Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pandemia dhe pandehmat e teorisë realiste – Pjesa I

Ilustrimi: Big Eye

Tashmë është i njohur fakti se pandemia globale, e shkaktuar nga virusi Covid-19, ka ndikuar në sjelljen e shteteve në sistemin ndërkombëtar. Me qëllim të identifikimit të modeleve shpjeguese se si shtetet reagojnë kur ballafaqohen me sfida dhe kriza të ndryshme në politikën ndërkombëtare, shumë studiues u rreken të analizojnë dhe interpretojnë ndryshimet e këtyre sjelljeve nën prizmin e teorive të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Supozohet se pandehmat e teorisë realiste të Marrëdhënieve Ndërkombëtare ofrojnë fuqi shpjeguese solide dhe logjikë interpretuese shteruese për të dekonstruktuar, kuptuar dhe – në disa raste – parashikuar sjelljen e shteteve në politikën ndërkombëtare në këtë periudhë të krizës epidemiologjike.

Por, përse është e nevojshme përdorimi i një teorie të caktuar për të kuptuar (mos)veprimet, pozicionimet, ndërveprimet, rreshtimet, qëndrimet etj. të shteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare? Duhet qartësuar fakti se marrëdhëniet që shtetet zhvillojnë në politikën ndërkombëtare janë tejet të ndërlikuara. Në këtë ndërveprim permanent përfshihen shumë aktorë dhe faktorë. Shumësia e ndryshoreve ekzistuese dhe raportet e varësisë së ndërsjellë mes tyre e bëjnë analizimin, shpjegimin dhe – në raste të rralla parashikimin – e sjelljeve të shteteve tejet kompleks. Andaj, e vetmja mënyrë për t’i dhënë kuptim realitetit ndërkombëtar në të cilin shtetet operojnë, në mënyrë që këto të fundit të formulojnë politika adekuate që i përgjigjen sfidave e problemeve konkrete, është domosdoja e aplikimit të teorive të Marrëdhënieve Ndërkombëtare – siç janë realizmi, liberalizmi, konstruktivizmi etj. – si “syze teorike” përmes të cilave mundësohet “leximi” i sjelljeve të shteteve në politikën ndërkombëtare. Me fjalë tjera, përmes këtyre teorive – të përdorura si instrumente pune – ne i reduktojmë dhe simplifikojmë këto marrëdhënie komplekse në një grumbull pandehmash teorike përmes së cilave studiuesit, në raste të caktuara edhe praktikuesit, e politikës së jashtme i “lexojnë” dhe i interpretojnë (mos)veprimet e shteteve në domenin e politikës globale.

Realizmi dhe sëmundjet infektive: nga Tukiditi tek Covidi

Teoria realiste nuk i ka kushtuar ndonjë vëmendje të veçantë kërcënimeve potenciale që mund të vijnë nga sëmundjet infektive – siç është pandemia Covid-19 – andaj kjo qasje nuk ka shumë për të thënë rreth epidemive, viruseve apo praktikave të menaxhimit të krizave të shëndetit publik. Megjithatë, është me rëndësi të theksohet se në literaturën dhe traditën e teorisë realiste ekzistojnë materiale, të cilat theksojnë efektet që sëmundjet infektive kanë në rrjedhat e proceseve politike dhe ndryshimit të raporteve të fuqisë ndërmjet shteteve. Një gjë e tillë haset në librin: “Historia e Luftës së Peleponezit” të Tukiditit [Thucydides]. Ky libër konsiderohet si një ndër tekstet themelore të mendimit dhe traditës realiste, kurse autori i tij vlerësohet si një ndër themeluesit më të shquar të kësaj tradite të begatë intelektuale. Duke qenë edhe vetë pjesëmarrës, Tukiditi në Historinë e tij e shpjegon luftën që u zhvillua në Greqinë Antike në mes të Athinës dhe Spartës. Këto ishin dy qytet-shtetet më të zhvilluara dhe më të fuqishme të kohës. Athina ishte e orientuar më shumë drejt zhvillimit të tregtisë dhe në intensifikimin e këtyre raporteve me vendet tjera. Ky qytet-shtet kishte synime që të zhvillonte dhe konsolidonte fuqinë e vet detare. Kurse Sparta ishte e orientuar kryesisht në zhvillimin e fuqisë tokësore. Kjo luftë, e zhvilluar në mes të viteve 431-405 p. K., kishte si rezultat kryesor zhvendosjen e qendrës së pushtetit nga Athina tek Sparta, duke e shndërruar këtë të fundit në qytet-shtetin më të fuqishëm në rajon. Sipas Tukiditit, ndër shkaqet kryesore, që shërbeu edhe si shkëndijë e nisjes së luftës mes tyre, ishte rritja e fuqisë së Athinës. Kjo bëri që Sparta të ndjehej seriozisht e kërcënuar për sigurinë e vet dhe, si rezultat, të dy këto qytet-shtete u përfshinë në luftë me njëra tjetrën.

Një ngjarje shumë e rëndësishme që ndodhi gjatë kësaj lufte e cila nuk është se theksohet edhe aq shpesh, por që ndërlidhet mjaft mirë me kontekstin e sotëm të epidemisë globale dhe pasojave që ka shkaktuar ajo në sjelljen e shteteve, është murtaja që goditi Athinën në vitin 430 p. K. Kjo sëmundje ishte shfaqur në vitin e dytë të Luftës së Peleponezit dhe kishte zgjatur për më shumë se tri vjet. Sipas studiuesve të historisë dhe ngjarjeve të asaj periudhe, konsiderohet se kjo epidemi kishte vrarë rreth një të tretën e popullsisë që përbëhej nga 250,000-300,000 banorë, duke përfshirë edhe liderë të shquar politikë të kohës si gjeneralin dhe politikanin athinas, Perikliun [Pericles]. Konsiderohet se kjo sëmundje ndryshoi katërçipërisht rrjedhën e luftës. Studiuesit bien dakord se kjo ishte një ndër arsyet me peshë që ndikoi që Athina të mposhtej nga Sparta. Një ngjarje e tillë nuk do mend që e dëmtonte mjaft shumë potencialin e fuqisë së Athinës dhe krijoi kushtet e nevojshme të dobësimit dhe më pas tkatërcip shkatërrimit të demokracisë athinase. Përmes analizimit këtij rasti historik – edhe pse fare shkurtazi – mund të shohim qartë disa elemente që ndërlidhen realitetin politik aktual në nivel global. E para ka të bëjë me natyrën garuese e konkurruese ndërmjet shteteve, kurse e dyta lidhet me faktin se si një sëmundje infektive ka potencial që ta ndryshojë rrjedhjen e ngjarjeve duke pasur edhe efekte transformuese për strukturën e sistemit politik global.

Në kontekstin aktual, si mund të na shërbejë një ngjarje e tillë, e trajtuar në njërin nga tekstet klasike të realizmit, për të analizuar efektet që pandemia Covid-19 ka në politikën ndërkombëtare? Duke theksuar natyrën garuese dhe konkurruese, e jo rrallë edhe konfliktuale, të politikës ndërkombëtare, pandehmat kryesore e teorisë realiste mbështetet në idenë se shteti është aktori themelor në sistemin ndërkombëtar. Andaj, asnjë autoritet tjetër potencial nuk mund të konkurroj shtetin dhe, aq më tepër, të jetë mbi të. Së këndejmi, në mungesë të një strukture hierarkike, sistemin ndërkombëtar, sipas kësaj teorie, e karakterizon anarkia – mungesa e një autoriteti qendror. Mirëpo, sipas interpretimit realist, kjo nuk do të thotë se kaosi dhe dhuna dominojnë sistemin, por se shtetet janë entitete politike sovrane.

Author

  • Alfred Marleku

    Alfred Marleku ka përfunduar studimet bachelor, master dhe ato të doktoratës në shkenca politike. Aktualisht është ligjërues në Kolegjin “UBT”, Fakultetin e Shkencave Politike. Për shumë vjet ka punuar si menaxher i projekteve të ndryshme të financuara nga Komisioni Evropian, USAID-i, Ambasada Amerikane etj., të cilat fokusohen, kryesisht, në reformat e arsimit të lartë në Kosovë, veçanërisht në kërkim dhe zhvillim (R&D); kthimin e trurit; zhvillimin e plan-programeve në harmoni me nevojat e tregut etj. Përveç kësaj, për një kohë ka qenë i angazhuar edhe në sektorin publik si këshilltar politik në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.