Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pekini planifikon gjenocid të ngadaltë në Xinjiang

Në janar, qeveria amerikane erdhi në përfundim se veprimet e Kinës në rajonin verilindor autonom të ujgurëve në Xinjiang përbënin gjenocid ndaj popullatës etnike të ujgurëve. Katër parlamente të tjera kanë ndjekur shembullin e amerikanëve. Këto përfundime u bazuan kryesisht në dëshmitë e shtypjes sistematike të lindjeve, meqë Konventa e vitit 1948 e Kombeve të Bashkuara për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit përcakton që vepra e “mbivendosjes së masave me qëllim të parandalimit të lindjeve përbrenda një grupi” përbën akt gjenocidi nëse “shkaktohet me qëllim të shkatërrimit, në tërësi ose pjesërisht, të një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar.”

Disa ekspertë ligjorë kanë ngritur pyetjen se a përmbushin krimet e Pekinit kundër ujgurëve standardin e lartë për t’u përcaktuar si gjenocid. Deri më sot, dëshmitë se fushata e Pekinit për të parandaluar lindjet ka për qëllim shkatërrimin e popullit ujgur të paktën “pjesërisht” kanë mbetur disi jovendimtare. Ndonëse qëllimi për të shkaktuar gjenocid mund të konkludohet prej një mënyre sjelljeje, kjo është më e ndërlikuar në rastin kur nuk ka vrasje në masë. Cili është qëllimi afatgjatë i qeverisë kineze prapa sterilizimit të një numri të madh të grave ujgure?

Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve të rëndësishme mund të gjenden në fjalët e vetë zyrtarëve kinezë. Në një publikim akademik në Central Asian Survey, bashkautori i këtij botimi Adrian Zenz, paraqet dëshmi të reja gjithpërfshirëse dhe bindëse të bazuara në deklaratat dhe raportet e publikuara të akademikëve dhe zyrtarëve kinezë. Porosia e tyre kryesore është e drejtpërdrejtë: popullata ujgure si e tillë paraqet kërcënim që rrezikon sigurinë kombëtare të Kinës. Madhësia, dendësia dhe rritja e saj e shpejtë përbëjnë rreziqe të sigurisë kombëtare që duhet të amortizohen, në mënyrë që të zgjidhet problemi i “terrorizmit” në rajon.

Pekini ka filluar të shtypë shkallën e lindshmërisë së ujgurëve për të “optimizuar” proporcionin e popullatës etnike për qëllime të kundërterrorizmit. Vetëm në Xinjiangun jugor, aty ku ndodhen ujgurët, kjo do të reduktonte rritjen e popullsisë duke parandaluar mes 2.6 dhe 4.5 milionë lindje deri më 2040, duke e tkurrur numrin e ujgurëve si tërësi.

Dekani i Institutit të Historisë dhe Gjeografisë të Universitetit Tarim në Xinjiang Liao Zhaoyu, ka argumentuar se problemi i terrorizmit në rajon është pasojë e drejtpërdrejtë e dendësisë së madhe të popullatës ujgure në Xinjinagun jugor. Për shkak të shpërnguljeve të fundit të han-ëve, “çekuilibri i pakicës etnike dhe përbërjes së popullatës han në Xinjiang-un jugor ka arritur një shkallë jashtëzakonisht serioze”. Liao thotë se Xinjinagu jugor duhet “të ndryshojë strukturën dhe shpërndarjen e popullatës për t’i dhënë fund mbizotërimit të grupit etnik ujgur.”

Zëri më i respektuar në Xinjiang mbi këtë çështje shumë të ndjeshme është Liu Yilei, zëvëndes sekretari i përgjithshëm i komitetit të partisë në Korporatën e Prodhimit dhe Ndërtimit në Xinjiang, si dhe dekan i Universitetit të Xinjiangut. Më 2020, Liu u shpreh se “rrënja e problemeve të stabilitetit social në Xinjiang nuk është zgjidhur.”

“Problemi në Xinjinagun jugor është kryesisht struktura e çekulibruar e popullatës,” shtoi Liu. “Proporcioni i popullatës dhe siguria e popullatës janë themele të rëndësishme për paqe dhe stabilitet afatgjatë. Proporcioni i popullatës Han në Xinjiangun jugor është shumë i vogël, më pak se 15 për qind. Problemi i çekuilibrit demografik është çështja kryesore e Xinjiangut jugor.”

Më 2017, në vitin kur filloi fushata e internimit në masë, vetë presidenti kinez Xi Jinping dha udhëzime lidhur me “Hulumtimin dhe Përparimin e Punës Optimizuese të Strukturës së Popullatës Etnike në Xinjinagun Jugor.” Ky dokument nuk është bërë publik.

Hulumtues të tjerë kinezë kanë argumentuar se “themeli për zgjidhjen e kundërterrorizimit të Xinjinangut” është “zgjidhja e problemit njerëzor.” Posaçërisht, kjo kërkon “hollimin… e proporcionit të popullatave etnike” duke rritur pjesën e popullatës han dhe duke reduktuar pjesët e popullatave me “energji negative”, sikurse ujgurët fetarë dhe tradicionalë. Ky proces i hollimit të shënjestruar etnik, i propozuar së pari nga Xi gjatë vizitës në Xinjiang më 2014, quhet “mbjellje e popullatës.” Një temë e vazhdueshme në diskursin rreth këtij “problemi njerëzor” është koncepti i bazuar në eugjenikë i “cilësisë së popullatës” (ose “renkou sushi”), koncept i kahershëm në mendimin e Partisë Komuniste të Kinës ku ujgurët konsiderohen të jenë pakicë etnike e “cilësisë së ulët”.

Për të rritur pjesën e popullatës han, Pekini duhet të shtyjë miliona hanë që të migrojnë në Xinjiangun jugor. Deri më 2022, planifikohen të zhvendosen afër 300,000 njerëz të popullatës han atje. Megjithatë, jugu është gjithashtu rajoni më i brishtë ekologjik i Xinjiangut. Tokat e lërueshme dhe uji është paktë. Urbanizimi dhe zhvillimi industrial rriti në masë të madhe shfrytëzimin e resurseve për kokë banori. Studimet kineze vlerësojnë se Xinjiangu si tërësi është i mbipopulluar për 2.3 milionë banorë që prej vitit 2015, duke tejkaluar dukshëm kapacitetin ekologjik për të mbajtur popullsinë.

Rritja e pjesës së popullatës han pa tejkaluar dukshëm kapacitetin e njerëzve, kërkon reduktime drastike në rritjen e popullatës së pakicës etnike. Përllogaritjet tregojnë se shtrirja më ideale për këtë rritje është në fakt negative: rreth minus 2.5 për milje. Deri më 2040, shteti mund të rrisë pjesën e popullatës han në Xinjiangun jugor deri në 25 për qind duke vendosur 1.9 milionë hanë. Kjo mund të hollojë dendësinë e popullatës ujgure në përputhje me caqet e kundërterrorizmit. Popullata e pakicës etnike mund të tkurret prej 9.5 milionë sa është tash në 9 milionë deri më 2040, rënie që mund të kalojë pa u vënë re prej vëzhguesve të jashtëm. Një popullatë më e vogël është më e lehtë për ta kontrolluar dhe asimiluar.

Bazuar në projektimet që u botuan së fundmi prej hulumtuesve kinezë në gazetën ndërkombëtare Sustainability, popullata e pakicës etnike në Xinjiangun jugor mund të rritet deri në 13.1 milionë banorë deri me 2040, pa masat e ashpra që parandalojnë lindjet.

Mospërputhja prej 4.1 milionë personave mes 9 milionë dhe 13.1 milionë personave mund të kuptohet se përbën “shkatërrimin e pjesshëm” të shkaktuar nga “optimizimi” i popullatës etnike nga shteti. Kjo do të zvogëlonte popullatën e projektuar të pakicës etnike gjatë 20 viteve të ardhshme për gati një të tretën (31 për qind).

Sa është i mundshëm ky plan? Pas fushatës drakonike të shtypjes së lindjeve, rritje natyrore e popullsisë në Xinjiangun jugor tashmë po lëviz drejt zeros. Disa rajone ka planifikuar ta shtyjnë poshtë zeros më 2020 dhe 2021. Së fundmi, Xinjiang i ka thënë zyrave të planifikimit të familjes që të “optimizojë strukturën e popullatës” dhe të zhvillojë “monitorimin e popullsisë dhe paralajmërimin e hershëm.” Rajoni ka krijuar të gjitha parakushtet e nevojshme për “optimizim” të strukturës së popullatës së saj etnike. Gjithashtu, nuk raporton më shkallën e lindshmërisë apo numrimin e popullatës sipas rajonit ose grupit etnik.

Këto gjetje qesin dritë të re mbi qëllimin e Pekinit që të shkatërrojë fizikisht një pjesë të grupit etnik ujgur duke parandaluar lindjet përbrenda grupit. Botimi i ri argumenton bindshëm për masa të tjera që kanë për synim arritjen e ndryshimit të popullatës etnike meqë popullata Han nuk do të arrijë qëllimin e përgjithshëm pjesërisht për shkak të kufizimeve ekologjike, ekonomike dhe kufizimeve të tjera. Kështu, parandalimi i lindjeve ujgure është pjesë kyçe dhe e domosdoshme e politikës së përgjithshme të “optimizimit” të Kinës në Xinjiang – politikë që konsiderohet çështje e sigurisë kombëtare.

Ç’është me rëndësi, mirëkuptimi i rolit që luan parandalimi i lindjeve dhe reduktimi afatgjatë i popullatës në këtë politikë të përgjithshme dallon veprimet e Kinës kundër ujgurëve prej masave të saj të përgjithshme të kontrollimit të popullatës kombëtare dhe prej trajtimit të pakicave të tjera etnike dhe fetare, siç janë tibetianët.

In the latest aktgjykimin e vitit 2007 të rastit Bosnja dhe Hercegovina kundër Serbisë dhe Malit të Zi, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ), trupi gjyqësor që ka juridiksion mbi mosmarrëveshjet mes shteteve përkitazi me Konventën mbi Gjenocidin, vendosi që “qëllimi duhet të jetë të shkatërrojë të paktë një pjesë substanciale të një grupi të posaçëm.” ICJ zgjeroi kriteret për vlerësimin e pragut të “pjesës substanciale” në aktgjykimin e vitit 2015 Kroacia kundër Serbisë, duke vendosur që nuk është thjesht vlerësim numerik por gjithashtu merr parasysh qëllimin për të shkatërruar “përbrenda një zone të kufizuar gjeografike” dhe “spikatjen e pjesës së shënjestruar përbrenda grupit si të tërë.” Ne argumentojmë se një politikë afatgjate për të parandaluar miliona lindje ujgure përmbush këtë standard.

Dy faktorë shtesë janë të rëndësishëm për të kuptuar rëndesën e situatës së tanishme me të cilën përballen ujgurët. Së pari është burgosja sistematike e elitave fetare, intelektuale dhe kulturore ujgure, me vendosjen e burgimeve të gjata në krahasim me mbajtjet arbitrare. Persekutimi sistematik i njerëzve kyç për ruajtjen dhe përçimin e kulturës dhe identitetit ujgur shoqërohet me politikën e ndarjes së familjeve, ku fëmijët ujgurë mësohen që të përvetësojnë kulturën e shumicës Han. Së dyti është shqetësimi se supozimi i Kinës për nivelet e nevojshme të “optimizimit” mund të ndryshojë me kohë nëse popullata ujgure, edhe atëherë kur zvogëlohet në numër, nuk asimilohet ashtu siç parashikohet.

Qëllimi gjenocidal mund të zhvillohet dhe përforcohet me kohë, ashtu siç ka ngjarë në gjenocidët e kaluar. Perceptimi i ujgurëve si kërcënim njerëzor për sigurinë kombëtare të Kinës nënkupton se caqet e parandalimit të lindjeve mund të rriten me kohë, duke rritur kërcënimin për ekzistencën e vazhdueshme të grupit si tërësi.

Shumë prej debatit që rrethon klasifikimin e veprimeve të Kinës kundër ujgurëve për sa i përket “përcaktimit” të gjenocidit nga shtetet përqendrohet në çështjen ligjore të përcaktimit të “qëllimit gjenocidal.” Posaçërisht janë ngritur debate rreth barrës së provës të aplikueshme për gjetjet e bazuara në dëshmi dhe inferenca rrethanore, të bazuara parësisht në kornizën ligjore të ligjit penal ndërkombëtar. Ne pyesim se a është e domosdoshme koj kornizë dhe ky kërkim evidencash për qëllimin e përcaktimit të gjenocidit nga një shtet. Shteti nuk është trup gjyqësor e as nuk është duke bërë përcaktim që implikon të drejtat themelore të njeriut të një individi (sikurse e drejta për gjyq të drejtë ose e drejta për liri).

Ç’është më e rëndësishmja, përcaktimet e gjenocidit nga një shtet kanë për qëllim të udhëzojnë përgjigje politikash, të cilat janë thelbësisht të ndryshme prej qëllimit të ligjit penal ndërkombëtar ose proceseve gjyqësore në përgjithësi. Ky argument nuk mund të bëhet më i qartë se sa prej faktit se vetëm këtë javë Tribunali Ndërkombëtar për Ish Jugosllavinë më në fund konfirmoi dënimin e Ratko Mladic-it për gjenocidin e Srebrenicës, gjenocid i cili ngjau para 26 vitesh.

Ligji penal ndërkombëtar është vegël e rëndësishme e llogaridhënies pas kryerjes së një krimi, por nuk është vegël e përshtatshme për qëllime të parandalimit ose përgjigjes së një gjenocidi që po zhvillohet. Gjetjet e reja paraqesin dëshmi bindëse të një politike gjenocidale që vetëm sa ka filluar të shpaloset dhe e cila do të zbatohet në dekadat në vazhdim.

Sipas nesh, kur shtetet përpiqen të imitojnë proceset gjyqësore ndërkombëtare dhe aplikojnë standarde sipas provave që kanë të bëjnë me përgjegjësinë kriminale individuale, kjo krijon rreziqe që ata të mos përmbushin detyrimet e tyre si shtet nën ligjin ndërkombëtar. Konventa e Gjenocidit detyron të gjitha palët shtetërore që të parandalojnë gjenocidin. Në aktgjykimin e vitit 2007 Bosnja dhe Hercegovina kundër Serbisë dhe Malit të Zi, ICJ-a vendosi që “detyrimi për të parandaluar, dhe detyra korresponduese për të vepruar, ngriten në momentin që shteti mëson, ose që normalisht duhet të kishte mësuar, për ekzistencën e një rreziku serioz të shkaktimit të një gjenocidi.”

Zyra e KB-së për Parandalimin e Gjenocidit dhe Përgjegjësisë për të Mbrojtur ka identifikuar faktorët e rrezikut për “krime mizore” (dmth gjenocid, krime lufte, dhe krime kundër njerëzimit) në Kornizën e Analizës për Krime Mizore. Faktori 10, që ka të bëjë posaçërisht me gjenocidin, ofron indikatorë për “shenjat e qëllimit për të shkatërruar pjesërisht ose në tërësi një grup të mbrojtur.” Dukshëm, kjo kornizë u përdor në Mision e Pavarur Ndërkombëtar për Gjetjen e Fakteve në Mianmar në gjetjet e vitit 2019 për situatën me të cilën ballafaqohen Rohingia. Ne sugjerojmë që kjo është kornizë më e përshtatshme që duhet të udhëzojë përcaktimet për gjenocid të shteteve, duke pasur parasysh qëllimet e tyre të dallueshme të përgjigjeve politike. Duke zbatuar këtë kornizë, shumë prej shenjave të qëllimit gjenocidal nën faktorin 10 të rrezikut  janë të pranishme për sa i përket veprimeve të Kinës kundër ujgurëve.

Si përmbledhje, hulumtimi i sapobotuar ofron dëshmi bindëse për shtetet dhe komunitetin ndërkombëtar se gjenocidi po kryhet ngadalë. Shqetësim të veçantë meriton perceptimi i Kinës për popullatën ujgure si kërcënim i sigurisë kombëtare. Shenja të tjera të qëllimit gjenocidal janë poashtu qartazi të pranishme nën kornizën e KB-së. Megjithëkëtë, edhe ato shtete që mund të mos pajtohen me këtë përfundim nuk mund të mohojnë se ekziston, të paktën, një rrezik serioz që të ngjajë gjenocidi. Ne themi se shtetet janë të obliguara të veprojnë urgjentisht bazuar në këto njohuri.

***

Artikulli origjinal në Foreign Policy më 8 Qershor 2021.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.