimi arbitrar dhe individual i të drejtave themelore të njeriut është një rast i shpeshtë, veçanërisht në demokracitë e reja, siç është Bosnja dhe Hercegovina, por edhe në vendet fqinje. Ajo që ne e quajmë liri të shprehjes, në hapësirën online shpesh merr formën e dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes. Mungesa e legjislacionit adekuat ligjor sigurisht që mundëson këtë qasje për diskreditimin e individëve dhe grupeve.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, fokusi i veçantë në vitin 2022 ishte te dezinformimi që synonte të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve.
E vërteta apo gënjeshtra e thënë një mijë herë? Masivizimi i mediave mundësoi njohjen e vështirë të së vërtetës nga opinioni publik, qysh edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, termi viral sot ka një përshpejtim shumë më të madh. Kështu, fija nga besimi tek manipulimi bëhet gjithnjë e më e hollë, kurse besueshmëria e rezultateve të procesit që përfshin edhe zgjedhjet, si rezultat i vullnetit të qytetarëve, bëhet i paqartë.
Gjatë fushatës zgjedhore në procesin zgjedhor në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 2022, mund të lexojmë informacionin se Jelena Triviç kishte marrë 10 milionë dollarë nga administrata amerikane për fushatën kundër Milorad Dodik, që ishte edhe një nga dezinformatat më të shpeshta të transmetuara gjatë fushatës zgjedhore në Bosnjë dhe Hercegovinë për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022. Përhapja e (pa)qëllimshme e dezinformatave diskrediton ose mbështet në mënyrë të pajustifikueshme subjektet politike, institucionet dhe individët që janë objekt i informacionit të shpërndarë.
Siç na thanë nga Koalicioni për Zgjedhje të Drejta dhe të Ndershme “Pod Lupom”, narrativat dezinformuese globalisht janë gjithnjë e më të pranishme, veçanërisht përmes mundësisë së përdorimit të rrjeteve sociale si media, ato janë gjithnjë e më të pranishme në kontekstin e shkeljes së standardeve të vendosura demokratike në zgjedhje. Pra, me synimin e ndikimit të dukshëm, të padyshimtë në rezultatin zgjedhor.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Këshilli për Shtyp dhe Media Online në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke thënë se dezimformatat mund të ndikojnë seriozisht në rezultatin e zgjedhjeve, sepse vetëm një përpjekje dashakeqe për të diskredituar një kundërshtar politik, bazuar në gënjeshtra, mund të çojë në mosmiratimin e votuesve dhe ndryshimin e vendimit të tyre për t’i dhënë votën atij personi.
Përgënjeshtrimet zakonisht nuk kanë fuqinë që ka dezinformimi, por ato absolutisht nuk duhet të braktisen. Kjo është e rrezikshme dhe kërcënon drejtpërdrejt të drejtën e njeriut për informacion të saktë dhe në kohë.
Dezinformimi është instrument edhe në demokraci shumë më të forta
Prandaj, Bosnja dhe Hercegovina nuk ka ekskluzivitet në përhapjen e dezinformatave, veçanërisht gjatë kohës së procesit zgjedhor. Aktorë të ndërhyrjes në rrjedhën e zgjedhjeve janë shpesh edhe të huajt. Në bashkëbisedimin me njohës të këtyre fushave u vu re qartë se dezinformimi është gjithnjë e më i pranishëm dhe se ai po bëhet element jo vetëm i mbështetjes dhe sfidimit të politikave të caktuara, por edhe i pranisë së fuqive të huaja në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës që kanë interesa të ndryshme, si dhe një element lufte, si në baza politike ashtu edhe në disa baza të tjera që kanë të bëjnë me fushat shoqërore, si ushtria, d.m.th. mbrojtjes, ekonomisë dhe të ngjashme.
Ky ndikim nuk është i pranishëm vetëm në Ballkan. Le të kthehemi tetë vjet mbrapa, kur u ngrit shumë pluhur mediatik për sulmet kibernetike dhe përpjekjet ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prandaj, një vit para zgjedhjeve presidenciale 2020, administrata amerikane iu qas seriozisht rishikimit të proceseve demokratike përmes rrjeteve sociale.
“Ne shohim se pikërisht tani, përmes narrativave dezinformative, në një farë mënyre po cenohet integriteti i procesit zgjedhor në mbarë botën, pikërisht me synimin për të dëmtuar apo favorizuar një kandidat në garën zgjedhore dhe është vërtetuar se narrativa të tilla dezinformative shpeshherë vijnë nga jashtë territorit të atyre vendeve dhe se në një farë mënyre, ata kanë një prapavijë politike dhe se përdoren lajmet e rreme, profilet e rreme, botet dhe forma të ngjashme të paverifikuara mediatike si faqet e internetit për të cilat nuk ka gjurmë dhe të dhëna editoriale”, deklaroi Dario Jovanoviç, menaxher projekti i Koalicionit “Pod Lupom”.
Burimi: freepik.com
Megjithatë, të mos harrojmë se janë kandidatët në zgjedhje, anëtarët e partive të tyre dhe mediat që janë nën kontrollin e tyre, ata që kanë ndikimin më të madh në opinionin publik nëpërmjet përhapjes së dezinformatave apo diskreditimit të kandidatëve kundërshtarë, qoftë të bëjë kjo me proceset zgjedhore në Bosnjë dhe Hercegovinë, SHBA apo diku tjetër.
“Ndoshta shembulli më i famshëm i mashtrimit janë zgjedhjet e fundit në SHBA kur Donald Trump u bë president. Agjencitë e inteligjencës amerikane dyshojnë se Trump u ndihmua në fushatë nga përhapja e dezinformatave që mashtruan votuesit për tema dhe veprime të shumta të demokratëve”, tha Xhenana Burek, drejtore ekzekutive e Këshillit të Shtypit dhe Mediave Online në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Përhapja e dezinformatave rezultoi të ishte një faktor shumë i rëndësishëm në verdiktin e rezultateve të zgjedhjeve, sipas Këshillit të Shtypit Mediave Online në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë, në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022, ata kanë monitoruar gjuhën e urrejtjes në komentet në portale dhe rezultatet e monitorimit të Këshillit së shpejti do t’i prezantohen publikut. Tani për tani dihet se ka pasur rritje të vazhdueshme të gjuhës së urrejtjes në ciklet parazgjedhore.
Përveç kësaj, secila ka specifikën e vet, kështu që është shumë e vështirë të luftohet gjuha e urrejtjes me algoritme të bazuara në fjalë kyçe bllokuese, sepse ata që duan të përhapin gjuhën e urrejtjes gjejnë mënyra për të anashkaluar pengesa të tilla, pretendojnë nga Këshilli. Por janë të kënaqur edhe me përgjegjësinë dhe gatishmërinë e redaktorëve të portaleve online, të cilët treguan një vullnet të lartë për të bashkëpunuar, dhe së bashku me monitoruesit e Këshillit kanë larguar vazhdimisht përmbajtje me gjuhë të urrejtjes dhe kanë kontribuar në redaktimin e saj në hapësirën mediatike online.
Në të kaluarën, si dhe në vitet e mëparshme, numri i veglave dhe rekomandimeve për identifikimin e dezinformatave është në rritje, kurse numri i iniciativave për zbatimin dhe edukimin shtesë të qytetarëve është në rënie. Vlen të rikujtojmë rekomandimet e Komisionit Evropian që ne vazhdimisht dhe sistematikisht injorojmë, kryesisht dispozitat ligjore për mbrojtjen e të dhënave dhe aksesin në informacion, të cilat, siç thuhet në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2022 për progresin e Bosnjës dhe Herecegovinës, ende interpretohen në një mënyrë që mbron interesat private, e jo ato publike.
Çfarë të presim pas vitit 2022?
Fundi i vitit 2022 na solli një sërë mundësish, por edhe detyrime të reja/të vjetra. Më 15 dhjetor, Këshilli Evropian i dha Bosnjë-Hercegovinës statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mirëpo, ka shumë detyrime që nuk i kemi përmbushur, ose po përpiqemi t’i përmbushim, por me ngut dhe me nxitim.
Në raportin e lartpërmendur të Komisionit Evropian për progresin e Bosnjës dhe Hercegovinës, ndër të tjera thuhet se legjislacioni për qasje të lirë në informacion dhe gjuhën e urrejtjes mbetet i fragmentuar dhe nuk përputhet me standardet ndërkombëtare dhe evropiane dhe se nuk është ndërmarrë asnjë veprim për të miratuar një ligj për transparencën e pronësisë së medias.
Në këtë kontekst, një lajm i mirë vjen nga Bashkimi Evropian. Me aktin që ka hyrë në fuqi në nëntor, do të insistohet në përgjegjësi më të madhe të mediave sociale dhe pritet zbatimi i tij edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, gjë që na detyron Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Akti mbi shërbimet digjitale synon të luftojë përhapjen e përmbajtjeve të paligjshme dhe të dëmshme në internet. Komisioni Evropian njoftoi në faqen e tij të internetit se platformat online do të duhet të raportojnë numrin e përdoruesve aktivë në platformat e tyre të internetit, në bazë të të cilave Komisioni do të bëjë një vlerësim se si të etiketohet platforma.
Pastaj do të jetë hapi i paraqitjes së vlerësimeve vjetore të rrezikut në Komisionin. Në thelb, qëllimi i Aktit të Shërbimit Digjital (Digital Service Act – DSA) është të përcaktojë përgjegjësinë e qartë të subjekteve që ofrojnë shërbime ndërmjetësuese dhe veçanërisht platformave online që përfshijnë rrjetet sociale.
Krijimi i një hapësire digjitale më të sigurt në Evropë është gjithashtu imperativ për Bosnjë dhe Hercegovinën dhe vendet e rajonit. Akti i Shërbimeve Digjitale i Bashkimit Evropian mund të jetë drita në fund të tunelit gjatë këtij rrugëtimi. Por rruga është e gjatë dhe kërkon punë sistematike dhe të palodhur. Prandaj, në kontekst të dezinformimit dhe diskreditimit, nuk është keq të përmendet se e drejta e një individi mbaron kur fillon të kërcënojë të drejtën e tjetrit.
Teksti është pjesë e iniciative “Histori nga rajoni” që zbatohet nga Res Publica i Instituti për Studime të Komunikimit nga Maqedonia, në bashkëpunim me partnerët nga Mali i Zi (PCNEN), Kosova (Sbunker), Serbia (Autonomija), Shqipëria (Exit), dhe Bosnja dhe Hercegovina (Analiziraj.ba), në kuadër të projektit “Përdorimi i gazetarisë së bazuar në fakte për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të luftuar dezinformimin në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut” me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.