Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ndikimi i Serbisë me vaksina në Ballkan

Gjatë njoftimit për arritjen e një pakete të re vaksinash nga Sinopharm-i kinez në janar, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e krahasoi gjendjen në të cilën është bota me atë të Titanikut, ku “të pasurit janë përpjekur të sigurojnë të gjitha varkat për vete,” dhe vendet e varfra janë lënë që të mbyten bashkë me anijen. Por, duke qenë vendi i vetëm ballkanik që ka pranuar vaksina nga Kina, Rusia (Sputnik V), dhe Perëndimi (BioNTech/Pfizer dhe Astra Zeneca), Serbia ka filluar të paraqitet si varkë shpëtimi rajonale për fqinjët e saj.

Me dinamikën e pabarabartë të vaksinimeve nëpër botë, Serbia ka bërë përparime mbresëlënëse në imunizimin e qytetarëve të saj. Prapa Mbretërisë së Bashkuar, por para shteteve të mëdha anëtare të BE-së për sa i përket shkallës së vaksinimit, Serbia gjendet në pozitë të fuqishme në rajon. Sido që të jetë, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor si Kosova dhe Bosnja janë duke pasur telashe me shpërthime të Covid-19 – kantoni i Sarajevës momentalisht ka numrin më të madh të rasteve për 100 mijë banorë në Europë – dhe me gjasë do të duhet të presë me muaj për të pasur qasje në vaksina. Prandaj, se kush do të furnizojë këto vaksina të nevojshme në rajon dhe si do të furnizohen ato, do të ndihmojë në formësimin e trajektores së ardhshme gjeopolitike dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Vendet e Ballkanit që janë të etura ta dëshmojnë orientimin e tyre euroatlantik, kanë deklaruar fillimisht se nuk do të pranojnë vaksinat kineze apo ruse (ku asnjëra nga to nuk është aprovuar nga regullatori i barnave i Bashkimit Europian), që nënkupton se ato do të presin vaksinat perëndimore. Përkundër dëshirës për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, Serbia ndërmori qasjen e kundërt, duke u bërë vendi i parë europian që aprovon përdorimin e vaksinës kineze Sinopharm. Serbia ka shkaktuar telashe që prej fillimit të pandemisë, kur presidenti Vuçiq denoncoi publikisht solidaritetin e BE-së si “përrallë”, pasi që blloku ndaloi eksportin e pajisjeve mjekësore jashtë kufijve të saj. Kina dhe Rusia dërguan menjëherë aeroplanë plot me pajisje mbrojtëse personale (PPE) në shenjë solidariteti. Ndonëse Bashkimi Europian ndryshoi drejtim shumë shpejt, duke alokuar $3.3 miliardë ndihmë financiare për Ballkanin Perëndimor, reagimi i qeverisë së Serbisë ishte i heshtur, krahasuar me lëvdatat për ndihmën e Kinës dhe Rusisë.

Diplomacia e vaksinave vetëm sa e ka amplifikuar këtë dinamikë. Deri më tash, Serbia ka pranuar 1.5 milionë doza të vaksinave të Sinopharm-it nga Kina, gati 300 mijë doza të vaksinave Sputnik V nga Rusia, 150 mijë doza të vaksinave të AstraZeneca-s, dhe më shumë se 100 mijë doza të vaksinave BioNTech/Pfizer. Ashtu sikur me dërgesat e PPE në fillim të pandemisë, dërgesat e vaksinave nga Rusia dhe Kina janë pranuar me spektakël të madh publik nga qeveria, me presidentin Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë që përshëndesnin aeroplanët në pistë, ndërkohë që për arritjen e vaksinave perëndimore ka pasur shumë më pak publicitet. Për krahasim, vaksinat europiane të nismës COVAX të dedikuara për Ballkanin nuk kanë arritur, gjë e cila ka theksuar ndjenjën e braktisjes te shumica e vendeve në rajon – por jo në Serbi. I pyetur nga gazetarët në një konferencë për shtyp se kur mund të presë Serbia vaksinat europiane, presidenti Vuçiq tha se, ndonëse do të falënderonte Bashkimin Europian kur të mbërrijnë vaksinat, “e gjitha çfarë mund të them është se nuk ma ndjen. Ia dolëm edhe pa to.”g

Strategjia e Serbisë ka sjellë përfitime edhe më të mëdha në planin rajonal. Në shkurt dhe mars, kur vendet e tjera të rajonit nuk kishin pranuar ende vaksinat, presidenti Vuçiq dërgoi personalisht mijëra vaksina të AstraZeneca-s dhe BioNTech në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje (si në Republika Srpska ashtu edhe në njësitë federale). Madje, Serbia ka shpalosur një program jozyrtar të vaksinimit për serbët e Kosovës, duke i dërguar njerëzit me autobusë përtej kufirit të Kosovës në Serbi, në mënyrë që të vaksinohen, gjë që ka zemëruar qeverinë e Kosovës. Më 11 mars, presidenti Vuçiq njoftoi për ndërtimin e fabrikës për prodhimin e vaksinave Sinopharm në Serbi, të financuar nga Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Siç parashihet, fabrika pritet të jetë tërësisht funksionale deri në tetor 2021 dhe do t’i mundësojë Serbisë të bëhet furnizues madhor i vaksinave për tërë rajonin e Ballkanit.

Tash, vendet pro-BE në rajon po ndjekin shembullin e Serbisë. Edhe Mali i Zi edhe Maqedonia e Veriut – të cilat fillimisht deklaruan se nuk do të marrin vaksinat nga Rusia apo Kina – kanë nënshkruar marrëveshje për të siguruar vaksinat Sinopharm dhe Sputnik. Vendet e tjera të BE-së – si Hungaria, Kroacia dhe Italia – kanë ndjekur gjithashtu shembullin e Serbisë duke siguruar dhe shpërndarë vaksinat ruse dhe kineze, pa marrë parasysh mungesën e aprovimit nga Agjencia Europiane e Barnave. Së fundmi, Italia u pajtua që të prodhonte vetë vaksinën Sputnik V.

Duke punuar për së afërmi me Kinën, Rusinë, Turqinë, dhe shtetet e gadishullit arabik, ndërkohë që përfiton nga ndihmat e majme të BE-së, Serbia është pozicionuar proaktivisht për të korrur përfitime nga gara gjeopolitike. Suksesi i kësaj strategjie justifikon largimin e qeverisë së Serbisë nga Bashkimi Europian, përderisa vendi nuk arrin të bëjë përparim drejt integrimit euroatlantik. Para zgjedhjeve të përgjithshme dhe presidenciale të Serbisë më 2022, suksesi i Serbisë me vaksina ka qenë gjithashtu i rëndësishëm në grumbullimin e përkrahjes në popull për qeverinë e presidentit Vuçiq, veçanërisht pas protestave të mëdha antiqeveritare për mënyrën sesi është marrë qeveria me pandeminë.

Në 12 muajt e fundit, kriza e vazhdueshme e Covid-19 dhe nacionalizmi i vaksinave që e ka shoqëruar, kanë qitur në pah të metat e përgjigjeve, kompetencës në qeverisje, dhe solidaritetit  europian dhe amerikan. Kina dhe Rusia kanë qenë të shpejta që të shfrytëzojnë këto dështime duke ofruar vaksina dhe ndihma humanitare në përpjekje për të rritur ndikimin dhe fuqinë e butë jashtë vendit, edhe përkundër problemeve me vaksinime në vendet e tyre. Vetëm 4 për qind e qytetarëve kinezë janë vaksinuar, por Kina ka dërguar më shumë vaksina jashtë vendit se sa që ka administruar në shtëpi. Në Rusi, përqindja e të vaksinuarve është edhe më e vogël, 3.5% (kryesisht për shkak të mosbesimit të përhapur në vaksina). Përderisa demokracitë shpesh prioritizojnë opinionin publik vendor, i cili në kontekstin e pandemisë çon te vaksinimi i qytetarëve të tyre para dërgesave jashtë shtetit, Rusia dhe Kina nuk janë të frenuar nga këto pengesa.

Çfarë na tregon fushata e suksesshme vendore dhe rajonale e vaksinave e Serbisë? Pikë së pari, ajo nënvizon “mençurinë” e ekuilibrimit gjeopolitik mes fuqive të mëdha të presidentit Vuçiq dhe përforcon imazhin e pafuqisë së Bashkimit Europian, më shumë se sa relevancën e saj gjeopolitike. Vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë pritur më shumë solidaritet nga partnerët europianë – edhe në nivel të vendeve individuale – janë zhgënjyer. Donacionet e vaksinave të presidentit Vuçiq për vendet si Maqedonia e Veriut mund të jenë më shumë simbolike se sa përmbajtjesore, por simbolizmi në kohë krize për një rajon në gjendje të vështirë është shumë i vlefshëm. Mungesa e Bashkimit Europian në rajon ka qenë e dukshme, duke dëmtuar besueshmërinë europiane dhe duke e paraqitur zgjerimin europian si një ëndërr jopraktike. Pa një të ardhme europiane, ku mund të mbështetet rajoni? Diplomacia e vaksinave e Serbisë ka për synim që t’u tregojë fqinjëve se edhe ata duhet t’i kthejnë shpinën Europës dhe të mbështeten më shumë te Beogradi, me përkrahje nga Rusia dhe Kina. Ndonëse nevoja për të mbrojtur qytetarët nga virusi vdekjeprurës është absolutisht parësore, implikimet gjeopolitike të ndikimit të vaksinave nuk mund të injorohen më tej.

***

Artikulli origjinal i botuar në Center for Strategic and International Studies (CSIS), më 24 mars 2021.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.