Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ndikimi i “fshehur” i pandemisë në shëndetin mendor të fëmijëve

Shëndeti mendor është një ndër komponentët më të rëndësishëm të zhvillimit dhe rritjes së shëndetshme të një fëmije. Ai përfshin mirëqenien e plotë dhe zhvillimin optimal të një fëmije në aspektet emocionale, të sjelljes, sociale si dhe atë të njohjes (si të menduarit, kujtesa, gjykimi, zgjidhja e problemeve etj.). Fëmijët që gëzojnë shëndet të plotë mendor kanë një kualitet më të mirë të jetës, janë shumë më pozitivë dhe arrijnë të jenë më bashkëpunues dhe bashkëveprues në kryerjen e detyrave dhe obligimeve ditore si në shtëpi, shkollë, apo edhe në ndërveprim me bashkëmoshatarët e tyre. Mirëpo, edhe pse në shikim të parë konsiderohet se fëmijët – të paktën deri më tani – nuk përbëjnë grupin më të atakuar dhe kërcënuar nga COVID-19, efektet latente në shëndetin e tyre mendor, që potencialisht janë shkaktuar nga ndikimet multidimensionale të pandemisë, do të jenë afatgjata.

Një supozim i tillë gjen mbështetje në shumë studime të realizuara nga institucione kredibile ndërkombëtare. Në këtë kontekst, në një raport të hartuar nga Grupi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm konstatohet se fëmijët rrezikojnë të jenë viktimat më të mëdha të pandemisë edhe pasi ajo të përfundojë ose të vihet nën kontroll. Derisa – për fat të mirë të të gjithëve – fëmijët janë kursyer nga pasojat e rënda dhe të drejtpërdrejta shëndetësore të shkaktuara nga COVID-19, ekziston rreziku i bazuar se pandemia po shkakton pasoja evidente në mirëqenien e tyre jo vetëm fizike, por mbi të gjitha atë psikologjike. Natyrisht, një gjë e tillë do të varet shumë se sa do të zgjasë pandemia. Kuptohet se një betejë më e gjatë për ta kontrolluar përhapjen e virusit – me qëllim të eliminimit të plotë të tij – jo vetëm që do të prolongojë agoninë dhe efektet negative shëndetësore te të gjithë, por do të rriste dukshëm gjasat që të ketë pasoja afatgjata në shëndetin mendor të fëmijëve.

Në këtë drejtim, për shkak të pandemisë, shumë prindër kanë humbur punën dhe për pasojë të hyrat në familjet e tyre janë reduktuar. Një gjë e tillë e ka rritur nivelin e varfërisë kudo në botë dhe në këtë mënyrë ka ndikuar që sot të kemi më shumë fëmijë që përballen në mënyrë të përditshme me vështirësitë e përmbushjes së nevojave elementare. Pra, duket e thjeshtë, por me varfërimin e familjeve, si pasojë e pandemisë, sot kemi më shumë fëmijë që jetojnë në varfëri. E kuptohet fare mirë se varfëria ka pasoja për shëndetin e fëmijëve në përgjithësi dhe të atij mendor në veçanti.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm që ka efekte afatgjata në shëndetin mendor të fëmijëve konsiderohet të jetë edhe pamundësia për të ndjekur mësimin e rregullt për shkak të mbylljes së shkollave si pasojë e kufizimeve për ta ulur mundësinë e përhapjes së virusit. Sa më gjatë që shkollat mbesin të mbyllura, aq më shumë rriten gjasat që nxënësit të humbin mundësinë që të përvetësojnë dijet dhe shkathtësitë e nevojshme e të domosdoshme që u ndihmojnë atyre të realizojnë me sukses dhe në formë të shëndetshme tranzicionin nga adoleshenca në moshën madhore.

Është e kuptueshme që edhe zhvillimi ekonomik i një vendi dhe stabiliteti socio-politik ndikon në nivelin, intensitetin dhe kohëzgjatjen e efekteve negative që do të mund të prekin shëndetin mendor të fëmijëve. Vlerësohet që në vende të varfra efektet në shëndetin mendor të fëmijëve të pandemisë të jenë më të mëdha. E njëjta vlen edhe për fëmijë që jetojnë në familje apo rajone me kushte më të vështira jetese të cilët përballen më vështirësi financiare. Por, duhet theksuar se natyra dhe shtrirja e ndikimit në shëndetin mendor të shkaktuar nga pandemia te fëmijët dhe adoleshentët varet edhe nga shumë faktorë të tjerë vulnerabilë, të tillë si: mosha e zhvillimit, statusi arsimor aktual, nëse është fëmijë me nevoja të veçanta, pastaj gjendja ekzistuese e shëndetit mendor, të qenët ekonomikisht i/e privilegjuar etj.

Në njërin nga hulumtimet më të mëdha në shtrirje dhe më gjithëpërfshirëse në volum, i realizuar në 46 vendet të botës me fëmijët dhe familjet e tyre gjatë pandemisë nxori në pah se 62% e fëmijëve dhe 83% e prindërve/kujdestarëve kishin raportuar nivele rritjeje të ndjenjave negative në momentin që shkollat ishin mbyllur në kohëzgjatje prej 1 deri në 4 javë. Në këtë mënyrë, niveli i ndjenjave negative ishte më i lartë për shumicën më të madhe të fëmijëve (96%) dhe të rriturve (95%) kur shkollat ishin mbyllur prej 17 deri në 19 javë. Po ashtu, më shumë se gjysma e fëmijëve që nuk ishin në kontakt me bashkëmoshatarët e tyre raportuan se ndiheshin më pak të lumtur (57%), më shumë të shqetësuar (54%) si dhe më pak të sigurt (58%).

Në këtë raport po ashtu u konstatua se, në nivel global, 8 nga 10 fëmijë deklaruan se kanë mësuar më pak ose aspak dhe dy të tretat e prindërve dhe kujdestarëve raportuan se fëmijët e tyre nuk kishin asnjë kontakt me mësuesit që nga momenti kur janë mbyllur shkollat. Nga ana tjetër, kriza e shkaktuar  nga pandemia solli edhe pasoja të drejtpërdrejta në ekonominë globale. Tre të katërtat e familjeve humbën të ardhurat dhe shumica dërrmuese e familjeve (96%) raportuan se kishin probleme të paguanin për një artikuj apo për shërbime esenciale. Katër në pesë familje u sfiduan për të paguar ushqimin dhe dy në pesë familje e kishin të vështirë që të siguronin ushqim të mjaftueshëm. Shumica e prindërve dhe kujdestarëve (89%) raportuan se aksesi në kujdesin shëndetësor, ilaçe ose furnizime mjekësore, ishte cenuar dukshëm.

Pra, siç mund të shihet, pabarazia sociale është bashkëshoqëruar me rrezikun real të zhvillimit të sfidave në shëndetin mendor gjithashtu. Në vendet në zhvillim, me bllokimin e imponuar, fëmijët e paprivilegjuar janë përballur me privim akut nga ushqimi dhe mbrojtja e përgjithshme. Periudha e zgjatur e stresit mund të ketë një ndikim negativ afatgjatë në zhvillimin e tyre. Duke u bazuar në këto të dhëna, duket se fëmijët kanë pësuar një humbje të konsiderueshme në shumë aspekte. Kur fëmijët përjetojnë fatkeqësi apo përballen më probleme të ndryshme pa mbështetjen e duhur të prindërve, kujdestarëve, familjes por edhe profesionistëve të shëndetit mendor, kjo mund të ketë pasoja negative serioze dhe të qëndrueshme në zhvillimin kognitiv dhe rregullimin emocional, duke rezultuar potencialisht në ndikim gjatë gjithë jetës në shëndetin mendor dhe fizik të fëmijës.

Një prej pasojave më serioze të pandemisë në raport me fëmijët ka qenë procesi mësimor, respektivisht pamundësia që të zhvillohet dhe ndiqet një proces mësimor i rregullt dhe kontinuel. Padyshim se e gjithë kjo periudhë kohore ka qenë shumë stresuese për familjet, prindërit dhe fëmijët gjithashtu. Studimet e deritanishme tregojnë se mësimi në distancë ka qenë sfidues për të gjitha moshat, në veçanti për fëmijët. Për të kompensuar humbjen e mësimit gjatë izolimit, shumë shkolla kanë ofruar mësim në distancë ose kurse “online” (në distancë) për fëmijët. Sidoqoftë, kjo alternativë nuk ka qenë e disponueshme për të gjithë fëmijët, sidomos jo për ata me kushte jo të mira financiare.

Për shembull, në Kosovë, një pjesë e nxënësve nuk kanë pasur pajisjet e nevojshme teknologjike dhe në jo pak raste u ka munguar qasja në kompjuter apo televizion në momentet kur është transmetuar mësimi në distancë. Konsiderohet se rreth 32 mijë nxënës  nuk kanë marrë fare pjesë në mësimin “online” (në distancë). Po ashtu, gjetjet e deri tanishme në Kosovë tregojnë se rrethanat e krijuara nga COVID-19 kanë shkaktuar shumë shqetësime te nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit në lidhje me vlerësimin, papërshtatshmërinë e mësimit në distancë dhe mbingarkesën e nxënësve.

Mosndjekja e rregullt e procesit mësimor në shkollë për një kohë të gjatë ka rezultuar në ndryshim të rutinës te nxënësit, mërzitjes dhe mungesës së ideve inovative për t’u përfshirë në aktivitete të ndryshme edukativo-mësimore dhe atyre jashtëshkollore gjithashtu. Disa fëmijë kanë shprehur nivele më të ulëta të ndjeshmërisë për shkak se nuk ka qenë e mundur të luajnë jashtë, nuk janë takuar me bashkëmoshatarët dhe nuk janë përfshirë në formë fizike në aktivitetet të zakonshme shkollore. Fëmijët po ashtu janë bërë më të varur nga prindërit e tyre për shkak të ndryshimit afatgjatë në rutinën e tyre. Rrjedhimisht, kufizimi i lëvizjes i imponuar ndaj tyre mund të ketë efekte negative afatgjata në mirëqenien e tyre të përgjithshme psikologjike.

Shtëpia përfaqëson një burim sigurie në shumicën e familjeve. Sidoqoftë, për fëmijët që jetojnë në familje me probleme në raportet e prindërve të tyre apo të anëtarëve të tjerë të familjes, apo të cilat, edhe për shkak të pandemisë, përballen me vështirësi financiare, jo rrallëherë është krejtësisht e kundërta. Me kufizimin e lëvizjes për shkak të izolimit, këtyre fëmijëve u është rritur rreziku i shfrytëzimit dhe rreziku i të qenët viktima të dhunës dhe abuzimit fizik dhe psikologjik. Po kështu, fëmijët pa prindër ose kujdestarë janë më të prirë për shfrytëzim dhe abuzim të të gjitha formave.

Një prej kategorive më ndikimin më të madh janë edhe fëmijët me nevoja të veçanta. Kjo kategori e fëmijëve (me autizëm, çrregullim të hiperaktivitetit dhe deficitit të vëmendjes, paaftësi në të mësuar, vonesa në zhvillim dhe vështirësi të tjera të sjelljes dhe emocionale) janë përballur me sfida gjatë pandemisë dhe në veçanti gjatë periudhës se karantinimit. Fëmijët me nevoja të veçanta kanë treguar një përkeqësim të simptomave për shkak të kufizimeve të imponuara dhe mjedisit jo miqësor i cili nuk korrespondonte me rutinën e tyre të rregullt. Me mbylljen e shkollave speciale dhe qendrave të kujdesit ditor, këtyre fëmijëve u ka munguar aksesi në materialin burimor, ndërveprimi me bashkëmoshatarët dhe mundësitë e të mësuarit dhe zhvillimit të aftësive të rëndësishme shoqërore dhe të sjelljes në kohën e duhur. E gjithë kjo mund të çojë në regres, në përkeqësimin e sjelljes dhe si pasojë simptomat e tyre mund të rishfaqen.

Institucionet qeveritare dhe ato shëndetësore në të shumtën e kohës gjatë pandemisë – me të drejtë – janë fokusuar që t’i menaxhojnë të infektuarit me virus me qëllimin e shpëtimit të sa më shumë jetëve njerëzore dhe në sanimin e efekteve negative që karantinimi dhe kufizimet në lëvizje kishin në ekonominë e vendit. Deri më tash nuk është se janë marrë masa për të analizuar se cilat janë efektet negative në shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve të shkaktuara nga pasojat multidimensionale të pandemisë.

Në vende të tjera, sidomos në ato të zhvilluara, janë bërë programe adekuate dhe të specializuara për t’i adresuar këto probleme dhe për të sanuar pasoja eventuale që lidhen me shëndetin mendor sepse kemi të bëjmë me një grupmoshë që është shumë e ndjeshme dhe vulnerabile. Në këtë drejtim, faktorët mbrojtës, si prindërit, kujdestarët, mjediset e sigurta të shkollës dhe marrëdhëniet pozitive me bashkëmoshatarët mund të ndihmojnë në zvogëlimin e rrezikut të problemeve psikologjike në mesin e fëmijëve dhe adoleshentëve.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.