Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pretendimet e Iranit për hegjemoni në Lindjen e Mesme: Ideologjia

Në përpjekje për hegjemoni në rajon, Republika Islamike e Iranit po garon ashpërsisht me Arabinë Saudite. Të dy regjimet teokratike kanë përjetësuar si paradigmë të shtetndërtimit konfliktin e përjetshëm fundamentalist sektar sunitë-shiitë rreth mënyrës së institucionalizimit të islamit politik në shtet (me trashëgimi nga Profeti vs. me konsensus mes dishepujve të tij). Kjo përplasje karakterizohet nga konflikte me përfshirjen e tyre, herë si pionë fuqish të tjera e herë si padronë akterësh joshtetërorë pionë të tyre. Përpjekjet për rirreshtim politik e ekonomik, gara armatimi e përkrahja e hapur grupeve terroriste minojnë sistemin politik ndërkombëtar të krijuar për zgjidhjen e konflikteve, madje kërcënojnë sigurinë globale dhe ekzistencën e shteteve të caktuara. Qeverisja e brendshme e tyre, sipas doktrinave teokratike, vazhdimisht shtyp politikisht grupet etnike që i përkasin sektit fetar rival, po aq dhunshëm sa çfarëdo opinionesh jashtë sheriatit dhe interpretimit ultraortodoks të tij nga klerikët radikalë sundues.

Pretendimet e tyre për hegjemoni kanë pikënisje të ndryshme, ideologjike e pragmatike, rreth fuqisë dhe përdorimit të saj në çuarjen përpara të interesave politike. Në to ndikon trajektorja e shtetndërtimit modern, me përmasat e brendshme e të jashtme, natyra e masa e bashkëpunimit/rivalitetit me fuqitë gjatë historisë së tyre politike, balanca mes forcave të brendshme politike dhe shkalla e kohezionit të brendshëm politik, dhe nevoja për vetafirmim të vlerave e normave politike. Duke marrë parasysh natyrën jodemokratike të regjimeve të tyre, natyrën anarkike të marrëdhënieve mes shteteve në rajon (pa një kornizë rregulluese ose tjetër, të qëndrueshme, që do të shërbente si autoritet) dhe më gjerë, dhe nivelin e ulët të integrimit ndërkombëtar politik brenda rajonit, duhen analizuar burimet e fuqisë dhe dobësisë së tyre.

Kjo mundëson të parashikosh drejtimin dhe pasojat e mundshme të këtij rivaliteti: sa më të parashikueshme të jenë burimet e fuqisë dhe dobësisë, aq më tepër mund të parandalohen konfliktet në rajon. Kjo duhet parë në kontekstin e dinamikës aktuale të tranzicionit politik të rajonit drejt një sistemi potencialisht më pak anarkik dhe rirregullimeve territoriale që përfundimisht mund të sjellin njëfarë stabilizimi minimal të rendit ndërkombëtar dhe në sisteme politike e qeverisëse më përfaqësuese të identiteteve të ndryshme etnike aty ku po formësohen, ndonëse në mënyrë kaotike, konturet e shtetndërtimit kombëtar.

Sipas Saul Bernard Cohen, fuqia bazohet në: ideologji që shërben si model për vende të tjera, kohezionin e qeverisjes, kapacitetin ekonomik për ndikim jashtë vendit, dhe fuqinë ushtarake dhe gatishmërinë për ta përdorur atë. Ky artikull analizon ideologjinë, ndërsa artikujt vijues do të analizojnë aspektet e tjera.

Shikuar ideologjikisht, Irani dhe Arabia Saudite kanë pikënisje të kundërta normative rreth marrëdhënieve ndërkombëtare. Ndonëse në skenë deklarativisht mbron barazinë sovrane mes shteteve, që nga Revolucioni Islamik i 1979ës Irani promovon një lloj ‘ndërkombëtarizmi islamik’, i cili është në kundërshtim normativ me themelet e rendit ekzistues ndërkombëtar. Përveç gjuhës agresive dhe dhunës së armatosur, me synim minimin e themeleve të rendit ekzistues ndërkombëtar, regjimi islamik madje ka një Zyrë për Revolucion Global. Ky rend, pra, është ai me në qendër shtetet, ndaj të cilit Arabia Saudite ruan një qasje akomoduese, përmes aleancës Realpolitike, të bazuar në interesa ekonomike dhe të sigurisë, me fuqitë që kanë krijuar dhe udhëheqin atë. Në këtë kuptim, ndonëse asnjëra teokraci nuk ofron ndonjë model ideologjik që ia vlen të ndiqet, qasja e Iranit ndaj fuqisë dhe përdorimit të saj faktikisht përbën dobësi, për shkak të ndikimit fragmentues e destruktiv ndaj shtetndërtimit, balancit të fuqisë dhe paqes në rajon e më gjerë, ndërsa Arabia Saudite është treguar të paktën më pak destruktive në këtë drejtim.

Irani e vë në zbatim ideologjinë e politikës së tij kundër botës arabe përmes një përzierje taktikash që përfshijnë instrumentalizimin dhe përkrahjen e komuniteteve shiite, akterëve joshtetërorë (grupeve ekstremiste të armatosura) e regjimeve të tjera autoritare të cilat janë në tensione me të njëjtave fuqi me të cilat është vet.

Ndikimi përmes komuniteteve shiite shtrihet në disa vende. Në Arabinë Saudite këtë e bën përmes minoritetit shiit arab, që përbën rreth 10% të popullsisë vendase, të përqendruar në Provincën Lindore. Rezistenca saudite ndaj këtij ndikimi dhe tendencave hegjemonie të Iranit në rajon ka sjellë ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes tyre në fillim të këtij viti, pas djegies së ambasadës saudite në Teheran nga turma që protestonin kundër ekzekutimit të klerikut shiit, Nimr al-Nimr. Si kritik i ashpër i qeverisë saudite, ai ishte akuzuar për terrorizëm, përfshirë për nxitjen e protestave antiqeveritare të 2011ës në Provincën Lindore.

Në Jemen, ku shiitët përbëjnë rreth 45% të popullsisë, Irani po përkrah lëvizjen politike rebele Huthi (të emërtuar sipas themeluesit, Husein Bedredin al-Huthi; emri zyrtar: Ansar Allah, Mbështetësit e Zotit), të sekti shiit zajdi, në luftën civile kundër qeverisë së Presidentit të zgjedhur Hadi, i cili përkrahet nga jemenasit sunitë. Kjo luftë në vendin më të varfër arab ka ndarë ushtrinë në dysh: forcat besnike të Hadit kundër atyre nën kontrollin e Huthit, të cilat përkrahin ish Presidentin Saleh, të rrëzuar nga pushteti gjatë Pranverës Arabe. Ky grup, që përkrahet me armë nga Irani, kontrollon kryeqytetin Sana, ndërsa forcat rivale, të përqendruara në Aden, i përkrah Arabia Saudite. Nga marsi 2015, me kërkesë të Hadit dhe me vendim të Këshillit të Gjirit për Bashkëpunim, ajo po udhëheq një fushatë bombardimesh kundër Huthit. Koalicioni në fjalë, ku bëjnë pjesë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, Kuvajti, Jordania, Maroku, Katari, Senegali dhe Sudani, mbështetet nga ShBA, Britania e Madhe, Franca dhe Turqia, ndërsa në luftë është i përfshirë edhe grupet terroriste ‘Shteti Islamik’ dhe ‘Al-Qaeda në Gadishullin Arab’.

Në Liban, ku shiitët përbëjnë rreth 27% të popullsisë, Irani ka mbështetur grupin militant fundamentalist Hezbollah që nga themelimi i tij më 1985. Ky grup ka kryer dhjetëra sulme terroriste, kidnapime e të ngjashme kundër caqeve e interesave të Izraelit dhe vendeve Perëndimore, në Lindjen e Mesme e gjetkë. Viktima të këtyre sulmeve përfshijnë vrasjen e Kryeministri Hariri, më 2005, të qindra ushtarëve amerikanë e të tjerë, por edhe të irakianëve, ku ka trajnuar grupime ekstremiste shiite. Përkrahja e Iranit për Hamasin gjithashtu i shërben ideologjisë së tij antiizraelite.

Ndërsa Hezbollahu është përkrahur më së gjati, rivaliteti me Irakun ka qenë më i përgjakshmi: lufta e viteve 1980-1988 ka vrarë rreth një milionë iranianë. E nxitur nga mosmarrëveshje kufitare përgjatë Lumit Shatt al-Arab para 1979ës, ajo kishte marrë shkas më tepër nga rivaliteti kundër regjimit sunit të Sadam Huseinit, pas ardhjes së tij në pushtet më 1979, dhe nga dyshimet e tij se Irani do të nxiste revoltimin e shiitëve atje kundër regjimit. Përveç rreth popullsisë shiite, rreth 65%, tempujt shiitë në Qerbela, Naxhaf dhe Kom mbartin simbolikë të veçantë ideologjike. Ngjashëm, në Siri, ku shiitët përbëjnë 13% të popullsisë dhe sunitët 74%, Irani mbështet diplomatikisht dhe ushtarakisht regjimin e Asadit, i cili i përket sektit shiit alevi. Gjetkë në rajon Irani ka zhvilluar luftë pionësh kundër Arabisë Saudite në Oman, madje edhe ka dërguar trupa atje në vitet 1970, ndonëse shiitët atje përbëjnë vetëm rreth 3% të popullsisë prej rreth tre milionësh. Të njëjtën strategji rivaliteti kundër Iranit ka ndjekur Arabia Saudite me ndërhyrjen e saj në Bahrejn, më 2011, kundër opozitës dhe në mbrojtje të regjimit të Al Kalifas, si pjesë e një koalicioni të Këshillit të Gjirit për Bashkëpunim, bashkë me Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin dhe Pakistanin.

Në themel të motivit të politikave të Iranit për ndikim nëpërmjet komuniteteve shiite qëndron vetëperceptimi si sekt historikisht i shtypur nga shumica sunite brenda islamit, gjë që i bën ato etnokulturore dhe revanshiste. Ato bazohen në të drejtën e supozuar, të patjetërsueshme, të trashëguar nga Profeti, për udhëheqje hegjemone me kalifatin si formë organizimi shtetëror. Pjesë e pandashme e kësaj narrative është nacionalizmi persian: frymëzuar nga trashëgimia mbi dymijëvjeçare e organizimit shtetëror, në thelb ka supozimin se kombi persian, pakicë në islam, ka një funksion përtej kontureve të marrëdhënieve ndërshtetërore. Duke e ngritur fenë në ‘institucion mbishtetëror’, në përputhje me organizmin teokratik të tërë shoqërisë atje, ky diskurs ideologjik u jep persianëve si mision iluminist vendosjen e ‘demokracisë islame’ dhe të sistemeve të qeverisjes bazuar në vlera e norma që pretendohet të jenë më emancipueset.

Të ndeshura me rezistencën e shumicës sunite, shteteve po aq autoritare aleate të fuqive që udhëheqin rendin ekzistues ndërkombëtar, këto politika të Iranit kanë çuar në rivalitet, shpesh në formë konfliktesh të armatosur. Duke qenë se mjetet nuk përkojnë me kontekstin, pretendimi i Iranit për të vendosur hegjemoni në rajon përmes këtyre politikave të ‘etnoteokracisë joliberale’ është dëshmuar të jetë qasje ndaj fuqisë që përbën burim dobësie drejt arritjes së hegjemonisë. Kjo pasi që kombinojnë islamin politik, nacionalizmin dhe subversivitetin në një politikë të jashtme të fragmentuar e konceptualisht kundërthënëse, në një kontekst ndërkombëtar Realist, anarkik, të menaxhuar nga akterë të jashtëm, dhe ku shtetndërtimi është larg së përmbylluri suksesshëm.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.