Një retrospektivë e ideve civile
A është shteti civil një fakt në të cilin bashkëjetojmë të gjithë, apo thjesht një utopi e cila ekziston ende, për shkak se ideja e kundërt e saj (shteti kulturor/monoetnik) është e ndrydhur në shoqëri por assesi inekzistente?
Për idenë e një shteti liberal, barazitar dhe ligjor, janë bërë përpjekje qindravjeçare, madje edhe luftë, në formë revolucioni. Pikërisht si rezultat i ideve që buruan nga Revolucioni Francez (1789), disa shtete e përqafuan modelin civil të formimit dhe funksionimit shtetëror. Revolucioni i 1789-s në Francë ishte një thirrje për zgjimin qytetar dhe rrëzimin e ancién regime, regjimit monarkist absolutist që kishte rënduar jetën e qytetarëve të joprivilegjuar me taksa dhe rritje të çmimeve. Kjo u vërejt kur përgjatë zhvillimit të revolucionit pati një revoltë nga qytetarët që jetonin në zonat rurale; të njëjtët ua mësynë shtëpive të mbledhësve të taksave, pronarëve të tokave dhe pjesëtarëve të elitës, si shpërthim mllefi për gjendjen në të cilën ishin katandisur. Rezultati më i rëndësishëm i këtyre zhvillimeve ishte miratimi në Asamblenë e Francës i Deklaratës së të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit (fundi i gushtit 1789), ku elementi më i rëndësishëm që vjen nga kjo deklaratë është vendosja e parimeve demokratike nën frymën e ideve politike dhe filozofike të Jean Jacques Rousseau (kontrata shoqërore-vullneti i përgjithshëm).Nga ky zhvillim dhe botëkuptimet filozofike në të cilat është mbështetur revolucioni rrjedh edhe zbatimi i sotëm i modelit të shtetit civil.
Në thelb, kjo ide nënkupton të poseduarit e një shoqërie ku supozohet që më i vlefshëm është vullneti i përgjithshëm për t’u konsideruar si pjesë e shtetit, të lidhur nga dëshira dhe përkushtimi për të qenë pjesë e tij, përkundër veçorive dhe dallimeve që mund t’i kenë qytetarët si të veçantë. Autori i “kontratës shoqërore”, Rousseau, e ka ideuar këtë ide politike si një pakt shoqëror në të cilin individët pajtohen që të bëhen bashkë dhe të formojnë një popull/shoqëri dhe ku të njëjtit heqin dorë nga të drejtat e tyre individuale dhe ia japin trupit kolektiv- shoqërisë ose popullit si një tërësi. Shteti civil si konstrukt politik ishte me leverdi dhe zgjidhje pragmatike për shtetet në të cilat nuk ka një kulturë shumicë kulturore mbizotëruese, shtete të cilat po të konsideronin modele të tjera, mund të shkatërroheshin ose ndaheshin. Por, kjo nuk do të thotë që në praktikë u realizua suksesshëm kjo ide, aty ku u zbatua. Zhvillime sporadike të motivuara nga faktorë të kundërt nga civilja bënë që ideali civil të vihej në pikëpyetje.
Shtetet të cilat zbatuan këtë model e përvetësuan të njëjtin si rezultat i njohjes së rrjedhës së historisë dhe përkatësisë kulturore të shoqërisë së tyre. Shtetet me traditë imperialiste dhe shtetet e formuara nga grupe etnike të ndryshme (grupe që janë vendosur në shtetin përkatës në periudha të ndryshme historike) ose edhe nga imigrantë, kanë ndikuar që idetë monoetnike, ndarëse dhe dalluese të shtetformimit të mos kihen parasysh. Kështu, në botëkuptimin e shtetit civil, grupet e ndryshme në shtet njihen si pjesë të ndryshme të së tërës dhe si të tilla janë të barasvlershme. Vetëm me këtë model do të arrihej të mbahej shteti kompakt dhe marrëdhëniet harmonike në shoqëritë ku nuk ka një kulturë mbizotëruese.
Ndrydhja e mosdurimit kombëtar – shpërthimet raciste
Teksa flitet për shtete civile në kuptimin liberal, kryesisht mendja vjen te zbatimi i kësaj ideje në shtete të mëdha, sikurse Amerika dhe Franca. Por, pikërisht në këto dy shtete jo rrallëherë janë shfaqur elemente dhe zhvillime të motivuara nga përkrahës të ideve të tjera nga ajo civile. Shembull ilustrues në këtë rast janë disa zhvillime në këto shtete. Franca për shembull njohu një rritje të partisë Front National (e emërtuar si Rassemblement National në vitin 2018), parti e cila në gjenezë të saj ka pasur papëlqyeshmërinë ndaj “jofrancezëve” dhe në përgjithësi imigrantëve. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, kryetarja e partisë, Marine Le Pen, mori 18% të votave të përgjithshme, që ishte rezultati më i suksesshëm në zgjedhjet presidenciale që kishte shënuar ndonjëherë kjo parti. Madje, në zgjedhjet për Parlamentin Evropian më 2014, Fronti i Le Pen rezultoi parti e parë në zgjedhje.
Ndërkaq, në Amerikë pati skandale e sulme/incidente të motivuara etnikisht nëpër periudha të ndryshme kohore. Vetëm në vitin 2014 në SHBA ndodhën 3 raste të vrasjeve me motive të dyshimta (raciste) nga ana e policëve. Në korrik të 2014-s, në New York, një qytetar ndërroi jetë pasi u arrestua nga policia nën dyshimin se ka shitur produkte duhani në mënyrë jolegale. Përgjatë arrestimit, i njëjti kishte përsëritur 11 herë që nuk mund të merrte frymë. Për shkak të ngjarjes ishin mbajtur protesta, pasi dyshohej në motivet e sjelljes së policisë, pasi viktima i përkiste racës së zezë. Ngjarje edhe më e ndjeshme ishte vdekja e një djaloshi 12-vjeçar në Cleveland, pasi i njëjti kishte drejtuar një armë drejt policisë, e cila më pas u vërtetua që ishte nga plastika. Edhe përgjatë viteve të tjera pati raste skandaloze të policisë ndaj qytetarëve të racës së zezë.
Rasti që tërhoqi vëmendjen dhe protestën e publikut ishte vdekja e George Floyd më 2020, që zgjoi protesta kudo në SHBA si shkak i pabarazisë dhe racizmit të shprehur në këtë rast. Pas arrestimit të Floyd nga policia, dëshmitë tregonin që njëri polic kishte vendosur këmbën e tij në qafën e Floyd, edhe pse ai gjendej i shtrirë në tokë. Edhe pse kishte përsëritur dhjetëra herë që nuk mund të merrte frymë, polici nuk kishte reaguar dhe si rezultat Floyd kishte ndërruar jetë. Një ngjarje tjetër që bëri bujë në SHBA ishte sulmi ndaj organit legjislativ më 6 janar 2021 nga një grumbull huliganësh të lidhur me të djathtën ekstreme, për shkak se kandidati demokrat Joe Biden u zgjodh president. Me këtë sulm, siguria e senatorëve dhe vetë simboleve të demokracisë në SHBA u vu në pikëpyetje. Madje, pati edhe dyshime tek organi i policisë, për shkak se nuk mundësuan parandalimin e sulmit ndaj Kongresit.
Ky nuk ishte sulmi i parë kundrejt organit legjislativ në SHBA pasi edhe në etapa të ndryshme kohore, Kapitoli kishte qenë cak i sulmeve. Më 1983, ekstremistët e majtë e sulmuan me bombë Senatin. Ndërkaq, sulmi i vitit 2021 ishte nga spektri tjetër; ekstremistët e djathtë që ishin edhe përkrahës të presidentit Trump. TIME në një artikull shkruan mbi metodat dhe organizimin e sulmit, që më së paku janë amatoreske.
Pas sulmit mendohet të qëndrojë një grup militar, i ashtuquajtur Oath Keepers, që ishte formuar në vitin 2009 (i përbërë nga ish-ushtarë), pas zgjedhjes së Barack Obamas si president i SHBA. Qëllimi i kësaj organizate është “mbrojtja dhe mbështetja e Kushtetutës së SHBA-së kundrejt të gjithë armiqve, të jashtëm dhe të brendshëm”.
Ngjarje tjetër e mosdurimit kombëtar dhe racizmit të ndrydhur dhe të fshehur shpërtheu në një organizim me mbulueshmëri në tërë botën. Fitimi i titullit të kampionit të botës nga Përfaqësuesja e Francës në vitin 2018 bëri që të vihen në pah elementet e racizmit të fshehur dhe të mospranimit të dallueshmërisë etnike/kulturore. Për shkak se në ekipin përfaqësues francez pati disa lojtarë me origjinë nga shtete të ndryshme nga Franca (kryesisht afrikane), pas përfundimit të finales dhe kurorëzimit si fitues, titujt e gazetave shpërthyen me tituj ironizues e përçmues ndaj këtyre lojtarëve. Ironizimi shprehej përmes pyetjes nëse kampion i botës është Afrika apo Franca, duke aluduar në lojtarët e racës së zezë të Francës.
Sporti, sikundërqë di të bashkojë, di edhe të bëjë ndasi. Pak a shumë sikurse në rastin e Francës, me zhvillimin e ndeshjes së finales së Kampionatit Evropian (2021) ndërmjet Italisë dhe Anglisë, dolën në pah ndasitë që ekzistojnë në shoqërinë angleze. Pasi disa nga lojtarët anglezë të racës së zezë dështuan të shënojnë gol përgjatë ekzekutimit të penalltive, të njëjtëve iu vërsulën me akuza raciste, sikur për t’i poshtëruar e dënuar për “të keqen” që bënë. Ka pasur reagime të shumta nga figura publike angleze për të dënuar gjuhën e urrejtjes dhe mosdurimit të përdorur ndaj futbollistëve. Disa madje preferuan që të japin mësim se si nuk duhet paragjykuar në gara sportive. Një mësues në një shkollë lokale në Angli mblodhi nxënësit në një hapësirë sportive në shkollë për të përsëritur penalltitë dhe për t’u demonstruar se realizimi i tyre nuk është aq i lehtë siç duket në pamje të parë; kështu duke tentuar të japë mësimin se nuk duhet ngutur për të paragjykuar.
Në vend të përfundimit
Çfarë tregojnë rastet e trajtuara më lart për shtetin civil dhe shoqërinë liberale?
Janë të njohura rastet në shtetet/shoqëritë të cilat kanë pasur paqëndrueshmëri ndërmjet grupeve të ndryshme kulturore/etnike dhe fetare në përgjithësi. Në këto shoqëri deri diku dihet se nga mund të vijnë sulmet, kush janë grupet e targetuara dhe çfarë duhet ndërmarrë për t’i shmangur shfaqjet e mosdurimit kombëtar, racor, religjioz apo fisnor ndaj grupeve të cenuara. Gjendja është përgjithësisht e njohur dhe mund të veprohet më lehtë, pasi rrethanat janë të njohura dhe veprimet mund të jenë më të koordinuara.
Problemi qëndron te shoqëritë në të cilat shteti funksionon dhe është ndërtuar mbi parime civile. Kështu, në këto shtete presupozohet se të gjithë qytetarët trajtohen njëjtë dhe se në përgjithësi ka një qasje liberale ndaj të gjithëve në shoqëri. Por, shembujt e trajtuar më lart shfaqin një realitet të ndryshëm; jo të gjithë qytetarët trajtohen në mënyrë të barabartë, dallimet ndërmjet grupeve janë objekt për sulm dhe trajtim ndryshe dhe që “civilja” dhe “liberalja” pushojnë së ekzistuari në momentin që vlerësohet se “të ndryshmit” nuk sillen mirë, janë të padëgjueshëm apo se nuk kanë vepruar si duhet në rrethana apo momente të caktuara.
Mund të vihet në përfundim që elementet e ksenofobisë, mosdurimit kombëtar dhe racizmit janë më problematike në shtetet për të cilat ekziston një përshtypje e përgjithshme që të njëjtat nuk lëngojnë në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut. Pikërisht në këto shtete qëndrimet e tilla janë të ndrydhura, të heshtura e latente dhe shpërfaqen e shpërthejnë në momente apo zhvillime të caktuara, duke vënë në dyshim vetë demokracinë dhe shtetin liberal.