Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Marrëdhëniet Izrael-Turqi: Njohja

FILE PHOTO: A Turkish flag flutters atop the Turkish embassy as an Israeli flag is seen nearby, in Tel Aviv, Israel June 26, 2016. REUTERS/Baz Ratner/File Photo

Marrëdhëniet Izrael-Turqi: Njohja

Si është e mundur që Turqia, së fundmi dukshëm antagonist i Izraelit, të jetë shteti i parë me shumicë myslimane që e njohu atë? Cilat ishin rrethanat sistematike dhe konjukturale nën të cilat Turqia e njohu Izraelin? Cilat ishin motivet dhe qëllimet e politikës se jashtme turke dhe izraelite për bashkëpunim të ndërsjellë? Këto dhe çështje lidhur me këto, janë disa nga pikat të cilat do të trajtohen shkurtimisht por thelbësisht në rreshtat e mëposhtëm. Fillimisht, duke u nisur nga botëkuptimi se asgjë nuk krijohet në boshllëk, duhet t’i hedhim një sy kontekstit në të cilin nisën këto marrëdhënie.

Konteksti

Politika e jashtme turke pas Luftës së Dytë Botërore dhe, posaqërisht, në vitet 50’ karakterizohet me varshmëri ndaj dhe lidhshmëri të plotë me interesat amerikane. Kjo strategji ishte derivat i natyrshëm i gjendjes në të cilën gjendej Turqia në këtë periudhë: e prapambetur ekonomikisht dhe e kërcënuar nga Bashkimi Sovjetik. Edhe pse mezi kishte shpëtuar nga përfshirja në luftimet e Luftës së Dytë Botërore, ekonomia e saj kishte stagnuar. Për më tepër, pas Luftës, për shkak se flota gjermane kishte kaluar nga ngushticat turke për ta realizuar Operacionin Barbarosa kundër Bashkimit Sovjetik(BRSS), ky i fundit duke argumentuar se Turqia është e paaftë madje edhe të vetëmbrohet, kishte kërkuar prezencë ushtarake në ngushticën e Dardaneleve dhe të Bosforit. Ky perceptohet si kërcënim ndaj sovranitetit të brishtë të shtetit të ri dhe, për këtë shkak, Turqia detyrohet që në polarizimin e pas Luftës të merrte tërësisht anën e polit perëndimor, pra anën amerikane. Nga këtu fillon tregimi i Turqisë në kontekstin e Luftës së Ftohtë.

Politika e jashtme e Izraelit, në anën tjetër, si një shtet i porsaformuar, pas tragjedisë së dhimbshme të Holokaustit dhe e përballur me kërcënimin për zhdukje nga shtetet arabe, karakterizohet me kërkimin e mbështetjes nga Shtetet e Bashkuara. Vendimmarrësit e Izraelit në këtë periudhë, duke e ditur pafuqinë e shtetit të tyre dhe fuqinë e shteteve arabe vis-à-vis tij, vihen në kërkim të sigurimit të sponsorizimit, ndihmës dhe mbrojtjes nga superfuqia e kohës, ShBA. Megjithatë, Izraeli i porsalindur arriti ta sigurojë edhe ndihmën dhe njohjen e superfuqisë antagoniste të Amerikës, BRSS-së, duke i hapur rrugë  anëtarësimit të shpejtë në Kombet e Bashkuara.  Përkundër kësaj, Izraeli ende kishte nevojë për miq, sidomos në regjionin ku të gjithë ishin kundër tij.

Problemi Palestinez

Më 2 prill 1947, për ta zgjidhur Problemin Palestinez, Mbretëria e Bashkuar dhe ShBA, e sjellin këtë çështje në rend të ditës të OKB-së. OKB formon “Komisionin Special të Kombeve të Bashkuara për Palestinën”. Në shtator, ky komision dorëzon para sekretarit të OKB-së një raport ku parashiheshin dy plane: “Plani i Shumicës” dhe “Plani i Pakicës”. Gjersa “Plani i Shumicës” propozonte një zgjidhje me dy shtete, njeri hebre dhe tjetri palestinez, “Plani i pakicës” parashihte një shtet federal palestinezo-hebre. Mirëpo, prej parimeve të cilat ishin hartuar në raport zinte vend edhe shkëmbimi i popujve hebre dhe palestinez, parim i përkrahur nga ShBA dhe BS. Shtetet arabe kishin refuzuar këtë parim. Turqia në këtë pikë, deri në shpalljen e Doktrinës Truman, kishte anuar kah arabët.

Liga Arabe e kishte kundërshtuar dhunshëm vendimin për shkëmbim të popujve. Përpos kësaj, organizatat terroriste hebreje Haganah, Irgun dhe Stern kishin intensifikuar sulmet kundër popullatës civile arabe. Të gjendur të pambrojtur përballë sulmeve, popullata arabe lokale u detyrua t’ia lëshoj vendin popullatës hebreje. Kështu, disa orë para përfundimit të mandatit anglez, më 4 maj 1948, themelohet shteti i Izraelit. 11 minuta pas shpalljes, pavarësia njihet nga ShBA. Më 17 maj njihet edhe nga BS. Sipas profesorit Çağrı Erhan, qëndrimi turk karshi kësaj situate ishte i mbuluar me dyshime për dy arsye. E para, Turqia ishte kundër sepse kishte mbajtur një qëndrim për zgjidhje me dy shtete. E dyta, Turqia ende e kishte të mjegulluar pozicionin e Izraelit kundrejt sovjetëve.

Pas pavarësisë, Egjipti, Siria, Jordania dhe Iraku kishin hyrë në Palestinë dhe kishin hapur luftë kundër Izraelit. Ushtria e madhe por e papërgatitur dhe e papërvojë arabe nuk kishte arritur t’i realizonte qëllimet e veta. Madje, me ndihmën e teknologjisë luftarake amerikane, Izraeli e kishte rritur territorin e tij për 21%. Gjatë luftimeve, Këshilli i Sigurisë së OKB-së kishte bërë thirrje për armëpushim dhe Asambleja e Përgjithshme kishte themeluar Komisionin për Pajtim. Ky komision përbëhej nga ShBA (pro-Izrael), Franca (neutral) dhe Turqia (pro-arab). Sidoqoftë, shtetet arabe kishin kundërshtuar një komision të tillë dhe vetë pranimi për të marrë pjesë nënkuptonte rreshtim e Turqisë në anën e Izraelit. Për këtë arsye, pranimi i Turqisë për t’u inkuadruar në komision mund të lexohet si shenja e parë e ndërrimit të qëndrimit turk ndaj Palestinës. Për më tepër, anëtari i komisionit, një prej shokëve të ngushtë të Presidentit Inönü, intelektuali anti-komunist Hüseyin Cahit Yalçın, pasi kishte vizituar Izraelin dhe ishte takuar me kryeministrin izraelit Ben-Gurion, e kishte këshilluar Presidentin Inönü për ta njohur Izraelin. Vlen të përmendet se shpallja zyrtare e Doktrinës Truman, dhe roli i parashkruar turk në këtë doktrinë ishte faktori kryesor që Turqia të ndërrojë qëndrim. Doktrina Truman parashihte një rol gjeostrategjik qendror të Turqisë në politikën e karantinimit të BRSS-së. E përballur me kërcënimin sovjet, Turqia s’kishte mundësi tjetër veç se të bëhej pjesë e realizimit të kësaj doktrine.

Njohja

Element tjetër që qartësisht hapi rrugën e njohjes është nënshkrimi i një marrëveshjeje për shërbime postare në vitin 1948. Në këtë fazë Turqia ende vazhdonte me politikën prit dhe shiko. Më pastaj, në fundvit Ankaraja kishte lejuar imigrimin e popullatës hebreje që jetonte në Turqi dhe me marrëveshje me Agjencinë Hebreje (Jewish Agency) kishte mundësuar imigrimin e 50,000 hebrenjve në Izrael. Sidoqoftë,  përtej kërkesës nga jashtë, kjo situatë duhet të lexohet edhe në kuadër të politikës së brendshme homogjenizuese për krijimin e kombit turk. Në këtë mënyrë, ky themelim i raporteve të ngrohta bilaterale dhe njohja de facto e Izraelit nga Turqia hapi rrugë për njohjen de jure në mars të vitit 1948. Turqia u bë shteti i parë me shumicë myslimane që njohu Izraelin.

Ekzistojnë tri arsye kryesore për njohje. E para dhe më kryesorja, prej themelimit Republika e Turqisë kishte ndjekur një linjë perëndimore. Kjo përfshinte koordinim së jashtmi me superfuqitë perëndimore si Britania, Franca dhe ShBA-ja dhe politikat modernizuese brenda vendit. Njohja ndaj Izraelit shihej si koordinim me linjën e liderit të Bllokut të Kaltër, Amerikën. E dyta, tani më ishte konfirmuar se përkundër njohjes dhe mbështetjes nga Bashkimi Sovjetik, Izraeli ishte një shtet aleat i Amerikës. Kjo nënkuptonte se në regjionin e saj nuk po krijohej një shtet satelit sovjet. E treta, elitat sekulariste turke filluan ta kritikojnë qeverinë për përbrendësimin e politikave pro-arabe. Kulturalisht, elitat sekulariste turke, për ta larguar çdo ndikim nga e kaluara osmane, e cila kulturë lidhet ngushtë me Islamin dhe, rrjedhimisht, sipas tyre me arabët, mbështetjen e mëhershme ndaj shteteve arabe e interpretuan si të gabuar. Në anën tjetër, shtetin e ri izraelit, të themeluar nga elitat sekulariste të hebrenjve europian e konsideronin si modelin e duhur për bashkëpunim në Lindjen e Mesme.

Si shtet me shumicë myslimane, paramendohet se në çështjen palestineze dhe në konfliktin arabo-izraelit Turqia do te duhej të anonte nga vëllezërit e saj në fe. Kështu edhe ndodhi në fillim, por jo për këtë arsye. Por ndërkohë, të frikësuar nga sovjetikët dhe të shtyrë nga interesi kombëtar, Turqia pranon që politikën e saj të jashtme ta vendosë në shërbim të interesave amerikan. Në këtë kontekst, aleatin e porsalindur amerikan, Izraelin, nuk kishte se si të mos ta njihte. Përmbledhshëm, arsyet për vënien e shpejtë të raporteve diplomatike mund të gjinden në rrethanat sistematike (Lufta e Ftohtë/sistemi bipolar) dhe në rrethanat konjukturale (udhëheqjen sekulariste dhe pro-perëndimore turke dhe Doktrinën Truman).

Gjatë viteve në vijim, marrëdhëniet mes dy shteteve do të intensifikoheshin. Ky raport shpesh do të zhvillohet herë në frymën e bashkëpunimit të ngrohtë e herë në frymën e kundërshtimit të ftohtë. Në ndërkohë, në shkrimet e radhës do të trajtohen marrëdhëniet Turqi-Izrael deri në ditët e sotme.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.