Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Politikat e kujtesës në Kosovë: mes qasjes historiciste dhe asaj materialiste

Politikat e kujtimit dhe të përkujtimit në Kosovë janë formësuar nga lufta e viteve 1998-1999, e cila i ka organizuar ato përreth idesë së heroikes si e vërteta më sublime. E vërteta sublime është njëkohësisht edhe e vërteta e vetme e luftës së Kosovës. Heroikja ka shërbyer si parimi organizues i të gjitha formave të tjera të rrëfimit, të diskurseve publike, të organizimit politik, të fitimit dhe mbajtjes së pushtetit, të organizimit të jetës shoqërore, ekonomike, mediatike, kulturore e arsimore. 

Kjo është manifestuar duke filluar nga ato më të dukshmet: përmendoret, statujat dhe sheshet të emërtuara sipas heronjve më të shquar, të cilat si për njëherë i mbuluan të gjitha qytetet, fshatrat e rrugët nacionale të Kosovës. E tërë Kosova ishte jo vetëm UÇK, por edhe përplot heronj e çlirimtarë. Gjithandej figura burrash të derdhur në bronz, të cilat përveçse tregojnë për një vend të dalë nga një luftë brutale e mizore, rrëfejnë edhe për histori të reja kujtimi e përkujtimi. Përtej simbolikave dhe kuptimeve të tyre historike, këto monumente shërbejnë për ta shtrirë një pushtet të caktuar politik.

Por cilat janë bazat teorike-filozofike të politikave të kujtimit e përkujtimit? Themel i tyre janë interpretimet e kohës, ose thënë në terma politikë, interpretimet e historisë: se kujt i përket ajo, kush i posedon rrëfimet, kush e posedon të drejtën e rrëfimit të rrëfimeve, kush e përcakton normën epistemologjike të dallimit mes të vërtetës dhe të pavërtetës, dhe se çka konsiderohet e vërtetë në radhë të parë. 

Thënë në gjuhën e Michel Foucault-së, çdo epokë sundohet nga një “regjim i të vërtetës”, i cili regjim i përcakton të vërtetat dhe të pavërtetat e tij, historitë që mund të tregohen dhe ato që nuk mund të tregohen, historitë që duhet trumbetuar e kujtuar dhe ato që duhet heshtur ose harruar. Çdo gjë përvijohet përmes luftërash rrëfimesh e diskursesh. Kush zotëron rrëfimet, e zotëron të vërtetën. 

Politikat e kujtimit dhe përkujtimit gjithmonë vërtiten rreth njohjes dhe harresës, njohjes kolektive e publike dhe harresës që mbulon gjithçka tjetër. Mbulimi ndërvepron në raport me zbulimin, jo vetëm si proces përmes të cilit krijohet ndarja e domosdoshme binare për një politikë zyrtare të njohjes si kundërpeshim, por edhe si proces i harresës aktive. 

Politikat e harresës janë investim i vazhdueshëm i politikave të njohjes dhe përkujtimit për mirëmbajtjen e statusit të vetvetes si e vërteta e vetme. Kush dhe në çfarë mënyre njihet e përkujtohet është relacion politik. Njohja dhe përkujtimi zyrtar e pandehin ekzistencën e një të vërtete të vetme dhe të pandryshueshme ku vijat mes forcave të antagonizuara janë të prera qartë, ku ndarja mes agresorit dhe viktimës është e shënuar nga një hendek i pakapërcyeshëm, sepse agresori përherë ka qenë agresor e viktima përherë vetëm viktimë, se ka një anë të vërtetë të historisë dhe një anë të gabuar të saj.

Por jo sepse të gjithë kanë bërë krime njësoj, prandaj askush nuk është tamam viktimë dhe asnjëri bash agresor; jo sepse “autoktonët” (apo “nativët” në diskursin perëndimor) janë një kabare e përgjakshme vallëzimesh e dehjesh parahistorike – ky një vet-ekzotizëm auto-erotik. Por sepse mirëmbajtja e këtij diskursi të thjeshtëzuar e mundëson vijueshmërinë e sundimit të një strukture të gjerë politike, shoqërore e ekonomike me interesa jetike dhe ekzistenciale për mirëmbajtjen e pushtetit dhe riprodhimin e përhershëm të vetvetes. Sepse armiku nuk është më vetëm armik i jashtëm, kërcënimi i përhershëm biologjik. 

Ky pushtet dhe instrumentet e tij janë të orientuara tashmë drejt konsolidimit e mirëmbajtjes së pushtetit të brendshëm kundrejt elementeve inferiore të racës, atyre që mbase nuk kanë luftuar, atyre që thuhet se i kanë sabotuar përpjekjet çlirimtare, atyre që kanë vdekur në mënyrë të palavdishme, burrave të dobët, grave e pakicave të çdo natyre, “pacifistëve”, “qytetarëve”, atyre që janë dorëzuar, spiunëve e kolaboracionistëve. Tekembramja, nuk është e thënë të kesh bërë diçka, mjafton të gjendesh në anën e gabuar të historisë.  

Politikat e heroikes 

Fuqia e rrëfimit mbizotërues është e tillë që bën çdo gjë t’i vërtitet përreth dhe t’i nënshtrohet hierarkisë së tij të heroikes. Gjithçka që nuk i nënrendohet kësaj fuqie përjashtohet; gjithçka që nuk e përplotëson dhe nuk e përforcon idealin e heroikes heshtet, të gjithë të tjerët duhet t’i përshtaten formës së rrëfimit suprem. 

Kosovës iu deshën pesëmbëdhjetë vjet që ta njohë ekzistencën e personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës, më saktësisht ta njohë ekzistencën e grave të mbijetuara të dhunës seksuale, të cilat e përbëjnë numrin më të madh të personave të dhunuar, sepse për burrat nuk qenë të gatshëm as pas një kohe kaq të gjatë. 

Ligji që ua njihte statusin e të mbijetuarit dhe ua garantonte pensionin si njohje për vuajtjet e tyre, së pari hasi në rezistencë në Kuvendin e Kosovës, nga deputetë burra e gra. Futja e kësaj kategorie në ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre, sikur e prishte imazhin e heroit, sikur e ndotte idealin e lirisë, sikur e bënte luftën më pak heroike, më njerëzore, më tokësore. Kundrejt një konceptimi të tillë kuazi-religjioz, kjo përbënte sakrilegj. 

Kur më në fund erdhi njohja e tyre, ajo u pranua vetëm me kushtin që t’i nënshtrohej idesë së heroikes, sepse vetëm ashtu ruhej i papërlyer dhe i paprekur rrëfimi për idealin e lirisë, por, në të vërtetë, kësisoj mirëmbahej struktura e pushtetit të organizuar përreth tij. Ato u mbështollën me kategoritë tradicionaliste, patriarkale të “nënave dhe motrave tona”, simbole të shenjtërisë dhe pastërtisë së kombit, të cilat duhet mbrojtur dhe pranuar ngase kombi është familja e madhe e të gjithë neve. 

Sa për gratë “e huaja”, ato me racë të përzier, gratë rome, serbe, dhe ato që u gjenden në anën e gabuar të historisë, dhunimi, në mënyrë implicite, ishte i pranueshëm. Ato janë çka Judith Butler i ka quajtur trupat që vlejnë më pak, trupat e grave, trupat e huaj, trupat e “devijuar”, trupat LGBTQI+ dhe jo të bardhë e imigrantë, me një fjalë të gjithë trupat që nuk i përshtaten imazhit të trupit të fortë, heroik e heteroseksual. Fuqia normalizuese e diskursit është e tillë që ndërton ose synon trupat idealë duke i përjashtuar trupat e turpshëm.

Edhe forma sesi është zhvilluar fushata për ngritjen e vetëdijes për këtë kategori, për njohjen dhe inkurajimin e tyre që të aplikojnë për statusin e të mbijetuarit, e ka imituar formën e rrëfimit mbizotërues, duke i prezantuar ato përmes figurës së subjektit të heroinës, si gra të forta e të guximshme. Kjo nuk e zhbën punën e madhe që bëhet me të mbijetuarit nga organizatat që u ofrojnë ndihmë ligjore, mjekësore e psikologjike. Mirëpo, në aspektin epistemologjik ajo imiton formën hierarkike të pushtetit heroik e sakrifikues, me subjektin triumfues në qendër të historisë. 

Gratë kanë qenë të përjashtuara nga një rrëfim i tillë heroik kombëtar dhe njohjet që arrihen janë të vështira e të merituara. Ato zakonisht janë degraduar në rolin e nënave, të shtëpiakeve që kujdesen për burrat dhe fëmijët, duke gatuar dhe kujdesur për ushtarët e plagosur, duke shërbyer si ndihmëse dhe korrierë, role aspak të lavdishme dhe heroike për t’u kënduar. Madje nuk është njohur asnjëherë as roli i tyre në rezistencën paqësore qytetare gjatë viteve të nëntëdhjeta, manifestim i qartë i politikave të harresës. 

Diferencimi hierarkik operon edhe përbrenda rrëfimit mbizotërues të heroikes, duke kategorizuar e renditur përmes një parimi diskriminues që kujton varësisht prej dobisë politike, prej përkatësisë në grupimin politik apo prej familjarëve të cilët mund të mbajnë pozita pushteti dhe të ndikojnë që familjarët e tyre të njihen e të kujtohen me emra rrugësh e shkollash. Ushtari i panjohur nuk ka varr!

Një pushtet i tillë homogjenizues e hierarkik, e pamundëson njohjen e luftës, e pamundëson njohjen e dhimbjes, sepse ai strukturon përmes një njohësi të vetëm, që shënjon dhe përshkon çdo gjë vetëm me siglën e heroikes, si emëruesin e përbashkët metafizik. 

Madje edhe vetë Adem Jashari dhe lufta e tij mbeten ende të panjohura, sepse diskursi zyrtar mbizotërues nuk lejon njohjen e tij. Kujtohet e përkujtohet figura e tij, vepra e tij, rezistenca e tij ushtarake, por qysh prej fillimit, pothuajse ende pa rënë ai, e tëra ishte mbështjellë me diskurs mitesh e legjendash, me një gjuhë pothuajse-religjioze. Si i tillë, pas luftës, ai bëhet i përdorshëm e i dobishëm politikisht si figura qendrore e rrëfimit të heroikes. Si i vdekur, ai u shërben të gjallëve, i shërben pushtetit të tyre dhe mirëmbajtjes së tij. Ai u duhet vetëm si i vdekur, prandaj parulla “Ai është i gjallë”! Për arsye të instrumentalizimit të tij të skajshëm dhe për arsye të mungesës së distancës së duhur historike, njohja e tij dhe e angazhimit të tij ushtarak mbeten të pamundura tash për tash. Figura e tij vazhdon të jetë e ngarkuar politikisht. Nga Kosova deri në Shqipëri ai vazhdon të përdoret si gjyle topi ndaj kundërshtarëve politikë, ndaj jugosllavëve, titistëve e jugonostalgjikëve, ndaj atyre që nuk luftuan, ndaj atyre që e refuzuan luftën, nga këta që e gjejnë veten në anën e duhur të historisë kundër atyre që e gjejnë veten në anën e gabuar të saj

Çarja e rrëfimit dhe pluralizimi i tij

Çdo kujtim dhe përkujtim kolektiv njerëzor është rezultat i marrëdhënieve të pushtetit, që pasqyron rrëfimin dominues, i cili kërkon të ngurtësohet dhe të mbizotërojë midis rrëfimeve të tjera. Pasojë e kësaj është margjinalizimi i historive të tjera, i formave të tjera të vuajtjeve dhe përvojave njerëzore, dhe i shtypjes së historive që kundërshtojnë atë mbizotëruese. Njohja e formave të tjera të rrëfimit kërkon çarjen e narratives kryesore, dhe kjo çarje duhet të jetë radikale sepse për krijimin e hapësirave të reja të rrëfimeve njerëzore nuk është e mundur të ruhet forma e vjetër hierarkike që ia nënshtron çdo gjë subjektit heroik. Nuk është çështja te zhbërja e atyre historive, sepse kjo nuk do të kishte fare kuptim, por te riintepretimi e madje edhe te rizbulimi i këtyre historive dhe ritregimi i tyre në forma të reja. Kjo kërkon rikonceptim të kohës e të mënyrave sesi e kuptojmë historinë.

Walter Benjamin i përvijon dy qasje radikalisht të ndryshme në mënyrën sesi konceptohet koha, apo historia. E para ka të bëje me kohën si diçka të shkuar dhe të mbyllur njëherë e përgjithmonë, kohë statike e shtrirë pafundësisht në të kaluarën si legjitimim i vazhdueshëm i së tashmes. E kaluara është funksion legjitimues i së tashmes, është vartëse e një progresioni linear të kohës, në të cilën çdo e tashme ikën përgjithmonë në një të kaluar të pakthyeshme. Duke qenë kështu, orientimi i vetëm mbetet ai drejt së tashmes dhe së ardhmes. Ky konceptim politik i kohës siguron një ngrirje të saj sepse në këtë mënyrë ngrihen relacionet e forcave, të cilat në të vërtetë janë relacione pushteti mbizotërues e hierarkik. Këtë konceptim të së kaluarës si statike dhe të ngrirë, Benjamin-i e ka quajtur qasja historiciste

Konceptimi i dytë ka të bëjë me kohën e kaluar jo si diçka të vdekur, por si dinamike, si fushë nga e cila e tashmja rianimohet, e risjellë në jetë nga një e kaluar e gjallë, e domosdoshme për veprimin politik në të tashmen. Vërtet e kaluara mban shumë gjëra të humbura në mënyrë të pakthyeshme, por ajo po ashtu na i ofron mbetjet e pafundme të atyre gjërave, të objekteve, vendeve e idealeve të së kaluarës përmes së cilave hapet e tashmja dhe orientohet drejt të ardhmeve të panjohura. 

Kjo e hap kohën për t’ua njohur historitë të tjerëve, për t’ua njohur dhimbjet që kanë lënë gjurmë; është mënyrë e të qenit prezent dhe në bashkësi me të tjerët. Duke e hapur mendimin mbi historinë përtej subjektit, hapet diskursi dhe rrëfimet e panjohura, çlirohen historitë e pakënduara dhe thyhet monopoli mbi historitë që na përkufizojnë në një kohë dhe hapësirë të caktuar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.