Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Organizimi politik i grave nuk ka alternativë

Botërisht, dhe në Kosovë, nocioni grua nuk është unik. Ai është i çarë, i fragmentuar në realitete të shumta që përbëhen nga klasat shoqërore, nivelet kulturore, hapësirat gjeografike, etnitë dhe përkatësitë e tjera. Ndonëse dallojnë për nga nevojat dhe dëshirat, ndonëse mund të kenë përjetime të ndryshme, që të gjitha gratë, TË GJITHA, pa përjashtim, janë të vendosura nën PROVË. Provën e moralit shoqëror. Është e ditur që ti nuk ke qasje tek morali, nga kjo pozitë e pafuqisë. Në instancë të fundit, asnjëra nuk i shpëtojmë gjykimit. Vetëm për faktin se je grua, dyshimi mbetet i përhershëm. Ai internalizohet.

Një faktor tjetër përbashkues është mungesa e pronës. Edhe gratë që e gëzojnë pronën, kanë kaluar nëpër një lloj turpërimi., Që në start, mungesa e pronës na ka radhitur si të pabarabarta. Kështu, parësia nga burri bëhet domosdoshmëri jetike. Faji internalizohet.

Një femomen tjetër që prek shumicën e grave është dhuna. Realiteti ndaj grave është i dhunshëm. 6 gra vriten çdo orë nga burrat dhe 1 në 3 gra përjetojnë dhunë gjatë jetës së tyre – në nivel global. Dhuna ndaj grave sot ka marrë forma të shumta. Ajo ushtrohet nga familja në shtëpi, nga shefi në punë, nga shoqëria që t’i kërkon arritjet e t’i kalkulon dështimet, nga puna e papaguar e grave në shtëpi apo edhe nga puna e keqpaguar e 13% të atyre që sot kanë fatin të jenë të punësuara. Dhuna është e shtrirë ngado. Ajo madje është mënyrë funksionimi. Është kulturë.

Por dhuna nuk është qëllim në vete. Dhuna është mjet. Mjet për shfrytëzim. Punët e shtëpisë, kujdesi ndaj fëmijëve, prindërve e burrave, dëgjueshmëria në punë, nën presionin e vazhdueshëm të largimit nga puna në raste të shtatzënisë, sepse fertiliteti ka matje të holla, në sistemin patriarkal dhe në ekonominë neoliberale.

Ky rend nuk mund të mbahet në këmbë pa një teknologji të tërë kontrolli që përshkon narrativat për trupin, seksin, moralin, nderin, besën. Këto kategori e kanë pasur vetëm dhe vetëm një vend të rezervuar për gratë, atë të rolin të nënës. Ky rol ka shumë detyrime. Duke e gozhduar fatin e saj në biologji, është krijuar konstrukti i cili ofron modele të ndryshme të gruas, e ushqen iluzonin se ka liri të zgjedhjes, por që nuk i ikë reduktimit të gruas në mitër, i cili e arsyeton dobishmërinë e saj në shoqëri.

Ky është reduktim i papranueshëm. Nuk ka shoqëri të drejtë e demokratike që ka për ideal figurën e Rozafatit.

Ne dëgjojmë për vuajtjet e skajshme të grave, kur ato vriten ose dhunohen, sepse nuk ekziston përkushtimi e vëmendja që ato t’i dëgjojmë në përditshmërinë e tyre. Aty ka akumulim. Reagimi ynë për krismën që e dëgjojmë, kur mbetet reagim, më tepër ka të bëjë me parehatinë tonë ndaj rastit. Duhet bërë kritikë shoqërisë, sepse nuk ka përparim konsensual. Ecjet progresive nuk janë vija të drejta, as spirale. Ecjet emancipuese janë të tilla vetëm në sajë të ballafaqimit. Aty ku thyhen heshtat, lindin edhe kushte të reja.

As të drejtat e punëtorëve, aq sa janë arritur, as e drejta për votë, kurdo e kudo që janë mbërritur, nuk kanë qenë si pasojë e vetëdijesimit të pushtetit, as zemërgjerësisë së tij, as në sajë të politikave kontrolluese dhe balancuese për ta frenuar organizimin dhe shpërthimin e pakënaqësisë.

Të gjitha arritjet shoqërore janë prodhuar nga betejat e pandalshme e pjesëve të panumëruara të shoqërisë, të cilat i kanë ikur PROVËS morale si instancë matëse. Kjo është kur pafuqia gjeneron pushtet. Ky është momenti i daljes nga kontrolli. Kjo për shembull është gruaja e përdalë, e shthurur moralisht nga norma. Ajo nuk i nënshtrohet provës, sepse nuk e ka nevojën të dëshmohet. Ajo është e paparashikueshme. Kështu shiheshin gratë që kërkoni votën, për kohën e tyre.

Organizimi politik i grave nuk ka alternativë. Aq me tepër sot kur jetojmë nën trupetën e “ndryshimit të madh”. Përfaqësimi në parlament e institucione nuk guxon të kthehet në privilegj. Kuotat e domosdoshme nuk duhet të mbesin për vete, por duhet ta kenë misionin politik përbrenda.

Përderisa qeveritë e kaluara kanë qenë indiferente ndaj çështjeve gjinore, kjo e sotmja është instrumentale. Ndonëse ka ardhur nën petkun progresist, ajo po forcon modelin tradicional të familjes. Si hap të parë që ndërmori ishte politika e “pagës për riprodhim” me titullin ofendues “Qeveria për Nënat”. Kriter i sotëm që të mund të përfitosh si grua nga politikat qeveritare është që të jesh nënë. Nuk ka asgjë të keqe në vendimin për t’u bërë nënë. Megjithatë, kjo zgjedhje nuk i takon qeverive, por çifteve.

Kjo është munduar të shitet si pavarësim financiar i gruas. Por vetëm i tillë nuk është. Subvencioni duhet ndarë për familjen, jo për nënën. Sikur që pushimi pas lindjes së fëmijës duhet të quhet pushim prindëror, jo pushim i lehonisë. Në njërën anë thonë se janë kundër patriarkalitetit, në anën tjetër e forcojnë rolin riprodhues të gruas. Këto lloj politikash na tregojnë se pushteti aktual është patriarkal.

Familja duhet ta ketë mundësinë të jetë e bazuar në dashuri, pavarësisht gjinisë, racës. Martesat nuk guxojnë të jenë të mbyllura në heteronormativitet. Secila martesë duhet të jetë e mundshme ligjërisht, përderisa vjen nga dashuria. Shtypjet e tilla prodhojnë dhunë. Nëse jemi të përcaktuar kundër dhunës, duhet të jemi të hapur ndaj nocionit të familjes.

Segregimi gjinor, as është i mundshëm, as i duhuri. Patriarkaliteti i ka privuar burrat nga mirëqenia emocionale dhe i ka veshur ata me privilegj e faj. Nuk është problemi tek maskuliniteti si i tillë, por tek maskuliniteti në sistemin patriarkal të vlerave. Zemërimin që e shkaktojnë burrat, duhet ta artikulojmë dhe ta organizojmë përmes një projekti politik: një lëvizjeje politike që ka në qendër barazinë dhe organizohet rreth saj drejt fitores në beteja konkrete vendore e rajonale. Sepse, në fund të fundit, betejat janë të përbashkëta.

Feminizmi si lëvizje e shumë faktorëve ndërron si jetën e gruas edhe të burrit, të fëmijës dhe të të moshuarit, të të gjitha komuniteteve të ndërthurura në tërë kompleksitetin e tyre aktual dhe të trashëguar.

Nuk ka barazi të njëanshme apo njëkahshme. Barazia presupozon të gjitha pjesët. Sa të ketë gra të shtypura, do të ketë edhe punëtorë të nëpërkëmbur. Ky është ligj. Të gjithëve na shfrytëzohet potenciali në shërbim të kapitalit. Kjo duhet ndërruar.

Lëvizja feministe, angazhimi politik i grave, duhet ta ketë në thelbin e saj rikthimin e  koncepteve me të cilat ende luftojmë. Por në të njëjtën kohë, duhet rivlerësuar normat që na formësojnë nevojat dhe karakterin, na formojnë fëmijërinë dhe ëndrrat, duhet rivlerësuar normën që sot na jepet si tokë mbi të cilën ndërtojmë pa kontestuar, sepse e marrim si të mirëqenë ose edhe jashtë fuqisë e pushtetit tonë, kolektiv a individual.

Politika nuk është ekspertizë, e as gjinia profesion. Nuk është dikush i lindur për politikë e dikush për të qenë vartës. Fjala i takon secilës, si në hapësirën publike dhe atë private. Kur organizohemi politikisht, të gjithë jemi të barabartë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.