Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Mbi zanafillën e asociacionit të komunave serbe: 9 dështime

Që nga qershori 1999, Kosova është ballafaquar me paqartësi për të ardhmen e saj politike. Për dallim nga UNTAET, mandati i të cilit mision ka përgatitur shoqërinë në Timorin Lindor për shpalljen e pavarësisë, UNMIK-u nuk e ka pasur një mandat të tillë. Mandati i UNMIK-ut ishte themelimi i institucioneve të përkohshme në Kosovë, me kapacitet që të ofrojnë siguri për të gjithë banorët e Kosovë dhe, përmes këtyre institucione, Kosova do të gëzonte një autonomi substanciale brenda ish-Jugosllavisë. Me të drejtë një shkollar i marrëdhënieve ndërkombëtare, këtë formulim kontradiktor ‘autonomi substanciale brenda Jugosllavisë’ e ka quajtur ‘fiksion politik-shkencor’. Statusi limbo i Kosovës ishte ‘orë e kurdisur’ për sigurinë dhe stabilitetin rajonal në Evropën Juglindore. Si rezultat i kësaj, përmes një procesi të koordinuar ndërkombëtar, Kosova shpall pavarësinë. Në Kosovë zbarkohet një mision për sundim të ligjit, EULEX. Poashtu do të themelohej një Zyrë Civile Ndërkombëtare që do të mbikëqyrte zbatimin e Planin të Ahtisaarit. Obligimet që rridhnin nga ky plan për mbrojtjen e pakicës serbe dhe pakicave të tjera Kosova ishin integruar në Kushtetutën e Kosovës.

Që nga viti 1999, jeta politike në Kosovë është modeluar përmes tri makroforcave politike – shqiptarët që kanë promovuar një qasje qendërsynuese, kanë kërkuar në vazhdimësi që pushteti të transferohet nga UNMIK në institucionet e Kosovës dhe që këto të fundit të fuqizohen drejt pavarësimit të plotë; serbët, të mbështetur nga Beogradi, kanë promovuar një qasje qendërikëse, përmes krijimit të institucioneve paralele në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe kontestimin e legjitimitetit të UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës; UNMIK, neutralitetit i të cilit mision kundrejt statusit të Kosovës, dhe mungesa e llogaridhënies qoftë në nivel vendor qoftë ndërkombëtar, ka rezultuar me qëllimin e pasynuar të tij  – humbjen e legjitimitetit në terren. Të njëjtin fat duket se do ta ketë edhe EULEX-i.

Kjo përplasje mes forcave politike qendërikëse serbe në Kosovë (me mbështetje të Beogradit) dhe forcave qendërsynuese shqiptare vazhdon edhe 8 vite pasi Kosova ka shpallur shtetin e saj, në aktin themeltar të shtet në të cilin garantohet përfaqësimi institucional i pakicave në institucionet qendrore dhe të drejta të zgjeruara vetëqeverisëse, përmes themelimit të komunave serbe, të cilat gëzojnë kompetenca më të gjera në krahasim me komunat shqiptare. Për ta zvogëluar këtë distancë mes këtyre tendencave politike qendërikese dhe qendërsynuese, Kosova, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ka nisë një proces të ri dialogu me Serbinë. Me19 prill 2013 Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo marrëveshje parasheh themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, integrimin e pjesëtarëve të strukturave paralele serbe në institucionet e Kosovës, ku serbët do të zgjedhin një komandat rajonal (përkatësia etnike e së cilit/cilës duhet të jetë serb), mbajtjen e zgjedhjeve edhe në veri të Kosovës, etj. Kjo marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe, poashtu, është aprovuar kushtetutshmëria e saj nga Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar vetëm pjesën e procedurave të ratifikimit, por jo edhe pjesën përmbajtjesore të marrëveshjes. Nëse për kërshëri analitike lexohet përmbajtja e Marrëveshjes së 19 prillit, përmbajtja e saj nuk është në tërësi në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet aktuale në Kosovë. Kjo është një temë që e kam trajtuar diku tjetër.

Marrëveshja e 19 prillit – nëse përdorim terminologjinë e John Rawls – shkel parimin e drejtësisë si paanshmëri, që nënkupton para së gjithash parimin e qytetarëve të lirë e të barabartë. Zbatimi i këtij parimi – në mënyrë që themelohet një shoqëri e drejtë e qytetarëve të barabartë – nuk mund të bëhet objekt negociimi politik. Me fjalë të tjera, Marrëveshja e 19 prillit është rezultat i një procesi negocimi politik. Kjo marrëveshje nuk e bën shoqërinë kosovare një shoqëri më të drejtë të qytetarëve të saj, për shkak se funksionin mbi parime përjashtuese etnike, dhe i pamundëson një pjese të qytetarëve të Kosovës përfaqësimin në këtë mekanizëm. Qyshdoqoftë, problemi faktik mbetet se një pjesë e konsiderueshme e serbëve kosovarë – sidomos ata në veri – nuk e kanë konsideruar veten fare qytetarë të shtetit të Kosovës. Marrëveshja, duke qenë në thelb kalkulim politik, dhe jo platformë e parimeve të barazisë dhe drejtësisë, ka për qëllim që në mënyrë inkrementale të krijojë incentiva përmes së cilave forcat qendërikëse serbe në Kosovë  – nëse shprehemi me eufemizmin e zakonshëm – të drejtohen nga Prishtina, dhe të pranojnë gradualisht Republikën e Kosovës. Qyshdoqoftë, kjo nuk duhet të ndodhë me çmimin e defunksoinalizmit të shtetit të Kosovës.

Si çdo marrëveshje ndërkombëtare, edhe Marrëveshja e 19 prillit nuk është marrëveshje e vetëzbatueshme. Marrëveshja do të duhej të themelohej me statut, dhe përmbajtja e kompetencave që do të përshkruhen në statut do të jetë vendimtare për ta ruajtur karakterin unitar dhe funksional të shtetit të Kosovës. Dokumenti i 25 gushtit 2015 për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit ka tejkaluar formën dhe përmbajtjen e Marrëveshjes së 19 prillit. Me kërkesë të Presidentes së Kosovës, ky dokument është adresuar në Gjykatën Kushtuese. Kjo e fundit në aktgjykimin e saj 39 faqesh, KO 130/15, jep një vlerësim abstrakt dhe konstaton se dokumenti i quajtur ‘Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – Parime e përgjithshme/Elementet kryesore’, nuk është tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetuese’. Gjykata Kushtetuese konstaton se ky dokument shkel barazinë para ligjit të qytetarëve të Kosovës, të drejtat dhe liritë themelore, dhe të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre. Në mënyrë indirekte, sipas vlerësimit tim, Gjykata Kushtetuese konstaton se përmbajtja e marrëveshjes së 19 prillit nuk është në tërësi në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e që në aktgjykimin e parë për Marrëveshjen e 19 prillit Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur veten si jo kompetente për të gjykuar përmbajtjen e marrëveshjes. Qyshdoqoftë, ajo konsiston se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të themelohet.

Në gjithë këtë përplasje mes Politikës dhe Ligjit, është një Çelës përmes së cilit mund të bllokohen dhe pastrohen prerogativat eventuale antikushtetuese të statutit, mbi bazën e të të cilit do të themelohet Asociacioni. Statuti tashmë është instrumenti i vetëm ligjor për ta pastruar si Marrëveshjen e 19 prillit ashtu edhe dokumentin e 25 gushtit për zbatimin e kësaj marrëveshje. Për të vlerësuar përputhshmërinë e statutit me Kushtetutën e Kosovës, vlerësimin final do ta japë Gjykata Kushtetuese. Qyshdoqoftë, gjatë hartimit të statutit, në mënyrë që të ruhet funksionaliteti i shtetit të Kosovës dhe në mënyrë që gjeneratat e tashme dhe të ardhshme, të kenë mundësi të jetojnë në një shoqëri ku parimi i barazisë së qytetarëve para ligjit vlen barabar për të gjithë. Statuti nuk duhet të themelojë një Asociacion me kompetenca ekzekutive. Grupi teknik që do të harton statutin tashmë e ka më lehtë meqenëse Gjykata Kushtetuese ka ravijëzuar vijat e kuqe se ku dhe në çfarë forme dokumenti i 25 gushtit nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Poashtu, duhet të merren praktikat më të mira për respektimin e të drejtave të njeriut nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, që duhet të jenë të aplikueshme edhe në Kosovë, si, fjala vjen, rasti Sejdiq dhe Finci kundër Bosnjë-Hercegovicës.

Dervo Sejdiq dhe Jakob Finici, një rom dhe një hebre, si qytetarë të Bosnjë-Hercegovinës, në vitin 2006, kishin ngritur çështjen e diskriminimit të tyre në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me arsyetimin se asnjëri dhe as tjetri nuk kishin mundësi që të garonin në zgjedhje për Dhomën e Popujve të Parlamentit dhe as për pozitën e Presidences Kolektive, për shkak se përkatësisë së tyre etnike. Sejdiq dhe Finci bazohen veçanërisht në nenin 3 (zgjedhje të lira), 14 (ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në preambulën e Kushtetutës së Bosnjës, e cila ishte modeluar sipas Marrëveshjes së Dejtonit të 1995-s vetëm boshnjakët, kroatët dhe serbët njihen si ‘popuj konstitutivë’. Poashtu, gjithnjë sipas Kushtetutës së Bosnjës, përfaqësimi në Dhomën e Popujve ashtu edhe Presidencën Kolektive, bëhej sipas parimit etnik. Gjykata e Strasburgut, në vendimin e saj 59 faqesh, në dhjetor 2009, konkludon qartë se rasti në fjalë paraqet diskriminim të qartë mbi baza etnike ndaj Sejdiq dhe Finci. Qyshdoqoftë, shtatë vjet që nga vendimi i marrë nga Gjykata e Strasburgut, ky vendim nuk është zbatuar dhe Bosnja nuk ka arritur që të ndryshojë parimet diskriminuese që janë të shkruar në Kushtetutën e saj, për faktin se çdo ndryshim kushtetues duhet të bëhet në dakordancë me Republikën Serbe të Bosnjës. Njëra prej kërkesave eksplicite të Komisionit Evropian në rrugën e Bosnjës drejt integrimeve evropiane është zbatimi i këtij vendimi të Gjykatës së Strasburgut dhe ndryshimi i karakterit diskriminues të Kushtetutës së Bosnjës. Ndonëse rasti i Kosovës dallon nga ai i Bosnjës, ajo që duhet të mësohet nga ky rast është që, ndonëse bashkësia ndërkombëtare, është e interesuar që të lehtësojë një marrëveshje politike për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, përmes së cilës do të krijoheshin incentivat për integrimin e strukturave paralele serbe në institucionet e Kosovë, pjesët e caktuara të Marrëveshjes së 19 prillit 2013 dhe pjesë nga dokumenti zbatues i 25 gushtit 2015, që ofrojnë zgjidhje krejtësisht monoetnike (si p. sh. emërimi i një komandanti rajonal serb në veri), bien ndesh me standardet më të avancuara për të drejtat e njeriut. Afërmendsh, andaj, nuk është për t’u befasuar që në një fazë të avancuar kur Kosova do të jetë më afër procesit të integrimit evropian, vetë Bashkimi Evropian do të kërkonte që të ndryshohet korniza ligjore diskriminuese në Kosovë, nëse kjo e fundit do të aprovonte një gjë të tillë. Atëherë, ndoshta, kjo detyrë do të ishte edhe vonshme por edhe e vështirë.

Themelimi i një asociacion shtesë të komunave me shumicë serbe paraqet dështimin e projektit paqendërtues ndërkombëtar për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe fer të qytetarëve të saj. Është qëllim i pasynuar i keqadministrimit të UNMIK-ut mbi Kosovën,  i cili ka gëzuar mandat të plotë që ta zbatojë rezolutën 1244 në Kosovë. Me fjalë të tjera, zbatoi parimin e barazisë për të gjithë qytetarët në të gjithë territorin e Kosovës. Qyshdoqoftë, asociacioni nuk ka ‘pikur nga qielli’. Nëse duam të kthehemi në retrospektivë, shkaqet e Marrëveshjes së 19 prillit dhe dokumentit të 25 gushtit, duhen kërkuar, pos tjerash, edhe në 9 dështimet (si të bashkësisë ndërkombëtare ashtu edhe të lidershipit politik shqiptar) si këto në vijim:

 

Dështimi 1. Mungesa e ofrimit të sigurisë për serbët lokal pas ndërhyrjes së UNMIK dhe forcave të NATO-së në Kosovë. Kjo rezultoi me zhvendosjen dhe koncentrimin e serbëve nga jugu në veri të Kosovës. Forcat e KFOR-it francez kishin ndërtuar një kordon të sigurisë, që t’ju pamundësojë shqiptarëve kontaktin fizik dhe konfliktin eventual me serbët. Tanimë ndarjet fizike shqiptare-serbe në veri të Kosovës ishin fakt.  Serbët themeluan një strukturë sigurie. Të ashtuquajtur ‘Rojat e Urës’ shpërngulen shqiptarët nga pjesa veriore. Nëse në vitin 1999 do të kishte koordinim më të madh mes lidershipit ushtarak të UÇK-së, KFOR-it dhe UNMIK-ut për garantimin e sigurisë për serbët lokalë, ndoshta nevoja për një Asociacion të komunave me shumicë serbe do të ishte evituar.

Dështimi 2. Përmbushja e boshllëkut institucional nga strukturat paralele serbe para zbarkimit të administratës së UNMIK-ut në veri. Distancimi i serbëve sidomos në veri, por edhe në pjesët e tjera të Kosovës, nga UNMIK dhe IPVQ. Themelimi i strukturave paralele, që raportet e OSBE të vitit 2004 dhe 2007 i klasifikuan si ilegale dhe në kundërshtim me Rezolutën 1244. Përmbushja e nevojave financiare të këtyre strukturave nga Beogradi dhe jo nga Prishtina. Raportet tregojnë se Beogradi ka investuar afër 200 milion euro në baza vjetore në këto struktura. Sikur Serbia postmilloshoviqiane të kushtëzohej dhe sikur çdo ndërhyrje e Serbisë në Kosovë do të konsiderohej sulm ndaj administratës së OKB-së, ndoshta nevoja për themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe do të ishte evituar. Paralelisht kësaj, po qe se në vitin 2003 institucionet e përkohshme të Kosovës së bashku me UNMIK dhe donatorët ndërkombëtarë do të përmbushnin nevojat e serbëve lokalë, mundësia që sot të flitej për Asociacionin e Komunave serbe do të ishte tepër më e vogël.

Dështimi 3. Standardet para statusit v. standardet me pavarësinë. Politika e 7 standardeve për Kosovën (e vitit 2003) dhe 109 pikave implementuese, përmes së cilave do të hapej rruga për të diskutuar statusin e Kosovës në planin ndërkombëtar nga elita politike në Kosovë shihej si një pengesë dhe vonesë drejt përmbushjes së aspiratave të shqiptarëve.  Standardi 4 parashihte kthimin e qëndrueshëm të serbëve në Kosovë, kurse standardi 7 parashihte dialog mes Prishtinës dhe Beogradit. Kjo politikë shihej me skepticizëm nga lidershipi politik në Kosovë, meqenëse Beogradi gjatë gjithë kohës ishte i interesuar për mirëmbajtjen e status quo-së në Kosovë dhe jo hapjen e dialogut për status. Sikur në vitin 2003 Prishtina dhe Beogradi do të dialogonin mirëfilli për normalizimin e marrëdhënieve, dhe Serbia do të kushtëzohej që ta njohë pavarësinë e Kosovës, mundësia që të ndodhin ngjarjet e marsit 2004 do të ishte më e vogël. Më e vogël do të ishte poashtu mundësia që Kosova të decentralizohej në formë dhe përmbajtje ashtu siç është modeluar me Planin e Ahtisaarit.

Dështimi 4. Ngjarjet e marsit dhe shkatërrimi i kishave ortodokse. Kjo krijoi perceptimin ndërkombëtar, perceptim ky që është ushqyer nga propaganda e Beogradit që nga 1999, se  elita politike shqiptare nuk është në gjendje që ta mbrojë komunitetin serb. Lidershipi politik shqiptar kishte dënuar krejt zbehtë këto ngjarje, për faktin se këto ngjarje shiheshin si antistatus-quo, dhe një mundësi e mirë që të hapej dialogu ndërkombëtar për definimin e statusit të paqartë politik të Kosovës. Sikur lidershipi politik shqiptar më 2004 të lanconte një dialog të brendshëm përmes një qasjeje të kombinuar dialogimi dhe komunikimi lidership-masë mes shqiptarëve dhe serbëve dhe do të iniciohej një proces i drejtësisë tranzicionale ndoshta nuk do të kishte nevojë as për një Gjykatë Speciale sot, dhe as për një Asociacion të tillë të komunave me shumicë serbe më 2016.

Dështimi 5. Raporti i Kai Eides diskrediton politikën e UNMIK-ut ‘standardet para statusit’. Pas ngjarjeve të marsit 2004, nevoja për të qartësuar të ardhmen politike të Kosovës u bë domosdoshmëri. Eide shënon në raportin e tij se kredibiliteti i politikës ‘standardet para statusi tanimë është i munguar dhe zhgënjimin e shqiptarëve me bashkësinë ndërkombëtare. Ndonëse vëren se ka pak progres në ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike, megjithatë ai rekomandon transferim të kompetencave nga UNMIK tek IPVQ-të.

Dështimi 6. Hapja e negociatave për status në Vjenë, 2006.  Serbia kishte ndërtuar një platformë politike, siç thuhet në dokument, për statusin e Kosovës dhe të Metohisë. Serbia dëshironte që statusi i Kosovës të mos imponohet, por të zgjidhjet në përputhje me integritetin dhe sovranitetin e Serbisë.  Serbia ofronte një autonomi për Kosovën, sipas modeleve të kantoneve në Zvicër.  Ahtisaari së bashku me ekipin e tij, pas një procesi të gjatë negociator, ofron një plan për Kosovën, ku rekomandon pavarësi të mbikëqyrur dhe një decentralizim të thellë për Kosovë, përmes themelimit të komunave me shumicë serbe, që do të kishin kompetenca shtesë. Natyrisht kjo zgjidhje nuk do të pranohet nga Serbia. Serbia vazhdon të kontestoj shtetësinë e Kosovë qoftë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë qoftë në forume ndërkombëtare. Serbët largohen nga pjesëmarrja në institucionet e Kosovës, sipas udhëzimeve të Beogradit.

Dështimi 7. Ndonëse Plani i Ahtisaarit fillon të zbatohet në pjesën dërrmuese të Kosovës nën mbikëqyrjen e Zyrës Civile Ndërkombëtare, institucionet e Kosovës dhe ICO, së bashku me EULEX, dështon të themelojë Komunën e Mitrovicës së Veriut ashtu siç parashihej me plan. Nëse më 2008 do të themelohej Komuna e Mitrovicës, mundësia që të flitet për një Asociacion të Komunave me shumicë serbe do të ishte shumë e vogël.

Dështimi 8. Në vitin 2010 ICO së bashku me EULEX-in dhe ambasadën amerikane draftuan ‘Strategjinë për Veriun’ me 33 rekomandime. Qëllimi i strategjisë ishte margjinalizimi i strukturave paralele, por një gjë e tillë nuk u arrit asnjëherë. Nëse me 2010 do të zbatohej ‘Strategjia për Veriun’ për integrimin e serbëve të veriut, Kosova nuk do të kishte nevojë që të rimerrej përsëri me temën e Asociacionit.

Dështimi 9.  Dështimi për ta zbatuar Planin e Ahtisaarit, hapi një proces të ri negociator, përmes së cilit proces Kosova dhe Serbia u dakorduan për themelimin e Asociacioni të Komunave me shumicë serbe. Është evidente se Serbia insiston që kompentecat e Asociacionit të jenë më të zgjeruara se ato që ofron Plani i Ahtisaarit, duke tentuar të çimentojë autonomi të shtuar territoriale për serbët e Kosovës.

Për fund, Asociacioni është rezultat i mungesës së ofrimit të një qartësie politike për statusin e Kosovës që nga 1999. Çmimi për vendosjen e kësaj qartësie politike, që u konkretizua me pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, ishte ofrimi i një spektri të drejtave të vetëqeverisjes lokale për serbët kosovarë, respektivisht decentralizimi. Asociacioni është rezultat i mungesës së zbatimit të decentralizimit në tërësi. Zyra Civile Ndërkombëtare e përmbylli misionin e saj pa e zbatuar Planin e Ahtisaarit në veri. Përgjegjësia për këtë duhet para së gjithash t’i faturohet UNMIK-ut, ICO-së dhe EULEX-it, por pa faj nuk është as lidershipi politik shqiptar, i cili nuk ka treguar aspak as ndjeshmërinë minimale për ndërtimin e raportet të mira ndëretnike, dhe i cili lidershipi ka qeverisur përmes Koalicioneve të Mëdha me të gjitha qeveritë e pasluftës në Kosovës. Me fjalë të tjera, përgjegjëse janë edhe partitë politike në Kosovë – LDK, PDK, dhe AAK.

Lë përgjegjësinë mënjanë, lidershipi politik në Kosovë duhet të tregojë maturi politik që ta mbrojë integritetin, funksionalitetin dhe karakterin unitar të shtetit të Kosovës. Meqenëse procesi negociator mes Serbisë dhe Kosovës nuk është i dizajnuar nga këto shtete, por është një proces ndërkombëtar, atëherë mbrojtja e interesave të Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të bëhet përmes politikave izolacioniste, por përmes një dialogu të mirëpërgatitur që, në njërën anë, ruan substancën e shtetit të Kosovës dhe, në anën tjetër, jep indicie se lidershipi politik shqiptar është i interesuar mirëfilli për integrimin e serbëve dhe garantimin e sigurisë së këtyre të fundit. Kosova i ka njëqind arsye që të respektojë standardet evropiane për të drejtat e pakicave. Por, Kosova nuk ka asnjë arsye të vetme që të zbatojë standarde diskriminuese.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.