Asnjëherë nuk ka pasur më shumë zgjedhje, por Bota po bëhet gjithnjë e më pak demokratike. Në vitin 2016, dy herë më shumë shtete janë bërë më autoritare sesa që janë bërë më demokratike. Ne gjendemi në mes të një recesioni demokratik. Sot, afërsisht dy nga tre qytetarë në botë jetojnë nën sisteme të qeverisjes që nuk janë tërësisht demokratike. Vetëm 30 për qind e zgjedhjeve të mbajtura rezultojnë në transfer të pushtetit. Është duke u rritur numri i liderëve autoritar të cilët po refuzojnë të vendosin fatin e tyre në duart e qytetarëve. Me fjalë të tjera, më shumë zgjedhje po mbahen, por më shumë zgjedhje po manipulohen. Këto janë disa prej përfundimeve të dy profesorëve të shkencave politike, Nic Cheeseman dhe Brian Klaase në librin e tyre të përbashkët “Si të manipulohen zgjedhjet”.
Ata kanë kategorizuar manipulimin e zgjedhjeve në gjashtë kategori. E para është gerrymandering, in në të cilën partitë politike i shtrembërojnë kufijtë e zonave zgjedhore me qëllim që të kenë start më të mirë në zgjedhje. Kjo nënkupton se partitë rivale mund të përfundojnë me më pak ulëse në Kuvend edhe nëse kanë më shumë vota. E dyta është blerja e votave, që përfshinë blerjen direkt të mbështetjes qytetare përmes dhurimit të parave, apo të diçka më të vogël. Kjo mund të jetë mënyrë efektive për të siguruar vota të cilat nuk mund të fitohen, por që është një strategji e shtrenjtë dhe kur votimi është i fshehtë, është e vështirë të zbatohet. Votuesit mund të marrin paratë, por që të votojnë për ndonjë kandidat tjetër në kabinën e votimit pa pësuar ndonjë pasojë.
Autokratët po përdorin edhe një metodë të tretë të manipulimit të zgjedhjeve përmes shtypjes së votuesve për të parandaluar kandidatë të tjerë për të bërë fushatë, të ju mohojnë atyre qasjen në media, dhe të frikësimit të mbështetësve të rivalit politik duke i ndaluar që të shkojnë në vendvotime. Nëse kjo strategji nuk funksionon, ata kanë edhe dy opsione tjera: hakimit të zgjedhjeve, në mënyrë që të ndryshojnë debatin publik dhe t’i rishkruajnë rezultatet e zgjedhjeve; dhe mbushjen e kutive të votimit, duke shtuar fletëvotime të rrejshme apo duke iu mundësuar votuesve të njëjtë të votojnë disa herë për të rritur performancën e partisë politike apo të kandidatit të caktuar. Për t’ia hedhur me këto taktika, ata kanë nevojë të mashtrojnë komunitetin ndërkombëtarë, për të legjitimuar kualitetin e dobët të organizimit të zgjedhjeve. Këto strategji gjenerojnë kosto dhe përfitime të ndryshme, prandaj përdorimi i tyre bëhet në varësi të pozicionit në të cilën ndodhen liderët autoritarë.
Sa janë të zbatuara në Kosovë këto metoda të manipulimit të zgjedhjeve dhe cilat janë të tjera?
Në vazhdim do të krahasojmë këto metoda të manipulimit të zgjedhjeve me ato të përdorura në Kosovë, me qëllim që të demaskojmë mënyrat e veprimit të cilat janë përdorur për të manipuluar zgjedhjet. Vetëm atherë kur t’i kemi njohur metodat, mund të intervenojmë për t’i parandaluar.
Sa i përket manipulimit me kufijtë zonal, në Kosovë evitohet kjo mundësi pasi i gjithë vendi konsiderohet si një zonë e vetme zgjedhore për zgjedhjet parlamentare. Kurse sa i përket zonave për zgjedhje lokale edhe në këtë rast nuk ka pasur ndryshim të kufijve të komunave, me përjashtim të atyre të cilat janë krijuar pas procesit të decentralizimit që bazohet në ndarje etnike por jo të mbështetjes partiake. Blerja e votave është kategoria më e shprehur në Kosovë, përmes të cilave janë manipuluar zgjedhjet. Teknikat e përdorura përfshijnë pagesën e faturës së energjisë elektrike në këmbim për votimin për një kandidat të caktuar, shpërndarje të mbushjeve të telefonisë mobile, shpërndarjen e miellit e deri te pagesa të ushqimit dhe pijeve në kafeteri. Për t’u siguruar që investimi të mos jetë i dështuar, është zbatuar teknika e trenit Bullgar. Kjo metodë e manipulimit të votave është përdorur për herë të parë në zgjedhjet evropiane në Bullgari në vitin 2009, ku sipas analistëve vlerësohet se janë manipuluar 200 mijë deri në në këmbim për votimin për një kandidat të caktuar, shpërndarje të mbushjeve të telefonisë mobile, shpërndarjen e miellit e deri te pagesa të ushqimit dhe pijeve në kafeteri. Për t’u siguruar që investimi të mos jetë i dështuar, është zbatuar teknika e trenit Bullgar. Kjo metodë e manipulimit të votave është përdorur për herë të parë në zgjedhjet evropiane në Bullgari në vitin 2009, ku sipas analistëve vlerësohet se janë manipuluar 200 mijë deri në 350 mijë vota. Për të realizuar suksesshëm këtë metodë duhet së pari të tërhiqet nga vendvotimi një fletëvotim origjinal. Këtë fletëvotim blerësi i votës e jep të plotësuar për votuesin, në këtë rast shitësin e votës. Për të marrë pagesën, shitësi duhet të hedh fletëvotimin e plotësuar paraprakisht në kutinë e votimit, ndërsa fletëvotimin e zbrazët duhet ta kthej tek shitësi. Në këtë mënyrë blerësit e votave, arrijnë që të kontrollojnë saktësisht për numrin e votave që do të marrin përmes manipulimit. Për të kuptuar nëse është zbatuar kjo metodë, indikatori i parë është kur numri i votave në kuti të fletëvotimit është më i vogël sesa numri i nënshkrimeve në listën e votuesve. Edhe më evidente është kur në kuti të votimit, gjenden fletëvotime të cilat nuk janë origjinal, e që kjo është shkaktuar kur fletëvotimi i parë është nxjerrë nga vendvotimit. Metodë tjetër e cila është përdorur në Kosovë për të blerë votat është edhe votimi me asistencë. Kjo dukuri është gjithmonë e shprehur në zgjedhje në Kosovë, me mbi 30 mijë votues të cilët kërkojnë asistencë. Një pjesë e tyre edhe kanë nevojë me të vërtetë, mirëpo kur asistenca kërkohet nga votues të rijnë një moshë dhe vijnë nga radhët e komuniteteve, atëherë dyshimet rriten për blerje të votës.
Shtypja e votuesve ka ndodhur sidomos në organizimet e para të zgjedhjeve të pasluftës. Në një video të publikuar nga zgjedhjet e vitit 2000, shihet sesi në në tubim të LDK- së ishte ndalur rryma pikërisht në momentin kur fjalën kishte marrë kryetari i saj Ibrahim Rugova. Së fundi frikësimi i votuesve ka qenë më e shprehur në radhët e komunitet serb, përmes presionit për të votuar për Listën Serbe.
Ndërhyrja në zgjedhje përmes hakimit nuk është arritur të dëshmohet të jetë prezentë në Kosovë. Rastet e ngritura si të dyshimta për krijimni e llogarive të rrejshme në rrejtet sociale apo lajmet e rrejshme në portale kanë filluar të gjejnë vend. Mirëpo nuk mund të flitet për raste si ai i hakerit të famshëm kolumbian Andrés Sepúlveda, që kishte ndërhyrë në shumë zgjedhje të vendeve të Amerikës Latine.
Mbushja e kutive të votimit është një metodë tjetër e përdorur në zgjedhje në Kosovë. Kjo metodë jo gjithmonë është përdorur në mënyrë të mençur, pasi votuesit nga nxitimi për të siguruar sa më shumë vota për partinë e tyre, kanë arritur që daljen në zgjedhje ta qojnë në 120%. Për të realizuar në mënyra më të përsosur mbushjen e kutive, janë përdorur emrat e votuesve të cilët kanë vdekur dhe që ende ndodhën në listën e votuesve, por edhe të votuesve të cilët janë jashtë vendit. Në zgjedhjet e fundit lokale, kjo metodë ishte avancuar më tutje. Në zgjedhjet në Istog, votuesit nga jashtë në shumicë kishin votuar për kandidatin e LDK-së. Ndërsa në raundin e dytë, kishin “ndryshuar mendje” për të votuar për atë të AAK-së. Kur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte verifikuar votuesit nga jashtë nëse të njëjtit kanë votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës, kishte rezultuar me votues fantom.
Mashtrimi i komunitetit ndërkombëtarë, apo thënë më mirë kur komuniteti ndërkombëtar i ka mbyllur sytë përballë rasteve të manipulimit të zgjedhjeve mund të thuhet që janë evidente edhe në Kosovë. Zgjedhjet e vitit 2010 përkundër që ishin cilësuar si “vjedhje industriale e votave”, nga vetë përfaqësuesit diplomatik në Kosovë, prap komuniteti ndërkombëtarë e ka shkëmbyer mungesën e demokracisë me interesat e tyre dhe shqetësimeve për ruajtje të stabilitetit politik.
Duke i parë këto raste, mund të themi se në Kosovë manipulimi i zgjedhjeve është ende i pranishëm, dhe do të vazhdojë të jetë për aq sa do të ketë mundësi. Tek e fundit, lakmija për pushtet i shtynë shumë parti politike drejt manipulimit të zgjedhjeve. E jona është që t’i zbulojmë këto veprime përmes vëzhgimit të zgjedhjeve, dhe të propozojmë mënyra për t’i parandaluar, qoftë kjo edhe përmes ndryshimeve në sistemin zgjedhor.
—-
Ky shkrim mbështetet nga D4D, si pjesë e projektit ‘Avancimi i proceseve demokratike’ financuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës.