Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Paradoksi i demokracisë me shqiptarët e Malit të Zi dhe Maqedonisë: më shumë peshë me më pak vota

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi në tetor 2016 dhe Maqedoni në dhjetor  2016, u karakterizuan nga një rënie drastike e përfaqësimit parlamentar si pasojë e përçarjes së thellë të partive politike shqiptare. Duhet theksuar paraprakisht për të qenë politikisht korrektë, që paralelizmi bëhet për proceset e ngjashme, mirëpo statusi i shqiptarëve nuk është i njëjtë pasi në Maqedoni shqiptarët janë faktor shtetformues, ndërsa në Mal të Zi pakicë.

Në të dy shtetet ku shqiptarët nuk janë komunitet shumicë, në zgjedhjet e vitit të fundit partitë shqiptare jo vetëm që nuk u bashkuan por i ndanë votat si rrallëherë më parë, duke garuar me disa lista zgjedhore rivale dhe duke minimizuar numrin e mandateve. Përveç përçarjes, këto zgjedhje u karakterizuan edhe nga një zvogëlim i ndjeshëm i votave shqiptare të dhëna për partitë shqiptare. Mirëpo pavarësisht faktit që partitë shqiptare nxorën në parlamentet e Shkupit dhe Podgoricës më pak deputetë se më parë, konjuktura politike që u krijua pas zgjedhjeve bëri që pesha specifike e këtyre deputetëve të rritej ndjeshëm në shtetet respektive e madje të bëhen faktor kyç në formimin e qeverisë.  Kjo ka bërë që partitë shqiptare të kenë më shumë pushtet me më pak vota.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të Malit të Zi partitë shqiptare garuan, të ndarë në tre koalicione, dhe morën vetëm një deputet ndërkohë që kishin pasur dy në legjislaturën e mëparshme dhe tre deputetë dy zgjedhje më herët. Për hir të së vërtetës tatëpjeta e përfaqësimit të shqiptarëve në parlament filloi që me ndryshimin e ligjit zgjedhor, i cili më parë i garantonte shqiptarëve në formën e diskriminimit pozitiv një zonë më vete zgjedhore. Mirëpo sikur mos të mjaftonte ky zvogëlim i të drejtave të fituara të shqiptarëve nëpërmjet reformës zgjedhore, partitë shqiptare garuan me katër lista konkurruese në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012, ku lista e katërt u faneps si nismë qytetare pak kohë para zgjedhjeve, e mbështetur nga diaspora e quajtur Aleanca Rinore e Shqiptarëve me në krye Anton Lulgjuraj. Partitë shqiptare morën gjithsej 12477 vota që u shpërndanë si më poshtë Forca për Bashkim 5244 vota me një deputet, Koalicioni Shqiptar 3824 me një deputet, Unioni Demokratik Shqiptar me 2848 vota pa marrë mandat dhe Aleanca Rinore e Shqiptarëve 531 vota pa mandat. Nëse këto votat e Aleancës Rinore Shqiptare nuk do të kishte garuar dhe nëse këto vota do të kishin qenë tek koalicioni i parë apo i tretë, atëherë partitë shqiptare do e kishin marrë mandatin e tretë shqiptar.

Mirëpo partitë shqiptare nuk nxorën mësim nga pësimi dhe e ripërsëritën të njëjtin gabim katër vite më pas, por kësaj radhe me një përkeqësim të situatës. Pak ditë para mbarimit të afatit të regjistrimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kur të gjithë mendonin se shqiptarët do garonin vetëm në dy lista, u regjistrua një koalicion i tretë shqiptar i quajtur “Lidhja Demokratike e Shqiptarëve” që përfshinte degët e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi (LD në MZ) të Malësisë, Rozhajës dhe Plavë-Gucisë dhe drejtohej nga Nikollë Camaj. Kur LD në MZ nuk ia dilte dot të merrte një mandat vetë kur ishte e bashkuar, e si mund të pritej që copat e saj ta merrnin një mandat? Dy listat e tjera që garuan në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar ishin  “Shqiptarët të Vendosur”, i cili përbëhej nga Forca e Re Demokratike, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Alternativa Shqiptare dhe kryesohej nga Genci Nimanbegu si dhe koalicioni “Me një qëllim”, të përbërë nga Partia Demokratike, Iniciativa Qytetare-Tuz, Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Lëvizja Qytetare “Perspektiva” dhe kryesohej nga Gzim Hajdinaga, ish ministër për të drejtat e pakicave në Qeverinë e Malit të Zi dhe ish-kryetar i Komunës së Ulqinit. Koalicioni “Shqiptarët të Vendosur” mori 4854 vota duke e nxjerrë një mandat ndërsa “Me një Qëllim” edhe pse me 3394 nuk e mori dot mandatin ndërsa lista e tretë çoi dëm 1542 vota.

Sikur një pjesë e tyre të kishin shkuar tek lista e parë ose e tretë, me siguri do kishin dalë dy deputetë të partive shqiptare. Ajo që u vu re gjithashtu ishte se votat e dhëna për partitë shqiptare kishin rënë nga 12477 në 9790, 2687 vota më pak ose 21% zvogëlim dhe bëhet fjalë për vota që me gjasa kanë kaluar tek DPS e Gjukanoviçit.

Në Maqedoni njihet prej Kohësh që sistemi zgjedhor është i tillë që sjell rënien e mandateve të partive shqiptare nëse garojnë të copëzuara. Në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 5 qershor të vitit 2011 kishte 4 blloqe shqiptarësh (formalisht ishin shtatë lista por vetëm katër ishin domethënëse). Pas këtyre zgjedhjeve BDI mori 15 deputetë, PDSH 8 deputetë dhe RDK 2 deputetë ndërkohë që partitë shqiptare Demokracia e Re (DR), Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH), Bashkimi Demokratik Kombëtar (BDK) dhe Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) nuk arritën të fitonin asnjë deputet. Numri i votave të këtyre partive të tjera që nuk morën mandat ishte goxha i vogël me përjashtim të Demokracisë së Re të Imer Selmanit që çoi 19958 pa siguruar një mandat. Në zgjedhjet e vitit 2014 faktori shqiptar ishte më pak i fragmentuar me tre blloqe kryesore, gjë që shtoi edhe totalin e deputetëve shqiptarë. BDI mori 19 deputetë, PDSH 7 ndërsa RDK 1 për një total prej 28 deputetësh.

Në zgjedhjet e fundit të dhjetorit të kaluar, shqiptarët u ndanë sërish në katër blloqe kryesore si në vitin 2011 me Bashkimin Demokratik për Integrim, Partinë Demokratike Shqiptare, Lëvizjen Besa si dhe Koalicionin e Shqiptarëve të grupuar në një listë zgjedhore që përfshinte Partinë Uniteti, Lëvizjen Reformiste të PDSH-së dhe RDK-në. Si rezultat i kësaj përçarje nga 28 mandate partitë shqiptare shkuan me një total prej 20 mandatesh ku 10 i mori BDI, 5 Besa, 2 PDSH dhe 3 Aleanca. Partitë shqiptare morën diku tek 238 000 vota së bashku në 2014 dhe vetëm 212 000 ne 2016 pra 26 mijë vota më pak ose një rënie prej 11% të votave, që me gjasa kanë kaluar tek LSDM e Zaevit.

Mirëpo në të dy shtetet partitë në pushtet pësuan një rënie të ndjeshme të mandateve dhe solli vështirësi shumë të mëdha në formimin e një mazhorance qeverisëse. Në rastin e Malit të Zi, koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike e Socialistëve pësoi një rënie nga 39 në 36 deputetë prej totalit të 81 deputetëve që ka parlamenti i Podgoricës ndërkohë që opozita u konsolidua ndjeshëm. Për të bërë shumicën prej 42 deputetësh, DPS ftoi në koalicion social-demokratët me dy deputetë, boshnjakët me dy, kroatët me 1 si dhe deputetin e vetëm shqiptar. Pra edhe pse i vetëm deputeti shqiptar u bë vendimtar për të formuar shumicën qeverisëse duke i dhënë një mundësi të mirë presioni shqiptarëve. Koalicioni shqiptar i drejtuar nga Forca e Nazif Cungut e shfrytëzoi optimalisht këtë mundësi për të kushtëzuar qeverinë e re me nënshkrimin e një marrëveshje që përmbush disa prej kërkesave kryesore të shqiptarëve të Malit të Zi.

Në marrëveshjen për formimin e mazhorancës së re qeveria ka nënshkruar përmbushjen e kërkesës për krijimin e komunës së re të Tuzit, gjë që është zotuar që ta përmbushë brenda majit të vitit 2017. Po ashtu u nënshkrua marrëveshja për implementimin e dispozitave ligjore për kthimin e Ullishtave në Valdanos ish-pronarëve të ligjshëm si dhe u ra dakord që të hiqej nga zotërimi i të Mirave Detare (kompania shtetërore malazeze që administron bregdetin) duke ndaluar përfundimisht ndërtimet në të. Kur vjen fjala për të Mirat Detare, qeveria pranoi që të ndryshonte ligjin përkatës në përputhje me kërkesat e komunës së Ulqinit në mënyrë që të kufizohet hapësira e veprimit të kësaj kompanie shtetërore në favor të përdorimi të lirë të pronës private nga banorët. Pjesë e marrëveshjes ishte edhe përmbushja e kërkesës së shqiptarëve që Kriporja e Ulqinit të mos përdorej për ndërtim, por të konsiderohej monument natyre. Pika të tjera kishin të bënin me lirinë përdorimit të simboleve kombëtare, të kujdesit për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe të respektimit të autoritetit të qeverisjes lokale të Ulqinit. Po ashtu qeveria u zotua që të miratojë Planin Hapësinor të Komunës së Ulqinit, gjë që u realizua në mes të shkurtit. Ky plan formalizon zotimet për mosprekjen e Valdanosit dhe Kripores, planifikon një lidhje të re kufitare me Shqipërinë nëpërmjet Bunës si dhe i hap rrugën investimeve serioze në Ulqin.

Përpos kësaj për herë të parë shqiptarët morën postin e nënkryetarit të parlamentit si dhe një ministri, të cilën nuk e kishin pasur në legjislaturën e mëparshme. Vlen të përmendet një veprim inteligjent i bërë nga partia Forca prej disa vitesh që është aleanca me boshnjakët dhe kroatët dhe negociatat me DPS si bllok, çka e faktorizon edhe më shumë votën shqiptare. Pra me pak fjalë, fal konjukturës së favorshme të numrave në parlament, shqiptarët me vetëm një deputet ia kanë dalë më në fund që ta detyrojnë qeverinë malazeze që të përmbushë kërkesa që nuk kanë mundur t’i realizojnë kur kishin tre katër deputetë në parlament.

Rezultati i zgjedhjeve në Maqedoni ishte i ngjashëm me atë të Malit të Zi për sa i përket mundësisë për të krijuar një mazhorancë të re qeverisëse. Koalicioni i VMRO-DPMNE mori 51 deputetë dhe ai i LSDM 49 ndërkohë që parlamenti ka 120 deputetë dhe për të formuar mazhorancën e nevojshme prej 61 deputetësh, vota e shqiptarëve u bë vendimtare. Për hir të së vërtetës duhet vlerësuar roli konstruktiv i BDI-së dhe lëvizja e duhur e Ali Ahmetit  që edhe pse me 10 mandatet mund ta bënte shumicën me Gruevskin, vendosi të angazhohej në një qëndrim të përbashkët shqiptar me partitë e tjera. Ky bashkëpunim mes partish rivale shqiptare u kurorëzua me platformën e përbashkët të tyre edhe falë mbështetjes si ndërmjetës të kryeministrit Rama e presidentit Thaçi.

Kjo platformë kur të materializohet, ka për të hapur një kapitull të ri të përmbushjes së  interesave shqiptare në Maqedoni, të cilat ishin tërhequr zvarrë pa u materializuar prej Marrëveshjes së Ohrit. “Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e Maqedonisë, ku shqiptarët njihen si popullsi shtetformuese. Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullsinë shqiptare. Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese” – thuhet mes të tjerave në Deklaratën e Përbashkët të Partive Shqiptare.

Përveç barazisë politike, kjo platformë synon të arrijë edhe barazinë ekonomike, pasi përmban kërkesa që lidhen me shpërndarjen e buxhetit si dhe me punësimin e përpjestuar të shqiptarëve në administratën shtetërore. Kjo platformë do t’i kontribuojë gjithashtu edhe mirëqenies dhe stabilitetit të Maqedonisë, sepse e vë theksin edhe tek sundimi i ligjit, dhe zhbllokimit të procesit të integrimit euroatlantik.

Edhe pse të konsideruara të vështira për t’u kapërdirë nga shumica maqedonase, të dy krahët, qoftë Gruevski e qoftë Zaevi, e lanë krenarinë mënjanë dhe u treguan të gatshëm për t’i akomoduar. Partitë shqiptare nuk pranuan një qeveri me kryeministër Gruevskin pavarësisht se VMRO-DPMNE pranoi platformën shqiptare nga zori i numrave. Aktualisht negociatat janë duke u finalizuar me LSDM, pasi Zaevi ka pranuar të gjitha kërkesat e bllokut të partive shqiptare.

Suksesi i faktorit shqiptar në Maqedoni e Mal të Zi duhet të ndezë rreze shprese e inkurajimi edhe tek shqiptarët e Luginës së Preshevës, ku partitë shqiptare jo vetëm që janë të përçara, por në shumicën e rasteve i bojkotojnë fare zgjedhjet parlamentare. 80 000 shqiptarët që kanë ngelur në territorin e shtetit të Serbisë mund të nxjerrin deri në katër deputetë nëse dalin masivisht në votime të bashkuar çka mund të krijojë hapësira kombinimesh në parlamentin e Serbisë. Partitë shqiptare të Luginës mund të përpiqem të faktorizojnë më shumë peshën politike të shqiptarëve duke ndjekur strategjinë e goditur të liderit të shqiptarëve të Malit të Zi, Nazif Cungut duke formuar një bllok me pakicat e tjera të Serbisë. Konkretisht me leverdi do të ishte formimi i një blloku me partitë e Sanxhakut si dhe të Vojvodinës; pra me pakicat boshnjake dhe hungareze. Mirëpo refuzimi për të bashkëpunuar me institucionet qendrore të Beogradit dhe proceset e brendshme politike të Serbisë duke ushqyer iluzionin e bashkimit me Kosovën, mbartin një faturë të rëndë kostoje oportune për të drejtat dhe mirëqenien e shqiptarëve atje. Bëhet fjalë për mundësi të humbura që fare mirë mund të ishin shfrytëzuar nëse shqiptarët do ta përdornin siç duhet potencialin elektoral, sado qoftë ai.

Zhvillimet pozitive pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Maqedoni dhe Mal të Zi po legjitimojnë ndjekjen e rrugës institucionale të vetëpërmbajtur brenda rregullave të lojës së demokracisë si një rrugë efikase për të përmbushur të drejtat dhe kërkesat e popullit shqiptar. Ato po tregojnë se qasja konstruktive institucionale e ndjekur prej Ali Ahmetit në Maqedoni dhe Nazif Cungut në Mal të zi, ishin strategjia e duhur për të mirën e popullit shqiptar në këto treva.  Këto zhvillime dëshmojnë se durimi e këmbëngulja shpërblehen eventualisht, herët a vonë, prandaj politika duhet parë si maratonë që s’ka vend për sjellje impulsive dritëshkurtër. Pra vlejnë si një thirrje për politikë me këmbë në tokë në mënyrë që pavarësisht dëshirave të zjarrta e të ndrydhura, hapat që ndërmerren të jenë të matur, racionalë dhe brenda të mundshmes.

Nga ana tjetër këto situata në këto dy shtete ku banojnë shqiptarët duhet të shërbejë edhe si mësim për aktorët dhe faktorët politikë shqiptarë që bëjnë thirrje për bojkot, përjashtim e izolim të shqiptarëve përkundrejt proceseve politike që zhvillohen në shtetet ku jetojnë. Një leksion për shqiptarët që të kuptojnë se duke u përqendruar ekskluzivisht tek ëndrra ideale e Bashkimit kombëtar ata faktikisht nuk po shfrytëzojnë mundësitë reale që u afrohen, për të përmirësuar jetën e tyre dhe avancuar të drejtat që u takojnë.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.