A falsifikohet historia në tekstet e historisë në Kosovë? Varet se çfarë kuptojmë me ‘falsifikim’. Nëse falsifikim do të thotë të fabrikosh provat, siç bënë skocezët kur shpikën eposin e Osianit për të provuar se kishin origjinë më të vjetër dhe të ndryshme nga irlandezët, atëherë mund të themi se kjo gjë nuk ndodh në tekstet në Kosovë, së paku jo në librat e historisë në gjuhën shqipe që kam lexuar unë. Por, nëse të falsifikosh do të thotë t’i zbukurosh historitë ose të bësh sikur ato nuk ekzistojnë, atëherë mund të themi se kjo ndodh në Kosovë.
Të gjithë kombet e përpunojnë historinë e tyre në mënyrë që ajo të tingëllojë bukur. Por, nëse me të vërtetë duam të rrimë sa më pranë fakteve, në vend që të shprehim vetëm zemërimin tonë për këto falsifikime – gjë që do të provokonte edhe më shumë mëri dhe këmbëngulje në qëndrimin fals -, duhet të lexojmë në mënyrë kritike atë që është lënë në heshtje ose që është falsifikuar në histori.
Le të ndalemi tek një ngjarje gjatë Luftës së Dytë Botërore: dëbimi masiv i serbëve dhe malazezëve nga Kosova, një ngjarje, e cila edhe pse është dokumentuar mjaft mirë, nuk përmendet në tekstet shkollore të Kosovës. Përjashtim bën vetëm një referencë enigmatike në librin “Historia 9”të Fehmi Rexhepit (2015, p. 118): “Shqiptarët si shumicë edhe pse kishin vuajtur shumë në Jugosllavinë monarkiste, ata ishin shumë të kujdesshëm ndaj fqinjëve të tyre serbë, sidomos pas shkatërrimit të Jugosllavisë dhe pas ndarjes së Kosovës në tri zona pushtuese. Pas bashkimit të një pjese të Kosovës me Shqipërinë, shumica shqiptare u tregua e kujdesshme ndaj minoritetit serb dhe malazez, madje në shumë raste edhe duke marrë ata në mbrojtje”.
Ky është një rast ku vihet re edhe zbukurimi i fakteve, edhe lënia në heshtje e disa prej këtyre fakteve. Kur intervistova mësuesit e historisë lidhur me këtë çështje, vura re se shumica e tyre e mohonin këtë fakt dhe vetëm njëri prej tyre tha se shqiptarët i mbrojtën serbët. Unë besoj se të gjithë njerëzit që intervistova ishin të sinqertë. Atëherë përse këto të pavërteta janë pranuar kaq gjerësisht? Lufta, thotë historiani francez Marc Bloch, është një eksperiment madhor në psikologji sociale dhe ky është kontesti, në të cilin duhet ta studiojmë prodhimin e lajmeve të rreme.
Origjina e këtij qëndrimi lidhet me mënyrën se si shqiptarët si kolektiv e konceptojnë shtypjen e tyre nga serbët deri në vitin 1912, duke e konsideruar veçanërisht si shumë të ashpër periudhën mes dy luftërave botërore. Në këtë periudhë pakicat sllave zaptuan tokat e shqiptarëve me justifikimin e reformës agrare, e cila ishte, në fakt, një grabitje e madhe tokash. Për më tepër, imazhi që shqiptarët kanë krijuar për veten, bazohet mbi diçka që ata besojnë se është unike: tradita e mikpritjes dhe besa, e cila e sfidon edhe vdekjen, si në legjendën e Doruntinës dhe Konstantinit. Historitë e vuajtjeve, por edhe të sjelljeve fisnike të shqiptarëve, tregohen në mënyrë të përsëritur nga njëri brez në tjetrin, ndërkohë që mendimi kolektiv i shqiptarëve është fokusuar në tragjeditë që kanë pësuar ata, por edhe në identitetin e tyre si modele të nderit dhe të njerëzillëkut.
Një ngjarje e vendosur në një kontekst të tillë emocional, mund të marrë një jetë më vete.
Në një intervistë të bukur të historisë gojore, Musa Dobruna rrëfen: “Dhe n’qato kohë erdh nji i anës t’kufinit, nji malazez dhe iu lutë babës, ‘Ju si familje e madhe, dhe e fisit Gash, na prini dhe ata nuk na ngucin neve’. […] Dhe qashtu ndodhë, kolona prej dhjetëra kerreve me kafshë që ishin, kalojshin shpërblim pare nuk kishin, babës ia jepshin ka nji pushkë, secila familje. […] Dhe kur kalonin pranë rojeve gjermane, baba iu dorëzojke nji pushkë ose dy atyne, ata babës ia rrihshin krihët, pushkët tjera i kishim na aty. Vazhdojshim rrugën, i çojshim deri n’Deçan. Kolonët malazezë që kanë ardhë prej Malit t’Zi n’tokat tona”.
Kjo dëshmi e jashtëzakonshme mund të kuptohet si një shembull kur shqiptarët i mbrojtën fqinjët e tyre malazezë. Ky interpretim përputhet shumë mirë me atë që shqiptarët besojnë për vetveten. Por, nëse e lexojmë në mënyrë kritike, ky tekst rrëfen për përmbajtjen e shqiptarëve, por edhe për rolin e tyre në mundësimin e dëbimit masiv të serbëve dhe malazezeve. Përmes dëshmitarëve dhe dokumenteve të tjerë mësojmë se, po, ka pasur mbrojtje të negociuar të refugjatëve, por jo gjithmonë dhe situata e përgjithshme karakterizohej nga dhuna e gjerë e shkaktuar nga shumë aktorë.
Komisioneri i Lartë për Kosovën, Carlo Umiltà, shkruan në kujtimet e tij (Jugoslavia e Albania, 1947) për situatën e mjerueshme të serbëve dhe malazezëve në të gjithë Kosovën, për shtëpitë e tyre që ishin grabitur dhe djegur, ndërkohë që ata që kishin shpëtuar, shoqëroheshin nga ushtria italiane përtej kufirit. Por ai shkruan edhe për serbët në bashkinë e Prizrenit, të cilët, edhe pse ishin të mbrojtur, u larguan me dëshirën e tyre, sepse refuzonin të punonin nën administratën e re shqiptare.
Burimet italiane tregojnë se kishte armiqësi, por edhe armëpushim mes banorëve lokalë. Rastet e dhunës masive ndodhnin për shkaqe më komplekse, të cilat shkonin përtej urrejtjes ndër-etnike. Historiania e re Mrika Limani ka shkruar se logjika e dhunës në Kosovë gjatë luftës varej nga shkalla e kontrollit të territorit nga pushtuesit. Italianët nuk e kontrollonin gjithë Kosovën, sepse ata bazoheshin në të dhëna sekrete të gabuara dhe vrisnin pa dallim. Italianët, po ashtu, zgjodhën që mos ta kontrollonin dhunën. Siç shkruan Umiltà, kur shqiptarët masakruan dhjetë serbë në vjeshtën e vitit 1942 në Pejë, si ndëshkim, çetnikët masakruan qindra shqiptarë dhe trupat italiane nuk i ndaluan ata. Italianët thuajse gjithnjë privilegjonin serbët, sepse ata [italianët] i konsideronin shqiptarët si analfabetë, të papastër dhe myslimanë (sic). Siç dëshmon Ramiz Kelmendi në intervistën e tij gojore, shqiptarët e dinin këtë gjë.
Dhuna ndëretnike nxitej kryesisht nga jashtë dhe nga lart. Ata që e ndezën dhunën përfshijnë: malazezët, të cilët përhapën fjalë se italianët do të largoheshin së shpejti dhe Jugosllavia do të kthehej përsëri; Ministrin për Kosovën, Ekrem bej Vlora, me planet e tij nacionaliste; dhe të dërguarin e mbretit italian, Francesco Jacomoni, i cili donte të bëhej mëkëmbësi i mbretit në një Shqipëri të Madhe të pastër etnikisht. Luca Pietromarchi, një zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, shkruante në ditarin e tij në 8 janar 1943 se Jakomoni propozoi që të përziheshin nga Kosova dymbëdhjetë mijë malazezë.
Gjermanët hynë në Kosovë në vitin 1943 dhe në fillim ata e panë dhunën ndëretnike si një problem të brendshëm. Kështu që ata i lanë të lirë kolaboracionistët shqiptarë që të vrisnin serbët, sidomos në rajonin e Pejës, fakte që i zbuloi Ali Hadri në arkivat e Kosovës dhe të Jugosllavisë. Por kur në prill 1944 numri i refugjatëve arriti në dyzet mijë, gjermanët e ndaluan dhunën. Hermann Neubacher, zyrtari kryesor politik gjerman në Beograd, mendonte se dëbimet kishin një ndikim shumë destablizues për Serbinë dhe Malin e Zi dhe ai kërkoi që ato të ndaleshin. Telegrami i tij lidhur me këtë çështje gjendet në Arkivat Politike në Bonn.
Historianët italianë, duke ndjekur shembullin e historianëve gjermanë, kanë filluar të shkruajnë lidhur me përgjegjësinë që ka kombi i tyre për dhunën gjatë pushtimit fashist. Historianët shqiptarë kanë mbetur mbrapa. Por, edhe ata serbë, për shkak se janë zënë në grackën e falsifikimit të bërë nga vetë ata, falsifikim i cili e prezanton si gjenocid dëbimin e atyre që kishin kolonizuar tokat. Ka ardhur koha që të ndryshojë ky qëndrim.