Ishte 12 dhjetori 2010. Dita kur qytetarët e Kosovës votonin, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Isha monitorues i certifikuar i shoqërisë civile, në Shalë të Lipjanit të Drenicës. Kisha të afërm, që ishin komisionerë të partive politike. Para syve, disa militantë partiakë, votuan më shumë se dhjetë herë. Askush nuk pengonte askënd. Procesi dukej “normal”. Sa herë votonin personat e njëjtë, mbaja shënime. Të gjithë më shikonin me habi. Më kujtohet kur njëri prej komisionerëve, familjar i afërt, ma rrahte shpinën dhe më thoshte: “O djali i mësuesit, badihava po shkrun… Kjo është demokraci…”. Në orën 19:00 vendvotimi u mbyll. Nisi procesi i numërimit të votave. Komisionerët ishin në hall se nuk iu dilnin 1+1=2. Ishte halli i disa deputetëve, të cilëve u duheshin votat. Ftuan një “ekspert” me përvojë, i cili erdhi nga një klasë tjetër. Ai për 15 minuta e mbylli dosjen në mënyrë të “përkryer”. Kutitë e votimit u nisën për Qendrën e Numërimit të Rezultateve në Prishtinë.
U ankova në Panelin për Zgjidhjen e Ankesave dhe Parashtresave për të gjitha krimet zgjedhore. Vendvotimi në Shalë u anulua. Pas disa vitesh, Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega e Lipjanit më ftoi si dëshmitar kryesor kundër të gjithë komisionerëve, që kishin manipuluar në këtë vendvotim. Dëshmova në gjykatë, edhe kundër të afërmve. Ata u dënuan me burgim dhe gjoba. Lufta kundër krimeve në zgjedhje, është detyrim i secilit prej nesh, por për këtë detyrë në mënyrë eksplicite kanë obligime kushtetuese dhe ligjore organet e ndjekjes dhe sigurisë.
Ky ishte një ndër rastet e shumta, në të cilat prokuroria kishte ngritur aktakuza ndaj komisionerëve për manipulimet masive të zgjedhjeve 2010. Ato prodhuan një Kuvend me legjitimitet të kontestuar. Secilit mund t’i kujtohen Ambasadorët e huaj në monitorim, të cilët panë me sytë e tyre dhe deklaruan sesi manipuloheshin votat e qytetarëve. Të gjitha këto sollën një pikë të zezë për Kosovën në të gjitha raportet relevante ndërkombëtare. Opozita e atëhershme, manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2010, ia atribuonte praktikës së njëjtë që kishte ndodhur po ashtu në një shtet ballkanik, dhe që njihej si treni bullgar.
Reagimet e faktorit ndërkombëtar lidhur me mënyrën e menaxhimit të zgjedhjeve të vitit 2010, ishin të ashpra dhe vinin në pah mungesën e legjitimitetit të institucioneve të themeluara si rezultat i këtyre zgjedhjeve. Kosova në vitet në vazhdim, për vite me radhë ka raportuar lidhur me numrin e personave të hetuar, akuzuar dhe gjykuar lidhur me keqpërdorimet në zgjedhjet e vitit 2010.
Kërkesa e faktorit ndërkombëtar, padyshim se ishte legjitime, duke marrë për bazë se nuk kanë munguar edhe vendvotimet ku pjesëmarrja qytetare në këto zgjedhje kishte kaluar edhe në 120%. Prokurori i Shtetit kishte akuzuar me mijëra persona për keqpërdorimet në këto zgjedhje.
Si rezultat i manipulimit masiv të zgjedhjeve të vitit 2010, Kosova sipas kërkesës së faktorit ndërkombëtar, për herë të parë në kuadër të Kodit Penal të Kosovës, kishte paraparë një kapitull të veçantë lidhur me keqpërdorimet në zgjedhje. Politika ndëshkimore po ashtu ishte ashpërsuar.
Faktori ndërkombëtar pas vitit 2010, kishte kërkuar me ngulm reformën zgjedhore, ku një kërkesë e tillë me kalimin e viteve është zbehur dhe debati për reformën zgjedhore, ngritet sa herë caktohen datat e zgjedhjeve, por në fund asgjë nuk arrihet dhe zgjedhjet përfundojnë gjithmonë pa ndryshimet e kërkuara.
Duke marrë mësim nga mënyra sesi organet shtetërore kishin neglizhuar zbatimin e kompetencave dhe përgjegjësive të tyre për të siguruar një ambient të sigurtë në ushtrimin e të drejtës aktive dhe pasive të votimit, në vitin 2012, si pjesë e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), zhvilluam një hulumtim dhe analizë të thellë të krimit të organizuar në zgjedhje. Asokohe, gjetëm dështime zinxhirore të policisë dhe prokurorisë. Si IKD rekomanduam hapa konkretë sesi duhet të parandalohen dhe luftohen krimet në zgjedhje. Për 3 nëntor 2013, u caktua data e zgjedhjeve lokale. Asokohe, Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, kishte vendosur të zbatonte rekomandimet e IKD-së, që sugjeronin zbatimin e një politike proaktive, të bazuar në parandalim dhe në ndjekje të veprave penale kundër të drejtave të votimit. Bashkë me Prokurorinë dhe Policinë hartuam Memorandumin e Bashkëpunimit ndërinstiucional me të gjitha institucionet e drejtësisë, të përfshira në procesin e zgjedhjeve.
Me iniciativën dhe ndihmën e IKD-së, Prokuroria dhe Policia hartuan Procedurat Standarde të Veprimit (PSV). Qëllimi i tyre ishte rritja e efikasitetit dhe efektivitetit për të reaguar në parandalimin dhe luftimin e krimeve në zgjedhje. Rezultatet u dëshmuan menjëherë. Për dallim prej zgjedhjeve 2010, në të cilat u përfshinë mbi 5 mijë komisionerë në manipulime të votave, në zgjedhjet 2013, pati ulje drastike të rasteve të manipulimit të zgjedhjeve, duke numëruar 261 persona si të dyshuar në manipulime. Ky numër ra në 40 persona të dyshuar në zgjedhjet 2014. Ky numër ra edhe më tutje në vetëm 27 persona në zgjedhjet 2017. Për fat të mirë, sot, Kosova nuk përmendet në asnjë raport, si vend, në të cilin zgjedhjet nuk janë demokratike.
Kjo praktikë e ndryshuar për të mirë në organizimin dhe sigurimin e mbarëvajtjes së proceseve zgjedhore në Kosovë ka dëshmuar se fajtori kryesor për krimet në proceset zgjedhore ka qenë ekskluzivisht faktori njeri. Kot flasim për ndryshime të reja ligjore, përderisa nuk ekzistojnë zyrtarët me integritet, të cilët zbatojnë obligimet ligjore në ruajtje të procesit zgjedhor.
Në këtë drejtim, është fakt, se Kosova kishte të njëjtën bazë ligjore dhe pothuajse të njëjtit bartës të funksioneve në sistemin e drejtësisë dhe sigurisë në kohën kur janë organizuar zgjedhjet e vitit 2010, 2013, 2014 dhe 2017. Por, dallimi i zgjedhjeve 2010 me ato që pasuan ishte si nata me ditë. Nuk dihet nëse ishte edhe vullneti apo urdhrat e krerëve të partive politike për të mos vazhduar me avazin e vjetër, por gjithsesi se ndjekja e “argatëve” të vegjël – komisionerëve – të partive politike, sado me vonesë nga Prokuroria, ndikoi tek të gjitha partitë politike dhe militantët e tyre që të sprapsen me organizimin e manipulimit të zgjedhjeve.
Një gjë është e sigurt, përderisa, në krye të Kryeprokurorisë së Shtetit, janë argatë të partive politike që kanë ndërtuar “Pronto” Prokurorinë e Shtetit në krye me Aleksandër Lumezin, do të jetë utopike të pritet që ndjekja për krimet e zgjedhjeve do të zgjerohet në drejtim të protagonistëve që janë në krye të partive politike. Më së shumti që mund të presim, janë akuzat e rëndomta ndaj argatëve të vegjël të partive të politike, sikurse është vepruar deri më tash. Pra, ky është problemi kryesor, që ka të bëjë me integritetin e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë dhe bartësve të tyre, të cilët janë argatë të pushtetit dhe grupeve të interesit. Prandaj, iniciativa e IKD-së për ta futur në veting sistemin e drejtësisë është zgjidhja e vetme për të ndërtuar një sistem të drejtësisë me integritet, i cili do të ketë bartës të funksioneve, të cilët janë të verifikuar në të gjitha aspektet.
Besoj se të gjithë i gëzohemi faktit se kur flasim për organizimin e zgjedhjeve, mund të vlerësojmë pozitivisht zgjedhjet e mbajtura prej vitit 2013 e tutje, në të cilat kishte probleme, por në përgjithësi zgjedhjet ishin demokratike, fer dhe të drejta. Për këtë padyshim se meritat kryesore i shkojnë Prokurorisë dhe Policisë, të cilat zbatuan me përpikëri PSV-të, të cilat ishin trungu i bashkëpunimit që sollën reagime efikase dhe efektive të papara në ditën e votimit sa i përket hetimit dhe ndjekjes së krimeve të zgjedhjeve. Natyrisht edhe dënimet e gjykatësve, sado joadekuate që janë shqiptuar, kanë ndikuar që qëllimi i dënimeve tek argatët e vegjël, të arrihet dhe që të njëjtit mos të përfshihen në manipulime të zgjedhjeve, por edhe publiku të mësojë nga përvoja e tyre.
Kosova ka kornizë të avancuar në legjislacionin penal për hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e veprave penale që ndërlidhen me zgjedhjet. Gjithashtu, nëse vazhdon praktika e mirë e Prokurorisë dhe e Policisë, dita e votimit, nuk do të jetë më problematike. Në secilin rast të paraqitur, zbatimi i PSV-ve do të ndikojë në parandalim dhe luftim të kryesve të krimeve të zgjedhjeve. Halli është tek format e tjera të manipulimit të proceseve zgjedhore dhe keqpërdorimit të së drejtës së votuesve. Fjala është për keqpërdorimet që ndodhin para dhe pas ditës së votimit në procesin e zgjedhjeve.
Krimet e zgjedhjeve janë të ndërlidhura me aktivitete tjera kriminale, të cilat ndërlidhen me zgjedhjet por nuk fillojnë dhe nuk mbarojnë me ditën e votimit. Në këtë drejtim, përfshihen disa faza dhe fenomene të ndryshme, të cilat burojnë nga mënyra e dyshimtë e financimit të partive politike, çështje kjo, e cila është ngritur vazhdimisht nga IKD dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile. Pa hetimin dhe ndjekjen e shtytësve, organizatorëve dhe financuesve të individëve dhe grupeve që manipulojnë proceset zgjedhore, asnjëherë nuk do të sigurohemi se zgjedhjet do të jenë demokratike, të lira dhe të drejta.
PSV-të në masë të madhe janë të koncentruara në ndërmarrjen e veprimeve të policisë dhe prokurorisë në ditën e votimit të zgjedhjeve. Këto PSV nuk mbulojnë aktivitetet, në të cilat mund të kryhen krimet e zgjedhjeve para ditës së votimit, në kohën e fushatës parazgjedhore dhe pas ditës së votimit në zgjedhje, kur fituesit e pushtetit, nisin të kthejnë borxhet tek financuesit e tyre të fushatave.
Duke vlerësuar veprimet e partive politike dhe kandidatëve të caktuar në investimet që bëjnë në fushatë zgjedhore dhe pas marrjes së pushtetit me shpërblimin e bizneseve me tenderë publikë, si IKD kemi rekomanduar veprime standarde të policisë dhe prokurorisë në parandalim dhe ndjekje efikase të këtyre veprimeve të kundërligjshme. Ky efikasitet mundësohet përmes plotësimit të PSV-ve në këto dy faza të zgjedhjeve, para dhe pas ditës së votimit.
Në fazën para ditës së votimit, zgjedhjet përcillen me fushatë parazgjedhore, në të cilën, po të kishte një ndjekje efikase të PSh-së do të mund të zbuloheshin shumë veprime të kundërligjshme, të cilat hynë në sferën kriminale. Fjala është për financimin e partive politike. Këto të fundit, zakonisht bëjnë shpenzime shumë më të mëdha sesa deklarojnë. Financat e tyre vazhdimisht kanë mbetur jotransparente për publikun në shumicën e rasteve. Në anën tjetër, biznese të afërta me partitë politike në qeverisje, të cilat kanë financuar fushatat e partive, janë shpërblyer me tenderë publikë.
Prandaj, në fazën para ditës së votimit, fazë kjo në të cilën partitë politike zhvillojnë fushatë zgjedhore, PSh duhet të caktojë prokurorë të veçantë për zgjedhjet për secilën komunë të Kosovës. Detyrat e këtyre prokurorëve, do të fokusoheshin në monitorimin e aktiviteteve të fushatës parazgjedhore, përmes hetuesve të veçantë, përmes informacioneve që publikohen në media dhe duke ofruar qasje për publikun për të informuar në linja të sigurta të komunikimit në mënyrë anonime përmes telefonit dhe internetit. Në këtë formë, do të mundësohej fillimisht parandalimi i financimit të dyshimtë të tenderëve publikë tek bizneset apo individët që kanë financuar partitë politike, të cilat, pas informimit që PSh do t’i hetojë këto veprimtari të financimit, do t’i minimizonin aktivitetet e financimit të dyshimtë të bizneseve apo individëve përmes tenderëve publikë dhe më pas po qe se do të ndodhnin këto keqpërdorime, ato do të ndiqeshin me efikasitet nga organet e ndjekjes.
Pas përfundimit të ditës së votimit dhe shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, PSh duhet të ndërmarrë veprime në drejtim të analizimit të veprimeve në fushën e prokurimit publik, fushë kjo në të cilën buxheti publik keqpërdoret në formën e shpërblimit të bizneseve dhe financueve të tjerë të cilët kanë financuar partitë politike apo kandidatët e caktuar në fushatë parazgjedhore.
Baza e të dhënave të PSh-së e krijuar gjatë fushatës zgjedhore për aktivitetet e financuara te partitë politike nga bizneset dhe individët e caktuar, do të mundësonte një pistë të mirë të hetimit për prokurorët, të cilët do obligoheshin të hetojnë lidhjet e financimit të partive politike dhe shpërblimit të financuesve me tenderë publikë.
Tani në këtë fazë, hartimi dhe zbatimi i PSV-së për monitorimin dhe mbledhjen e informacioneve për financimin e fushatave zgjedhore nga bizneset apo individët për partitë politike, do të mundësonte një pistë të mirë të hetimit dhe ndjekjes për prokurorët, të cilët do obligoheshin të hetonin lidhjet e financimit të partive politike dhe shpërblimit të financuesve me tenderë publikë.
Duke i pasur parasysh të gjitha këto veprime në fushën e prokurimit publik dhe ndërlidhjen e politikës me biznesin, si IKD i kemi rekomanduar PSh të ndërmarrë veprime në drejtim të monitorimit dhe analizimit të veprimeve në fushën e prokurimit publik për të hetuar dhe ndjekur shpërblimin me tenderë publikë të financuesve të partive politike. Ky monitorim do duhej të zhvillohej përmes PSh-së së bashku me ekipet e hetuesve policorë, të cilët do të fokusoheshin në monitorimin e aktiviteve të prokurimit publik, duke mbledhur edhe raportimet që publikohen në media si dhe duke ofruar qasje për publikun për të informuar në linja të sigurta të komunikimit në mënyrë anonime përmes telefonit dhe internetit për shpërblimin me tenderë publikë të bizneseve që kanë financuar partitë politike.
Para se gjithash, as reforma zgjedhore e as plotësimi PSV-ve nuk do të kenë kuptim dhe nuk do të sjellin rezultate konkrete në luftimin e krimit të organizuar në zgjedhje, përderisa nuk kemi sistem të drejtësisë me integritet. Ky i fundit, tashmë kontestohet tek sistemi aktual i drejtësisë, i cili është produkt i stilit “Pronto”, të cilin duhet ta fusim sa më parë në proces të thellë të vetingut.
—-
Ky shkrim mbështetet nga D4D, si pjesë e projektit ‘Avancimi i proceseve demokratike’ financuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës.