Shqipëria mbas Luftës Dytë Botërore zyrtarizoi gjuhën me bazë toskërishten që përdorej nga kreu politik i instaluar në vend. Shqipja zyrtare me bazë gege, zyrtare edhe në Shqipëri para luftës, vijoi me u përdorë nga shqiptarët në ish-Jugosllavi. Fakti se dy pjesët e kombit tashmë po përdornin varietete të ndryshme shkrimi, u shfrytëzua nga regjimi jugosllav me i mëshu idesë se shqiptarët nga dy anët e kufirit nuk ishin i njëjti komb.
Vendimi i Konsultës Gjuhësore të Prishtinës, i vitit 1968, që edhe ndër shqiptarë të ish-Jugosllavisë të përdorej varianti zyrtar i Shqipërisë, ishte prandaj krejt politik. Nuk erdhi as si nevojë e brendshme kulturore, as nga ndonjë marrëveshje paraprake me shtetin shqiptar. Me zbutjen e qëndrimit shtetëror jugosllav ndaj shqiptarëve pas shkarkimit të njeriut të dytë në ish-Jugosllavi, Aleksandar Ranković, shqiptarët në ish-Jugosllavi zgjodhën vetë me e zbatu një për një modelin gjuhësor zyrtar të Shqipërisë. Ndonëse ky vendim i privonte krejt prej agjencisë në vendosjen e një kodi të përbashkët, nga ana tjetër i rreshtoi qartë politikisht. Ky ishte konteksti sociopolitik i kohës, që i kushtëzoi edhe vendimet gjuhësore.
In the latest një emision që diskutoi takimin e fundit midis dy qeverive, Fatos Lubonja propozoi që Kosova të kishte mbajtë gegnishten e Shqipëria “gjuhën e vet”, me arsyetimin se kjo do të ishte pasuri. Por, zhvillimi i gjuhës në dy sisteme politike të ndara e me dialekte të ndryshme si bazë, do të mjaftonte që dy shqipet, në Kosovë e Shqipëri, të kundroheshin sot jo më ndryshe sesa kroatishtja me sërbishten, fjala vjen. Të ndërkuptueshme në pjesën më të madhe, por secila e vënë në shtegun vetjak, dy varietetet sot do të kishin mbi gjysmë shekulli të rrojtmes ndarazi.
Varietetet përbëjnë pasuri veç kur kundrohen si përdegëzime të një sistemi gjuhësor të vetëm, prej të cilash është e mundshme me qëmtu për fjalë e shprehësi, por jo nëse në mendësinë e përgjithshme perceptohen si dy gjuhë të ndryshme, madje edhe kur të ngjashme këto.
Lubonja nuk sakëson cilën, kur thotë që Shqipëria të kishte mbajtë “gjuhën e vet”. Por kjo kuptohet përderisa e kundërvë me gegnishten, që mëton se duhet të ishte mbajtë në Kosovë. Ndërkohë ngjan po aq e pazakontë që nga ky lloj pasurimi i gjuhës secili me të veten, vetëm gegët e Shqipërisë të privoheshin nga kultivimi i mëtejmë i varietetit vetanak, sidomos duke pasë parasysh aratimin shekullor të gegnishtes ndër ta.
Tekembramja, çdo ide e tillë e shprehur me kushtore, prezanton veçse një pandehmë, ftesë për me sendërgju njëfarë universi paralel. Mënyra si i ndërtojmë idetë me kushtore ka të bëjë shumë me pritshmëritë tona, mënyrën se si do të donim me e pa botën. Por, bota shqiptare është kjo që është – me një varietet të vetëm standard në përdorim që nga viti 1968.
Me të mirat e të këqijat, historia na ka pru tash këtu – te komunikimi mbarëshqiptar, mbas një periudhe mjaft të gjatë ftohjeje, me përmasa kurrë më parë të dëshmuara. Kjo problemin e standardit e sjell në bashkëkohësi. A do të mbetemi te nivelet e dikurshme, apo do t’i tejkalojmë, me njësime të mëtejme mes dy kryedialekteve, sot që Kosova me Shqipërinë po shpallin edhe arritje e premtime në nivele ndërqeveritare. Fundja, një përditësim i standardit me qëllim përafrimi të mëtejmë, do të ishte veçse fytyra gjuhësore e ndërveprimeve të shtuara mes palëve.
Sot, shqiptarët në Kosovë nuk është se mëtojnë me zyrtarizu ndonjë gjuhë “të veten”, të pavarur nga Shqipëria, e në shpërputhje me vendimet e vitit 1968. Kuptohet, nga ana tjetër, se një varietet standard më dashamirës ndaj prurjeve prej gegnishtes, e që do të zbatohej në krejt botën shqiptare, kishin me e mirëpritë.
Gjuhësisë i mbetet me hetu për modelin e dëshiruar të komunikimit kombëtar në shqip – një standard, që shumëngulmuesen paskajore të gegnishtes vërtet e përbrendëson si vlerë kombëtare. Dhe paskajorja në standardin e të nesërmes do të mund të quhet krejtësisht e integruar veç atëherë kur pjesorja e foljes të jetë shkurtu përfundimisht. Kjo del e qartë, nëse imagjinojmë një të ardhme me standardin që ngërthen fuqitë shprehëse prej mbarë shqipes, e që, kah përafron më tej shqiptarët, e lehtëson kështu komunikimin edhe me shqipen e traditës.
In the latest kritikën që i bën idesë së Lubonjës, Emil Lafe shkruan: “Sot është e nevojshme që autoritetet shtetërore në Shqipëri e në Kosovë të njohin dhe të bëhen të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e përafrimit dhe të njësimit të terminologjive: juridike, administrative, shkencore, teknike, ushtarake, sportive etj. Kjo duhet të jetë edhe një detyrë themelore për gjuhësinë tonë”.
Nëse e paramendojmë botën e tillë me terminologjitë mes dy vendeve vërtet krejt të njësuara nëpër fushat e mësipërme, kjo do me thënë njëkohësisht se dy vendet janë shkri në një. Pra, kanë një terminologji të vetme juridike, sepse operojnë si një juridiksion; kanë të njëjtën terminologji administrative, sepse janë një administratë; kanë të njëjtën terminologji ushtarake, sepse janë e njëjta ushtri. E kështu me radhë.
Kudo që gjuha zhvillohet në sisteme të ndryshme politike, ka për të shpërfaqë detyrimisht dallime terminologjike nëpër krejt ato fusha veprimtarie që zhvillohen ndaras. Pa qenë një dhe i vetëm realiteti social i një fushëveprimtarie, nuk mundet me pasë realitet krejtësisht të njësuar gjuhësor të saj. Njësimi i terminologjive veç si ushtrim gjuhësor ose intelektual mes dy shoqërive që fushën përkatëse nuk punojnë me e shkri në një të përbashkët e të vetme, është thjesht i pamundshëm. Proceset gjuhësore janë veç pasqyrat e proceseve shoqërore.
Jetojmë në një realitet sociopolitik në të cilin shqiptarët prej Shqipërisë vështirë përvetësojnë njësi leksikore e strukturore prej shqiptarëve të Kosovës, me idenë që me i përbrendësu e kështu me ardhë te e përbashkëta. Dhe kjo pikërisht sepse, në bazë të përcaktimeve dhe vetë strukturës së standardit, shqipja kosovare kundrohet si e nënrenditur, pra e padenjë për të vjelë prej saj. Duke qenë kështu, edhe në rastin krejt hipotetik të takimeve për njësime terminologjish, Shqipëria zor se do të merrte gjë prej propozimeve nga Kosova.
Problemi real që kanë me standardin shqiptarët në Kosovë e më gjerë, është se nuk ndjejnë pronësi ndaj tij. Hap cilindo tekst mësimor të Kosovës, hartu nga profesorë, recensu e redaktu nga njerëz të fushës, e do të hetosh të njëjtat probleme gjithandej. E njëjta pashprehësi, paqartësi kuptimi, probleme themelore me sintaksën.
Të njëjtën mungesë pronësie e kishin edhe ata intelektualë të mbledhur rreth Konsultës Gjuhësore më 1968, të cilët i hynë me shpirt e zemër me përvetësu përmendësh rregullat e standardit. Njerëzit asokohe vinin madje edhe baste në biseda kafenesh nëse shkruhej “vëllau” apo “vëllai”, “këpurdha” apo “kërpudha”, por vëmendja gjuhësore mbetej kryekreje te zbatimi i përpiktë i drejtshkrimit dhe shmangia e ndikimeve sllave në çdo mënyrë. Përbrendësime të tilla, sa bazës toske të standardit me arritë me ia njohë pulsin, frazeologjitë, uratat, mallkimet, ose habitoren e pakryer, nuk kishte, e as nuk ka.
Sot, realiteti politik nuk është më ai i vitit 1968, pra i përfundimit të periudhës së kërkimit për armë nga autoritetet jugosllave, dëbimeve masive në Turqi, mohimit të flamurit shqiptar, shtrëngimeve prej autoriteteve e torturave prej policisë, që mprehën aq fort vullnetin politik për njëjtësim me Tiranën zyrtare, madje edhe në mungesë të plotë të agjencisë. Tash e tutje, që Kosova nuk mund të detyrohet me heqë më dorë nga bashkëpronësia mbi shqipen standarde, e ka të pamundshme me zgjedhë më tej vetëmohimin e plotë. Në anën tjetër, as në Shqipëri nuk vepron më partia-shtet e gjithëpushtetshme, që ta orientojë varietetin standard veç e pos drejt vetvetes.
Për të arritë dikur te njësimet e terminologjive juridike, administrative, ushtarake e të tjera, duhet ta nisim nga marrëveshja për bashkëpronësinë mbi gjuhën. Shqiptarët janë gegë e toskë, e standardi, nëse synohet t’i bashkojë, duhet t’i ndërthurë më tej vlerat e të dy kryedialekteve. Madje, edhe vetë ky përditësim i standardit që ta pasqyrojë bashkëpronësinë, duhet të paraprihet, nga ana sociale e monedhës, pikërisht nga besimi i ngulitur në nivel elitar e politik se ka ardhë koha për ta zyrtarizu realitetin e ri mes nesh. Përndryshe, po nuk përditësuam gjë, të dalë tashmë përfundimisht prej dy sistemeve të vështira e fatkeqe, alternativa e vetme do të mbetet te shpërbërja graduale e mëtejme, sepse mungesa e përditësimit sot do me thënë se kurrfarë modeli për përafrim të mëtejmë nuk do t’ua lëmë brezave.