Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri është historik për një arsye. Është hera e parë në histori që në mënyrë sistematike dhe kontraktuale Shqipëria dhe Kosova po bashkëpunojnë si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Nuk ka një precedent historik për këtë nivel të bashkëpunimit. Le të fillojmë me fundin e shek. XIX! Në kohën e Lidhjes së Prizrenit, bashkëpunimi ishte në rezistencë nën kushte kur shqiptarët kërkonin të ridizajnonin infrastruktruën politike brenda Perandorisë Osmane (PO). Përkundër besimit se kërkesa e Lidhjes atë kohë ishte pavarësia, e vërteta është që kërkesa e saj ishte formimi i një Vilajeti të përbashkët. Atë kohë ende nuk ishte ngjizur mirë vetëdija kombëtare shqiptare. Disa ende kërkonin që të mbetnin në PO. Lidhja ishte e nuancuar me tone të forta fetare dhe krahinore, dhe kjo ishte arsyeja pse fillimisht nuk u kundërshtua nga PO. Sami Frashëri, një figurë shumë e rëndësishme e kohës, kërkonte “Arnavultluk”, që sot nga historianët interpretohet si autonomi. Siç tregojnë shkollarët Isa Blumi dhe Sinisa Malesevic, lëvizjet e asaj kohe nuk operonin në regjistra esencialistë nacionalistë në të gjithë Ballkanin. Këta regjistra u etabluan vetëm pas Luftës së Parë Botërore. Dëshmi shtesë e kësaj është se Sami Frashëri atë propozim për autonomi e shihte si propozim për të mirën afatgjate të Perandorisë Osmane dhe jo thjesht për afirmim të një populli kombëtarisht të ndërgjegjshëm.
Ky episod dështoi të realizojë synimet e veta, pjesërisht për shkak që i kishte të paqarta. Dallimet e mëdha mes pjesëmarrësve në lidhje u manifestuan me dështim për të folur me një zë uniform në raport me shtetet e fuqishme. Noel Malcolm dhe George Gawrych tregojnë se, ndërkombëtarisht, Lidhja nuk arriti të kalojë margjinat parokiale të aktivitetit dhe mbeti një ngjarje e izoluar. Megjithatë, brezat e mëvonshëm retrospektivisht e rikonstruktuan narracionin për këtë ngjarje dhe e paraqitën atë si fillesën moderne të kombit shqiptar dhe u munduan t’i fshihnin elementet jonacionaliste në të. Ky rikonstruktim do të luante rol të konsiderueshëm të horizontit brenda të cilit brezat e ardhshëm do të organizonin përpjekjet për pavarësim. Kjo vazhdoi deri në luftërat ballkanike kur Shqipërisë në Kongresin e Londrës iu njoh pavarësia e shpallur nga Ismail Qemaili në vitin 1912. Ky Kongres do të kishte ndikim të madh në shekullin në vazhdim.
Në njërën anë, Kongresi miratoi pavarësinë e Shqipërisë dhe ky ishte suksesi më i madh i shqiptarëve deri në atë kohë. Në anën tjetër, Kongresi e la Kosovën nën Serbi. Derisa në Shqipëri filloi konsolidimi i vështirë i shtetit, në Kosovë shqiptarët vazhduan me rezistencën e vet për pavarësi. Ndërkombëtarisht, Shqipëria ishte ishte pranuar si shtet më 1913. Por gjysma e saj kish mbetur jashtë kufijve. Londra i pajisi shqiptarët me një shtet që do të shndërrohej në përçues të nacionalizmit shqiptar në 100 vitet e ardhshme. Mirëpo, Shqipëria për gati një dekadë, për shkak të kryengritësve të Haxhi Qamilit, Luftës së Parë Botërore dhe rreziqeve nga shtetet fqinje, nuk kishte arritur të ushtronte as kontroll minimal mbi territorin e saj.
Nisma e parë serioze për konsolidimin e Shqipërisë brenda vjen me Kongresin e Lushnjës, që edhe sot mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe më të nënvlerësuara në historinë e Shqipërisë. Më 1920 Kongresi i Lushnjës nisi të veprojë si i vetmi autoritet institucional në Shqipëri. Ky kongres hartoi statutin e shtetit shqiptar me një “Këshillë të Naltë” në krye. Ai zgjodhi Tiranën për kryeqytet dhe i ofroi Shqipërisë një Qeveri legjitime. Ajo nisi organizimin e administratës, forcave të rendit, hapi shumë shkolla dhe u mundua t’i jepte fund anarkisë. Shumë shpejt Qeveria e Tiranës u prit mirë dhe kështu u ndërtua një bazë mbi të cilën mund të koncentroheshin energjitë e shtetit. Përveç anarkisë së brendshme, kërcënim përbënin edhe fqinjët agresivë. Italia mbante të okupuar Vlorën; jugosllavët e kishin Dibrën nën kontroll dhe nganjëherë shkonin deri në Tiranë; grekët mbanin Korçën dhe Gjirokastrën. Mirëpo në Kongresin e Lushnjës shqiptarët kishin një qendër politike ku mund të orientonin orvatjet kombëtare. Kongresi i Lushnjes kish ndezur shpresën dhe u dha shqiptarëve besimin se mund të mbajnë shtet.
Shqipëria më në fund gjeti disa kapacitete të cilat i mundësuan asaj që të rebelohet kundër Italisë. Pas disfatës, ushtria italiane u largua nga Vlora më 1920. Për herë të parë Shqipëria pati rastin që të gëzojë pavarësi dhe stabilitet me parametra realë. Ky realitet u pranua edhe nga Lidhja e Kombeve në shtator të atij viti. Pak muaj më vonë, më 9 nëntor 1921, Konferenca e Ambasadorëve në Paris, i rrëzoi kërkesat e grekëve mbi Korçën dhe Gjirokastrën. Ndërsa Shqipëria mundohej të gjeneronte kohezion të brendshëm shtetëror, në Kosovë pati kryengritje të kohëpaskohshme të “kaçakëve” për çlirim nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene (MSKS).
Bashkëpunimi mes shqiptarëve nuk ishte gjithnjë i mirë. Nevojat dhe rrethanat në të cilat shqiptarët, në dy anët e kufirit, e gjetën veten e vështirësuan bashkëpunimin. Shqipëria nuk kishte mjaftueshëm kapacitete as për kohezion të brendshëm, e lëre më t’i ndihmojë Kosovës në luftë kundër MSKS-së. Çdo luftë me MSKS-në do ta nxirrte Shqipërinë humbëse. Në kohën kur irredentistët shqiptarë në Kosovë bënin përpjekje për çlirim, Shqipëria kapacitetet i përqendronte në konsolidim të brendshëm institucional. Kjo u reflektua me tensione mes irredentistëve si Hasan Prishtina dhe konsoliduesve të shtetit shqiptar si Ahmet Zogu, që edhe kryen atentate të shumta mbi njëri-tjetrin, deri kur i pari u vra në Selanik. Bajram Curri poashtu pati fat të ngjashëm. Por vetëm nën dritën e këtyre trendeve dhe rrethanave mund të kuptohen relacionet mes tyre.
Megjithatë, ideologjia e nacionalizmit shqiptar do të vazhdonte të huazonte potenciale diskursive për shqiptarët e Kosovës që asnjëherë nuk u dorëzuan në aspiratat e tyre për shtet të pavarur. Një gjë e tillë vazhdoi edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB) që i bashkoi shqiptarët nën pushtimin nazi-fashist. Në atë kohë shqiptarët kishin bashkëpunuar në mënyra të ndryshme. Për shembull, Ministri i Arsimit në Shqipëri gjatë asaj kohe, Ernest Koliqi, në vitin 1941 dërgoi mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Kosovës që t’i edukojnë shqiptarët e Kosovës që diskriminoheshin nga MSKS-ja.
Pas përfundimit të LDB-së, Shqipëria u rietablua si shtet i pavarur nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, ndërkohë që Kosova edhe njëherë i pa aspiratat e saj kombëtare të shtypeshin mizorisht, këtë herë nga Jugosllavia komuniste. Për disa vite pas LDB-së Shqipëria dhe Jugosllavia kishin marrëdhënie jo të këqija. Fillimisht, Jugosllavia dhe Shqipëria mendonin se çështja e Kosovës do të zgjidhej brenda një Federate Komuniste Ballkanike. Më tepër sesa pikë ndarëse, Kosova trajtohej si emërues i përbashkët i tyre. Por çështja e Kosovës mbeti e paadresuar në mënyrë adekuate. Pas kësaj, Shaban Polluzha me bashkëluftëtarët kërkuan çlirim nga Serbia në mënyrë të armatasour, por u shtypën brutalisht.
Pas vitit 1949 Shqipëria dhe Jugosllavia do të prishnin marrëdhëniet, pjesërisht për shkak të Kosovës, pjesërisht për faktin se Jugosllavia e Titos kishte vendosur të mos i bindej Bashkimit Sovjetik. Enver Hoxha ishte një admirues i flaktë i Stalinit dhe në mes të këtij të fundit dhe Titos, Hoxha zgjodhi Stalinin. Kur kishte vdekur Stalini në vitin 1953, Nikita Khrushchev e kishte bërë Bashkimin Sovjetik (BS) më pak represiv. Mirëpo, Enver Hoxhaj këtë destalinizim e kishte quajtur si revizionist dhe kishte vendosur t’i qëndronte besnik Stalinit dhe imponoi një shtet totalitar.
Pas prishjes së raporteve, kufijtë që deri atë kohë ishin porozë, u mbyllën hermetikisht. Komunikimi mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës u bë gati i pamundur. Jugosllavia që ishte në përpjekje për të konsoliduar ekonominë e vet, u afrua me shtetet perëndimore liberale. Ajo ishte bërë lidere e “Shteteve të Painkuadruara”. Shqipëria, në anën tjetër, zgjodhi një rrugë krejt ndryshe. Fillimisht u bashkua me BS-në kundër Jugosllavisë, pastaj me Kinën kundër sovjetëve disa vite më vonë. Hoxha kultivoi politikat ekstreme centraliste, me një ekonomi skajshmërisht të kontrolluar dhe kolektivizim agrokulturor.
Lufta e Ftohtë i dha një dimension shtesë nacionalizmit shqiptar. Përmes enverizmit u synua bashkimi i shqiptarëve në një shtet. Kombi gati u sinonimizua me klasën. Përplasjet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë u shfrytëzuan nga aktivistët shqiptarë në Kosovë. Të rinjtë shqiptarë në Kosovë, ashtu sikur të rinjtë në botën perëndimore, filluan të radikalizoheshin. Në të njëjtën kohë, ata e shihnin enverizmin si alternativë për revizionizmin jugosllav. Radio Tirana, amplifikuese praktike i enverizmit, brumoste të rinjtë e Kosovës me këtë ligjërim.
Në fillim të viteve ’60 veç filluan veprimtarinë celula të ndryshme nacionaliste shqiptare. Adem Demaçi ishte një i ri i dalluar që formoi Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve më 1963. Kompasi konceptual i kësaj lëvizjeje ishte enverist. Por, për këto organizata shqiptare, që nga fillimi, nacionalizmi ishte më i rëndësishëm se komunizmi. Komunizmi më shumë luante rolin e hartës që mundësonte navigimin në kompleksitetin e Luftës së Ftohtë sesa rolin e një ideologjie për të cilën ia vlente të sakrifikohej gjithçka. Adem Demaçi dikur thoshte se bash mungesa e një klase kapitaliste e ka privuar Kosovën nga mundësia për t’u mobilizuar fuqishëm për çlirim. Ky fakt tregon se komunizmi nuk ishte kyç në vizionin e tyre.
Diskriminimi i Kosovës në Jugosllavi do të punonte në të mirë të këtyre lëvizjeve. Kosova po eksploatohej ekonomikisht për të mirën e pjesës tjetër të Jugosllavisë. Varfëria ishte shumë e thellë dhe papunësia shumë e lartë. Universiteti i Prishtinës (UP) i hapur pas Kushtetutës Jugosllave të vitit 1974, edhe pse shtrembëronte numrat e papunësisë, u shndërrua në fontanë të energjive studentore nacionaliste shqiptare. Për herë të parë kishte një vend ku të rinjtë e Kosovës mund të mblidheshin në një vend. Përkeqësimi i situatës delegjitimoi ngadalë klasën politike shqiptare në Jugosllavi dhe favorizoi grupet e reja radikale. Gjatë viteve ’70, organizata si Grupi Revolucionar i Kosovës filluan aktivitetin. Në vitin 1981, organizatat studentore aktive në UP shpërthyen në protesta që më pas u përhapën në të gjithë Kosovën. Edhe këto në qendër të tyre kishin synim bashkimin me Shqipërinë. Megjithatë, bashkëpunimi konkret ishte ende gati i pamundur. Një grup intelektualësh, të udhëhequr nga Rexhep Qosja kishte shkuar në Shqipëri për vizitë në Akademinë e Shkencave, por ishte një rast i zoluar.
Protestat u shtypën brutalisht nga forcat jugosllave. Zyrtarisht thuhej se ishin vrarë 57 persona, por shifra reale besohet të jetë shumë më e lartë. Nga ato ngjarje, shqiptarët e Kosovës u shndërruan kolektivisht në shënjestër të aparatit represiv jugosllav. Prej vitit 1981 deri më 1988, afër 600 mijë shqiptarë të Kosovës ishin arrestuar apo marrë në pyetje nga forcat e rendit. Këto masa të ashpra e transformuan formën e rezistencës së shqiptarëve në Kosovë. Nga këto ngjarje u formua Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK) që filloi të operojë ilegalisht dhe e cila më vonë do të transformohej në LPK. Poashtu, kjo lëvizje operonte me fjalor enverist dhe më vonë do të përbënte bërthamën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Edhe pse nuk dihen përmbajtja dhe parametrat e interferimit të saj në organizimin e këtyre ngjarjeve dhe në mbështetjen e organizatave të dala nga to, Shqipëria ka përkrahur në mënyra të ndryshme përpjekjet e Kosovës për pavarësi.
Ardhja e Millosheviçit në krye të Jugosllavisë vetëm se i legjitimoi edhe më shumë kërkesat e Kosovës për pavarësi. Pas kësaj, shumica e shqiptarëve që ishin pjesë e establishmentit jugosllav u dorëhoqën dhe u kyçën në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) e sapoformuar, me Ibrahim Rugovën në krye. Në të njëjtën kohë po ndodhte edhe një revolucion social. Edhe Jugosllavia, edhe Shqipëria ishin bërë pluraliste. Megjithatë, bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri ishte ende i varfër. Presidenti Ibrahim Rugova, për shkak të rrethanave, synonte vetëm pavarësinë e Kosovës dhe jo bashkimin me Shqipërinë. Por, kur Kosova kishte shpallur pavarësinë e saj më 2 korrik, 1990, Shqipëria ishte i vetmi vend që e njohu Kosovën. Në pjesën e parë të viteve ’90, shqiptarët e Kosovës po e vizitonin më shumë Shqipërinë dhe po mendonin si të organizonin rezistencën kundër Serbisë. Shqipëria ishte një hapësirë ku shqiptarët e Kosovës mund të trajnoheshin për luftë. Në vitin 1993, rreth 100 luftëtarë shqiptarë, përfshirë Adem Jasharin, u trajnuan nga ushtria e Shqipërisë. Kur u kthyen, më shumë se gjysma e tyre u arrestuan. Gjysma tjetër, përveç Adem Jasharit, u arratisën në perëndim.
Në vitin 1997, Shqipëria u zhyt në kaos. Kazermat ushtarake u hapën dhe depot ushtarake u bënë të qasshme edhe për UÇK-në që do të formohej në fund të vitit 1993. Një pjesë e madhe e arsenalit ushtarak që u përdor në luftën e Kosovës erdhi nga ato depo. Pas trazirave dhe me shtetin shqiptar që e kishte të vështirë të vendoste rend, kishte më tepër liri për UÇK-në që të operonte dhe të organizonte luftën. Këto ngjarje ndihmuan përpjekjet e UÇK-së për luftë. Lufta kishte filluar në Kosovë. Në Shqipëri shteti kishte vendosur edhe një pjesë të institucioneve në shërbim të UÇK-së. Shërbimi Inteligjent i Shqipërisë (SHISH) në krye me Fatos Klosin po e ndihmonte UÇK-në në të gjitha format. Territori i Shqipërisë ishte mikpritës për stërvitjet ushtarake të UÇK-së dhe për qëndrimin e tyre të përkohshëm para se të futeshin në front. Shqipëria ishte poashtu kanali përmes të cilit futeshin në Kosovë edhe armët e blera. Me të filluar lufta, Shqipëria ishte bërë njëra nga adresat kryesore të refugjatëve të Kosovës. Shqipëria strehoi qindra e mijëra refugjatë gjatë asaj periudhe. Në luftë, ushtria e Shqipërisë ndihmoi edhe me armatim direkt, sidomos në betejën e Koshares, ku u thye kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë. Bashkë me operacionet në Kosovë dhe përpjekjet në diasporë, Shqipëria ishte njëri kënd i trekëndëshit ku u organizua rezistenca kundër Serbisë. Shkurt, pa Shqipërinë, Kosova do ta kishte të pamundur ta bënte luftën që bëri.
Lufta e Kosovës ishte bërë arsyeja e organizimit të Konferencës së Rambujesë, që është konferenca e parë ndërkombëtare që përkrahu aspiratat e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi. Pas injorimit në Berlin dhe Londër, Kosova më në fund fitoi përkrahjen që donte gjatë gjithë shek. XX. Kjo konferencë i hapi rrugë intervenimit të NATO-s, pas të cilit Kosova u çlirua nga Serbia. Pas kësaj, nisi një periudhë radikalisht tjetër. Që nga viti 1999, kosovarët për herë të parë filluan të shijonin bregdetin shqiptar. Autostrada Kosovë-Shqipëri u shndërrua në një arterie ku do të intensifikohej ndërveprimi mes dy shqiptarëve. Platformat digjitale mediatike dhe rrjetet sociale do t’u mundësonin shqiptarëve që ta njihnin njëri-tjetrin më mirë dhe më shumë se kurrë më parë. Dallimet e ngurtësuara për një shekull po zvogëloheshin dhe nën modernizimin e fillimit të mileniumit të ri ngjashmëritë po rriteshin. Imagjinarja shqiptare u kockëzua në të gjitha nivelet. Poashtu, sporti ishte shndërruar në një katalizator të këtij trendi. Shumë kosovarë udhëtonin për në Shqipëri që të përcillnin nga afër ndeshjet e kombëtares shqiptare.
Në nivel tregtar, gjërat qëndrojnë më keq. Para ndërtimit të autostradës ishte shumë i vështirë eksport-importi mes Kosovës dhe Shqipërisë. Sidomos Kosova, e dalë nga lufta, e kishte të rëndë një gjë të tillë. Në vitin 2003 ishte nënshkruar marrëveshja bilaterale për tregti të lirë mes dy vendeve. Më 2007 Shqipëria dhe UNMIK-u në emër të Kosovës u bënë pjesë e CEFTA-s dhe shkëmbimet tregtare filluan të rriteshin. Në vitin 1999 shkëmbimet tregtare ishin inekzistente, kurse në vitin 2017 ka përmirësime të dukshme. Përderisa në vitin 2005 shkëmbimi tregtar Kosovë-Shqipëri ishte vetëm 24 milionë euro, në vitin 2017 shkëmbimet kapën vlerën e 212 milionë eurove. Mirëpo, bashkë me rritjen e shkëmbimeve, u rrit edhe deficiti tregtar i Kosovës me Shqipërinë. Në vitin 2005 deficiti ishte 12 milionë euro. Në vitin 2015 deficiti preku klumin në vlerë prej 111 milionë euro. Në vitin 2017 deficiti është 91 milionë euro. Në vitin 2014, në Kosovë të regjistruara ishin 23 biznese shqiptare, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë dhe farmaceutikë. Ndërkohë që në Shqipëri prania e bizneseve kosovare është dukshëm më e ulët dhe kryesisht kemi të bëjmë me biznese të vogla. Trendi i rritjes së shkëmbimeve tregtare me Shqipërinë është duke vazhduar, megjithëse është asimetrik, me Shqipërinë dominante dhe me Kosovën të dominuar. Marrëveshjet e fundit pritet ta energjizojnë edhe më tej relacionin politik dhe ekonomik mes dy vendeve, por vështirë se do ta balancojnë raportin e forcave tregtare. Sfidat për vitet në vazhdim janë implementimi i këtyre marrëveshjeve, sinkronizimi i planeve ekonomike dhe krijimi i mundësive më të mëdha për bizneset kosovare në Shqipëri. Ulja e deficitit të Kosovës duhet të jetë poashtu pjesë e planeve. Mirëpo jo duke e dëmtuar Shqipërinë, por duke i rritur kapacitetet prodhuese të Kosovës. Në këtë pikë, Shqipëria duhet vetëm të heqë të gjitha tarifat për produktet e Kosovës.