Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

(Mos)Angazhimi i komunitetit në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm

Kosova si njëra ndër shtetet e prekura nga ekstremizmi i dhunshëm është përballur me mungesë konsesusi mbi faktorët shtytës të këtij fenomeni. Hulumtimet dhe opinionet nga përfaqësues institucional, përfaqësues të misioneve ndërkombëtare, përfaqësues të mediave dhe shoqërise civile konsiderojnë faktorë të ndryshëm si stimulim të problemit të ekstremizmit të dhunshëm. Disa prej tyre e konsiderojnë papunësinë si problemin kryesor; mungesën e mirëqenies ekonomike dhe sociale; mos-edukimin; politikat e dobëta; mungesën e aktiviteteve kulturore dhe sportive etj. Realisht, faktorët shtytës mund të ndryshojnë në bazë të rrethanave, vendit apo kohës. Janë komunitetet lokale ato të cilat më së miri i kuptojnë faktorët shtytës, pse dhe si ndryshojnë dhe si të adresohen ato.

Një pjesë e madhe e aktiviteteve që janë zhvilluar në kuadër të parandalimit dhe luftimit të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë kanë qenë të orientuara nga spektri i sigurisë, e jo në fuqizim të përgjithshëm të rinisë dhe komuniteteve në përgjithësi – qofshin ato të prekura nga ekstremizmi i dhunshëm apo jo. Institucionet dhe organizatat që kanë në fokus sigurinë zakonisht bashkëpunojnë me komunitetet të cilat vetëm se janë prekur nga fenomeni, përderisa organizatat që kanë në fokus edukimin dhe zhvillimin janë të fokusuara në komunitetet më të varfëra. Jo domosdoshmërisht komunitetet që mund të preken nga fenomeni i ekstremizmit të dhunshëm janë ato më të varfërat apo komunitetet që vetëm janë të prekura mund të thellohen edhe më tej në të.

Hapi i parë i përfshirjes së komuniteteve është identifikimi i tyre dhe i gatshmërisë që ata kanë për t’i hapur dyert ndaj individëve që kanë qenë pjesë e grupeve ekstreme, apo atyre që në ndonjë formë tjetër janë prekur nga fenomeni i ekstremizit të dhunshëm. Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) me anë të Barometrit Kosovar të Sigurisë (BKS) ka matur opinionin e qytetarëve të Kosovës mbi gatishmërinë për t’i pranuar individët e dënuar për vepra terroriste në komunitetet e tyre. Rezultatet e anketës tregojnë se ka mungesë gatishmërie tek qytetarët për t’i pranuar ata. 62 përqind e të anketuarëve u deklaruan se nuk janë të gatshëm të ofrojnë dorën e ndihmës me anë të pranimit të ish-luftëtarëve të huaj në komunitetet e tyre, 25 përqind janë të gatshëm t’i pranojnë ata me kusht që të kenë mbikëqyrje institucionale, ndërsa 11 përqind e të anketuarëve nuk e konsiderojnë  aspak problem praninë e tyre në komunitet.

Ndërtimi i besimit është esencial në përfshirjen e komunitetit në parandalim të fenomeneve me impakt negativ në shoqëri. Për të krijuar zgjidhje të qëndrueshme duhet të ketë besim në mes komuniteteve të ndryshme karshi njëra tjetrës, institucioneve dhe të gjithë aktorëve relevant. Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të kenë besim të lartë ndaj institucioneve të sigurisë, megjithatë ka deficit besimi tek institucionet e drejtësisë, qeverisja qendrore dhe parlamenti. Forca e Sigurisë së Kosovës konsiderohet si institucioni më i besueshëm nga qytetarët e anketuar në BKS (78%), pasuar nga Policia e Kosovës (61%)dhe AKI (37%). Qeveria e Kosovës, Parlamenti, Prokuroria, Gjyqësori dhe EULEX-i janë institucionet në të cilat qytetarët konsiderojnë se nuk mund të mbështeten, duke marrë parasysh shkallën e ulët të besimit që këto institucione gëzojnë.

Me mungesën e besimit të qytetarëve ndaj shumicës së institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, rritet pasiguria brenda komunitetit. Mos-përmbushja e nevojave bazike të komunitetit, niveli i ulët i besimit ndaj institucioneve dhe mungesa e përkrahjes institucionale dhe shoqërore ndaj komuniteteve të caktuara, i bën ato komunitete target potencial të ideologjive dhe grupeve të ndryshme ekstreme. Përafrimi i institucioneve me komunitetin me qëllim rritjen e besimit tek njëra-tjetra mund të konsiderohet si hap konkret në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në vend.

Për funksionim të mirëfilltë të hallkës së aktorëve relevant duhet të krijohet qëndrueshmëri brenda komuniteteve. Disa komunitete kanë mungesë fondesh për zhvillimin e aktiviteteve; disa kanë mungesë të kapaciteteve; disa kanë mungesë kredibiliteti; disa përballen me mungesë të infrastrukturës;. Është tejet e rëndësishme të identifikohen të gjitha problemet e tyre, të adresohen ato dhe të krijohet hapësirë e mjaftueshme për të hapur potencialin e tyre në shërbim të shoqërisë. Njëra ndër problemet gjatë punës së institucioneve dhe organizatave jo-qeveritare me komunitetet lokale është përsëritja e aktiviteteve të njëjta. Për të siguruar qëndrueshmëri duhet të ketë koordinim të aktiviteteve në mënyrë që përvec kalendarit të aktiviteteve të atyre institucioneve dhe organizatave, të plotësohet edhe mozaiku i nevojave të qytetarëve.

Dhënia e përkrahjes për iniciativat e ndryshme në nivel lokal është arritje e suksesit, por megjithatë në nivel qendror dhe më gjerë mund të mos ketë peshë të madhe. Përhapja e mësimeve të nxjerra nga sukseset dhe dështimet është hapi i fundit i angazhimit të komuniteteve në parandalim të ekstremizmit të dhunshëm, ndërsa është hapi i parë i rrjetëzimit të tyre dhe standardizimit të metodave të angazhimit në atë mënyrë që të jenë të aplikueshme në të gjitha nivelet.

Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm mund të funksionojë më mirë nëse fokusohemi në forcimin dhe përmirësimin e jetës së komuniteteve, në mënyrë që ata të kenë qasje refuzuese ndaj ideologjive ekstremiste. Përderisa të rinjtë dhe komunitetet e caktuara në diskursin publik konsiderohen vetëm si të rrezikuar, ata realisht mund të jenë zgjidhja që e kemi.

____________

Të dhënat për perceptimin e qytetarëve janë marrë nga Barometri Kosovar i Sigurisë – Përceptimet e qytetarëve ndaj luftëtarëve të huaj të kthyer në Kosovë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.