Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pamundshmëria e një vetëvrasje politike

Foto: Lëvizja Vetëvendosje.

Para pak ditësh; më saktësisht, të premten e kaluar, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, mbajti një konferencë për media ku bëri të ditura të gjeturat e procesit hetimor rreth vdekjes së aktivistit politik të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit. Në këtë konferencë, siç, besoj, e keni parë të gjithë me vëmendje, Kryeprokurori deklaroi se gjatë këtij procesi hetimor nuk ishte gjetur as edhe një provë e vetme që Astriti ishte vrarë nga dikush. Saktësisht e kundërta, konkludoi ai, “të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë që Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje.”

Bëri apo jo vetëvrasje – këtë gjë do ta problematizojmë më vonë. Për hir të argumentit, sidoqoftë, le të supozojmë se kjo që thotë Kryeprokurori është e vërtetë.

Pra, që Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje.

Duhet të mbajë atëherë ndokush përgjegjësi për këtë? Apo askush? – meqë, siç tha Kryeprokurori ynë i dashur, vdekja e Astritit është vetëvrasje e pastër.

Disa, supozoj, do të thonë – siç në të vërtetë kanë thënë botërisht – se fajin për vdekjen e Astritit e mban shteti; meqë, siç shpjegojnë ata, institucionet publike janë treguar “jo-profesioniale,” “neglizhente” dhe “të pakujdesshme.” Në shikim të parë, kjo që thonë këta mund të duket tejet guximshme nga ana e tyre; sidomos kur kihet parasysh kontributi i tyre i gjithanshëm në mirëmbajtjen e këtij regjimi autoritarist. Sidoqoftë, po të analizohet më në hollësi kjo që thonë, lehtësisht e kuptojmë se qëndrimi i tyre është problematik për disa arsye.

Unë po i përmend vetëm më kryesoret.

E para, kam përshtypjen që, duke pohuar se vdekja e Astritit është përgjegjësi e shtetit, mëtohet të bëhet amnistimi i pushtetit politik. Nuk është krejt e rastësishme, mendoj, që kur janë në pyetje gjërat e mira njerëz të tillë plot gojën e kanë ‘qeveri,’ ‘parti politike,’ ose ‘pushtet.’ Ndërsa kur kemi të bëjmë me punë të liga, këta kurrë nuk i dëgjon duke thënë që është faji i kësaj partie, i këtij pushteti, apo i kësaj qeverie. E tëra çfarë i dëgjon duke thënë, në fakt, është: “faji i shtetit,” “faji i institucioneve publike,” e kështu me radhë. Sikur të kishim shtet të konsoliduar, ose institucione njëmend publike, sigurisht që do ta mbaja edhe unë përgjegjës shtetin dhe institucionet publike. Po ne nuk e kemi asnjërën, për fat të keq. Për më tepër, më duket se po ia bëjmë disi padrejtë shtetit me gjithë këto akuza, kur dihet se i ngrati është edhe vetë në zor nga kapja që i kanë bërë Thaçi, Veseli dhe Mustafa, apo jo?

Së dyti, por më me rëndësi, besoj, këta sikur dëshirojnë të thonë këtë gjë: ne nuk do të shqetësoheshim fare sikur Astriti të dergjej burgjeve (sepse, edhe ashtu, s’kemi bëza që u arrestuan e u burgosën aktivistët politikë të Vetëvendosjes); me rëndësi që ai të mbahej gjallë në burg. Në thelb, pra, këta nuk janë kundër vdekjes së Astritit në burg, por vetëm kundër vdekjes së tij të parakohshme aty. Përndryshe, si shpjegohet që kurrë s’kundërshtuan arrestimin dhe burgosjen e Astritit dhe aktivistëve të tjerë të Vetëvendosjes?

Madje as sot nuk i kundërshtojnë. Për më tepër, disa nga këta – nëse ju kujtohet mirë – e përdornin arrestimin e Astritit dhe aktivistëve të tjerë për t’i mëshuar Lëvizjes Vetëvendosje!

Dhe së fundmi, ndjej që këta duan ta zhvesin Astritin nga një qenie që ka menduar dhe vepruar politikisht, në një qenie që qëllim të vetëm ka pasur sall mbijetesën biologjike. Domethënë, nga një qenie politike në një qënie pa ide, pa ideale, pa bindje, pa koncepte, pa aksione politike, etj. Kjo, dashur pa dashur, është padrejtësia më e madhe që është duke iu bërë Astritit pas asaj që i bëri regjimi. Nëse vërtet dëshironi t’i bëni drejtësi Astritit, atëherë do të duhej t’i mbronit idetë dhe idealet për të cilat është angazhuar ai.

Kjo është drejtësia e vërtetë që mund t’i bëhet atij.

Jo ajo ligjore, e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Sido që të jetë, më duhet të them se problemi im më i madh nuk janë këta; por ata që thonë se fajin për vdekjen e Astritit e mban Astriti dhe Lëvizja Vetëvendosje. Kështu, ta zëmë, deklaroi haptaz deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

Dhe kush po e thotë këtë gjë, zonja dhe zotërinj?

Armend Zemaj.

Personi që është bërë deputet duke abuzuar me vrasjen politike të Tahir Zemajt.

Personi, partia e të cilit ka abuzuar paturpësisht me vrasjet politike të pas-luftës.

Personi, partia e të cilit para zgjedhjeve akuzonte SHIK-un kurse më pas e bëri shef Kuvendi shefin e këtij Shërbimi.

Personi, partia e të cilit para zgjedhjeve akuzonte ish-kryeministrin Thaçi, dhe mënjëherë më pas e bëri kryetar shteti.

Personi, partia e të cilit para zgjedhjeve mashtronte qytetarët duke u thënë që kurrë nuk do të qeverisin me PDK-në, dhe menjëherë më pas hynë në koalicion me të.

Personi, partia e të cilit akuzonte PDK-në për familiarizëm e nepotizëm, kurse më pas mbushi institucionet publike dhe agjencitë e “pavarura” me militantë dhe familiarë të vet.

Personi, partia e të cilit frikët nga zbardhja e mundshme e vdekjes së Astritit; sepse, kësisoji, do të zbulohet manipulimi i tyre me vrasjet politike të pas-luftës.

Ndaj këtij deputeti, si dhe ndaj të gjithë atyre që thonë: “vetja e pastë n’qafë,” ose është “faji i Vetëvendosjes,” nuk kam asgjë tjetër pos përbuzjes dhe neverisë absolute.

Lexuesit, megjithatë, do të pyesin:

– Nëse jo shtetin, Astritin dhe Vetëvendosjen, kë duhet akuzuar, atëherë?

Pa mëdyshje, regjimin. Më specifikisht: qeverinë, policinë, shërbimin korrektues, prokurorinë, gjyqësinë, RTK-në, e kështu me radhë.

Këto janë institucionet e sistemit që janë përgjegjëse për vdekjen e Astritit. Këtu, sigurisht, nuk e kam fjalën qysh thonë disa: ja është dashur të ketë më shumë gardianë të burgut, ja është dashur të ketë kamera të sigurisë në qeli të burgut, ja nuk është dashur t’i shisnin shishe të forta të plastikës, etj.

Jo, jo. Aspak.

E kam fjalën që Astriti nuk do të duhej të mbahej në burg fare. Ky, dashur pa dashur, është shkaku i (vetë)vrasjes së tij. Siç kam deklaruar edhe më parë, po që se Astriti nuk do të ishte arrestuar padrejtësisht; po që se Astriti nuk do të burgosej padrejtësisht; po që se Astriti nuk do të akuzohej padrejtësisht nga Policia, po që se ndaj tij nuk do të ushtrohej presion psikologjik (kujtojeni si policët i kishin bërë presion duke i thënë që do ta denojnë me dhjetë vjet burg, ose si do ta ekstradojnë në Maqedoni), ai do të ishte i gjallë sot, në mesin tonë, duke kontribuar për komunën, universitetin, shtetin, shoqërinë, kombin, e kështu me radhë.

Kryeprokurori, megjithatë, do të ma tërheq vërejtjen:

Po si ka mundësi të mbajë dikush përgjegjësi për vetëvrasjen e dikujt?

Ka edhe shumë, do t’i thoja.

Për të kuptuar më mirë këtë, më lejoni të sjell këtu një film (anipse filma të kësaj natyre ka plot e përplot).

E kam fjalën për filmin Germany Year Zero (1948) – film ky që, së bashku me Rome Open City (1945) dhe Paisan (1946), përbëjnë trilogjinë e famshme të luftës së regjisorit neorealist Italian, Roberto Rossellini. Në këtë film, siç mund ta keni parë edhe ju, Rossellini rrëfen dhembshurisht fatin tragjik të një dymbëdhjetëvjeçari gjerman mbas Luftës së Dytë Botërore; i cili, në kushtet e varfërisë ekstreme të familjes së tij, bën të pamundurën për të siguruar kafshatën e gojës. Sidoqoftë, për shkak të moshës së re që kishte, babait të sëmurë si mos më keq, motrës që s’arrinte dot të gjejë një vend pune të hairit dhe gjithashtu vëllaut burracak që refuzonte dorëzimin te forcat Aleate nga frika e dënimit me burg për shkak të pjesëmarrjes së tij në luftë përkrah forcave naziste, mjerisht kishin bërë që Edmundi (kështu e quanin) të mos arrijë të sigurojë bukën e gojës për tërë familjen e tij.

Në një situatë të tillë, dhe duke mos ditur si t’ia bëjë çaren mjerimit që kishte kapluar familjen e tij të shkretë, Edmundi vendos të takojë mësuesin e vet të dikurshëm, Zotin Enning, me shpresën se ai, së paku ai, do të jetë në gjendje për t’i ndihmuar.

Dhe kështu ndodh:

Edmundi arrin të takojë Zotin Enning; i tregon si ai dhe familja e tij s’kanë çfarë të hanë; si babai është duke u ronitur nga një sëmundje e rëndë sfilitëse; si vëllau refuzon dorëzimin te autoritetet aleate nga frika e arrestimit; si motra e ka të pamundur të gjejë një punë të hairit për të mbajtur familjen gjallë, e kështu me radhë. Mirëpo, fatkeqësisht, mësuesi i tregon që ai nuk mund të bëjë gjë në këtë drejtim; meqë, siç shprehet ai: “kohëra të këqija janë këto [për të gjithë].” Madje për t’ia shuar edhe më tej shpresat, mësuesi i thotë Edmundit të përqafojë këtë fat të mjerë që ka rënë mbi të dhe familjen e tij, ngase, sipas tij, ajo që është e shkruar dhe paracaktuar s’ka njeri që mund ta ndryshojë! (Lexuesit që janë të familiarizuar sadopak me kinemanë italiane, ose edhe me kinemanë në përgjithësi, duhet ta dinë që këtë lloj fatalizmi, për fat të keq, e gjejmë pothuajse në të gjitha filmat neorealistë italianë).

– Po çka nëse vdes babai?, – e pyet Edmundi.

“Nëse vdes, vdes,”- ia kthen mësuesi. Po mirë, Edmund – i thotë mësuesi: “a më parë do të preferoje të vdisje vetë apo të lejoje vdekjen e një të moshuari [babait tënd]?”

Natyrisht, Edmundi nuk bëza; thjesht ulë kokën dhe vetëm dëgjon.

Për ta pasur me të lehtë, mësuesi i tregon Edmundit të heq dorë përfundimisht nga ndjeshmëria e tij; dhe, kësisoji, të merr mësim nga darvinizmi social. Ja, çfarë i thotë ai:

Mëso nga bota naturale si i forti e eliminon të dobëtin. Ti duhet të kesh guximin për të flijuar të dobëtin [babain]. Ky ligj natural vlen edhe për njerëzit.

Me këto fjalë në mendje Edmundi vendos të helmojë babain e vet. Dhe kështu ndodh, fatkeqësisht: teksa babai i rrinte shtrirë në shtrat, Edmundi i jep helmin për të pirë. Babai e merr helmin, e pinë dhe vdes aty për aty.

Filmi, megjithatë, nuk mbaron me kaq.

Sepse, në fund, Edmundi i jep fund edhe jetës së vet, duke u hedhur nga katet e një godine të lartë, për të përqafuar atë që një poeti i famshëm e quan e Pashmangshmja, apo, siç e quan ndryshe Bataille, “çasti asgjësues.”

Tash, po t’i pyet dikush imbecilët tanë:

– Kush mendoni se duhet fajësuar për vdekjen e babait dhe vetëvrasjen e Edmundit?

Ma ha mendja që përgjigja e tyre do të ishte:

– Po, askush. Ishte vetë Edmundi që helmoi babain e vet dhe bëri vetëvrasje.

Mirëpo një njeri normal, besoj, nuk do t’i vënte faj aspak Edmundit; madje as motrës së tij, vëllaut apo babait të sëmurë. Përkundrazi, do t’i vënte faj sistemit – qoftë atij totalitar nazist që kishte sjellë popuj të tërë në zgrip të asgjësimit, përfshi edhe atë gjerman, qoftë atij të forcave aleate që s’e çanin kokën për gjermanët e pas-Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu, faj do t’i vënte mësuesit fatalist, i cili, në vend që të përpiqej për t’i ndihmuar Edmundit dhe familjes e tij, i kishte mbytur edhe atë pak lloj shprese e optimizmi që e mbante në jetë Edmundin.

Ngjashmërisht, mendoj, është edhe me rastin e të ashtuquajturës “vetëvrasje” e Astritit, edhe pse shkaqet, natyrisht, janë tërësisht të ndryshme: derisa në rastin e Edmundit ishin kushtet e papërballueshme ekonomike ato që e kishin çuar në vetëvrasje, në rastin e Astritit, do të mund të thuhej, ishte pikërisht arrestimi i padrejtë, burgojsa e padrejtë, presioni psikologjik i padrejtë, dhe plot element të tjerë që ne akoma nuk i dimë, e mbase nuk do t’i marrim vesh kurrë.

***

Por, pse besoj që ka arsye të mjaftueshme për të besuar se vdekja e Astritit nuk ka qenë vetëvrasje?

Duke lënë anash argumentet shkencore që janë prezantuar këto ditë nga njerëz të fushës, si Milot Rama, Ismail Lutolli, Hatixhe Latifi, dua të përmend katër arsye kryesore – të cilat, për bindjen time të fuqishme, tregojnë sheshazi që Astriti nuk ka bërë vetëvrasje.

E para, konsiston në faktin që Astriti akoma nuk ishte i dënuar nga gjykata për të thënë se: ja, Astriti bëri vetëvrasje për shkak se kishte humbur të gjitha shpresat për një lirim të mundshëm nga burgu. Madje, siç dihet, Astriti nuk kishte as aktakuzë fare të ngritur nga ana e prokurorisë e shtetit. Sikur të kishte, po – mbase do të mund të thoja se Astriti bëri vetëvrasje për shkak se kishte humbur ymytin për një lirim eventual nga burgu. Por Astriti nuk kishte as aktakuzë nga prokuroria dhe as dënim nga gjykata. E si ka mundësi dikush të bëjë vetëvrasje në burg pa pasur ende aktakuzë apo dënim të formës së prerë?

Këtë gjë s’arrij ta rrok mendërisht.

Arsye tjetër pse besoj që Astriti nuk ka bërë vetëvrasje është se ai, dhe të gjithë ne, dua të besoj, e dimë si policia e urdhëruar nga pushteti ka arrestuar, burgosur dhe keqtrajtuar aktivistët e Vetëvendosjes pa kurrfarë prove. Si ka mundësi, unë pyes, që Astriti të bëjë vetëvrasje kur ai e dinte shumë mirë që kjo nuk qe hera e parë që aktivistët e Vetëvendosjes ngarkoheshin me akuza të rënda dhe më pas liroheshin?

A nuk ju kujtohet, ta zëmë, rasti i Trim Gashit, i cili qe mbajtur pesë muaj në burg me prova të montuara nga ana e policisë?

Dhe a e dini pse ishte akuzuar ky aktivist politik, zonja dhe zotërinj?

Për tentim-vrasje ndaj Kryeministrit Mustafa! Për tentim-vrasje ndaj Kryeministrit të Kosovës!

A nuk ju kujtohet gjithashtu rasti i Kushtrim Avdimetaj – aktivistit tjetër të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u pat akuzuar gjithashtu për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe sulm ndaj shtëpisë së Kryeministrit?”

Dhe a e dini çfarë ndodhi me këta dy aktivistë, në fund?

E dini?

I liruan. I liruan sepse nuk kishte kurrfarë prove!

Dha përgjegjësi ndokush pse këta dy aktivistë u mbajtën në burg për disa muaj?

Askush.

U suspendua ndonjë polic, prokuror apo zyrtar publik për këtë rast?

As edhe një i vetëm. As edhe një.

Tash, si ka mundësi që, duke e ditur këtë fakt, Astriti t’i japë fund jetës së tij?

Tregomëni. Dhe po ju premtoj se do të bindem.

Një arsye tjetër pse mendoj që vetëvrasja e Astritit është logjikisht e pamundshme ka të bëjë edhe me vetë aktivitetin politik si të tillë. Siç dihet botërisht, Astriti nuk ishte duke bërë një betejë ekzistenciale me Zotin – beteja këto që i gjejmë mjaft bukur të artikuluara te novelat e Dostojevski-t dhe shkrimet letraro-filozofike të Kamy-së. Përkundrazi, Astriti ishte duke bërë një betejë politike. Dhe të bësh një betejë politike – të dashur lexues, do të thotë, në mes të tjerash, që nuk mendon për fundin tënd; por atë të regjimit.

Nuk mendon si të ndërrosh jetë, por si të ndryshosh regjimin e padrejtë.

Nuk mendon për vdekjen tënde, por për jetën e të tjerëve – dhe për vdekjen e regjimit.

Nuk mendon si të gjesh parajsën në botën tjetër, por si ta flakësh tutje ferrin e kësaj bote.

Nuk mendon si t’ia shkurtosh kohën vetes, por si t’ia shkurtosh kohën regjimit; tamam, do të thoja, siç ëndërron i kolonizuari i Fanonit nga ora nëntë në mbrëmje deri në ora gjashtë e mengjesit.

Për më tepër, vetëvrasja presupozon ikjen nga ballafaqimi me pushtetin. Astriti nuk kishte këtë frikë nga kjo përplasje – ai përballej me pushtetin, kudo dhe kurdo që ishte nevoja.

Prandaj edhe nuk kishte si bënte vetëvrasje.

Dhe arsyeja e fundit, por më kryesorja, besoj, ka të bëjë me një fakt që është duke u injoruar nga të gjithë, fatkeqësisht. E kam fjalën për përgjigjen që Astriti u kishte dhënë hetuesve policorë gjatë marrjes në pyetje. “Jo 10,” u kishte thënë ai atyre, “por edhe 15 deri 20 vjet jam përgatitë me përballu burgun.”

Tash, a s’më thoni ju prokurorë, policë, gjykatës, qeveritarë, deputetë, gazetarë, analistë, a cka dreqin jeni, si ka mundësi që dikush që është i përgatitur t’i bëjë ballë burgut edhe njëzet vjet të bëjë vetëvrasje ende pa u akuzuar nga prokuroria apo dënuar nga gjykata?

Hajt, më thuani!

Tregomëni.

Mjafton vetëm ky fakt, mendoj, për të kuptuar se sa i stisur është i gjithë rrëfimi zyrtar për gjoja vetëvrasjen e Astritit. Astriti që thotë: “Jo 10 por edhe 15 deri 20 vjet jam përgatitë me përballu burgun” të bëjë vetëvrasje ende pa u ngritur aktakuza?

Kurrën e kurrës.

Prandaj nuk besoj kurrë që Astriti ka bërë vetëvrasje; anipse, siç e thashë më sipër, në cilindo rast unë e mbaj përgjegjës këtë pushtet dhe të gjitha pushtetet e kaluara për vdekjen e Astritit.

Sikurse i mbaj përgjegjës për vdekjen tragjike të pesëmbëdhjetë qytetarëve të mbytur në lumin Tisa.

Sikurse i mbaj përgjegjës për vdekjen tragjike të Arzës dyvjeçare nga Vitia – që vdiq e ngrirë nga të ftohtit në një kamp refugjatësh në Hungari.

Për vdekjen e Enis Manxhukës – djalit tremuajsh nga Gjakova, që vdiq gjithashtu i mërdhirë nga të ftohtit.

Për vdekjen e Mustaf Bislimit – plakut nga Podujeva, që vdiq i ngrati teksa po largohej me mijëra qytetarë të tjerë nga Kosova.

Për vdekjen e Ali Fetahut nga Ferizaj, i cili gjithashtu qe ngrirë nga të ftohtit teksa po kalonte kufirin me Hungarinë.

Për vdekjen tragjike të Diana Kastratit, që shteti e la të vritej nga duart e ish-bashkëshortit të saj.

Për vetëvrasjet e mbi pesëdhjetë veteranëve dhe invalidëve të luftës, që shteti për të cilin kishin luftuar nuk u siguroi as kafshatën e gojës.

Për vdekjet e të sëmurëve, të varfërve, të pastrehëve dhe punëtorëve.

Me pak fjalë, për të gjitha vdekjet e shkuara dhe ato të ardhshme të kësaj natyre.

Dhe kështu do të vazhdoj ta mbaj përgjegjës deri në vdekjen e tij – ndonëse, edhe atëherë, ma ha mendja, do ta mbaj përgjegjës!

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.