Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Problemi i vërtetë i Amerikës

Sipas revistës së njohur “Foreign Policy” zgjedhjet presidenciale në ShBA më 3 nëntor janë më të rëndësishmet në histori. Madje, sipas saj, janë me më shumë peshë se ato të vitit 1860 kur Abraham Lincoln ishte përballur me Stephen Douglass në prag të luftës civile. As zgjedhjet e vitit 1932 kur Franklin Delano Roosevelt kishte mposhtur Herbert Hoover në mes të “Depresionit të Madh” nuk janë më të rëndësishme. Kjo për arsye se këto zgjedhje mbahen në një kohë kur ShBA-të kanë rol qendror në botë, diçka që nuk mund të thuhet për zgjedhjet e sipërpërmendura.

Akademiku i marrëdhënieve ndërkombëtare Charles Kupchan argumenton se fitorja e Trumpit do të kishte pasoja serioze sepse amerikanët dhe aleatët e tyre nuk do të mund të thonin më se votuesit kanë bërë gabim më 2016. Përkundrazi, do të ishte një afirmim i kahjes që ka marrë Amerika me Trumpin.

Mirëpo, problemi është më i thellë sesa që e paraqet Kupchan. Edhe nëse fiton Biden, problemet e Amerikës nuk do të zgjidhen aq lehtë. Kjo sepse Trump është produkt i një realiteti kompleks socio-politiko-historik që i paraprin ardhjes së tij dhe që është mjaftueshëm i fortë për t’i mbijetuar humbjes së Trump. Sa është shkaktar i ndryshimeve të rrezikshme, Trump është aq edhe simptomë e dinamikave më të hershme se ngritja e tij politike. Kjo për shkak që vizioni i Trump qëndron mbi themele ideologjike më të vjetra se ai.

Konkretisht, në kulturën politike amerikane ideologjia e nativizmit është një element shumë i rëndësishëm. Sipas Cas Mudde, nativizmi është një kombinim i nacionalizmit dhe ksenofobisë që thotë se shtetet duhet të banohen ekskluzivisht prej grupit më të madh vendor (kombit) dhe se elementet jo-vendore (aliene), qofshin persona apo ide, janë thelbësisht kërcënuese për homogjenitetin e shtetit-komb.

Objektivi kryesor i nativistit është krijimi i një etnokracie – demokraci ku shtetësia derivon nga etniciteti. Mirëpo nativistët amerikanë janë duke u përballur me një trend shumë negativ për ta. Më 1989, migrantët përbënin 7% të popullsisë, kurse tani përbëjnë mbi 15%. Zyra e Cenzusit në ShBA parashikon se më 2042 grupet e pakicave do të përbëjnë shumicën e popullsisë.

Në një ndryshim kaq të shpejtë demografik, shumica aktuale ndjehet gjithnjë e më e kërcënuar. Kjo është një nga arsyet se pse ajo po bëhet gjithnjë e më shumë intolerante. Premtimi i Trump për të ndërtuar murin me Meksikën ishte muzikë në veshët e tyre dhe lufta e tij kundër migrimit ishte shtendosëse për ta. Gjithashtu, shkelja e drejtës për votë për qytetarët që nuk janë të bardhë, sado jo-demokratike, janë të pranueshme për ta. Kjo është situata në të cilën nativizmi është duke fituar terren.

Në politikë të jashtme nativizmi fuqinë më të mprehtë shprehëse e ka gjetur në traditën Jacksoniane, e cila gjatë Luftës së Ftothtë mbeti nën hijen e doktrinave tjera të politikëbërjes, si ajo Hamiltoniane dhe Wilsoniane. Kjo traditë e mendimit është testament nga Andrew Jackson, që sipas historianit Walter Russell Mead është presidenti i parë populist i ShBA-ve. Kjo kishte ndodhur në vitin e largët të 1829, por për tetë vite ai ka ndërtuar një trashëgimi jetëgjatë.

Për dallim prej Wilsonianizmit, traditës idealiste të Woodrow Wilson, Jacksonianizmi nuk e sheh ShBA-në si entitet politik esenca e të cilit përcaktohet nga parimet intelektuale e as si shtet me mandat për të realizuar misionin universal të lirisë e barazisë për njerëzimin. Përkundrazi, për këtë traditë detyra e ShBA-së është garantimi i barazisë dhe dinjitetit të qytetarëve amerikanë brenda kufijve të shtetit të tyre.

Personazhi kryesor i narrativës së kësaj doktrine është figura e “amerikanit të vërtetë”, që është i bardhë, konservativ, i krishterë, me shkollim të mesm dhe që ekonomikisht i përket klasës së mesme. Intelektualisht, idetë Jacksoniane zanafillën e kanë në traditën skoceze të iluminizmit të sensit komun (common sense), që thotë se të vërtetat shkencore, morale, politike dhe fetare mund të identifikohen nga personat e rëndomtë. Kjo është një forcë kulturore që ushqen një mosbesim të thellë tek ekspertët, për të cilët aderentët e kësaj ideologjie besojnë se janë të angazhuar për të riprodhuar privilegjet e elitave.

Fundi i Luftës së Ftohtë shënoi një fillim të ri për Jacksonianizmin dhe arsyeja për këtë sipas Robert Kagan qëndron tek fakti bashkë me Bashkimin Sovjetik ka rënë edhe alibia e përfshirjes së pakontestueshme të ShBA-së në çështjet botërore. Që nga ajo kohë nuk ka pasur konsensus amerikan rreth vizionit për politikë të jashtme. Pikërisht në këtë kontekst kishte nxjerrë kokën Jacksonianizmi.

Kagan ka bërë një analizë të fushatave zgjedhore që nga viti 1988 dhe vlerëson se duke e vërejtur rritjen e numrit të përkrahësve të Jacksonianizmit, secili President amerikan nga ajo kohë ka premtuar se do të tkurrë praninë amerikane në botë dhe do të fokusohet brenda ShBA-së. Mirëpo, Kagan thotë se secili President ka tradhtuar këtë zotim, duke radikalizuar kampin Jacksonian të elektoratit. Për pasojë, kjo rriti skepticizmin ndaj establishmentit dhe votuesit filluan të kërkojnë kandidatë anti-establishment. Ndërkohë, “Recesioni i Madh” e rriti ankthin e tyr dhe përkeqësoi situatën.

Megjithatë, sipas Karen Stenner në studimin e saj “Dinamika Autoritare”, prirjet autoritare të individëve mund të përkthehen në veprime vetëm kur ka një stimulues të jashtëm. Këtë e gjetën kur Obama erdhi në pushtet, që u pasua me formimin e një lëvizjeje nativiste: Tea Party. Sipas Theda Skocpol, arsyeja pse kjo lëvizje u mobilizua me ardhjen e Obamas në pushtet është se ky i fundit  për ta është një figurë ku mishërohen të gjitha elementet që nga nativistët shihen si jo-amerikane: Obama është i zi, biri i imigrantit dhe i muslimanit, intelektual elitar nga universitetet e shtrenjta të Ivy Leagues dhe një socialist që rrezikon kapitalizmin amerikan.

Kjo lëvizje ngadalë e mori ngadalë kështjellën e Partisë Republikane nga brenda dhe kur Trump vërejti këtë ndryshim, ai lansoi projektin e vet politik që adreson frikën dhe ankthin e tyre. Ai amplifikoi teorinë konspirative se Barack Obama nuk ka lindur në Amerikë, për të “dokumentuar” jo-amerikanësinë e Obamas. Trump i dha dhëmbë një klime të mllefit kundër Obamas dhe votuesit konservativë e panë atë si aleatin më të denjë për të mposhtur armiqtë.

Për këtë arsye, mund të thuhet se më 2016 nuk ka fituar vetëm Trump, por edhe Jacksonianizmi, koncepti “Amerika e Para” dhe të gjitha variacionet e populizmit dhe nativizmit, që në dekadat e fundit kanë shënuar një rikthim aq të fuqishëm politik, sa nuk mund të mbahen më në margjina dhe jashtë perimetrit institucional. Të gjitha këto së bashku do të jenë të painjorueshme dhe do të ushtrojnë trysni akute mbi secilin president amerikan, sado liberal të jetë. Kjo përfshin edhe Joe Bidenin, që do ta ketë shumë të vështirë të jetësojë vizionin e vet liberal e multikulturor në një shoqëri tejet të polarizuar e intolerante amerikane.

E nëse Trump shkon, Jacksonianizmi nuk do të ikë. Derisa Trump është një figurë me të cilën mund të tallemi, problemi i vërtetë i ShBA-së është: çfarë do të ndodhë kur të del një kandidat Jacksonian për President, i cili është autokratik, nativist, iliberal e populist si Trump, por ndryshe prej tij, është emocionalisht stabil, karizmatik në dukje, koherent në logjikë dhe elekuent në argumentim?!

Ky është spektri i ankthshëm amerikan dhe test shumë më sfidues për demokracinë amerikane sesa Trump. E me Jacksonianizmin kaq vibrant, ardhja e një kandidati të tillë është një kronikë e paralajmëruar dhe një situatë gati e pashmangshme.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.