Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Marrëveshja detare me Greqinë dhe arsyet e nulifikimit

Përplasjet e fundit në parlamentin e Shqipërisë, sollën edhe njëherë në vëmendjen e publikut marrëveshjen detare me Greqinë.

Aktualisht Prokuroria shqiptare ka nisur hetimin ndaj ish-kryeministrit të vendit bazuar në nenin 210 të kodit penal për veprën penale “Marrëveshje për dorëzim të territorit”.

Marrëveshja u shpall e pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, duke bazuar vendimin e saj në shkeljen e principeve kushtetuese dhe mosrespektimin e principeve të drejtës ndërkombëtare për delimitimin detar.

Që atëherë, Greqia ka refuzuar të rinegociojë marrëveshjen, dhe kësisoj çështja e kufirit detar me Greqinë ngelet e pazgjidhur.

Hyrja e shteteve në marrëveshje ndërkombëtare është shprehje e vullnetit të tyre në marrëdhënie ndërkombëtare.

Gjykata, veprimin e hyrjes në marrëveshje ndërkombëtare, e ndan në marrëveshje në të cilat është palë shteti, ku objekt i marrëveshjeve janë çështje të natyrës politike, ndërkohë për sa i përket marrëveshjeve të natyrës ekonomike, kulturore etj., palë është qeveria, model ky i vendosur në çështjen për marrëveshjen e Petersbergut lidhur me statusin e provincës së Saarlandit vendosur nga Gjykata Federale Kushtetuese e Gjermanisë.

Edhe legjislacioni i Shqipërisë përfaqëson një parim të tillë, dhe për çështjet ku palë në marrëveshje ndërkombëtare është shteti, qeveria duhet të ketë autorizimet e duhura nga autoriteti përkatës, në këtë rast, Presidenti i Republikës.

Mungesa e autorizimit nga ana e Presidentit, ka qenë një ndër arsyet për të cilat gjykata ka vendosur që negocimi ka përbërë shkelje procedurale dhe mosrespektimin e parimit kushtetues të balancës së pushteteve.

Konventa e Vjenës për të Drejtën e Traktateve (VCLT) nuk e konsideron si të domosdoshme prezantimin e autorizimit në nënshkrimin e traktateve, sidoqoftë, ajo shpjegon se konfirmimi dhe dhënia e pëlqimit nga ana e shtetit, palë për të marrë obligimet nga një traktat ndërkombëtar në mënyrë që të sigurojë që traktati do të prodhojë të gjitha efektet legale, është e domosdoshme. (Neni 8 VCLT)

Por, se si një shtet rregullon çështjen për hyrjen në marrëveshje ndërkombëtare, i takon sistemit juridik të vetë shtetit, dhe Nenin 7 VCLT vetëm rregullon kriteret lidhur me ‘autorizimet’ por nuk ndërhyn në metodat që shtetet duhet të aplikojnë në rregullimin e kësaj çështjeje.

Vetë pakti negociator u themelua me Urdhëresën nr. 153 të Kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, i cili fillimisht ka qenë i autorizuar të delimitojë vetëm 12% të hapësirës totale që është delimituar me marrëveshje, për shkak se autorizimi jep fuqitë të delimitohet vetëm shelfi kontinental e jo edhe ujërat territoriale dhe zona ekskluzive ekonomike (ZEE).

Kështu, nga totali i 150 pikave referuese, që përdoren si pika në të cilat kalon vija delimituese, pika 1 deri 139 është e gjatësisë 49.8 milje detare që përfshin hapësirën e detit territorial të Shqipërisë, ndërsa pika referuese 139 deri tek 150 është e gjatësisë prej 14.5 milje detare, gjatësi që përfaqëson shelfin kontinental për të cilin grupi negociator ka pasur autorizimet nga kryeministri për ta delimituar.

Dallimi mes detit territorial dhe shelfit kontinental dhe ZEE, qëndron në faktin që juridikisht në detin territorial shteti ka sovranitet, përderisa në shelfin kontinental dhe ZEE shteti ushtron vetëm të drejta sovrane.

Me marrëveshjen e nënshkruar, grupi negociator nuk ka bërë vetëm definimin e kufijve detarë por edhe të atyre shtetërorë.

Në çështjen e Delimitimit Detar në Detin e Zi mes Rumanisë dhe Ukrainës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) vendosi që “kufiri detar që delimiton shelfin kontinental dhe ZEE nuk duhet të asimilohet me kufirin shtetëror që ndan territoret e shteteve. I pari [kufiri detar] definon limitet e zonës detare në të cilat shtetet bregdetare sipas të drejtës ndërkombëtare kanë të drejta sovrane të caktuara, ndërsa në të dytin [kufirin shtetëror] limitet territoriale të sovranitetit shtetëror”.

Kësisoj, grupi negociator, pa kurrfarë autorizimi jo që ka delimituar shelfin kontinental por edhe detin territorial ku shteti ushtron sovranitet, duke shkelur kushtetutën dhe normat juridike shqiptare të rëndësisë themelore siç është ndarja e pushteteve dhe sundimi i ligjit.

Metoda e përdorur në delimitimin e zonave detare nga Shqipëria dhe Greqia është metoda e Vijës së Mesit (Median Line), por duke përdorur këtë metodë palët kanë injoruar rrethanat e veçanta dhe të drejtat historike, dhe sipas Nenit 15 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS), metoda e Vijës së Mesit nuk aplikohet kur ekzistojnë rrethanat e veçanta apo të drejtat historike.

Sipas GJND-së në çështjet e Shelfit Kontinental në Detin e Veriut, Vija e Mesit në shumë raste krijon pabarazi për palë të caktuara dhe sugjeroi që kur delimitohen kufijtë detarë, principi i barazisë (equitable principle) duhet të aplikohet kur është e mundshme të gjendet një zgjidhje e barabartë për palët, princip ky i konfirmuar si pjesë edhe e të drejtës ndërkombëtare zakonore, (shih: Tunisia v Libyan Arab Jamahiriya), dhe i trajtuar si i tillë edhe nga UNCLOS në nenin 15, 74(1) dhe 83(1).

Nenit 74(1) dhe 83(1) konsiderojnë se delimitimi i EEZ dhe shelfit kontinental duhet të bëhen në bazë të normave të së drejtës ndërkombëtare, sipas Nenit 28 të Statutit për GJND, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e barabartë për palët që delimitojnë hapësirat detare.

Në çështjen e Gjirit të Maine, GJND prodhoi dy principe kryesore të aplikueshme në çdo situatë të delimitimit detar, ndër ta edhe aplikimi i principit të barazisë duke marrë në konsideratë konfigurimin gjeografik të zonës dhe rrethanat e tjera që duhet të merren parasysh gjatë delimitimit, siç janë rrethanat e veçanta (prezenca e ishujve apo e gurëve dhe rëndësia e tyre karshi tokës kontinentale) dhe të drejtat historike, në mënyrë që marrëveshja të mos prodhojë një situatë të pabarabartë.

Kësisoj, prezenca e ishujve është dashur të trajtohet veçantë, në mënyrë që të konstatohet nëse ata prodhojnë efekt të plotë, efekt gjysmak apo nuk prodhojnë fare efekt, gjë që nuk është reflektuar në marrëveshjen e nënshkruar mes palëve. Marrëveshja e injoron një gjë të tillë, dhe ishujve grekë u është dhënë efekt i plotë në procesin e delimitimit, që do të thotë se ata kanë gjeneruar njëjtë territor detar, sikur toka kontinentale shqiptare.

Madhësia dhe konfigurimi i ishujve, dhe aftësia e tyre për të mbajtur jetë njerëzore dhe ekonomike, po ashtu edhe pozicioni i tyre në raport me zonën detare, duhet të trajtohet veçantë për secilin nga ishujt përderisa ata nuk krijojnë arkipelag. Marrëveshja nuk i ka trajtuar fare këto elemente duke mosrespektuar principet për zgjidhje të barabartë të reflektuara në nenin 15, 74 dhe 83 të UNCLOS, gjë që solli një zgjidhje të pafavorshme për palën shqiptare.

Një tjetër lëshim serioz është dhënia e efektit të plotë gurëve apo ngritjeve të tokës, të cilët shfaqen dhe zhdukën sipas baticës dhe zbaticës (low tide elevations).

Guri i Barketës i cili shfaqet dhe zhduket varësisht baticës, në këtë rast ka pasur efekt të plotë, dhe ka qenë indikatori më i rëndësishëm në determinin e vijës bazë të Greqisë, i cili më vonë është përdorur për të delimituar zonat detare përmes metodës së Vijës së Mesit.

Neni 13 UNCLOS parasheh që, kur këto ngritje mbi ujë gjenden në distanca që tejkalojnë detin territorial, nuk mund të gjenerojnë det territorial të vetin.

Paragrafi 3 i Nenit 121 UNCLOS bën një ndarje të qartë mes ishujve dhe gurëve, duke paraparë që gurët që nuk munden të mbështesin jetë ekonomike ose njerëzore nuk do të kenë as ZEE as shelf kontinental të vetin. Sipas të drejtës ndërkombëtare, prezenca e gurëve të tillë afër bregdetit mund të merret parasysh për të definuar linjën bazë, por kur ata gjenden afër ose jashtë linjës së kufirit detar nuk duhet të merret parasysh as për të definuar linjën bazë.

Kësodore, sipas të drejtës ndërkombëtare, guri i Barketës nuk mundet as të ketë efekt të plotë për shkak se nuk është ishull, dhe duke i dhënë efekt të plotë në marrëveshje guri i Barketës konsiderueshëm ka ndikuar vijën kufitare në favor të Greqisë, duke reduktuar detin territorial shqiptar për 15 kilometra katrorë.

GJND në çështjen Nikaragua v. Honduras, në paragrafin 141 thekson që ngritjet e tilla nuk duhet të konsiderohen të jenë pjesë të territorit të shtetit dhe kështu nuk mund të asimilohen me ishujt e as të gjenerojnë det territorial të vetin.

Në delimitimin e shelfit kontinental mes Greqisë dhe Italisë, ishujt Othonoi dhe Erikuza kanë gëzuar gjysmefekt pavarësisht distancës së madhe nga bregu italian.

Linja delimituese kalon nëpër 16 pika referuese, dhe linja delimituese mes pikave 1 dhe 4, e gjatësisë prej 55.9 milje detare, është nën efektin e ishullit Othonoi. Në këtë marrëveshje ishulli i Othonoit ka marrë gjysmefekt dhe rëndësia e tij në raport me bregun italian është zvogëluar për 97%, që rezultoi në profitin e Italisë për 28.93 milje katrorë.

Në marrëveshjen me Shqiprinë, ishujt Lazareto, Erikuza dhe Othonoi kanë gëzuar efekt të plotë dhe janë trajtuar barabar të rëndësishëm me tokën kontinentale shqiptare, duke rezultuar në dhunim të parimit të barazisë. Me dhënien e efektit të plotë këtyre ishujve dhe gurit të Barketës, zona detare shqiptare është zvogëluar me 127 kilometra katrorë.

Kjo zonë ka rëndësi të veçantë gjeostrategjike, ekonomike dhe historike për Shqipërinë.

Pas nulifikimit të marrëveshjes është konstatuar se zona e delimituar përmban resurse të naftës dhe gazit natyror që janë të natyrës së rëndësishme për ekonominë e shtetit. Gjithashtu kjo zonë ka rëndësi të veçantë në kontekstin historik, për shkak se ajo konsiderohet e pasur arkeologjikisht dhe ende nuk është eksploruar.

Në këtë mënyrë, nulifikimi i marrëveshjes, ka bërë të mundur ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë, respektimin e principeve kushtetuese dhe të të drejtës ndërkombëtare, si dhe mbrojtjen e interesave strategjike të shtetit shqiptar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.