Në vitin 2013, Serbia dhe Kosova arritën Marrëveshjen e parë mbi parimet qeverisëse për normalizimin e marrëdhënieve (Marrëveshja e Brukselit). Pika kyçe e marrëveshjes ishte themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, që serbëve lokalë do t’u jepte më shumë kompetenca në çështjet që kanë të bëjnë me shëndetësinë, arsimin, planifikimin urban, e fusha të tjera të ngjashme.
Kjo erdhi si rezultat i politikës së atëhershme të BE-së, të ashtuquajtur “ambiguitet konstruktiv”, që me qëllim të lehtësimit të integrimit të serbëve dhe institucioneve serbe në sistemin politik të Kosovës, për palët në dialog ofronte dy opsione (Asociacion/Bashkësi). Megjithatë, prej atëherë është zgjeruar hendeku midis palëve, me secilën prej tyre që këmbëngul në njërin nga opsionet.
Përgjatë viteve, lidershipi serb e ka favorizuar termin Bashkësi (serbisht: Zajednica), teksa lidershipi kosovar e ka preferuar termin Asociacion. Si në komunikim të përditshëm, ashtu edhe në dokumente zyrtare, Serbia këmbëngul për termin Bashkësi (Zajednica Serbe), teksa Prishtina e përdor termin Asociacion. Ky nuk është thjesht dallim terminologjik, por paraqet interpretime më të thella, të cilat nuk vërehen në shikim të parë.
Asociacion vs. Bashkësi: dallimet terminologjike
Në anglisht, shqip dhe serbisht, termi Bashkësi zakonisht i referohet një grupi të gjerë të njerëzve me karakteristika apo rrethana të përbashkëta, si, për shembull, bashkësia e nxënësve të klasës së shtatë në shkollë, ose bashkësia e mjekëve.
Në anën tjetër, termi Asociacion ka kuptim më formal ose organizativ. Për shembull, teksa “bashkësia e gazetarëve” mund t’i referohet një grupi joformal, “Asociacioni i Gazetarëve” paraqet një entitet të strukturuar, të njohur dhe shpesh të regjistruar, me detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara.
Duke marrë parasysh këto dallime, kur i referohemi Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, termi Asociacion më shumë pasqyron një kornizë ligjore dhe organizative, në vend të kuptimit më të gjerë dhe joformal të Bashkësisë.
Sidoqoftë, pas shqyrtimit më të thellë, bëhet e qartë se preferenca për përdorimin e njërit apo tjetrit term nuk bazohet në kuptimin e fjalëpërfjalshëm, por në interesa politikë.
Beogradi preferon “Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe”
Termi Bashkësi (Zajednica Serbe) në gjuhën serbe mund të interpretohet si “bashkim”, duke iu referuar bashkimit të komunave që mblidhen dhe ia delegojnë kompetencat e tyre administratës së Bashkësisë (për shembull: Presidentit, Këshillit, Kuvendit).
Për më tepër, lidershipi serb këmbëngul në përdorimin e termit Bashkësi, sepse themelin e gjen te Kuvendi i Komunave të Komunitetit Serb në Krahinën Autonome të Kosovës dhe Metohisë – organ ky i themeluar në vitin 2008 nga anëtarët serbë të kuvendeve komunale të 26 komunave në Kosovë, pas shpalljes së njëanshme të Pavarësisë së Kosovës.
Kuvendi i Komunitetit ka ekzistuar deri në Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013, kur u shpërbë. Shpesh, Beogradi i referohet Bashkësisë së Komunave Serbe si vazhdimësi e atij kuvendi.
Nga ky Kuvend i Komunitetit buron emri i shkurtuar, që shpesh përdoret në Beograd dhe rrethet serbe, “Bashkësia e Komunave Serbe”. Ky është tentim i Beogradit për ta prezantuar Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe si zgjatim të natyrshëm të Kuvendit të Komunitetit, i cili devijon edhe nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013.
Prishtina këmbëngul tek “Asocacioni i Komunave me Shumicë Serbe”
Përgjatë dhjetë viteve të kaluara, qeveritë e ndryshme në Kosovë, kur i janë referuar Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (AKS), kanë këmbëngulur në përdorimin e termit Asociacion. Kjo preferencë vjen nga fakti se termi Asociacion përputhet më shumë me konceptin e bashkëpunimit ndërkomunal, sesa atë të autonomisë territoriale, që mund ta nënkuptojë termi Bashkësi.
Aspekt tjetër kyç i këtij dallimi është se Asociacioni mund të kuptohet ngushtë si organizatë jofitimprurëse ose joqeveritare, e fokusuar në bashkëpunim kulturor, në vend të bartjes së kompetencave komunale te një nivel tjetër i qeverisjes.
Për më tepër, Asociacioni ka qenë subjekt i përplasjeve të ashpra politike midis partive të ndryshme politike në Kosovë. Partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, e cila atëherë ishte në opozitë, organizoi një varg protestash që eskaluan në dhunë.
Lëvizja Vetëvendosje erdhi në pushtet me slloganin “Zajednica nuk kalon”, duke e përdorur qëllimisht termin serb “Zajednica” (në vend të termit Asociacion), për të provokuar ndjenja nacionaliste dhe për të mbjellë frikë te populli. Me zgjedhjen e këtij termi, ata synonin ta barazonin Zajednicën me idenë e një “Republike të re Srpska në Kosovë”.
Ky ndërrim pasqyron një tentim për ta larguar publikun nga termi i ngarkuar emocionalisht “Zajednica” që e kishin shfrytëzuar më parë, kësisoj duke e zëvendësuar atë me një alternativë më pak provokuese, e cila i shkon për shtat narrativës aktuale politike të tyre.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas Marrëveshjes së Ohrit tani është pajtuar ta implementojë një shkallë të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës, duke e bërë edhe më kompleks debatin e vazhdueshëm rreth terminologjisë për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe.
Nga “Asociacioni/Bashkësia” te “Vetëmenaxhimi”
Në vitin 2013, në Marrëveshjen e Brukselit, kur u prezantua Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe, të dy termet – Asociacion dhe Bashkësi – u përdorën ndërsjellshëm. Kjo tregon që BE-ja, si lehtësues, po ofronte dy opsione për palët në dialog. Megjithëkëtë, pavarësisht terminologjisë së përdorur nga palët, Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe mbetet e paimplementuar.
Dhjetë vite pas Marrëveshjes së Brukselit, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen mbi Rrugën drejt Normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë (Marrëveshja e Ohrit). Teksa marrëveshja i mënjanon referencat eksplicite për “Asociacionin” ose “Bashkësinë”, ajo prezanton konceptin e “vetëmenaxhimit” për serbët lokalë të Kosovës, duke e bërë edhe më komplekse situatën.
Debati mbi termet Bashkësi dhe Asociacion është më shumë sesa thjesht çështje terminologjie; është mosmarrëveshje rreth shkallës së autonomisë ose vetëmenaxhimit që komuniteti serb në Kosovë do ta ketë sipas kësaj marrëveshjeje. Prandaj, roli i BE-së në dialog duhet të jetë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, e jo për komplikimin e mëtejmë të saj.
Pavarësisht terminologjisë së përdorur, Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe mbetet e paimplementuar, kurse serbët në Kosovë janë duke pritur më shumë sesa një dekadë që Prishtina ta përmbushë zotimin për themelimin e tij, siç përcaktohet në marrëveshjet e vitit 2013, 2015 dhe 2023.