Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Marrëdhëniet ndërkombëtare të një shteti të vogël: rasti i Kosovës

Në një shkrim të para disa ditëve të titulluar ‘Marrëdhënie katundare apo marrëdhënie ndërkombëtare” Z. Besnik Pula përpiqet të shpjegojë politikën e jashtme të Kosovës me të ashtuquajturat “marrëdhënie katundare” duke bërë madje edhe një analogji me fshatrat berbere të Algjerisë që për hir të vërtetës është pa vend dhe pa shije.  Kjo qasje mund të konsiderohet në rastin më të mirë një forcë zakoni apo deformim profesional e në rastin më të keq një sjellje snobë për të përbaltur elitën politike kosovare me nofkën “katundare”.

Deformimi profesional nënkupton një tendencë për t’i parë gjërat vetëm në mënyrë ngushtë prej profesionit tënd pa marrë në konsideratë panoramën e plotë apo për të pranuar se profesione të tjera janë më kompetente për të shpjeguar disa fenomene. Në këtë rast sociologjia nuk është aspak mjeti i përshtatshëm për të shpjeguar politikën e jashtme të një vendi. Ky është një kurth që ndryshe quhet edhe ligji i instrumentit i cili thotë që “nëse gjithë çfarë ke në dorë është një çekiç atëherë gjithçka të duket si gozhdë” në këtë rast çekiçi i bie të jetë dallimi urban-rural si qasje sociologjike.

Mirëpo mund të jetë edhe damka katundar që përdoret dendur në të folurën e përditshme disa ambiente urbane primitive që refuzojnë mobilitetin social si një vlerë e vyer e shoqërisë moderne.  Në këtë rast ky është edhe një manifestim i banalitetit të ligjërimit publik që vërtitet dendur në Prishtinë ku kritika kryesore që bëhet për figurat kryesore të shtetit të Kosovës dhe mbartësve të legjitimitetit të votës së popullit kosovar  është ad hominem dhe lidhet shpesh me përkatësinë apo origjinën e tyre rurale. Kjo qasje primitive spikat sidomos tek pinjollët e segmentit shoqëror më të privilegjuar të epokës jugosllave të cilët njollën e kolaboracionizmit me okupatorin që mbart familja e tyre duan ta kompensojnë apo shlyejnë  duke pretenduar “epërsi urbane” apo intelektuale.

Disiplina e marrëdhënieve ndërkombëtare është goxha e konsoliduar dhe ka arsyetime dhe shpjegime të qarta e të arsyeshme për mënyrën se si vepron Kosova në politikën e jashtme. Nëse autori i shkrimit në fjalë mendon se teoria e tij e shpjegimit të politikës së jashtme me katundarinë është solide pra beson për një fuzion teorik mes sociologjisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare atëherë le ta hedhë në tregun botëror akademik sepse do ishte një novacion revolucionar në këtë disiplinë e padyshim ne do na bëhej qejfi shumë të shihnim një emër shqiptar karshi Keohane, Mearsheimer, Nye, Jervis etj. Mirëpo për momentin le të shohim çfarë thonë teoritë e konsoliduara ekzistuese për mënyrën se si e bën politikën e jashtme Kosova dhe për faktin që bën mirë që e bën kështu siç e bën.

Si fillim duhet kuptuar që përmasat e shtetit të Kosovës ( territori, demografia, ekonomia, ushtria, pozicioni i pafavorshëm etj) diktojnë veprime më të përmbajtura dhe modeste në politikën e jashtme dhe ngjasojnë me aktivitetin ndërkombëtar të shteteve të vogla. Studiuesit e hershëm marrëdhënieve ndërkombëtare në përgjithësi janë fokusuar tek fuqitë e mëdha dhe i kanë neglizhuar shtetet e vogla duke konsideruar se objektivi kryesor i tyre ishte mbijetesa. Një ndër më të mëdhenjtë e fushës, Morgentau në kryeveprën e tij të 1948 mendonte se shtetet e vogla ia dedikojnë pavarësinë ekuilibrit të fuqisë mes shteteve të mëdha, mbrojtjes së dhënë prej një fuqie si dhe mungesës së interesit për fuqitë e mëdha.

Mirëpo pas procesit të dekolonizimit dhe mbarimit të Luftës së Ftohtë numri i shteteve të vogla u shtua si kërpudhat pas shiut dhe nëse shtetet themeluese të Lidhjes së Kombeve në vitin 1920 ishte 42 sot Organizata e Kombeve të Bashkuara ka 193 shtete. Kjo ka bërë që politika e jashtme e shteteve të vogla të marrë më shumë vëmendje të akademikëve të cilët nxjerrin në pah se strategjitë e politikës së jashtme më të mira të mundshme për një shtet të vogël janë pikërisht ato që po ndjek Kosova, garantimi i sigurisë dhe interesave të veta nëpërmjet aleancave dhe multilateralizmit.

Historikisht në epokën kur marrëdhëniet ndërkombëtare mbizotërohej nga fuqia relative e shteteve të mëdha dhe kërcënimi e garimi me të tjerët,  dhe jo nga institucionet dhe e drejta ndërkombëtare që e karakterizojnë sot, shtetet e vogla përpiqeshin ta siguronin mbijetesën duke hyrë në aleancë me një fuqi të madhe. Për të qenë më i sinqertë kjo aleancë në shumicën e rasteve ishte një lloj nënshtrimi ndaj një fqinji më të madh e të fortë ose një marrëdhënie e ngushtë me një fuqi diku tjetër që ishte armike e këtij fqinji kërcënues. Po ashtu shpesh është bërë fjalë për një aleancë me ish-sundimtarin pra shtetin koloni të të cilit kishin qenë dikur  e prej të cilit kishin fituar pavarësinë jo shumë kohë më parë.  Kuptohet që në këtë aleancë shteti i vogël detyrohet të bëj diçka në këmbim për shtetin e madh që është një kosto e pashmangshme e aleancës.  Madje ka shtete liliputiane që janë aq të pafuqishme sa që për të mundësuar mbijetesën e tyre politike dhe ekonomike ia kanë dhënë një pjesë të sovranitetit një fqinji më të fortë. Lihtenshtajni është protektorat i Zvicrës, San Marino i Italisë, Monako i Francës, Andorra e Francës dhe Spanjës, Mikronezia, Palau dhe Ishujt Marshall janë të SHBA-ve e kështu me radhë.

Mirëpo arena e politikës ndërkombëtare është ndërlikuar e sofistikuar shumë në dekadat e fundit dhe qëllimet dhe rrethanat për krijimin e aleancave janë nga më të ndryshmet si konjuktura interesash, lidhje historike, përkatësi ideologjike, përafërsi fetare apo etno-kulturore etj.  Formimi i aleancave në vetvete është  subjekt i shumë studimeve të fushës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe ka një numër të konsiderueshëm teorish për qëllimin dhe rrethanat në të cilat krijohen aleancat. Kështu Kenneth Waltz flet për ekuilibrimin e fuqisë dhe mandej Stephan Walt e çon më tej këtë teori duke folur për ekuilibrimin e kërcënimit. Pas Luftës së Ftohtë dolën teori si ajo e realizimit mësymës të Mearsheimer, nën-balancimit të Shweller të dilemës së aleancës të Snyder etj.

Nga ana tjetër duhet thënë se ndryshe nga Kosova sot ka pasur shtete që nuk kanë zgjedhur aleancën por alternativa të tjera në arenën ndërkombëtare. Një ndër strategjitë kryesore për të siguruar mbijetesën e përdorur nga shtetet e vogla në fillim të shekulli të kaluar kaq qenë neutraliteti. Mirëpo kjo strategji  nuk e ka të sigurt suksesin. Për disa vende si Suedia, Spanja, Turqia, Zvicra, Irlanda dhe Portugalia kjo qe strategji e suksesshme sepse i shpëtuan Luftës së Dytë Botërore dhe dolën prej saj edhe më të fuqishme mirëpo për disa shtete te tjera si Danimarka, Belgjika dhe Norvegjia neutraliteti nuk i shpëtoi nga pushtimi dhe shkatërrimi i luftës. Shumica e shteteve të vogla e ka braktisur neutralitetin pasi në kushte krize apo përplasjesh ndërkombëtare neutraliteti ua dyfishon rrezikun pasi të dy palët kundërshtare mund të kenë oreks për të njëjtin shtet duke e shtuar cenueshmërinë e këtij vendi.

Një tjetër strategji e shteteve të vogla për të siguruar sovranitetin e tyre është  vetëmjaftueshmëria e përdorur nga shtete si  Zvicra, Singapori  apo Suedia që kanë investuar shumë në mbrojtjen e vendit duke ndërtuar ushtri popullore që mbahen të përgatitura në mënyrë konstante për të qenë të gatshme që të mobilizohen përballë çdo kanosje. Me anë të kësaj strategjie këto vende besojnë së parandalojnë kërcënimet duke besuar se cilësia e ushtrive të tyre (përgatitja, morali, stërvitja, pajisjet moderne) do të kompensojë epërsinë numerike të kërcënuesve potencial.  Zvicra  e quan strategjinë e vetë “iriqi i armatosur” që në rast rreziku rrotullohet menjëherë duke marrë formën e një sfere të mbështjellë me gjemba për t’u mbrojtur nga kërcënimet.  Singapori e quan “karkalec deti i helmatisur” që për të mbijetuar mes “peshqve të mëdhenj” lë të kuptohet se do iu ngecë helmi në fyt e do kenë kosto të madhe nëse përpiqen ta gëlltisin.

Mirëpo problemi i synimit të vetë-mjaftueshmërisë është kostoja e jashtëzakonshme ekonomike ose siç quhet në zhargonin e politikave ekonomike “armë përkundrejt gjalpit” që nxjerr në pah koston e jashtëzakonshme oportune të investimit të fondeve të mbarueshme publike në armatim e municion e jo në produkte me përdorim civil. Këtë sfidë e ilustron më së miri historia e Shqipërisë së shkretë gjatë periudhës së autarkisë prej mesit të viteve 70-të deri në rënien e murit të Berlinit, ku kostoja e ushtrisë dhe bunkerizimit bëri që në vitet 80-të të shfaqje zija e bukës. Edhe Izraeli që qëndron në krye të listës së vendeve të vogla me kapacitete të mëdha vetëmjaftueshmërie sigurie do ta kishte pothuaj të pamundur që ta mbante sistemin e mbrojtjes që ka pa patur ndihmën bujare amerikane.

Prandaj për një vend të vogël e të dobët si Kosova, që e ka mbijetesën dhe sigurinë thelbësore, që ka ende rrugë për të bërë për të konsoliduar subjektivitetin ndërkombëtar dhe për t’u bërë plotësisht e pranueshme nga shtetet e tjera, aleanca me SHBA-të dhe vendet e NATO-s është prioritet i pashmangshëm. Të merremi vesh kur flitet për “miqtë ndërkombëtarë” s’ka dyshim që referenca bëhet pikërisht për këta të fundit. Çdo lloj pretendimi apo propozimi nga këto që po dëgjohen pafund sot se në rrethanat aktuale Kosova duhet të shpërfillë aleatët dhe se mund të ndjekë një strategji neutraliteti apo vetë-mjaftueshmërie është një naivitet intelektual ose një papërgjegjshmëri politike. Nuk mund të ketë Kosova e vogël një mendje të madhe që të pretendojë të vendosë në pikëpyetje në rastin më të parë këtë aleancë. Të qenurit në aleancë mandej nuk është vetëm privilegj por edhe obligim pra ka shumë përfitime por ka edhe kosto, ndër të cilat janë edhe disa vendime të brendshme politike të Kosovës të ndërmarra në kohët e fundit që mund të konsideroheshin si “pilula të hidhura” për të konsoliduar më tej aleancën tonë.

Një tjetër element i përmendur dendur në artikullin e Z. Pula si kinse “evidencë” të katundarisë së politikës së jashtme kosovare është përdorimi i fjalës miqtë ndërkombëtar. Në fakt fjala miqësi është përdorur historikisht në mënyrë masive në marrëdhënie ndërkombëtare anekënd botës dhe të mendosh se po ndodh vetëm në Kosovë kjo gjë është provincializëm. Pavarësisht shprehjes së famshme të kryeministrit britanik Palmerston se shtetet s’kanë miq por interesa,  fjala miq është përdorur dendur si term për traktate, si instrument i retorikës diplomatike e politike në deklarata e korrespondencë, si metaforë për të përshkruar fqinjësinë e mirë apo bashkëpunimin e ngushtë bilateral.  Përmendja e miqësisë Anglo-Amerikane, Franko-Gjermane, Sino-Sovjetike e të tjera të ngjashme kanë që parulla klishe të stër-përdorura të shekullit të kaluar.

Përtej qasjes së ngurtë të teoricienëve realiste apo neorealiste të marrëdhënieve ndërkombëtare të cilët shtetin sovran e konsiderojnë si një “kuti të zezë” që funksionon si një aktor unitar, racional dhe egoist cilido qoftë organizimi i brendshëm politik, studiues të tjerë shprehin bindjen se politika e jashtme lidhet ngushtë me politikën e brendshme dhe se në marrëdhëniet ndërkombëtare shtetet mund të bashkëpunojnë dhe të synojnë vlera e norma përveçse fuqi. Kjo do të thotë që paaftësia e shtetit për të ndjerë dashuri nuk do të thotë që mos të ketë hapësirë për miqësi , solidaritet apo pëlqyeshmëri  sociale përkundrejt një populli tjetër,  duke shkaktuar kështu njohjen e një obligimi etik të një shteti  ndaj një tjetri.

Studiuesit bashkeohore të marrëdhënieve ndërkombëtare nuk e kanë konsideruar miqësinë thjesht si një eufemizëm që përdoret për të maskuar një partneritet interesash por kanë filluar të merren seriozisht dhe e kanë inkorporuar në teoritë kryesore.  Pararojë në këtë aspekt është konstruktivizmi me në krye njërin prej studiuesve kryesor, Alexander Wendt i cili e konsideron miqësinë si një prej kategorive të rendit anarkik në politikat ndërkombëtare. Po ashtu teoria e Paqes Demokratike kur flet për shtete të ngjashme demokratikë apo për një komunitet sigurie që përfshin shtete që kanë zhvilluar një identitet kolektiv dhe mirëbesim të ndërsjellë i referohet konceptit të miqësisë.

Prandaj të flitet për “miqtë ndërkombëtarë” as nuk është ndonjë manifestim endemik e ekskluziv i “katundit” Kosovë, as nuk është ndonjë novacion apo herezi dhe as nuk është ndonjë gjë e paarsyeshme dhe e naive.  Përkundrazi, miqësia në marrëdhëniet ndërkombëtare të një epoke të karakterizuar nga bashkëpunimi  është një realitet gjithnjë e më shumë i pranishëm krahasuar me epokën e një shekulli më parë që karakterizohej nga konflikti e armiqësia.

Kur vjen fjala për ndryshimin epokal duhet theksuar strategjia e dytë e rekomanduar nga studiuesit për të ndjekur prej një shteti të vogël në kushtet e sotshme, që është “multilateralizmi”. Në përzgjedhjen mes marrëdhënieve bilaterale dhe atyre multilaterale shtetet e vogla kanë në mënyrë të arsyeshme një preferencë për marrëdhëniet multilaterale. Bashkëpunimet bilaterale janë të mbështetura kryesisht në interesa.  Një shtet duhet t’i ofrojë diçka palës tjetër në mënyrë që të siguroj një interes të vetin mirëpo dallimi në përmasa të shtetit është shumë më shqetësuese për një shtet të vogël. Kështu një shtet i vogël e ka të vështirë ta imponojë një ujdi dypalëshe nëse pala tjetër është shumë më e fuqishme dhe është e vështirë që të detyrohet që ta zbatojë ujdinë në fjalë. Angazhimi shumëpalësh si anëtar organizatash apo palë traktatesh është tjetër gjë sepse mundëson shumë më tepër hapësirë manovrimi dhe peshë për një shtet të vogël.

Shumica e organizatave ndërkombëtare përpiqen që të arrijnë vendimet në mënyrë konsensuale e mundësisht njëzëri. Mirëpo edhe kur nevojitet vota procedurat e vendim-marrjes në organizata multilaterale i japin peshë të jashtëzakonshme shteteve të vogla sepse në shumicën e tyre kanë votë të barabartë me fuqitë e mëdha. Një pjesë e mirë e drejtuesve të organizatave ndër-shtetërore kanë drejtues dhe funksionarë diplomatë që vijnë nga shtetet e vogla e shumë prej nismave multilaterale ndërmerren nga mikro-shtete. Kështu për shembull konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit  që sot është thelbësore për aktivitetet detare u ndërmor  nga Malta ndërsa Gjykata Ndërkombëtare Penale u propozua fillimisht nga Trinidad dhe Tobago. Po ashtu e drejta ndërkombëtare apo traktatet shumëpalëshe janë të barazvlefshme për të gjitha shtetet palë dhe ndryshe nga marrëveshjet bilaterale, ato multilaterale kanë si garanci një komunitet shumë më të madh shtetesh dhe janë më vështirë për t’u shkelur. Prandaj vendosja e multilateralizmit si prioritet nga ana e Kosovës është një veprim më se i arsyeshëm e i dobishëm që bën një shtet i vogël për të ndjekur interesat e veta. Sërish në këtë rast propozimi i shpërfilljes së nismave multilaterale dhe sugjerimi i ndërmarrjes së veprimeve në mënyrë kokëforte unilaterale dëshmon për një papjekuri dhe mosnjohje të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare.

Parë në këtë kontekst politika e jashtme e Kosovës është më se racionale dhe e logjikshme duke vendosur në plan të parë aleancën me SHBA-të dhe synimin e anëtarësimit në NATO si dhe në të tjera nisma multilaterale. Edhe nismat e tjera të politikës së jashtme të Kosovës shkojnë në të njëjtën frekuencë. Kosova ka fituar lirinë dhe pavarësinë falë fatit të mirë që në epokën tonë marrëdhëniet ndërkombëtare gjithnjë e më shumë po karakterizohen nga e drejta ndërkombëtare, multilateralizmi, normat etike  bashkëpunimi dhe dialogu. Prandaj është më se arsyeshme që në politikën e saj  të jashtme Kosova është rreshtuar me ato vende që ndjekin këto qasje. Po ashtu si një vend i vetëdijshëm për përmasat e veta dhe se mund “t’i shtrijë këmbët vetëm sa jorgani” nuk merret me çështje globale por e ka përqendruar pjesën më të madhe të energjive në marrëdhëniet rajonale qoftë në rrafshin bilateral dhe qoftë në atë multilateral.  Energjia e harxhuar prej dialogut të Kosovës me Beogradin me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është gjithashtu më se e logjikshme të ndodh pasi synon të mbyllë të vetmen çështjen të kontestuar ndërkombëtare. Për më tepër Kosova (më saktë qeveria e saj) është e vetëdijshme për rëndësinë që ka imazhi në arenën ndërkombëtare dhe përpiqet që ta përmirësojë nëpërmjet një angazhimi intensiv në diplomacinë publike dhe në atë digjitale. Dialogu me Serbinë ka kontribuar që ta ndryshojë imazhin e Kosovës nga një çerdhe konflikti në një model ndërkombëtar dialogu konstruktiv. Vlejnë për t’u përmendur në këtë aspekt iniciativa me impakt të madh ndërkombëtar si dialogu ndër-fetar apo angazhimi  aktiv në bllokun kundër-terrorizmit që tregojnë se Kosova nuk është më barrë por aset për rendin ndërkombëtar.

Analiza e politikës së jashtme të Kosovës mund të zgjasë shumë më tepër por ajo që vlen të kuptohet është se në politikën e jashtme potenciali i Kosovës është të bëjë më mirë atë që është duke bërë tashmë por jo më ndryshe, sepse orientimi aktual i politikës së jashtme është më i duhuri dhe më i dobishmi për interesat e vendit. Nëse ka një shqetësim serioz që duhet të shprehet për politikën e jashtme  të Kosovës është përzierja e agjendës së politikës së brendshme më atë të jashtme. Pra interesat partiake të përpjekjeve të garës së brendshme për pushtet nuk duhet të vënë në rrezik interesat e shtetit në arenën ndërkombëtare sikurse duket se po ndodh në këtë periudhë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.