Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Postsekularizmi dhe asnjanësia e shtetit në sferën publike

Ilustrimi: Big Eye

Në këtë artikull diskutohet mënyra problematike e zbatimit të sekularizmit në shoqërinë tonë. Këtu argumentohet se, ndërsa sekularizmi politik, në kuptim të ndarjes ose pavarësimit të shtetit nga autoriteti politik, përbën një normë politike, nga njëra anë, sekularizmi shoqëror, që ka të bëjë me vlerat, praktikat dhe zakonet shoqërore, paraqitet si problem edhe në kontekst të shoqërisë së Kosovës, nga ana tjetër. Argumenti mbështetet në konceptet e reja, si postsekularizmit, asnjanësia, liria e ndërgjegjes, pluralizmi moral dhe sekularizmi politik e shoqëror, të zhvilluara nga Jürgen Habermasi, Charles Taylori, dhe Bryan Turneri.

(1)

Teoria e sekularizmit, e shtruar nga studiues socialë në shekullin XIX, kishte parashikuar rënien e rëndësisë së fesë në çështjet shtetërore dhe publike, e madje edhe në jetët private në epokën moderne. Megjithatë, teoria nuk u mbështet plotësisht nga evidenca. Studime të shumta tregojnë se ndikimi i fesë nuk u zbeh në sferën e jetës publike, e aq më pak në atë personale.

Sipas një analize të sociologut Jose Casanova, sekularizimi nënkupton rënien e fesë dhe fetarizmit në tre aspekte (1) rënien e fesë si besim dhe praktikë; (2) diferencimin strukturor të institucioneve fetare nga institucionet e tjera; dhe (3) privatizimin e fesë me ç’rast ajo kufizohet në sferën private të individëve. Meqenëse ndikimi i fesë nuk është zbehur në sferë të politikës sociale, e as në jetën familjare e individuale, Casanova përfundon se për thelbin e sekularizmit mund të flitet vetëm në kuptimin e dytë të tij, pra si diferencim strukturor të institucioneve fetare nga institucionet e tjera, që ka mbështetje empirike.

Teoricienët që e kanë pranuar këtë pikëpamje, kanë folur për postsekularen, në kuptimin sociologjik, për të emërtuar dukurinë e kthimit të fesë në sferën kulturore, për arsye se koncepti i sekulares ka nisur të destabilizohet që nga vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar.  Rrethanat e reja historike dhe një sërë zhvillimesh socio-politike kanë krijuar parakushtet për kthimin e fesë në çështjet identitare, ideologjike dhe politike duke dëshmuar se bindja sekulare për zbehjen ose zhdukjen e fesë është destabilizuar. Feja po merr rëndësi gjithnjë e më të madhe në opinionin publik. Kjo artikulohet në formë të komuniteteve interpretuese të cilat synojnë të ndikojnë opinionin publik përkitazi me shumë çështje, si aborti, eutanazia, çështjet bioetike që kanë të bëjnë me riprodhimin, çështje në lidhje me mbrojtjen e kafshëve, klimatike, e të tjera. Së këndejmi, teoria e postsekularizmit ka të bëjë me rifaktorizimin e fesë në hapësirën publike dhe pranimin e faktit të pranisë së pashmangshme të fesë në hapësirën publike.

Përveç postsekularizmit, janë edhe dy koncepte tjera që ndihmojnë të shpjegohen transformimet socio-kulturore dhe politike në nivel global në disa dekadat e fundit. Për këtë i referohemi tipologjisë së sociologut Bryan Turner, i cili dallon dy lloje të sekularizmit: politik dhe shoqëror ose kuturor. I pari ka të bëjë me rregullimin politik institucional të ndarjes ose pavarësimit të shtetit nga autoriteti fetar. Kjo formë e sekularizmit e privatizon fenë në sferë të përvojës individuale. Forma tjetër e sekularizmit, domethënë sekularizmi shoqëror ose kulturor, ka të bëjë me vlerat, praktikat, zakonet shoqërore dhe jetën e përditshme, ose shkurt sferën publike dhe sociologjikisht është evidente në frekuentimin e tempujve fetarë, anëtarësimin në komunitete formale fetare, besimin në Zot, përvoja fetare, rituale fetare, e të ngjashme.

Filozofët Jocelyn Maclure dhe Charles Taylor, në një vepër të tyre, vërejnë se ndërsa sekularizmi politik paraqitet si nevojë dhe fakt normative politik që synon të krijojë një rregullim institucional të shoqërisë, sekularizmi shoqëror ose kulturor përbën një përpjekje për të zgjeruar procesin e sekularizimit në fushën sohqërore të jetës së përdishme. Ajo e kthen sekularizmin kundër vetvetes duke e shndërruar atë në ideologji që rrezikon pikërisht atë që duhet ta mbrojë, domethënë larinë e ndërgjegjes dhe barazinë morale të individëve.

Sekularizimi politik në kuptimin e ndarjes së shtetit nga feja, ka rezultuar në margjinalizim dhe përjashtimin gjithnjë e më të madh të fesë. Mirëpo, Taylor argumenton se sekularizmi i kuptuar si kundërfetar, e bën atë problematik për pluralizmin. Andaj, një konceptualizim i tillë i sekularizmit thërret nevojën për ta ripërkufizuar atë. Prandaj, sot sekularizmi duhet të kuptohet në kuadër më të gjerë të shumësisë së besimeve dhe vlerave qytetare. Sekularizmi ka të bëjë me rregullimin demokratik të shtetit që respekton diversitetin.

Në këtë kuptim, sekularizmi lejon bashkëjetesën e botëkuptimeve të ndryshme, madje të kundërta e të papajtueshme, qofshin ato fetare, metafizike ose ideologjike. Në këtë mënyrë, shteti sekular nuk është pronar i të vërtetave, besimeve ose koncepsioneve morale, por mundësues i tyre. Në këtë kontekst, feja është vetëm një nga aspektet e diversitetit shoqëror ose pluarlizmit moral të shoqërisë. Andaj, nuk ka nevojë që feja të trajtohet në mënyrë të veçantë.

(2)

Në debatet politike mbi çështjet fetare dhe sekularizmin, dallimi ndërmjet sekularizmit si parim i rregullimit institucional dhe politik shtetëror, nga njëra anë, dhe “facilitues” i pluralitetit të hapësirës publike, nga ana tjetër, mbetet i neglizhuar. Kjo është posaçërisht evidente në mënyrën sesi adresohet kritika e fesë, që ilustrohet me frazat e përdorura shpesh në diskursin publik edhe nga udhëheqës shtetërorë, si “të ruhet neutraliteti i hapësirës publike”, “feja duhet të jetë çështje private”, e të ngjashme.

Sipas këtij diskursi dominant, feja duhet të jetë krejtësisht private. Përkrahësit e këtij qëndrimi i bëjnë thirrje shtetit që të sekularizojë ose të ruajë sekularitetin e sferës publike. Problem me këtë pikëpamje është se, siç sugjeron Jean Baubérot, ne mund të rrëshqasim në ateizëm shtetëror. Debatet që për pikënisje kanë pro- dhe contra-të e një ideje të këtillë, e që rezulojnë në qëndrime të polarizuara e polemika rreth arsyeve përse sfera publike duhet me qenë sekulare ose përse fetare, rezultojnë në një sferë publike të tensionuar. Sfera publike nuk duhet të jetë sekulare, e as fetare. Mirëpo, sfera publike është hapësirë në të cilën agjentët shoqërorë garojnë me botëkuptimet e tyre. Kështu, sfera publike merr jetë e kuptim përmes konfrontimit, diskutimit, negocimit, garës ndërmjet individëve dhe grupeve shoqërore, që mbajnë dhe zhvillojnë botëkuptime të ndryshme ose të kundërta

Nëse Kosova do të legjitimohet si shtet liberal dhe demokratik, është e domosdoshme që të ruajë asnjanësinë duke mos marrë qëndrim në shumësinë dhe laramaninë e botëkuptimeve konkurruese, përfshirë këtu ato fetare. Ndërhyrja duke marrë anë ose penguar debatin dhe komunikimin e lirë në emër të parimit të keqkuptuar dhe keqinterpretuar të sekularizmit, nuk garanton larinë e besimit dhe komunikimin e lirë.

(3)

Arsyeja e shtetit sekular nuk është fetare, por kjo nuk nënkupton se ajo duhet të jetë kundërfetare. Pritshmëritë teorike se në modernitet do të bjerë rëndësia e fesë në institucionet shoqërore, kulturë dhe jetët e individëve, nuk doli të jetë plotësisht e saktë. Është evidente se roli i fesë në jetën publike dhe posaçërisht atë politike u zbeh. Mirëpo, pati një ringjallje të fesë në forma fundamentaliste ose të reformuara, derisa lëvizje shoqërore fetare u panë anekënd botës të jenë aktive, si në SHBA, Irlandë, Iran, etj. Sot, sekularizmi duhet të kuptohet duke pasë parasysh këtë fakt empirik që provon vazhdimësinë e rëndësisë së fesë në sferën publike, ndonëse të zbehur dhe në forma të modifikuara. Mund të argumentohet se, në krahasim me periudhën paramoderne, ithtarët e sotëm të feve janë sekularë në kuptim politik, për aq sa besimi fetar nuk përcakton orientimet dhe parapëlqimet e tyre politike, por nuk janë të tillë edhe në kuptim moral e teologjik.

Po kështu edhe në Kosovë, pluralizmi politik dhe kulturor, posaçërisht në periudhën pas luftës së fundit, është shoqëruar me ringjallje të fesë, por jo domosdo si ringjallje politike e fesë. Itharët e feve në kohën e sotme kanë pranuar sekularizmin në kuptimin politik, por jo domosdo edhe në kuptimin moral të termit. Kjo e bën të domosdoshme rimendimin e sekularizmit dhe vendin e fesë në sferën publike. Por, nuk guxojmë të biem në kurthin e dogmatizmit ku idetë dhe idealet neglizhojnë realitetin shoqëror e kulturor.

Parimi fundamental i sekularizmit nënkupton se feja dhe besnikëria fetare duhet të mbahet jashtë jetës politike duke mos luajtur rol në institucionet e kontrolluara nga shteti. Çështja që mbetet për t’u negocuar në një shoqëri demokratike dhe që i dallon ato ndërmjet veti është qëndrimi që ato kanë përkitazi me atë se sa larg duhet të shkojë shteti për të përcaktuar vendin e fesë në institucionet publike. Kështu, shteti nuk pranon një fe si zyrtare, por praktikat fetare dhe përfshirja e traditave fetare në jetën publike janë çështje të debatueshme që kanë të bëjnë me sasinë e tolerancës së besimeve dhe praktikave fetare në institucionet publike dhe politike.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.