Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Politika e familjes: Sinjale të mirëseardhura

Kosova ka pasur dhe ka politikë të familjes që nuk mbështet degjenderizimin e përgjegjësive familjare, defamiljalizimin e kujdesit ndaj fëmijëve, dhe punësimin e gruas. Por sinjale të mirëseardhura, sidomos për kontekstin tonë, po dërgohen edhe nga iniciativat aktuale brenda burokracisë shtetërore, edhe nga programi i fituesit të zgjedhjeve – Lëvizjes Vetëvendosje.

Në kuptimin e ngushtë, literatura e shtetit të mirëqenies e definon politikën e familjes si politikën që përfshin beneficionet (transferet) për fëmijët, edukimin e hershëm dhe kujdesin ndaj fëmijëve (termi anglisht: Early Childhood Education and Care – ECEC), dhe lejet prindërore nga puna.

Përkundër konvergjencës, shtetet dallojnë për kah dizajni i politikave të familjes dhe qëllimeve të tyre. Politikat më ambicioze dhe më të suksesshme – në kuptim të punësimit të lartë të gruas, kufizimit të varfërisë së fëmijëve, dhe suksesit të fëmijëve në arsimim, socializim dhe përgatitje për moshë të rritur – llogariten të vijnë nga vendet të cilat aplikojnë pushime prindërore që përfshijnë dy prindërit (me pagesë), dhe benefite e përfshirje universale të fëmijëve në shërbimet ECEC publike të menaxhuara dhe financuara nga shteti.

Disa nga prizmat e rëndësishëm përmes së cilëve vlerësohen këto politika përfshijnë degjenderizimin e kryerjes së përgjegjësive familjare, defamiljalizimin e kujdesit të fëmijëve dhe të personave tjerë të varur në familje, dhe krijimin e kushteve për punësim dhe për balancë punë-familje për gruan.

Politika konservatore e familjes në Kosovë gjatë socializmit

Politika e familjes e Kosovës, e definuar si më sipër, lindi gjatë periudhës së socializmit vetëqeverisës (1952-1989), në kohë me zhvillimet e ngjashme në Europë. Ajo derivonte nga parimet që ndiqeshin në tërë Jugosllavinë, ku shumica e të drejtave sociale kanë qenë të ndërlidhura me punën dhe financoheshin nga kontributet e punëtorëve.

Transferet cash (shtesat) për fëmijët lëshoheshin për fëmijët e punëtorëve duke targetuar punëtorët me të ardhura më të vogla, pra përmes një logjike të solidaritetit brenda popullatës në punë. Në vitin 1981, kulmin e vetëqeverisjes socialiste, rreth 37% e fëmijëve të Kosovës mbuloheshin nga këto transfere.

Edhe shërbimet ECEC kanë nisur të paraqiten veçanërisht përreth kohës së krijimit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (1974). Ato qenë ambicioze në kuptim të stafit të synuar, infrastrukturës, ushqimit etj., dhe shënjestronin mbulimin e fëmijëve të prindërve në marrëdhënie pune. Megjithatë, përderisa në shumë vende tjera në Europë ECEC vazhdoi të vihet në qendër të politikës së familjes, në Kosovë dhe rajon zhvillimi u ndal për shkak të krizave ekonomike dhe politike. Asnjëherë nuk u arrit që mbulueshmëria e fëmijëve të moshës parashkollore me ECEC formale të kalojë mbi 2%.

Sa i takon lejeve nga puna, me Ligjin mbi Marrëdhëniet e Punës (1977) politika ishte e koncentruar në pushimin e maternitetit. Nëna kishte të drejtë në gjashtë muaj pushim me pagesë pas lindjes së fëmijës, gjashtë muaj tjerë të drejtë pune me orar të pjesshëm të paguar si rrogë e zakonshme, dhe deri në dy vjet tjera të drejtë pushimi pa pagesë. Babai kishte të drejtë pushimi me pagesë deri në shtatë ditë me rastin e lindjes së fëmijës.

Në këtë kuptim, si edhe në vendet tjera socialiste dhe në vende të Europës kontinentale që kanë ndjekur modelin e bazuar në sigurime sociale, politika e atëhershme e familjes ka qenë konservatore: e ka nxitur gruan të rrijë në shtëpi me leje të gjata e gjeneroze dhe nuk ka ofruar alternativa të kujdesit për fëmijët. Shkalla e punësimit e gruas ka qenë e ulët (9.7% më 1981 për grupmoshën 15-60 vjeç). Rrënimi i autonomisë së Kosovës më vonë ka prekur edhe këto të drejta duke vështirësuar gjendjen e familjeve dhe të grave.

Politika ekstremisht e ngushtë e pasluftës

Pas luftës (1999), Misioni i Kombeve të Bashkuara që mori në administrim vendin filloi ta ndërtojë politikën sociale të Kosovës mbi parime tërësisht të reja – nën ndikimin edhe të organizatave tjera ndërkombëtare që promovonin paradigmën neoliberale – ku synohej të ofrohej një prag minimal të drejtash të financuara nga buxheti kombëtar, ndërsa shumica e mirëqenies pritej të krijohej në treg dhe familje. Politika e familjes nuk ishte trajtuar me prioritet, por përgjatë viteve mori pamjen e saj.

Transferet cash për fëmijë me politikën e re targetojnë vetëm fëmijët me aftësi të kufizuara të përhershme, fëmijët e braktisur dhe të vendosur në komunitet. Ato mbulojnë më pak se 1% të popullatës së fëmijëve, çfarë përbën kthim mbrapa në raport me periudhën pararendëse.

Shërbimet ECEC si infrastrukturë janë trashëguar kryesisht nga socializmi, ndonëse janë ndërtuar edhe disa të reja. Kosova ka gjithsej 44 institucione të tilla publike (çerdhe, kopshte për fëmijë dhe qëndrime ditore). Bazuar në legjislacionin e vendit, këto institucione u japin prioritet grupeve më të rrezikuara si fëmijëve nga familjet e varfra, fëmijët e personave me aftësi të kufizuara e të ardhura të ulëta, të veteranëve etj. Në mënyrë implicite, pritet që familjet tjera të gjejnë zgjidhje në treg – sidomos përmes institucioneve private dhe kujdestarëve privatë. Shërbimet private janë rritur vitet e fundit; në vitin 2019/20 kanë qenë 159 institucione të këtilla të licencuara, 83 prej të cilave gjenden në Prishtinë. Prej vitit 2006 e tutje, gjithashtu jepen klasat përgatitore për fëmijët parashkollorë (mosha 5-6 vjeç), që zgjasin rreth 2.5 orë në ditë dhe kryesisht organizohen në shkolla publike; ndonëse këto klasa nuk janë specifikisht obligative me legjislacion, mbulueshmëria e tyre është gatise universale në praktikë.

Lejet prindërore mbeten të koncentruara te pushimi i maternitetit, por nuk financohen më nga sigurimet sociale. Fillimisht, rregullorja e UNMIK-ut (2001/27) vendosi 12 javë pushim materniteti me kompensim nga punëdhënësi (pa specifikuar shkallën e kompensimit të të ardhurave). Pastaj, me Ligjin e Punës (2012), pushimi i maternitetit u zgjat në formën që është ende në fuqi: gjashtë muaj të kompensuar nga punëdhënësi në vlerën e 70% të rrogës, tre muaj tjerë të kompensuar nga qeveria në vlerën 50% të rrogës, dhe të drejtën e pushimit tremujor shtesë pa pagesë. Me kontratën kolektive (2014), babai ka të drejtë tri ditë pushimi me pagesë me rastin e lindjes së fëmijës.

Kjo politikë është unike në tërë rajonin në kuptimin që ngarkon kryesisht punëdhënësit dhe përfshin shumë pak përgjegjësi shtetërore. Politika e Kosovës sa i takon ECEC nuk haset askund në entitetet tjera që kanë dalë nga Jugosllavia ku ato shërbime jepen për fëmijët e prindërve me punë, pra synojnë të harmonizojnë punën dhe kujdesin. Në këtë aspekt, politika e Kosovës i ngjan modelit unik të Britanisë së Madhe ku shërbimet ECEC nuk synojnë ndërlidhjen punë-kujdes dhe as edukimin universal (si dy parimet më të përhapura në Europë). Në këtë model ECEC orientohet kah edukimi, por vetëm duke targetuar grupet e rrezikuara.

Në tërësinë e saj, kjo politikë në mënyrë implicite është tejet familjarizuese pasi shërbimet e kujdesit të fëmijëve mbesin kryesisht të jepen në shtëpi. Në vitin 2019/20, pa klasat përgatitore, bazuar në të dhënat administrative, mbulueshmëria e fëmijëve (deri në 6 vjeç) me ECEC ka qenë 7.2%; pa institucionet private do të ishte 3%. Me rritjen e shërbimeve private, ka nisur të vërehet dallimi klasor sa i takon qasjes në ECEC. Klasat përgatitore janë tejet të shkurtëra. Me këto transfere të kufizuara dhe shërbime shumë të targetuara publike, gruaja me fëmijë pengohet të punojë. Shkalla e punësimit e gruas mbetet e ulët (14.1%, 2020). Edhe lejet nga puna nuk mbështesin degjenderizimin në kuptim të kujdesit për fëmijët, kryerjen e punëve të shtëpisë dhe punën në socializmin e fëmijëve pasi lejet koncentrohen te nëna. Kjo strukturë institucionale (përveç normave kulturore) mund të jetë një nga shkaktarët kryesorë të këtij punësimi shumë të ulët të gruas, dhe kësisoj një parakusht për pabarazinë e thellë gjinore. Në anën tjetër, edhe pritja se tregu do të ofrojë shërbime, del të jetë shumë e sfiduar nga realiteti pasi shërbimet private shfaqen kryesisht vetëm në qytetet më të mëdha e të zhvilluara.

Kjo politikë gjithashtu pamundëson shumicën e fëmijëve të marrin aftësi sociale, të mësojnë dhe të ushqehen përtej zgjedhjeve që ofron familja. Literatura empirike tregon se përdorimi i ECEC-ve është dëshmuar përfitues sidomos për fëmijët e klasave me të ulta shoqërore duke mundësuar që ata të kenë pikënisje më të barabartë dhe sukses në mësim e socializim gjatë periudhës së hershme të shkollimit. Kështu, mbulueshmëria e ulët e sotme mund të çimentojë pabarazitë sociale të të rriturve të ardhshëm.

Nismat ligjore qeveritare përmendin pushimin prindëror

Sinjalet e reja, megjithatë, sugjerojnë se politika e familjes edhe në Kosovë do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme brenda politikës së përgjithshme sociale.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale gjatë vitit 2020 ka draftuar një projektligj për pushimin e lehonisë dhe pushimin prindëror me të cilin parasheh shkurtimin e periudhës së pushimit maternal të kompensuar nga punëdhënësi në 3 muaj (70%), rritjen e periudhës së kompensuar nga qeveria (gjashtë muaj me 50% të pagës), mban tre muajt shtesë pa pagesë sipas zgjedhjes, dhe shton edhe katër muaj tjerë pushim prindëror për dy prindërit të cilët mund ta marrin këtë pushim në të njëjtën kohë ose ndarazi kurdo derikur fëmija t’i bëjë dy vjet. Gjithashtu, pushimi i babait me rastin e lindjes së fëmijës zgjatet në 10 ditë.

Këto ndryshime ulin barrën mbi punëdhënësit – çka mund të motivojë ata të punësojnë më lehtë gratë – dhe mbi të gjitha avancojnë pushimin prindëror drejt përfshirjes për herë të parë të pushimit prindëror. Megjithatë, nuk është sqaruar se si financohet pushimi prindëror dhe deri në çfarë mase. Eksperienca e vendeve tjera tregon që pushimi prindëror për pjesën e babait kur ka qenë i paguar me kohë ka rezultuar në përdorim të kësaj të drejteje, ndryshim të normave sociale sa i takon perceptimit të pushimit të babait, lidhjes më të mirë baba-fëmijë etj. Një mangësi tjetër është ulja e kompensimit për tre muajt e dytë të pushimit maternal.

Programi i LVV-së sinjalizon transformim substancial

Transformim shumë më të madh në politikën e familjes, për kontekstin e Kosovës, ndërkohë, paralajmëron programi me të cilin Lëvizja Vetëvendosje (LVV) garoi dhe fitoi në zgjedhje.
LVV paralajmëron instalimin e transfereve cash universale: 20 euro për secilin fëmijë nën 2 vjeç; 10 euro për fëmijët 2-16 vjeç. Ajo gjithashtu paralajmëron – çfarë është e afërt me atë që njihet si “tax credit” – shtimin e 50 deri në 150 eurove në vit në të ardhurat e ulëta familjare. Këto transfere do të rrisin buxhetin familjar dhe kapacitetin për të investuar në shërbime të kujdesit. Një premtim tjetër i ndërlidhur që do të forcojë pozitën e familjeve ka të bëjë me politikën e saj të paralajmëruar të banimit të përballueshëm për rreth 4 mijë familje.

Premtimi më i madh i LVV-së ndërkohë është ai për 160 çerdhe (institucione të shërbimeve ECEC) në gjithë vendin. Me një numër të këtillë, dhe duke marrë parasyshë rënien demografike, Kosova mund të arrijë mbulueshmëri të lartë të fëmijve – çka do të përbënte vërtet transformim të jashtëzakonshëm të shoqërisë sonë. Megjithatë, LVV nuk sqaron se për çfarë çerdhesh e ka fjalën – private apo publike; nuk sqaron as se kur do të bëhen ato. Shërbimet publike, bazuar në përvojat e vendeve tjera, e bëjnë dallimin edhe sa i takon qasjes së barabartë, edhe sa i takon garantimit të cilësisë.

LVV thotë se pushimi prindëror do të jetë 12 muaj dhe do të përfshijë pushimin e babait, por nuk e sqaron më tej se si e ka planifikuar këtë politikë në detaje, përfshirë kompensimin. Megjithatë, paralajmëron se do të vendosë gjashtë muaj pushim me pagesë në vlerë 250 euro për të gjitha nënat e papunësuara – që është përparim i dukshëm në drejtim të qasjeve të vendeve europiane ku një prag minimal i mbrojtjes jepet për të gjithë bazuar në nënshtetësi pavarësisht statusit të punësimit. Përveç kësaj, LVV paralajmëron punë njëvjeçare të garantuar, të kompensuar nga qeveria, për grupmoshat 16-18 vjeç, çfarë mund të rritë punësimin e gruas së re.

Deri më tash kontrata sociale e Kosovës ka qenë e koncentruar te transferet për të vjetrit – dhe shumë pak e fokusuar në popullatën në moshë pune dhe të fëmijëve, sidomos me politika më ambicioze të shërbimeve. Më 2017, në këtë blog, patëm shkruar se evidenca sugjeron që barazia gjinore dhe politika më e suksesshme e familjes korrelojnë me pushtetin më të madh të së majtës. Katër vite më vonë, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, në bazë të anketave të publikuara, rreth 60% të grave votuan për LVV-në, e cila garoi me program të majtë që nis me preokupimet e zhvillimit dhe politikës sociale. Nëse ky program jetësohet, atëherë transformimi do të ketë nisur nga votimet e muajit të kaluar.

Artikulli është botuar fillimisht në “Koha për gratë” / Qendra Kosovare për Studime Gjinore, më 8 mars 2021. Të gjitha referencat teorike dhe të dhënat e përdorura më lartë derivojnë nga një punim i autorit i prezantuar në Konferencen për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkencë Politike të Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT) në tetor 2020.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.